Ballina LifeBizare Si ia fshihte Enverit shkrimet për Hysni Kapon, Nexhmije Hoxha

Si ia fshihte Enverit shkrimet për Hysni Kapon, Nexhmije Hoxha

43
SHPËRNDAJE

Isuf Kalo

Një ndër tiparet e komunikimit e të marrëdhënieve të Nexhmijes me të shoqin ishte se gjërat të cilat ajo i gjykonte jo të këndshme, të padobishme, ose të dëmshme për t’u treguar apo ekspozuar ia fshihte atij. Nexhmija ishte “pus”, çka te gratë thuhet se haset rrallë. Ajo ishte e tillë jo vetëm për çështje shtetërore, politike e partiake të punës e detyrës, apo për ato që lidheshin me shëndetin e Enverit, për të cilat ruajtja e sekretit është e justifikuar, por edhe për gjëra më të rëndomta të jetës e të shëndetit të familjarëve, të afërmve apo personave të njohur. Përveçse edukatë e shprehi e fituar në vitet e luftës së konspiracionit të detyruar, them se kjo ishte edhe një lloj parandjenje, “frikë nga tersi” apo paragjykim i saj që çdo lajm, ndodhi a fakt i hidhur apo i padëshiruar, përveçse trondit emocionalisht atë që e dëgjon, i krijon atij dëme psikologjike dhe shëndetësore.

Fshehja e diagnozave, sidomos në rastet e kancerit apo sëmundjeve të tjera të rënda e të pashërueshme, ka qenë tradicionalisht dhe është ende sot kod i pashkruar etik i shoqërisë dhe i mjekësisë sonë. Kjo nuk ndodh në vendet dhe shoqëritë e përparuara, ku fshehja e diagnozave të sëmundjeve ndaj pacientëve konsiderohet shkelje e një prej të drejtave universale të tyre. Një nga arsyet që e ruajti më gjatë te ne deri sot këtë anomali ka qenë ndoshta edhe ndikimi i shkollës mjekësore sovjetike, e sidomos teoria “Kortiko viscerale” e Ivan Pavllovit. Sipas tij, tronditjet nervore dhe stresi janë faktor i rëndësishëm etiologjik për krijimin dhe rëndimin e disa sëmundjeve. Nexhmija, me gjithë zhvillimin e saj intelektual të admirueshëm, ishte në këtë drejtim pavlloviane e fiksuar.

Mënyra me të cilën Nexhmija merrej me zbutjen apo shmangien e efekteve psikologjike që bartnin lajme apo ngjarjeve të rënda për shëndetin ose humorin e Enverit, por edhe të familjarëve të saj të tjerë, duke mos ia transmetuar ato, ishte mbresëlënëse. Ajo ishte për t’u admiruar për zellin e përkushtimin, por edhe për t’u qortuar, pasi pengonte dhe, potencialisht, ishte e dëmshme kur teprohej dhe kaloheshin caqet deri në mani.

Kjo na vinte mua dhe kolegët e tjerë të ekipit mjekësor në ndihmë, por jo rrallë bëhej edhe pengesë në komunikimin tonë direkt e të duhur me Enverin. Zbutja dhe evitimi i stresit, i tronditjes emocionale ishin të dobishme, por fshehja dhe deformimi i të vërtetave shëndetësore vetë të sëmurit mund të ishin me pasoja të rrezikshme dhe penguese për kryerjen siç duhej të detyrës sonë. Parimi se “asnjë e keqe nuk të vjen nga ato që nuk thua” nuk përputhet me kërkesat e profesionit të mjekut. E kundërta është e vërtetë.

Enveri për të ishte burri dhe udhëheqësi. Por për ne ishte më së pari “pacienti”. Si i tillë, ishim të detyruar t’ia thoshim të vërtetat, qofshin edhe të pakëndshme. Përndryshe humbiste motivi i ndërhyrjeve tona të domosdoshme ndaj tij. Për fat të mirë, Enveri ishte i vetëdijshëm për sëmundjet që vuante. Ai kishte lexuar dhe ishte i mirinformuar për to. Nuk ishte i trembur, as në panik. Ishte racional dhe i vetëpërmbajtur në qasjen ndaj tyre.

