Ballina Lajme nacionale Skandali/ Basha i jep mijëra dollarë firmës që loboi vjet për kriminelin...

Skandali/ Basha i jep mijëra dollarë firmës që loboi vjet për kriminelin serb dhe trafikantin e armëve (Fotot)

30
SHPËRNDAJE

Nuk kanë të sosur skandalet që vijnë nga selia blu. Vetëm disa ditë më parë Prokuroria e Tiranës mori të pandehur 4 zyrtarë të Partisë Demokratike, përfshirë këtu edhe vetë kreun e PD Lulzim Basha për lobimin rus në SHBA, por PD sërish nuk heq dorë.

Mësohet se Partia Demokratike ka firmosur një kontratë të re lobimi me kompaninë amerikane ‘Sonoran Policy Group’. Përmes kësaj kontrate të nënshkruar më datë 11 qershor 2019, me vlerë 10 mijë dollarë në muaj dhe me një total prej 40 mijë dollarësh, publikuar nga Birn, PD synon të ndërtojë një strategji në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Thënë ndryshe, PD përmes këtij lobimi kërkon të godasë qeverinë e drejtuar nga Rama.

Mirëpo nga një kërkim që bëri newsbomb.al. rezulton se kompania e zgjedhur nga Basha për nënshkrimin e kësaj kontrate që mban firmën e Gazment Bardhit, sekretarit të Përgjithshëm të PD, është e njëjta kompani e cila një vit më parë ka lobuar për një kriminel serb.

Bëhet fjalë për famozin Slobodan Tesic, i futur në ‘listën e zezë’ të SHBA-ve. Tesic njihet si abuzues i të drejtave të njeriut dhe një ndër tregtarët më të mëdhenj të armëve dhe municioneve në Ballkan. Pikërisht për t’i hequr emrin nga lista e zezë kriminelit serb, loboi kompania ‘Sonoran Policy Group’ me të cilën tashmë ka nënshkruar kontratën e rradhës PD-ja.

“Konsulenti do të punojë me opozitën shqiptare për të ndërtuan një strategji kundër narkotikëve dhe kundër krimit të organizuar, si dhe të mundësojë takime dhe ndërveprime me zyrtarë të administratës, kongresit dhe pushtetit ekzekutiv në SHBA,” shkruhet në kontratë.

“Konsulenti gjithashtu do të punojë me agjencitë vendore në SHBA dhe ato ndërkombëtare për të luftuar epideminë e krimit të organizuar në Shqipëri,” thuhet më tej në kontratë.

Mesa duket PD, pas zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dështimit të aksionit opozitar për të rrëzuar Ramën, si ‘as nën mëngë’ tashmë ka këtë kontratë lobimi që synon ta ndihmojë për të finalizuar qëllimin e saj. Vlen të thuhet gjithashtu se, ndonëse në opozitë, PD duket mirë financiarisht pasi 10 mijë dollarë në një muaj, që do duhet t’i paguajë kompanisë për të goditur Ramën, nuk janë pak.

-----