Ballina Lajme nacionale Sot Thaçi e pret në presidencë Kurtin

Sot Thaçi e pret në presidencë Kurtin

8
SHPËRNDAJE

Kosova është në pritje të krijimit të institucioneve të reja.

Zhvillime interesante do të ketë sot gjatë ditës në skenën politike në vend. Pas pushimeve të fund vitit, temë kryesore sot kur janë bërë tre muaj nga zgjedhjet e gjashtë tetorit do të jetë zhbllokimi i vakumit institucional, e krijimi i qeverisë së re, shkruan Gazeta Express.

Sot janë bërë tre muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të gjashtë tetorit, e që konfirmuan si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje, e pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Megjithëkëtë, ende nuk janë krijuar institucionet e reja, madje, LV e LDK nuk ka arritur që të nënshkruajë koalicionin për bashkëqeverisje, as pas disa muajsh diskutime.

Tani kur është konstituuar edhe Kuvendi, me zgjedhjen e kryeparlamentarit, Glauk Konjufcës dhe nënkryetarëve, lideri i partisë së parë të dalë nga zgjedhjet, Albin Kurti do të bëjë hapin e radhës drejt formimit të qeverisë së re.

Pas disa mospajtimeve lidhur me datën e orën e takimit, Albin Kurti ka arritur që të dakordohet me të parin e shtetit, Hashim Thaçin që të shihen sot në ora 15:00 në presidencë.

Të dy këta, për vite të tëra njihen si rival politikë, e që nuk i kanë kursyer epitetet e akuzat e ndryshme për njëri tjetrin.

Thaçi e ka akuzuar Kurtin për lidhje me Rusinë, duke i thënë që financohet nga Irani, teksa, i pari i LV-së, tha se këto deklarata të tij reflektojnë se ai është në panik.

Presidentin e shtetit, Albin Kurti e ka quajtur edhe Pinokio, duke i kërkuar llogari për idenë për shkëmbim me territore.

Sido që të jetë, tashmë është konfirmuar se Kurti dhe Thaçi do të takohen në ora 15:00, edhe përmes një njoftimi për media që kanë lëshuar nga presidenca.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në orën 15:00 pret kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e dërguar për medie, ku bëhet e ditur se mediat do të marrin vetëm pamje nga takimi.

Mirëpo, përveç takimit në mes të dy armiqve të vjetër, sot zhvillime interesante do të ketë edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo që nuk po mund të dakordohet me LV-në për koalicion, pasi që këta të fundit nuk kanë pranuar kushtin që edhe pozita e presidentit të jetë pjesë e pazarit.

Kështu Isa Mustafa, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, para takimit Thaçi – Kurti, do të mbajë dy takime të rëndësishme me strukturat e partisë në të cilën ai udhëheq.

Në orën 13:00 do të mbahet mbledhja e Grupit parlamentar të LDK-së, derisa, një orë e gjysmë më vonë Mustafa ka thirrur në një mbledhje urgjente kryesinë e partisë.

Arsyeja kryesore e këtyre dy takimeve të Mustafës me strukturat janë për të diskutuar për koalicionin me LV-në.

Nuk dihet nëse do të ketë zhvillime të reja sa i përket marrëveshjes, që do të mund ta çonin Kurtin në presidencë të pajtuar me LDK-në.