Ballina Lajme nacionale Taksa ndaj Serbisë, ‘kartë’ e Haradinajt

Taksa ndaj Serbisë, ‘kartë’ e Haradinajt

20
SHPËRNDAJE

Taksa ndaj Serbisë po konsiderohet si një mjet që Ramush Haradinaj të marrë përkrahjen e popullit.

Pezullimi i taksës prej 100 për qind ndaj prodhimeve të importuar nga Serbia, të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës, “është kërkesë që ekziston” dhe ajo është për ta “disiplinuar” Kosovën, ka thënë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që i ka bërë Komunës së Vushtrrisë.

“Unë mendoj që është një kërkesë që të na disiplinojnë, që ne të pranojmë ndonjë zgjidhje me më shumë kompromise në marrëveshjen finale me Serbinë. Prej nesh nuk ka mbetur shumë se çka të japim. Ne jemi pajtuar me Ahtisaarin, i kemi kryer ato obligime që i kemi pasur. Tani nuk kemi se çka të japim për njohjen, por mund ta japim një partner ekonomik për Serbinë, sepse kur të na njeh Serbia, hiqet edhe taksa”, ka theksuar Haradinaj.

Ai ka shtuar se taksa ndaj prodhimeve të Serbisë nuk është thjeshtë vetëm taksë dhe vetëm tregti, por është edhe kriter që tregon se a është Kosova shtet ose jo. Sipas tij, nëse Kosova lëshon pe lidhur me taksën, do ta ketë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje, në pozicione të barabarta.

Vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë, në mënyrë që të rifillojë dialogu, por kryeministri Haradinaj, në vazhdimësi ka ripërsëritur që taksa nuk do të hiqet pa njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, sepse nuk ka alternativë më të mirë, por heqja e taksës prej 100 për qind për prodhimet e Serbisë, të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës dhe që Serbia e sheh si pengesë për rifillimin e dialogut, vështirë se mund të pezullohet pa ndryshimin e qasjes së vet Bashkimit Evropian ndaj dialogut në përgjithësi, si dhe ndaj Kosovës brenda këtij dialogu.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj prodhimeve të Serbisë, përveç tjerash, i ka shërbyer kryeministrit Haradinaj si mjet që ka marrë përkrahjen e popullit, si dhe tashmë është shndërruar në një kartë për presion, të cilin kryeministri po e përdorë jo vetëm karshi Serbisë, por edhe ndaj faktorit ndërkombëtar në përgjithësi.

“Kërkesat e kryeministrit kanë qenë të qarta, pra, po kërkon njohje (nga Serbia) për heqje të taksës. Normalisht që këto janë qëndrime maksimaliste të zotit Haradinaj, mirëpo gjasat për ta larguar taksën tani, pothuajse nuk ekzistojnë ose janë shumë të vogla, për vet faktin se kjo taksë po shërben mirë për aspektin e politikave ditore dhe për aspektin e rritjes së brendshme të subjektit politik të Haradinajt (AAK). Përderisa është një qëndrim i tillë nga qytetarët, që në masë të madhe e përkrahin taksën, vështirë që mund të ketë lëkundje të Haradinajt në këtë drejtim”, theksoi Murati.

-----