Ne mjekët i duheshim jo për ta duartrokitur, si militant partie. I duheshim që ta ndihmonim, si profesionistë, por jo t’i diktonim. Nuk pranonte ta linte shëndetin e tij vetëm në dorë tonë. Nuk donte të ishte “pacient doktor dipendent”. Me të drejtë donte të ishte zot i jetës dhe i shëndetit të vet.

Ai nuk lejonte sidomos që ta pengonim dhe t’i ndërhynim me “arsyet dhe propozimet tona mjekësore” në veprimtarinë dhe në preferencat që kishte. I mbahej parimit “secili detyrën e vet”. Kjo të kujtonte “Mbretin Diell”, Luigjin XIV të Francës, kur mjeku i tij insistoi t’i impononte si të domosdoshme një procedurë të padëshirueshme prej tij, e ai ia refuzoi prerazi: “Ti bëj mjekun. Unë do të bëj mbretin”, i tha doktorit. Enveri donte të mos e pengonim të bënte udhëheqësin e vendit.

Ai kërkonte argumente dhe jo rrallë shfaqte rezistencë apo dhe kundërshti ndaj masave apo procedurave që ne i propozonim si “të duhura apo të domosdoshme” për kurimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e shëndetit të tij.

Nexhmija, ndonëse me aftësi të jashtëzakonshme vëzhguese dhe analizuese, e tejkalonte masën e rëndësisë që u jepte emocioneve negative dhe ndikimit psikologjik për shëndetin e të shoqit dhe familjarëve të saj, duke krijuar fshehtësi dhe “gënjeshtra të bardha” qëllimmira, por jo gjithmonë të nevojshme.

Kështu ndodhi në ditën e një përvjetori të vdekjes së Hysni Kapos. Gazeta “Zëri i Popullit” kishte një shkrim kushtuar atij. E vërteta qe se Hysniu ishte ndër personat e paktë, në mos i vetmi, që Enveri e kishte dashur dhe çmuar shumë për devotshmërinë dhe besnikërinë e sinqertë ndaj tij. Zakonisht, gazetat vinin në orët e para të mëngjesit, së pari tek oficerët rojë që shërbenin 24 orë rresht brenda shtëpisë, ndërkohë që Enveri ishte ende në gjumë. Sapo ai zgjohej ato i jepeshin infermieres, e cila ia çonte atij në shtrat bashkë me barnat dhe kafen e mëngjesit.

Nexhmija zakonisht ishte prezent në dhomën e gjumit të tij në atë çast. Por atë ditë ajo nuk ndodhej në shtëpi. Duke imagjinuar se kur të shikonte shkrimin për Hysniun Enveri do të emocionohej dhe kjo mund t’i krijonte shqetësim apo krizë në zemër, ajo pati lënë porosi të posaçme me një pusullë të shkruar prej saj me nxitim ku detajohej mënyra si do të veprohej.

Porosia ishte: “Dr. Isufi duhet të jetë patjetër i gatshëm diku pranë tij kur t’i jepen gazetat”. Natyrisht unë vajta dhe qëndrova pranë tij në gatishmëri në sallonin para dhomës së gjumit, por në të vërtetë asgjë nuk ndodhi. Madje kur mbaroi kafenë dhe shfletimin e gazetave, ndërkohë që ai ishte ende në shtrat, infermierja, sipas porosisë që i kisha dhënë, i tha që isha aty pranë dhe po të na lejonte do të doja që ta ekzaminoja. Ai pranoi. Unë hyra dhe të parën gjë që u mundova të shihja me vëmendje ishte shprehja e fytyrës dhe e syve të tij. Nuk ishin me lot. Ishin si zakonisht. Pa asnjë turbullim. As në vizitën klinike nuk gjeta asnjë ndikim emocional.

Parashikimi dhe shqetësimi i saj rezultoi i ekzagjeruar dhe jo proporcional me çka ndodhi vërtet. Enveri nuk e di a e lexoi të gjithë shkrimin për Hysniun apo vetëm titullin, ose diagonalisht dhe çfarë ndjenja pati prej tij. Por bazuar te ngjarjet e ngjashme më pas bindja ime qe se Enveri nuk ishte nga ata që i lëngëzoheshin sytë kollaj me lajme e sentimente të tilla.

