Ballina Lajme nacionale Skandali i radhës nga Edi Rama, autorizon Vuçiqin të flasë në emër...

Skandali i radhës nga Edi Rama, autorizon Vuçiqin të flasë në emër të Ballkanit me presidentin Macron

39
SHPËRNDAJE

Skandali i radhës nga Edi Rama.

Skandalin që e ka bërë duke e fyer Kosovën në takimin e Ohrit për shkak të mungesës së saj në iniciativën për jetësimin e minishengenit ballkanik, i cili i shkon për shtati më së shumti Serbisë, Edi Rama e ka trashur duke u pajtuar që Aleksandër Vuçiqi t’i përfaqësojë interesat e shteteve ballkanike para presidentit të Francës, Emanuel Macron.

Këtë autorizim Rama ia ka dhënë Vuçiqit në Ohër para dy javësh bashkë me Zaevin në samitin, në të cilin nuk mori pjesë Kosova për çka Edi Rama edhe e sulmoi ashpër lidershipin e saj se po vetëpërjashtohet në iniciativa të tilla.

Se Vuçiqi është autorizuar të shpjegojë për shengenin në Francë, ka treguar vetë presidenti i Serbisë në një intervistë që ia ka dhënë gazetës gjermane me ndikim Der Spiegel.

“Unë isha me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Samitin e Ohrit dhe ne u pajtuam pothuaj në të gjitha pikat, përfshirë edhe atë se unë do të flas me Macronin në emër të secilit, gjë që edhe e kam bërë javën e kaluar”, ka thënë Vuçiqi.

Siç dihet Vuçiqi në takimet me Macronin në Paris vetëm 2 ditë pas takimit të Ohrit nuk ka gjetur shumë disponim për minishengenin për faktin se Macron ka kërkuar që kjo iniciativë t’i përfshijë të gjithë, edhe Kosovën.

E autorizimi, që Rama është pajtuar t’ia japë Vuçiqit për të folur në emër të Ballkanit në Francë, është bërë edhe përkundër faktit që atje Kosova e ka pasur përfaqësuesin e saj, presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili në kryeqytetin francez ka realizuar edhe takime me shefin e shtetit serb me ndërmjetësim të Macronit.

Duke folur për minishengenin, Vuçiqi edhe një herë ka treguar se kjo nismë më së shumti i konvenon Serbisë.

“Minishengeni është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur rajonit në 30 vitet e fundit. Jo më luftë, jo më masakra, në vend të kësaj ai është një lloj Skandinavie për të varfrit. Me të ne do të bëhemi një far motori i rritjes ekonomike për të gjithë Evropën”, ka thënë ai.

E kur Der Spiegel e ka pyetur se a do të jetë Kosova pjesë e minishengenit, Vuçiqi ka bërë pak propagandë.

“Kosovarët nuk po e dinë se çfarë po duan. Albin Kurti, që me gjasë do të bëhet lideri i tyre i ri, tingëllon sikur do të bëhet lider i Shqipërisë së Madhe. Kosova e sheh veten si shtet, por ne nuk e shohim kështu. Por ne megjithatë mund të bëjmë biznes të mirë bashkë”, ka thënë Vuçiq.