Ballina Sport Shyti: Propozimi i Federatës për Ligjin e Sportit nuk është i duhuri,...

Shyti: Propozimi i Federatës për Ligjin e Sportit nuk është i duhuri, sporti shqiptar nuk i jep favore biznesit

12
SHPËRNDAJE

Artan Shyti, ish-shefi i klubit të Teutës dhe zëvendës rektori i Universitetit “Marin Barleti” ka folur rreth bojkotit dhe kërkesave të bëra nga Federata në adresë të qeverisë.

Në një intervistë për “Abc News” Shyti analizon Ligjin e Sponsorizimit të propozuar nga Federata dhe shprehet se nuk është mënyra e duhur për të rritur sportin. Ai arsyeton se edhe ligji aktual është pozitiv, por sporti ynë nuk e shtyn biznesin të investojë për shkak se nuk ndikon në rritjen dhe zhvillimin e tij.

“Unë besoj se zgjidhja nuk është që t’i kërkosh shtetit të të japë nga xhepi i tij 30%, që mund të jenë diku te 30 milionë euro. Unë nuk besoj se zgjidhja është duke i marrë lekë shtetit, por duke bashkëpunuar me shtetin për të nxjerrë para për futbollin. Një mundësi mund të jetë hapja e basteve sportive nën një monitorim të rreptë.

Mund të jetë edhe një llotari kombëtare sportive, që të shitej nga klubet nëpër stadiume. Mund të jetë një taksë shtesë për duhanin mbi sportin, e cila po të jetë 10 lekë të reja për paketë mblidhen gati 10 milionë euro në Shqipëri. Ligji i propozuar nga Federata krijon një centralizim të çuditshëm.

Kur ti thua sponsorizim është një marrëdhënie ndërmjet një privati dhe sportit dhe e zgjedh privati ku do i çojë paratë. Nuk mund t’i thuash privatit mi jep mua lekët, por nuk do i marrë lekët klubi që t’i ke dëshirë, por një sistem i tërë që do e menaxoj unë. Me ç’kam dëgjuar unë, sipas propozimit të tyre, do të mblidheshin 30 milionë euro dhe do të ndaheshin: 15 për infrastrukturën dhe 15 për aktivitet.

Ajo që kërkon Federata ndaj qeverisë është e drejtë për uljen e pragut të kompanive, që financojnë sepse nuk është e thënë që vetëm kompanitë që kanë 1 miliardë lekë fitim duhet të sponsorizojnë. Sponsorizimi është një marrëdhënie tregtare, që biznesi e përdor për tu rritur. Pra përdor sportin për të bërë reklamë. Kështu unë mendoj se edhe një biznes, që fiton 200 milionë ka të drejtë të rritet. Nuk mendoj se duhet të ketë limit.

A kemi ne një sport që shitet? A kemi ne një sport që është interesant për biznesin? Sepse me ligjin aktual nëse biznesi jep 100 lekë sponzorizim, 55 lek janë të biznesit dhe 45 lekë janë të shtetit. Është një përqindje shumë e mirë. Por biznesi duhet të ketë interes për ta dhënë këtë 45%. Ai nëpërmjet sportit duhet të përmirësojë imazhin e tij dhe të masivizohet, nëse sporti nuk ia realizon këtë, ai nuk investon”, u shpreh Shyti.

-----