Ballina Lajme nacionale Sigurohen mjetet për objektin shtesë të çerdhës

Sigurohen mjetet për objektin shtesë të çerdhës

15
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Udhëheqësia e çerdhes “Breshia” para disa viteve, me mjete vetanake të të punësuarve në këtë institucion parashkollor, filloi ndërtimin e aneks objektit të çerdhes me përkrahje edhe të pushtetit vendor. Drejtoresha Ajrie Daçi thotë se ka qenë nevojë e kohës të ndërtohet edhe një objekt për nevojat e çerdhes meqë numri i fëmijëve ishte në rritje, por njëkohësisht edhe për ti plotësuar standardet europiane nevojitej sipërfaqe plotësuese

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 23 mars – Objekti aneks i çerdhes “Breshia” në Dibër që filloi të ndërtohet para disa viteve, pritet të përfundoj gjatë këtij viti. Ministria për Punë dhe Politikë Sociale ka vendosur në Programin vjetor që ky objekt domethënës për çerdhen të përfundojë këtë vit. Këtë e pohoi edhe sekretari shtetëror në MPPS, Resmi Ejupi gjatë takimit që kishte në Dibër me drejtoreshën e çerdhes, Ajrie Daçi. Objekti në fjalë që ka një sipërfaqe prej 600 metra katrorë mundëson standarde të larta të çerdhes në Dibër.

Udhëheqësia e çerdhes “Breshia” para disa viteve, me mjete vetanake të të punësuarve në këtë institucion parashkollor, filloi ndërtimin e aneks objektit të çerdhes me përkrahje edhe të pushtetit vendor. Drejtoresha Ajrie Daçi thotë se ka qenë nevojë e kohës të ndërtohet edhe një objekt për nevojat e çerdhes meqë numri i fëmijëve ishte në rritje, por njëkohësisht edhe për ti plotësuar standardet europiane nevojitej sipërfaqe plotësuese. Sipas saj, për ndërtimin e objektit u grumbulluan dhe u investuan 7 milionë denarë, po që normalisht nuk mund të mbulonin buxhetin e tërësishëm të projektit. “Tani më disa vite objekti pret vazhdimin e punëve në sipërfaqet e brendshme dhe gëzon fakti që me programin e punës të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, edhe ky aneks objekt që është në ndërtim e sipër – pritet të përfundojë. Me ndërtimin e këtij objekti shtesë, mundësohet për herë të parë funksionimi i një salle sportive për fëmijët, disa ushtrimore për fëmijët, si dhe sipërfaqe për zyrat e këtij institucioni”, tregon drejtoresha e çerdhes. Përfundimi i punimeve të objektit do të mundësojë edhe pranimin e të gjithë fëmijëve të Komunës Dibër, meqë deri tani – numri i fëmijëve ishte i kufizuar për shkaqe të sipërfaqes të objektit.

Çerdhja e Dibrës e cila është themeluar para 50 viteve jep një kontribut shumë të madh në sferën e edukimit të fëmijëve dhe nga viti në vit – ka një rritje të numrit të fëmijëve. Sidomos realizimi i projekteve nga Programi “Erazmus Plus” ka mundësuar që të punësuarit, respektivisht edukatoret dhe udhëheqësia, të realizojnë projekte shumë domethënëse për punën e këtij institucionit.

Përfundimi i objektit shtesë në çerdhen e Dibrës, sipas sekretarit shtetëror në MPPS, Resmi Ejupi, është i sigurt. Ai thotë se për përfundimin e objektit do të investohen edhe 7.4 milionë denarë dhe pritet që shumë shpejt objekti të jetë i plotë dhe efikas. Ndryshe, çerdhja e Dibrës e cila në projektet “Erazmus Plus” në mënyrë dinjitoze prezantoi Maqedoninë e Veriut në realizimin e projekteve në shumë shtete të tjera, ndërkohë që tani me sipërfaqet e reja të punës, pritet të vazhdojë të rrit standardet e larta të edukimit të fëmijëve.

 

The post Sigurohen mjetet për objektin shtesë të çerdhës appeared first on KOHA.

---- ----
-----