Ballina Arti Si e mbrojti kryeministri Delvina imzot Fan Nolin, kur Mitropoliti grek i...

Si e mbrojti kryeministri Delvina imzot Fan Nolin, kur Mitropoliti grek i Korçës e quante atë “Episkop rrenacak”

14
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga Sherif Delvina

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sulejman Delvinës, njërit prej pinjollëve të familjes së famshme delvinjote, i cili pasi u shkollua në Janinë e Stamboll, ku u mbajt edhe si pedagog në Liceun e Gallata Sarajt, ai shërbeu në detyra dhe funksione të larta në administratën e Perandorisë Osmane dhe më pas u kthye në atdhe, duke u angazhuar në Kongresin e Lushnjës, ku atij i’u besua detyra e kryeministrit, zv/ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë. Dokumentet e panjohura të nxjerra nga Arkivi Qëndror i shtetit në Tiranë për ish-kryeministrin shqiptar që kryesoi kabinetin e parë qeveritar të dalë nga Kongresi i Lushnjes, nga karriera politike dhe dhe roli i tij si burrë shteti e patriot i shquar, në themelimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, deri tek dorheqja e tij nga kreu kabinetit!

Qëndrimi i Sulejman Delvinës ndaj ‘Luftës së Vlorës’

Në verën e vitit 1920, qeveria e Tiranës, në bisedimet me palën italiane, kishte si kusht kryesor pranimin nga ana e tyre të bashkimit administrativ të Prefekturës së Vlorës me pjesën tjetër të vendit. Sulejman Delvina, nga funksioni i tij si Kryeministër, nuk donte që lufta e Vlorës të kishte karakterin e një lufte midis shtetit shqiptar dhe atij italian. Kjo vinte, pasi qeveria e kryesuar prej tij, asokohe vazhdonte bisedimet diplomatike, duke fituar prestigjin ndërkombëtar dhe duke e mbrojtur tërësinë territoriale të vendit nga fqinjët grabitqarë. Në këtë kuadër, qeveria e Sulejman Delvinës pati akuza pa vend në mbledhjen e 40-të të Këshillit Kombëtar, e cila u zhvillua më 23 maj të vitit 1920.

Në proces-verbalin e asaj mbledhje, midis të tjerash thuhet se: “Z. Qazim Koculi, kërkon se ç‘masa ka marrë qeveria për çështjen e Vlorës…? Shkëlqesia e tij, Kryeministri dëfton, se qeveria jonë përherë ka kërkuar dorëzimin e Vlorës. Zoti Koculi, tregon hidhërimin e tij se qeveria nuk ka bërë kurrgjë për shpëtimin e Vlorës. Shkëlqesia e Tij, Kryeministri thotë se qeveria jep fjalën e nderit se kurrë nuk do kursehet të bëjë edhe një therorësie për shpëtimin e Vlorës”. Sipas librit “Historia e Popullit Shqiptar” (vëll. III, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2007), qeveria e Sulejman Delvinës i premtoi Komitetit të Vlorës ndihma materiale etj., por me rrugë jo zyrtare. Lidhur me këtë, midis të tjerash aty thuhet: “Ky qëndrim gjeti mirëkuptimin e Komitetit ‘Mbrojta Kombëtare’… Ministër pa portofol u emërua edhe Spiro Koleka, i cili do të mbante lidhje ndërmjet Komitetit të Vlorës dhe qeverisë së Tiranës”. Po kështu, Sejfi Vllamasi, senator i asaj kohe, në librin e tij “Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1912)” për Sulejman Delvinën shkruan: “Sulejman Delvina, gjatë luftës së Vlorës ka mbajtur një qëndrim të vendosur kundër italianëve. Ai ka qenë për zbrazjen pa kusht të tokës shqiptare nga italianët dhe kur Komiteti i Luftës së Vlorës filloi të lëkundet për shkak të luftës, ai e inkurajoi atë për vazhdimin e saj, derisa u arrit fitorja e plotë”.

Letra e Sulejman Delvinës për Bajram Currin

Krahas angazhimit, ndonëse të tërthortë për të ndihmuar Luftën e Vlorës, qeveria e kryesuar prej Sulejman Delvinës, bënte një përpjekje të madhe edhe për çështjen e Kosovës. Por siç shihet edhe nga një letër e Sulejman Delvinës, e cila gjendet në fondin arkivor të Bajram Currit (dhe që mendohet t‘i jetë dërguar atij), sipas tij, problemi i Kosovës duhej parë me kujdes dhe jo gjithmonë për zgjidhjen e atij problemi duhet të përdoreshin armët dhe kryengritja e armatosura. Ai i sugjeronte mikut të tij, Bajram beg Currit, se për zgjidhjen e problemit të Kosovës, duhesh përdorur edhe metodat diplomatike, pasi shteti shqiptar ishte i dobët dhe në tentativë për të zgjidhur të gjitha problemet me forcën e armëve, mund të vihej në rrezik i gjithë shteti shqiptar që ishte brenda kufijve të 1913-ës.

