Ballina Lajme nacionale Shpërthen miku i Metës nga Hungaria: Boll dëgjuat BE-SHBA, s’janë më shqiptarë...

Shpërthen miku i Metës nga Hungaria: Boll dëgjuat BE-SHBA, s’janë më shqiptarë se ju!

12
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, i cili takoi dy ditë më parë Presidentin Ilir Meta dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, duke dhënë këshilla për zgjidhjen e krizës politike, ka “shpërthyer” kundër Evropianëve në një intervistë për RTV Ora.

Ai që cilësohet si një mik i ngushtë i Ilir Metës dhe pjesë e aleancave të tij të reja më kundërshtarët e Brukselit zyrtar, ka thënë se shqiptarët nuk duhet të dëgjojnë gjithmonë ndërkombëtarët, por duhet të marrin vendimet e tyre për Shqipërinë.

Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk ka autoritetin të njohë apo jo zgjedhjet në Shqipëri.

“Ne nuk kemi autoritet për të njohur ose jo zgjedhjet tuaja lokale. Nuk është puna jonë, pasi ne kemi mjaftueshëm sfidat që duhet të përballemi dhe nuk na duhet të merremi me problemet e të tjerëve. Prandaj Shqipëria nuk ka nevojë të marrë apo jo aprovimin e BE për zgjedhjet. Jeni ju shqiptarët që duhet të merrni vendimet për vendin tuaj”, tha Szijjarto.

Ai tha se Bashkimi Evropian nuk zgjidh krizat e të tjerëve, por vetëm luan rolin e ndërmjetësit kur ka një kërkesë të tillë.

“Nuk më ka pëlqyer kur institucionet evropiane kërkojnë të interferojnë në vendet e tjera që nuk janë anëtare të BE. Nuk duhet të jetë BE ajo që zgjidh krizat e të tjerëve përveçse kur ka konsensus të brendshëm dhe kërkohet këshilla e institucioneve si ndërmjetës. Mendoj që BE duhet të tregojë respekt ndaj vendeve të tjera dhe të luajë rolin e ndërmjetësit vetëm në rastet kur ka dialog për një kërkesë të tillë”, shprehet ai.

Ndërkohë në një intervistë për “Koha Jonë”, Peter Szijjarto  ka qenë edhe më i ashpër duke thënë se ndërkombëtarët nuk e duan Shqipërinë më shumë se sa vetë shqiptarët.

“Të jem i sinqertë, jam ngopur me ata politikanë, që shkojnë në vende të tjera me mendjen për t’u treguar njerëzve atje, se çfarë duhet të bëjnë. Ky është vendi juaj. Kjo është çështja juaj, prandaj ju takon juve që ta zgjidhni. Unë nuk mendoj se keni nevojë për këshillat e tyre. Nuk mendoj se keni nevojë për këshillën time, pikë së pari. Së dyti, unë e bazoj politikën time të jashtme në një qasje, respekt të ndërsjellë. Kjo do të thotë se, unë nuk mund të jem më shqiptar sesa shqiptarët, prandaj më mirë ta zgjidhë vetë populli shqiptar”, ka deklaruar ai.

-----