Ballina Lajme Bota/Rajoni Si e mbajtën “nën kontroll” koronavirusin, Tajlanda dhe Kamboxhia?

Si e mbajtën “nën kontroll” koronavirusin, Tajlanda dhe Kamboxhia?

102
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Kur koronavirusi për herë të parë filloi të përhapet me shpejtësi në qytetin kinez të Wuhan, Tajlanda u shfaq veçanërisht e prekshme.

Ishte vendi i parë jashtë Kinës që raportoi një rast të COVID-19, kur, më 13 janar, një grua 61-vjeçare nga Wuhan u konfirmua se kishte dalë pozitiv në Bangkok.

Tajlanda ishte në sezonin e saj kulm turistik, duke mirëpritur udhëtarët nga e gjithë bota. Një shpërthim i madh dukej gati i pashmangshëm.

Megjithatë, 11 muaj më vonë, si shumë nga fqinjët e saj të Azisë Jug-Lindore, Tajlanda deri më tani ka shmangur virusin më të keq, shkruan The Guardian.

Deri më 15 dhjetor, Tajlanda ka regjistruar 4,246 infeksione që nga fillimi i vitit – pak më shumë se një e pesta e rasteve të regjistruara vetëm të hënën në Mbretërinë e Bashkuar. Viktimat janë 60.

Prof Anucha Apisarnthanarak, shefi i sektorit të sëmundjeve infektive në Universitetin Thammasat, tha se suksesi i vendit ishte si rezultat i komunikimit me ekspertët e shëndetit, një gatishmëri për të lejuar shkencëtarët të drejtojnë përgjigjen dhe një bllokim efektiv, i cili u ndoq nga publiku.

“Unë mendoj se një nga ndërhyrjet më me ndikim ishte mbajtja në mënyrë të përgjithshme e maskës”, shtoi ai. “Ne e bëmë atë jo sepse e dinim se [do të ishte efektive] por sepse disi kjo është kultura aziatike”.

Sipas Anucha, tani ka prova që sugjerojnë se kjo uli ndjeshëm numrin e infeksioneve dhe vdekjeve.

Ndërsa Tajlanda mbante nën kontroll numrat e rasteve, ekipet mjekësore ishin në gjendje të ofronin kujdes më të madh për pacientët të cilët rezultuan me test pozitiv.

Çdo person që konfirmohej të ketë virus ishte i shtruar në spital, edhe nëse ishin asimptomatik ose kishin simptoma të lehta – një politikë që zvogëloi rrezikun e transmetimit të mëtejshëm lokal dhe të një pacienti të sëmurë rëndë.

Fillimisht, vetëm dy laboratorë në Tajlandë kishin kapacitet për të testuar ata me COVID-19, por numri është rritur në 250, tha Dr. Supaporn Wacharapluesadee, zëvendës shefe e Qendrës së Shkencës së Shëndetit për Sëmundjet Infektive të Kryqit të Kuq në spitalin King Chulalongkorn.

“Ne mund të kishim zbulimin e hershëm të çdo rasti të dyshuar”, ka thënë ajo, me rezultatet e siguruara brenda 24 orëve, duke lejuar trajtimin e hershëm.

Një raport i OBSH-së për përgjigjen e Tajlandës i publikuar në korrik, deklaroi se shkalla e fatalitetit ishte rreth 1.7%.

Por sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, është e mundur që demografia dhe mjedisi gjithashtu kanë luajtur një rol.

Obeziteti dhe faktorë të tjerë të mundshëm të rrezikut si hipertensioni dhe diabeti janë relativisht më pak të zakonshëm në Tajlandë sesa në shumë prej vendeve të goditura më keq nga coronavirusi, tha Anucha.

Ndërkohë në Kamboxhian fqinje – ku rastet e konfirmuara kombëtare qëndrojnë në 362 që nga 15 dhjetori dhe nuk ka pasur vdekje të konfirmuara – tre të katërtat e popullsisë jetojnë në mjediset rurale dhe kalojnë një kohë të madhe jashtë.

Përgjigja e asnjë prej vendeve nuk ka qenë e patëmetë. Disa kanë theksuar nivelet e ulëta të provave në Kamboxhia dhe shprehën shqetësim të veçantë për cenueshmërinë e të burgosurve në burgjet e ngarkuar të vendit.

Muajin e kaluar, qeveria identifikoi atë që e përshkroi si transmetimin e parë në komunitet, me drejtorin e burgjeve, i cili kishte kontakte të kohëve të fundit me të burgosurit, duke rezultuar pozitiv.

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga Amnesty International, Human Rights Watch dhe Lidhja Kamboxhiane për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut i kërkoi qeverisë të kryejë testime rigoroze të të burgosurve dhe të zvogëlojë mbipopullimin.

Zëdhënësi i departamentit të burgjeve, Nuth Savna, tha javën e kaluar se disa të burgosur kishin ethe të lehta, kollitje dhe ‘rrjedhje të hundëve’ – simptoma që ai i atribuoi ndryshimit të motit, megjithëse ato nuk ishin testuar në atë kohë, sipas një raporti nga VOD English.

Udhëheqësi autoritar i Kamboxhias, Hun Sen, një aleat i vendosur i Kinës, kishte shkaktuar më parë alarm.

Por grupet e të drejtave e kanë akuzuar atë për përdorimin e virusit si pretekst për goditjen e mospajtimit dhe zgjerimin e pushtetit të tij.

Hang Chansana, shefi i shëndetit emergjent në Kryqin e Kuq Kamboxhian, tha se spitalet nuk ishin mbingarkuar ende – gjë që do të ndodhte nëse vendi po përballej me një shpërthim të madh.

Ai e bazoi suksesin e vendit në një strategji të përqendruar në tre pika:

“Një, promovimi i kontrollimit të rasteve të importuara; së dyti, parandalimi i përhapjes në komunitet; dhe së treti, përmirësimi në trajtimin për rastet pozitive”.

Gjithsesi, në të dy vendet pandemia ka rezultuar shkatërruese ekonomikisht, shkruan The Guardian.

Në Tajlandë, për shembull, kufizimet e rrepta të hyrjes kanë ndaluar turizmin, duke kontribuar në humbje të mëdha të vendeve të punës.

Gjatë javëve të fundit, një grup i vogël rastesh është shfaqur, i lidhur me njerëzit që udhëtojnë pa u zbuluar mbi kufirin e Mianmarit, duke shkaktuar frikën se virusi mund të përhapet në mesin e punëtorëve migrantë, të cilët mund të hezitojnë të raportojnë simptomat nëse nuk kanë kaluar në vend përmes një itinerari zyrtar.

Ndryshe, kushdo që hyn në Tajlandë kërkohet të karantinoret në objektet e përcaktuara për 14 ditë dhe t’i nënshtrohet testeve të shumta për COVID-19.

Vendi do të jetë në gjendje të hapet përsëri vetëm kur rastet globale të jenë nën kontroll dhe një vaksinë të vihet në dispozicion, tha Anucha, gjë që ndoshta mund të jetë në maj ose qershor të vitit të ardhshëm.

Ai beson se është e mundur që Tajlanda të mbajë kontrollin e virusit – por vetëm nëse vazhdon të ruhet.

“Vendi ynë me të vërtetë ka nevojë për një vaksinë”, shtoi ai. “Ne nuk jemi imunë”.

---- ----
----
-----
-----