Lidhur me sa më sipër, në letrën dërguar Bajram Currit, Sulejman Delvina shkruante: “Unë kam këshilluar zotni e miq, shokë tuaj të ndershëm të heqin dorë nga Kosova kreshnike, që është pjesa më e madhe dhe më e bukur e vendit tonë. Unë e provoj me fakte se krejt Shqipërinë e dua njësoj, e nuk preferoj një krahinë më tepër se tjetrën, po të them të vërtetën, tash për tash nuk shoh fare mundësi për shpëtimin e Kosovës. Çdo veprim e iniciativë që do të bëhet sot për shpëtimin e Kosovës, ka për të vënë në rrezik Shqipërinë e 1913-ës. Ju premtoj se kur të vijë koha kemi për t’a përkrahur. Edhe ngjarjet e vajtueshme të Dibrës, edhe për pak kohë do të binte Elbasani, duke marrë parasysh këto kondita e konflikte me serbët nuk mund të zgjidhen me fuqi të armëve. Unë jam njeri që nuk i trembem vdekjes, se përpara se të vija në Shqipëri, vendosa me vdek e pastaj erdha. Po me kusht që vdekja jonë të shpëtojë nderin. Po të humbë atdheu, ç‘rëndësi ka vdekja…?! Po ju parashtroj gjithçka mendoj dhe zotnia jote vini dorën në zemër, në zemrën tuaj të pastër dhe mejtohuni. Vendimin që do të merrni ma shkruani që të veproj dhe unë. Me nderime të përzemërta, Kryeministri Sulejman Delvina”. (AQSH F. 818, Dosja 8/2, fq. 24).

Letra e Sulejman Delvinës për amerikanët

Gjatë qeverisjes së tij, Kryeministri Sulejman Delvina mbajti marrëdhënie shumë të mira edhe me qeverinë e SHBA-së, duke parë tek ata mbrojtësit e sigurt të paqes dhe dashamirësinë që kishin treguar ndaj Shqipërisë. Lidhur me këtë bën fjalë edhe një letër e Sulejman Delvinës, dërguar Personelit Amerikan për Bashkëpunim në fushën e Arsimit, Kulturës e Bujqësisë, ku midis të tjerash shkruhet: “Tiranë, 15 tetor, 1920, Hirësisë së Tij, Peshkopit Blake, Hirësisë së tij, Dr. E.F. Lee dhe z. Franc. Përshëndetje kordiale. Ne autorët e Regjencës dhe Qeverisë Shqiptare jemi prekur nga ndjenjat fisnike dhe interesi dashamirës që ju keni shprehur në emër të SHBA-ve. Sugjerimet që keni bërë për sa i përket zhvillimit të popullit tonë aprovohen. Nevoja e parë për ne është një shkollë e mesme. Ne duam që këtu të sillet qytetërimi tuaj. Ajo do të kishte një vlerë shumë të madhe për stërvitjen e udhëheqësve të kombit, të rinisë femërore…., nevoja jonë e dytë është stërvitja e mësonjësve për shkollat kombëtare. Kërkojmë që një degë e shkollës suaj të jetë për stërvitjen e mësonjësve. Nevoja jonë e tretë është të na dërgoni një ekspert edukimi të stërvitur jo vetëm nga teknika, por me zotësi organizimi, administrimi që të veprojë si këshilltar në Ministrinë e Arsimit. Ne jemi një popull bujk, por Shqipëria prodhon një të katërtën e asaj që duhet të prodhonte.

