Ballina Lajme nacionale Takimi Vuçiq-Pompeo, po shihet si mundësi që administrata Trump të përfshihet në...

Takimi Vuçiq-Pompeo, po shihet si mundësi që administrata Trump të përfshihet në dialog

19
SHPËRNDAJE

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të martën do të takohet me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, në margjinat e një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Sipas medieve serbe, tema kryesore e bisedimeve, do të jetë situata në Kosovë. Në anën tjetër, SHBA-ja, ka kohë që bën thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, bisedimet e lehtësuara nga BE-ja janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të shkuar, për shkak të taksës ndaj mallrave serbe, të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Takimin mes presidentit serb në Nju Jork me sekretarin amerikan të shtetit, analistët në Beograd e shohin si interesim të administratës amerikane në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas Zoran Milivojeviqit, Evropa aktualisht nuk është në gjendje që të ndikojë në mënyrë aktive në zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, andaj ndërhyrja e SHBA-së është e duhur.

“Ky takim, në këtë nivel, më të lartin aktualisht, tregon se administrata amerikane është e interesuar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. E dyta tregon edhe se Amerika ka për qëllim që të përfshihet aktivisht në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe kështu merr iniciativën. Është e sigurt se Pompeo takohet me Vuçiqin me dijeninë e presidentit Trumpit dhe kjo mund të shihet si efekti i letrës së dhjetorit të vitit të shkuar, kur SHBA-ja njoftoi se dëshiron të përfshihet në proces”, ka thënë Milivojeviq.

Ai shtoi se kjo administratë amerikane me këtë takim, është duke e demonstruar gatishmërinë që të përfshihet në proces dhe se i pëlqen më shumë qëndrimi i serbëve për gjetjen e zgjidhjes së kompromisit për të dyja palët.

Për pritjet nga takimi, analisti serb konsideron se mund të theksohen dy pika. E para, që palës në Prishtinë t’i bëhet presion që të heqë taksën e imponuar për të rifilluar dialogu dhe e dyta, sipas tij, të lihen në plan të dytë strukturat radikale anti-serbe që deri më tani, udhëhiqnin në Prishtinë.

-----