Ballina Lajme nacionale Taksë për autostradat, reagon Vetëvendosje

Taksë për autostradat, reagon Vetëvendosje

15
SHPËRNDAJE

MTI ka paralajmëruar se së shpejti autostradat në Kosovë do të bëhen me pagesë.

Pas paralajmërimit se autostradat e vendit do të bëhen me pagesë, janë deklaruar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Në VV thonë se këto autostrada janë ndërtuar nga buxheti i shtetit dhe se nuk ka asnjë arsye për të shtuar pagesa të tjera. Ministri në detyrë, Pal Lekaj, ka deklaruar sot se një pagesë e tillë do të aplikohet dhe se tarifa do të jetë e përballueshme për të gjithë

Shumë shpejt kosovarët do të paguajnë taksë edhe për të kaluar nëpër dy autostradat e vendit. “Ibrahim Rugova” e “Arbën Xhaferi”, pritet që shumë shpejt të bëhen me pagesë.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se janë në pritje të studimit të fizibilitetit për të caktuar çmimin dhe kushtet e pagesave, derisa thonë se çmimi do të jetë shumëfish më i ulët se ai që ka caktuar Edi Rama në “Rrugën e Kombit”

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje deklarojnë se janë kundër një pagese të tillë.

Zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka, i ka thënë Gazetës Express se ata që kanë plaçkitur paranë publike gjatë ndërtimit të autostradave tash po propozojnë që populli të paguajë taksa për to.

“Ndërtimet e autostradave janë shoqëruar fillimisht me një jotransparencë të madhe e tutje edhe me skandale e afera të mëdha korruptive. Vetëm te kjo e fundit kishim skandalin e madh të 53 milionëshit. Pra këta që plaçkitën paranë publike gjatë ndërtimit tash propozojnë që populli të paguaj autostradën”, ka thënë Manxhuka.

Deklaron se këto autostrada janë ndërtuar nga buxheti i shtetit dhe se nuk ka asnjë arsye për të shtuar pagesa të tjera.

“Këto rrugë, autostrada, janë ndërtuar nga buxheti i shtetit dhe nuk ka asnjë arsye për të shtuar pagesa të tjera”, thuhet në përgjigjet e Manxhukës drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka treguar për Gazetën Express se si po planifikohet që të vendoset tarifa në autostradat e Kosovës.

“Përfundimi i dy autostradave dhe angazhimi për përfundimin e dy të tjerave, është e kuptueshme që janë kosto për buxhetin e shtetit dhe prandaj, rrjedhimisht edhe është e kuptueshme që këto rrugë me standarde të larta duhet të kenë mundësi të mirëmbahen po në këtë standard, prandaj edhe po punohet, pa u ngutur, që të kemi në një të ardhme edhe pagesën rrugore, sikur çdo shtet i rajonit dhe më gjerë”, ka thënë Lekaj.

E ndonëse ishte paralajmëruar se këto pagesa do të aplikoheshin në fillim të 2020-ës, Lekaj nuk jep ndonjë afat se kur do të vihet saktësisht tarifa.

“Ditën, javën e as muajin nuk mund ta themi se kur do të fillojë se aplikuari, por gjithsesi se në një kohë jo të largët një shërbim i tillë do të duhet të aplikohet”, ka thënë ministri në detyrë.

Ai nuk ka dhënë çmim konkret se sa do të kushtojë kalimi nëpër autostradat e Kosovës, por ka thënë se tarifa mendohet të jetë e përballueshme për të gjithë.

“Aq sa është e mjaftueshme për t’u mirëmbajtur këto autostrada nq nivelin e duhur dhe sipas standardeve evropiane. Por, kjo gjithsesi jo që të rëndohet papërballueshëm ekonomia familjare e as ajo e bizneseve të pjesëmarrësve në komunikacion”, thotë Lekaj.

Gazeta Express ka provuar që të marrë qëndrim për këtë çështje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por në këtë parti nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, dy autostradat e Kosovës të ndërtuara me buxhetin e vendit kapin një shifër prej mbi një miliard e gjysmë euro pa asnjë ndihmë nga jashtë.

Autostrada që lidh Kosovën më Shqipërinë e quajtur “Ibrahim Rugova”, është lëshuar për qarkullim më 27 nëntor të 2012-ës.

Ndërkohë, autostrada Prishtinë – Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi” me gjatësi prej rreth 60 kilometrash, është lëshuar për qarkullim më 29 maj të këtij viti dhe i ka kushtuar buxhetit rreth 700 milionë euro.

Të dy autostradat janë ndërtuar nga konsorciumi turko-amerikan, Bechtel-Enka.

-----