Në qoftë se ju merrni përsipër krijimin e një ferme model, instruktime shkencore për bujqësinë moderne ashtu siç është zhvilluar në USA. Anëtarët e qeverisë sime janë gati të bashkëpunojnë në gjetjen e tokave për ferma, ndërtesa, ne jemi shërbyesit tuaj. Regjentët Sulejman Delvina, Aqif Elbasani, Kryeministër, Dr. M. Turtulli, Mehmet Konica, Abdi, Toptani, ministër i Jashtëm, Imzot Luigj Bumçi, Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm, Sotir Peci, ministër i Arsimit. (AQSH Koleksion fondesh, Fondi 886, Dosja 2334, fq. 1-8). Në periudhën e qeverisjes së tij, Kryeministri Sulejman Delvina i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe formimit të administratës shtetërore, duke shtruar si detyrë kryesore për nëpunësit e shtetit, përvetësimin e gjuhës shqipe. Lidhur me këtë, në një dokument arkivor, midis të tjerash thuhet: “Kryesia e Këshillit Ministerial (të Shkëlqyeshmit e Këshillit të Naltë). Këshilli i Ministrave vendosi me bisedën e tij nr. 888, 10-11-1920, përmbi propozimin e Ministrisë së Drejtësisë nr. 317/3/10-20 vendosi heqjen e Mustafa Boriçit, ndihmësgjyqtar i pajtimit të Shkodrës nga padija e tij e gjuhës zyrtare”. Tiranë, 17.11.1920. Zv/kryeministri Sulejman Delvina.

Konflikti me Mitropolitin Jakovos për Fan Nolin

Në korrik të vitit 1920, Sulejman Delvinës i’u desh të përballonte Mitropolitin Jakovos Ngjingjilas, Eksark i Patrikanës dhe armik i vjetër i Shqipërisë. Mitropoliti Jakovos i shkruante Sulejman Delvinës në korrik të 1920-ës një letër, ku kërkon moslejimin e ardhjes së Fan Nolit në Shqipëri. Duke e quajtur mes fyerjeve të tjera Nolin, si episkop rrenacak që kishte shkelur çdo ligj të Zotit. Në këtë kohë kishte filluar Lufta e Vlorës, një pjesë të tokave të Shqipërisë Verilindore i kishin pushtuar jugosllavët dhe peshkopi grek i bënte presion Kryeministrit Sulejman Delvina, që të mos pranonte Fan Nolin, duke pasur përkrahjen pa rezerva të Patrikanës, e cila nuk donte të lejonte kurrë që në Shqipëri të krijohej Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Sipas Apostolos Glavinas, autor i librit “Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë”, (Selanik 1989), thuhet se: “Jakovi ishte fronëzuar në Stamboll më 15 shkurt të vitit 1911 si Mitropolit i Durrësit dhe kishte shërbyer si mitropolit i këtij qyteti deri në vitin 1917, vit i dëbimit të parë nga Shqipëria (nga austriakët, shënimi ynë).

Ky Mitropolit u kthye përsëri në fund të vitit 1919, sepse ishte mik personal i Venizellosit”. J. Sëire për këtë pohon: “Esat Pashë Toptani pati koleg kryesor në intrigat e veta, peshkopin grek, Jakov dhe sekretarin e tij, Gjurakoviç, i cili u bë prefekti i Durrësit gjatë pushtimit serb. Ky mitropolit u vendos në Korçë më 1 dhjetor të vitit 1919, por kësaj radhe si eksark. Në Korçë, ai krijoi shoqatën “Bashkimi i Ortodoksëve të Korçës”. Mitropoliti Jakovos ishte kundër autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, ai ishte vetëm për autonominë e saj, Patrikana e Stambollit donte kontrollin administrativ mbi kishën tonë. Në atë kohë, Kryeministri Sulejman Delvina, hoqi mundësinë e një fërkimi me Mitropolitin Jakovos dhe pas kësaj ai i shkroi një letër Kryeministrit Delvina, ku thuhet:

Nr. Prot. 1711. Shkëlqesisë së tij Sulejman bej Delvinës, kryetarit, qeverisë shqiptare në Tiranë, Shkëlqesë, Tuj u përkujdesun për qetësinë e vendit, sidomos në këto ditë të kritikshme, tuj u përkujdesun për nderë e prestizhin e fesë, në të cilën është bashkë me mua një pjesë e madhe e Kombit Shqiptar dhe më shumë si kryetar i ligjshëm i Orthodoksëve të Diocezit të Durrësit, sillem prej detyrës së hjeq vërejtjen e plotë të shkëlqesës suaj dhe të qeverisë mbi një çështje fort me rëndësi, dhe jam i sigurt që shkëlqesa e juaj do ta çmojë sikurse duhet. Lajme prej Amerike kallëzojnë se pregatitet të vijë në pak kohë në Shqipëri i njofturi Prift Fan Noli, i cili, është një send për m‘u tmerrue, tuj shkelun çdo ligjë të Zotit dhe të njerësve dhe tuj përqeshun e tuj marrë në lojë Zotin, njerëzit dhe fenë së cilës për fat të keq ka takuar anëtar, ka filluar prej disa kohësh të çfaqet si Episkop, të meshojë dhe jo vetëm këtë, por edhe të autorizojë (të bëjë) si i këtillë priftër dhe dhjakona. Klerikalë me të tillë ndërgjegje dhe pa frikësie Zoti, fort të pakët tregon historia e Kishës sonë.