Të njëjtin angazhim metikuloz, plot ankth e adrenalinë, ajo investonte me përkushtim edhe në kujdesjet mjekësore për probleme shëndetësore ndaj djemve, të bijës, bashkëshortëve dhe fëmijëve të vegjël, nipër e mbesa, njëherësh si nënë, gjyshe, vjehërr, nuse e familjes Hoxha, por edhe si bijë, motër e hallë te familja e vajzërisë së saj, Xhuglini.

Porosi të posaçme dhe hollësi të ngjashme bënte Nexhmija edhe kur ishte fjala për këta. Edhe në to dominonte bindja e saj se me takt e duke i mbajtur gjërat fshehur mund të evitoheshin traumat emocionale e psikologjike të dëmshme për shëndetin e Enverit apo të fëmijëve.

Sa herë që isha në Paris me fëmijët e saj, në letrat që më dërgonte ajo më jepte e shqetësuar porosi të hollësishme, të shënuara me pika, se si duhej vepruar e çfarë masash paraprake duheshin marrë në situata mjekësore të paparashikuara, por që mund t’u ndodhnin fëmijëve të saj të sëmurë që shoqëroja. Ajo porosiste që t’ua mbaja sekret, që të mos trembeshin e të mos shqetësoheshin psikologjikisht. Prandaj sipër zarfit shkruante me nënvizim: “Isufit. Strikt. Personale”, ose “Kujdes! Mos e hap në sy të…”, ose, herë tjetër, “Hape kur të jesh vetëm. Mos e lexo kur të jesh me…”.

Në to, në fakt, nuk kishte asgjë sekrete apo alarmante për t’u fshehur. Më shumë sesa udhëzime që të më ndihmonin, ato qenë shqetësime të një prindi që përjeton ankth deri në zgjidhjen e problemit shëndetësor. Sipas saj, atyre duhet t’u mbaheshin të fshehta deri në fund hollësitë e problemit dhe diagnoza e sëmundjes për të mos i traumatizuar.

Më shumë e tronditur Nexhmija qe kur mjekët francezë dyshuan se Teuta, e shoqja e Ilirit, kishte një problem serioz shëndetësor, që mund të kërkonte ndërhyrje kirurgjikale delikate. Në ato vite, imazheria as në Francë nuk kishte arritur perfeksionimin teknologjik që ka sot. Nexhmija shumë më tepër, por edhe unë si mjek që e shoqërova atje, bashkë me kirurgun e ndjerë Arjan Xhumari, e përjetuam, keq deri në kontrollin pas një viti, ankthin e atij dyshimi diagnostik dramatik.

Fatmirësisht, në fund të fundit, gjithçka rezultoi pa pasoja. Ndërkohë dhe problemet shëndetësore të nuses tjetër, sa herë shfaqeshin përbënin shqetësim e preokupim për vjehrrën. Nexhmija ka treguar vëmendje, kujdes dhe angazhim maksimal për mirëqenien shëndetësore, emocionale dhe jetësore të saj. Angazhimi im si mjek dhe si mik i saj e i Sokolit, ka qenë po aq me përkushtim dashamirës profesional e miqësor. Kurse problemet shëndetësore të Pranverës, e cila, pas martesës, jetonte me familjen e saj po aty, besoj se heshturazi ishin “pika e dobët” në zemrën e Nexhmijes.

Ndieja që ajo i përjetonte ato dhembshurisht, sikur t’i vuante vetë, por e kyçte përbrenda vetes dëshirën e natyrshme për të bërë diçka më shumë për të bijën dhe familjen e saj. Për fat të mirë, Pranvera ishte pa pretendime. Ajo tregonte mirëkuptim ndaj kompleksit që shfaqte e ëma duke mos mbështetur dot ndonjë kujdes a trajtim disi më të privilegjuar për të.

Libri: BLLOKU/UETPRESS/ GAZETA SHQIP

-----