Ballina Lajme nacionale Takimi konsultativ me presidentin Thaçi, a do të marrin pjesë partitë politik

Takimi konsultativ me presidentin Thaçi, a do të marrin pjesë partitë politik

11
SHPËRNDAJE

A do të marrinë pjesë partitë politike në takimin konsultativ me presidentin Thaçin?

Javën e ardhshme pritet që situatës së re politike të krijuar në Kosovë, t’i jepet një kahje.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një njoftimi për medie pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë”, thuhej në njoftim, shkruan lajmin.

Thaçi ka sqaruar se “çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”.

Ndërkohë që partitë politike në Kosovë kanë bërë të ditur nëse do të marrin pjesë në takimin konsultativ me presidentin Hashim Thaçi.

Nga Partia Demokratike e Kosovës në një përgjigje për lajmi.net kanë thënë se ende nuk kanë pranuar ftesë, por se do t’i përgjigjen posa të ftohen.

“Ende nuk e kemi pranuar ftesën nga presidenti Thaçi për konsultimet që parashihen sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës dhe në momentin që do të ftohemi, do të marrim pjesë”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se do të marrë pjesë në këtë takim, duke shtuar se takimi i vetëm që do të marrin pjesë do të jetë ai për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Jo. Nuk do të marrim pjesë. Ne kërkojmë zgjedhje të jashtëzakonshme. I vetmi takim ku do të marrim pjesë është takimi për caktimin e datës së zgjedhjeve”, është shprehur deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu.

Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për lajmi.net janë shprehur se ende nuk kanë marrë ftesë zyrtare nga presidenti Thaçi për këtë takim.

Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa për lajmi.net ka thënë se është përgjegjësi kushtetuese e presidentit t’i thërras partitë për konsultime.

“Nuk mund të përgjigjem pa ardhur ftesa, kur të vijë ftesa, pastaj flasim. Jo që e presim ne, por është përgjegjësi kushtetuese që t’i thërras partitë në konsultime. Është obligim kushtetues i tij dhe prandaj duhet t’i përmbush obligimet e tij kushtetuese”, tha Mustafa.

Kurse nga partia e kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur se për këtë do të vendos kryetari i partisë dhe kryesia e ngushtë.

“Për ftesën e vlerëson kryetari dhe kryesia e ngushtë për pjesëmarrje”, ka thënë shkurt deputetja e AAK-së, Time Kadriaj.

Në anën tjetër, edhe Partia Socialdemokrate janë shprehur se ende nuk kanë pranuar ftesë nga presidenti dhe se në këtë situatë nuk mund të flasin për takimin.

“Ne ende nuk kemi pranuar ftesë zyrtare nga presidenti për takimin kështu që nuk mund të flasim në këtë moment. Kur të marrin ftesën, atëherë shikojmë”, ka thënë zyrtarja për media e PSD-së, Natyra Kuçi për lajmi.net.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, ka thënë se ende nuk kanë marrë ftesë, por se do ta trajtojnë atë me përgjegjësinë më të madhe partiake.

“Jo ne e kemi parë vetëm në portale, që ka dalë nga Zyra e Presidentit, por sigurisht ne do të konsultohemi, të presim ftesën e presidentit dhe të vendosim, pasi për momentin nuk kemi asgjë zyrtare. Pasi të marrim ftesën do ta trajtojmë me përgjegjësinë më të madhe partiake”, ka thënë Enver Hoti.

Në anën tjetër, nga Aleanca Kosova e Re (AKR), kanë konfirmuar për lajmi.net se do të marrin pjesë në takimin e presidentit Hashim Thaçi për konsultim sa i përket situatës politike në vend.

“Po, po gjithsesi, dhe besoj që parimisht secili duhet të marrë pjesë pasi tani është në dorën e presidentit të marrë hapat e nevojshëm për këtë situatë. Besoj se janë të nevojshme dhe të parapara këto konsulta”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i i AKR-së, Vesel Makolli.

Takimi i cili pritet të mbahet javën e ardhshme nga presidenti Thaçi mendohet t’i japë drejtim situatës politike të krijuar në Kosovë.

Partitë politike janë deklaruar publikisht se janë pro zgjedhjeve të parakohshme dhe nuk mendojnë se në Kosovë mund të ketë ndonjë qeveri teknike siç është folur këto ditë.

Se çfarë do të diskutohet, çfarë do të vendoset dhe si do të dakordohen partitë politike në këtë takim mbetet të shihet javën që po vjen.

-----