Midis këtyre vjen të zërë vent në shekullin e njëzetë dhe i përmenduri Episkopi i rrenave Fan Noli. Po ju dërgoj një kopje të një shkrese që i është drejtuar Episkopit Rus prej anës së tre priftërinjve orthodoksë shqipëtarë: at Naum Ceres, at Dhamianit Angjeli dhe at Nikollës Kristoforit. Në këtë qartas shihet, porsi në pasqyrë jeta dhe sjellja e të përmendurit Fan Nolit. Gjithashtu, po ju dërgonj dhe një kopje të shtypur të qarkores së Episkopit Rus, e cila u drejtohet shqiptarëve të Amerikës klerikalë dhe laikë. Tashi, sa të drejtë ka Episkopi Rus Aleksandër të sjellë titullin episkop i orthodoksëve shqiptarë të Amerikës. Kjo është një çështje kanonike, e cila u përket autoriteteve fetare kompetente. Gjëja, e cila intereson shkronjësin dhe shkëlqesën tuaj është se, që prej qarkores së përmendur vërtetohet se at Fan Noli, i autorizuar sipas rregullave të Kishës Episkop dhe kështu është një rrenacak pa ndërgjegje. Do të jetë mendoj, dakord me mua plotësisht dhe shkëlqesa juaj, se ky njeri nuk i sjell nder kombit shqiptar, në të cilin pretendon se ka pjesë. Tuke qenë pra kështu i bëhet lutje shkëlqesisë suaj që të marrë masat e duhura dhe të ndalojë në çdo mënyrë ardhjen në Shqipëri të të përmendurit Episkopit rrenacak Fan Nolit, sepse jo vetëm që kjo nuk do të sjellë ndonjë të mirë, por do të bëhet përkundrazi shkak i shumë të këqijave. Jini të lutur shkëlqesë të kini mirësinë të pranoni ndjesinat e mia më të nalta”. Korçë 9/22 Korrik 1920. Mitropolit i Durrësit Jakovos (firma) (AQSH fq. 249 v. 1920. d.I 30, fl. 1).

Shoqëria “Vatra” ndërmjetëson te kryeministri Delvina për Fan Nolin

Ndryshe nga mitropoliti i Durrësit, Jakovos, kryesia e shoqërisë “Vatra” të Bostonit, i kërkonte Kryeministrit Sulejman Delvina që ai të lejonte ardhjen e Fan Nolit në Shqipëri. Në atë letër thuhet: “Shkëlqesisë së Tij Sulejman Delvina. Kryesia e Shoqërisë “Vatra” kërkon dhënien e lejes Fan Nolit për të hyrë në Shqipëri dhe emërimin e tij si delegat pranë Lidhjes së Kombeve në Zvicër. Lajmërohet ardhja e At Nolit me vaporin Puglia”. (AQSH F. 149, D. 20, viti 1920). Pasi mori letrën, Kryeministri Sulejman Delvina urdhëroi Prefekturën e Durrësit, që t‘i bënte me dije Fan Nolit, se për shkaqe politike të brendshme të elementit ortodoks, qeveria shqiptare është e shtrënguar që të mos e lejojë të zbresë nga vapori në Shqipëri, të kthehet në Bari dhe atje do të marrë një letër”. Kurse në një letër me koncept nr. 180 7/1 drejtuar Prefekturës së Durrësit nga Sulejman Delvina, shohim gjuhën plot respekt që përdor ai si Kryeministër për Fan Nolin. Sulejman Delvina kërkonte që urdhri i tij t‘i komunikohej Nolit në mënyrë të butë (Fondi 149, dosja I-29, viti 1920). Lidhur me këtë, me anë të një letre Kryeministri Sulejman Delvina, njoftonte: “Kryesisë së Federatës Boston, me gjithë ndalimin e arsyeshëm at Nolit ju dha leje për me ardhë në Shqipëri, u emërua delegat pranë Lidhjes së Kombeve. Kryeministër S. Delvina”. Koncept Nr. 2301 (AQSH Fondi 249, Dosja I-29, viti 1920). Pas kësaj, në nëntor të vitit 1921, u dëbua nga Korça Mitropoliti grek Jakov Ngjingjilas, i cili ishte kundërshtar i vendosur i Autoqefalisë.

