Ballina Lajme nacionale Si erdhi deri tek mosakreditimi i universiteteve publike?

Si erdhi deri tek mosakreditimi i universiteteve publike?

7
SHPËRNDAJE

Tri universitete publike në Kosovë nuk janë akredituar.

Problemet që u shfaqën kohët e fundit për tri universitete publike, të cilat nuk morën akreditim institucional për një vit, janë si pasojë e shumë mangësive, thonë njohës të fushës së arsimit.

Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsim, tha për Radio Kosovën se universitetet janë hapur për fushatë elektorale, pa ndonjë studim paraprak. Ndërkohë, Ministria e Arsimit pati përgatitur një raport për profilizimin e universiteteve, i cili ka kaluar në Qeveri dhe tani është në komisionet parlamentare.

Pesë universitetet publike në Kosovë u hapën në periudhë fushatash elektorale, pa u bërë përgatitjet paraprake. Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se pikërisht kjo situatë e tanishme e këtyre universiteteve është si pasojë e mënyrës se si janë themeluar ato. Ai tha se që nga fillimi i hapjes së tyre, këto universitete janë përballur me sfida të mëdha, prej të cilave kryesorja është sigurimi i cilësisë.

“Qeveria pasi ka arritur t’i hapë ato për qëllime që përmenda, nuk u ka ofruar ndonjë mbështetje, por përkundrazi i ka shpërdorur për punësime politike e qëllime të tjera. Kjo që ka ndodhur është një pasojë e një qëndrimi të tillë shumëvjeçar dhe mendoj se tani ka ardhur koha që të rishikohet e tërë kjo dhe të bëhen përmirësimet e duhura”, ka thënë Pupovci.

Në analizën e tij, Pupovci thotë se Kosova nuk ka kapacitet për një numër kaq të madh të studentëve në arsimin e lartë. Ndërkohë, kuadri akademik nuk është shtuar shumë.

Ministri aktual i arsimit, Shyqiri Bytyqi, gjatë mandatit të tij, ka hedhur idenë e profilizimit të universiteteve publike. Ai pati formuar një grup punues, i cili është marrë me propozimet konkrete për profilizimin e universiteteve publike dhe një raport i është dorëzuar Qeverisë dhe Komisionit Parlamentar për Arsim.

“Në këtë raport janë dhënë dy rekomandime, i pari ka të bëjë me atë që mund të reduktohen universitetet në dy publike dhe të mbesin kampuse pjesët e tjera që sot aktualisht janë universitete, me qëllimin e vetëm që të jetë cilësia në nivel më të lartë. Mos të bëhen konkurrente të programeve që nuk janë kërkesë e tregut të punës. E dyta ka të bëjë me profilizimin e tyre, që secilit universitet iu kanë përzgjedhur profilet e nevojshme dhe që janë kërkesë e tregut të punës”, ka shtuar ai.

Eksperti Pupovci, thekson se një profilizim duhet të ketë, pasi Kosovës nuk i nevojiten pesë fakultete ekonomike e pesë juridike, me një numër kaq të madh të ekonomistëve dhe juristëve të papunë. Ai tha se duhet të shikohet edhe mundësia e bashkimit të tyre, në mënyrë që institucionet e arsimit të lartë të jenë në gjendje të plotësojnë standardet minimale të cilësisë.

Në korrik të vitit 2014, në prag të zgjedhjeve, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, premtoi hapjen e universiteteve të reja. Pesë vjet më vonë, në korrik të vitit 2019, tri nga këto institucione të arsimit të lartë, Universiteti në Pejë, në Mitrovicë dhe Universiteti në Prizren humbën akreditimin e tyre për një vit akademik, pasi morën një vlerësim negativ nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

-----