
Minuta e 15-të, kundërsulm fantastik i skuadrës “Colchoneros”, asist i Llorente dhe finalizim i “El Pistolero”, i cili gjeti golin e 17-të sezonal në La Liga. Kampionët në fuqi pretenduan për një penallti në minutat e fundit të pjesës së parë, por kryesori vazhdoi lojën pasi pa gjithçka në VAR.
Atletico u shfaq e rrezikshme në pjesën e dytë me Suarez dhe Carrascos, ndërsa Benzema pati rastin më të mirë për ekipin e Zidane, por u ndal nga Oblak. “Los Blancos” nuk u dorëzuan dhe gjetën golin e barazimit me anë të sulmuesit francez.
Kombinime të bukura mes Benzema dhe Casemiros dhe finalizim i 33-vjaçarit, i cili evitoi disfatën e skuadrës së tij. Vendi i parë dhe 59 pikë për Atletico Madrid, që ka luajtur një ndeshje më pak se Barcelona (56 pikë) dhe Real Madrid (54 pikë).
Sfida tjetër në La Liga, Huesca-Celta Vigo dhuroi një festival golash. Në fund festoi skuadra galiciane, që siguroi tre pikë në transfertë pas suksesit 3-4.