Dorëheqja e kryeministrit Sulejman Delvina

Në fundin e vitit 1920, në krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës filloi të përhapej lëvizja për mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese. Duke u mbështetur në këtë lëvizje, qeveria e Sulejman Delvinës vendosi që më 14 nëntor të atij viti të zhvilloheshin zgjedhjet për Asamblenë. Por ky vendim u kundërshtua nga disa anëtarë të Këshillit të Lartë dhe nga mjaft deputetë të Këshillit Kombëtar, me të cilët u bashkuan dhe disa ish-anëtarë të qeverisë së Durrësit, si dhe figura të tjera me orientim pro-italian. Në këto rrethana, qeveria e Sulejman Delvinës, po atë ditë u detyrua të jepte dorëheqjen (“Historia e Popullit Shqiptar”, vëll. III, Tiranë 2007). Lidhur me këtë, në tekstin e dorëheqjes së tij, Kryeministri Sulejman Bej Delvina, shkruante: “Si mbas nevojës, që pashë, dhashë dorëheqjen me emërin e Kabinetit tim, derisa të formohet kabinet‘ i ri, do të veproj si zëvendës; Kabineti i ri do të formohet prej njerëzve të ndershëm, që ka besimin e popullit të plotë të kombit. Jam përkrahje e këtij Kabineti me gjithë fuqinë time, në këto kohëra delikate. Lutemi të kini kujdesin për qetësinë e prehjes të vendit; këtë e pres prej atdhedashurisë”. Kryeministri Sulejman Delvina.

Në përgjigje të kësaj letre, Këshilli i Lartë i Shtetit, i shkruante: “Këshill‘ e Naltë e Shtetit Shqiptar, e pranoj dorëheqjen që bëri kabineti që ish formuar nën kryesinë e Shkel. Së Tij Z. Sulejman Delvinës, me DEKRET. Shkel. Së Tij Z. Sulejman Delvinës-Tiranë. Shkëlqesi! E muarmë letrën e Z. S. me 14.11.1920 me të cilën na bëni të njoftur se Kabineti që qe formuar nën Kryesin e Sh. Suaj dha dorëheqjen: çmojmë fort mirë shërbimet e Sh. Suaj që kini sjellë Atdheut në kohërat me të vërtetë kritike dhe ju falënderojmë për të gjitha këto. Por, me qenë që në Parlament s‘keni një shumicë përmbi të cilën të bazohet, jemi edhe na të detyruar t‘jua pranojmë dorëheqjen. Por, pas zakoneve, ju lutemi shumë që Shkëlqesa juaj bashkë me Ministrat e tjerë, të vazhdoni në punë, si zëvendës, gjersa të nisin punë ata që do të emënohen. Pritni nderime t‘ona më të mëdha. Këshill‘ e Naltë e Shtetit Shqiptar”. Elbasani, Bumçi, D. M. Turtulli, Abdi Toptani. (Gazeta ‘Mbrojtja Kombëtare’, 18. nëntor, 1920). Është për të vënë në dukje se në këtë dekret, vlerësohet shumë puna e Kryeministrit Sulejman Delvina në shërbim të atdheut në kohërat me të vërtetë kritike. Vlen të përmendet gjithashtu edhe roli i Kryeministrit Sulejman Delvina dhe i qeverisë së tij, në konsolidimin e shtetit të ri shqiptar.

Ai vihet në dukje në veprën “Shqipëria dhe Mbreti Zog, Pavarësia, Republika dhe Monarkia 1908-1939” të autorit Oëen Pearson, Londër 2004, vëllimi I, ku në faqen 155 thuhet: “Arritjet e qeverisë së S. Delvinës s‘kanë të numëruar. Ajo bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të vendosur marrëdhënie miqësore me shtetet fqinje, sidomos me Italinë. Ia doli të mbledhë një hua kombëtare prej dy milionë frangash ari, organizoi një ushtri të vogël e xhandarmërinë dhe arriti të krijojë një shërbim civil të efektshëm dhe të moderuar. Ajo ngriti 528 shkolla fillore dhe po studionte mundësinë e ngritjes së një sistemi arsimor kombëtar të një niveli më të përparuar. Ia doli të shmangë me sukses kërcënimet e intrigat e huaja, mposhti kryengritjet e brendshme dhe bashkoi popullin shqiptar. Dhe së fundi rivendosi kufijtë kombëtarë të cënuar nga Konferenca e Ambasadorëve të vitit 1913”.

---- ----
----
-----
-----