Ballina Lajme nacionale Shqiprim Musliu: Lugina patjetër duhet të përfshihet brenda kufijve të Kosovës

Shqiprim Musliu: Lugina patjetër duhet të përfshihet brenda kufijve të Kosovës

442
SHPËRNDAJE

Lugina patjetër duhet të përfshihet brenda kufijve të Kosovës

Ndryshimi i mundshëm i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u bë mollë sherri në opinionin publik e politik të Kosovës.

Marrëveshja finale e cilësuar me theks të veçantë nga Presidenti Thaçi që Presheva, Medvegja e Bujanoci do t`i bashkangjiten Republikës së Kosovës, si duket dikujt andej e këndej kufirit nuk po i pëlqen. Nuk po i pëlqen ideja e bashkimit të këtyre trojeve me trungun e vet, Kosovën. Nuk e di pse po kundërshtohet kaq shumë, por Lugina gjithmonë ka qenë pjesë e Kosovës, këtë duhet ta dijnë dhe besoj se e dijnë të gjithë se deri në fillimin e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar Lugina ishte pjesë e pandashme e Kosovës. Dhe as më pak e as më shumë Luginën me Kosovën i bashkon gjaku, gjuha e kultura.

Ndodhi ajo që ndodhi, pa vullnetin tonë. Por ne me vullnetin tonë, që në mars të `92 organizuam Referendum i cili pothuajse 100% ishte shprehur për bashkim me Kosovën. Nuk e morrën parasysh këtë. Jeta vazhdoi me beteja, të cilat nuk ishin të lehta nën lëkurën e shqiptarëve të Kosovës Lindore.

Në vitet 2000-2001 organizuam Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – UÇPMB, që kishte të vetmin mision final e që ishte bashkimi me Kosovën. As kjo nuk u arrit. Në kompromis të kësaj e bëmë Marrëveshjen e Konçulit, marrëveshje e cila në parim nuk ishte synimi ynë, por ishte domosdoshmëri e kohës që shqiptarët e kësaj treve të jetojnë dhe zhvillojnë jetën në normalitet e në këtë mënyrë t`i përfitojnë të drejtat elementare kombëtare në një vend i cili gjithëmonë ka frymuar shqip.

Por, me kalimin e kohës, jeta e shqiptarëve në Kosovën Lindore vetëm se vështirësohej. Të drejtat elementare si shqiptar ende nuk i gëzojmë. Këto të drejta me të dy këmbët shkilen sot e kësaj dite nga Beogradi zyrtar. U organizuam edhe politikisht me subjektin tonë si Lëvizje e Progresit Demokratik – LPD, e dal menjëherë pas betejave ushtarake për ta vazhduar misionin në beteja paqësore e demokratike. Reagime, takime, protesta, deklarata politike, e të gjitha format demokratike u shfrytëzuan për realizimin e këtyre të drejtave. Ne ende jemi duke e vazhduar betejën, se një ditë do të jetojmë të lirë e të bashkuar. Këtë betejë jemi duke e vazhduar edhe në këto kushte të Pandemisë, ku jemi të izoluar në të gjitha anët. Nuk na ndihmon askush, nuk kujdeset askush, e kemi marrë vet fatin në duart tona. E sidomos që Kosova e ka mbyllur kufirin, shqiptarët e Luginës janë lënduar shpirtnisht e moralisht. Sepse e vetmja shpresë për mbijetesë për ne është Kosova. Asnjë rrugë tjetër.

Prandaj, reagimi im është për çdo zyrtar e qytetar të Kosovës. Mos i vritni ndjenjat e shqiptarëve të Luginës. Mos e vritni të ardhmen e shqiptarëve të Luginës. Mos i braktisni shqiptarët e Luginës. Marrëveshja finale është momenti i fundit, është treni i fundit që shqiptarët e Luginës të bashkohen njëherë e përgjithmonë me Kosovën. I bëj thirrje të gjithë atyre të cilët në një formë apo në një tjetër kanë ndikim në draftin e marrëveshjes finale, Luginën patjetër ta përfshijnë në kufijtë administrativ të Kosovës. Presheva, Medvegja e Bujanoci nuk e varfërojnë Kosovën por e pasurojnë edhe më shumë, e gjallërojnë edhe më tepër. Mbështetni idenë e bashkangjitjes së Luginës. Sepse e vetmja rrugë që do t`i jipte liri shqiptarëve të Luginës, është rruga e bashkimit me Kosovën. Pikë.

28 mars 2020, Bujanoc

-----