Ballina LifeBizare Shqipëria me thesar nënujor, zbulime që nga Afrika e Veriut dhe Perandoria...

Shqipëria me thesar nënujor, zbulime që nga Afrika e Veriut dhe Perandoria Romake

23
SHPËRNDAJE

Me një thesar të vërtetë përgjatë bregdetit të thyer dhe thellësive të Jonit dhe Adriatikut, Shqipëria mund të kthehet në një destinacion turistik shumë të rëndësishëm për të apasionuarit e turizmit nënujor. Amfora të lashta, anije terrakote të mbytura teksa lundronin në linjat e Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake e të tjera të mbytura gjatë luftërave botërore së bashku me sende personale të ekuipazheve gjallojnë nën shoqërinë e kolonive të peshqve dhe sfungjerëve detarë. Kjo anije e ankoruar në portin e Durrësit është ndërtuar për kërkime arkeologjike nënujore. Ajo është e pajisur me një robot që zhytet në thellësi të mëdha dhe i përket Fondacionit Amerikan RPM Nautical Archaeology që së bashku me Qendrën Shqiptare të Kërkimeve Detare kanë realizuar një ekspeditë 12-vjeçare në brigjet shqiptare. Gjatë saj janë zbuluar objekte që shtrihen nga epoka e bronxit e deri në vitet e luftës së ftohtë, 1946-1947. Sipas kryetarit të Këshillit Shkencor e Teknik të Pasurive Botërore Nënujore të UNESCO-s Auron Tare, këto gjetjemund të ndryshojnë dhe historinë antike të brigjeve shqiptare, veçanërisht atë të periudhës romake.

“Është një ekspeditë e rrallë dhe zbulimet e saj mund të ndryshojnë historinë antike” – thotë Auron Tare dhe shton se pavarësisht kësaj pasurie dhe rëndësisë që ajo mbart, strukturat në Shqipëri janë ende të paplota. Vendi nuk ka ende një departament të Arkeologjisë Nënujore, ndërsa veprimtaria e trafikantëve të objekteve nënujore antike, peshkatarëve, gjuetarëve të skrapit po dhe subjekteve të tjera e rrezikon atë.

Por e gjithë kjo pjesë pozitive duhet të kthehet në realitet për ruajtjen e mbrojtjen e pasurisë nënujore si në aspektin ligjor dhe atë praktik ku ka shumë për të përmirësuar si nga ana legjislative ashtu dhe nga ajo praktike. Për arsye nga më të ndryshmet kjo pasuri rrezikohet, duke nisur që nga peshkatarët që mund të dëmtojnë anijet antike, po dhe nga ata që presin për skrap anijet e Luftës së Parë e të Dytë Botërore, po dhe institucionet shtetërore që nuk e kanë idenë e vlerës së tyre dhe I prishin. Ruajtja e trashëgimisë nënujore është problem dhe në vende të tjera pasi ka një vlerë të madhe si për historinë ashtu dhe për turizmin. Kërkohet një buxhet I veçantë për këto pasuri, po kur këto lidhen me turizmin sjellin të ardhura të shumta.

Sipas Jim Goold, kryetar i fondacionit amerikan RPM Nautical Archeology, kjo pasuri nënujore është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe autoritetet e kanë kuptuar këtë. Përvoja e vendeve si Turqia, Spanja, Italia dëshmon rëndësinë e muzeve me objekte të trashëgimisë nënujore për të ndërtuar dhe mbrojtur identitetin kombëtar.