Ballina Sport Shkrimet dhe fotot e panjohura të ‘Prishtinës’ në ligën e parë të...

Shkrimet dhe fotot e panjohura të ‘Prishtinës’ në ligën e parë të Jugosllavisë, nga ‘Rilindja’ që s’ lejohej në Tiranë: “Vokrri, Cana, Shala dhe Muriqi, u dalluan gjatë ndeshjes…”

24
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Memorie.al/ publikon disa shkrime të panjohura të gazetës Rilindja e Kosovës të fillim viteve ’80-të, ku në faqen sportive të saj pasqyroheshin ndeshjet e futbollit të ekipit Prishtina të kryeqytetit të Kosovës, i cili asokohe konkuronte në ligën superiore të Jugosllavisë së Marshallit Tito, duke u ndeshur me dinjitet me ekipet më të mira të Republikës Federative të Jugosllavisë, si: Crvena Zvezda dhe Partizani i Beogradit, Dinamo e Zagrebit, Hajduk i Splitit, Zhelezniçar, Rabotniçki i Shkupit, Buduçnost i Titogradit Sarajeva, Velezhi, Sutjeska, Iskra, Osieku, Vojvodina, Sloboda, etj., ku asokohe aktivizoheshin dhe luanin emra të mëdhenj të futbollit jugosllav, si:  Dragan Sojkoviç, Dejan Saviçieviç, Safet Shushiç, Zlatko Vujoviç, Faruk Haxhibegoviç, Darko Pançev, Davor Suker, Robert Proçineski, etj., të cilët bënë emër të madh edhe në kupat e Europës apo në kampionatet e shteteve të ndryshme ku ata ishin shitur. Si pasqyroheshin asokohe ndeshjet e ekipit Prishtina, ku në formacionin bazë aktivizoheshin: Shuica, Shenguli, Sinani, Cimili, Mehinovic, Tortoshi, Trajkovic, Rugova, Muriqi, Vokrri, Cana, Krasniqi, Batroviqi etj.

Nga Dashnor Kaloçi

Paraqitja shumë e mirë e ekipit të futbollit të përfaqësues së Kosovës në aktivitetet ndërkombëtare menjëherë pas pranimit të saj në organizmin e FIFA-s dhe UEFA-s, duke arritur rezultate të larta dhe duke pretenduar për pjesmarrje në kampionatet europiane, nuk është një rastësi, pasi ekipet e futbollit të Kosovës së para viteve ’90-të, që në periudhën e sundimit të Marshallit Josif Broz Tito dhe më pas, kishin një nivel futbolli që për nga standarti dhe cilësia, konkuronin denjësisht me ekipet më të mira të Jugosllavisë së asaj kohe, si: Crvena Zvezda dhe Partizani i Beogradit, Dinamo e Zagrebit, Hajduk i Splitit, Zhelezniçar, Buduçnost i Titogradit, Rabotniçki i Shkupit, Osiek, Velez, Rijeka, Radniçki, Vardari, Sutjeska, Sloboda, etj., ku një pjesë e tyre konkuronin me sukes në ligat evropiane.

Kështu ekipi kryeqytetas ‘Prishtina’ (i themeluar në vitin 1922), që kryesonte kampionatin e Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës në ligën e dytë, në vitin 1983, deputoi në ligën e parë të Jugosllavisë dhe u ndesh me dinjitet me ekipet më të mira të kampionatit të Republikës Federative të Jugosllavisë, ku asokohe aktivizoheshin emra të mëdhenj të futbollit si: Dragan Sojkoviç, Dejan Saviçieviç, Safet Shushiç, Zlatko Vujoviç, Faruk Haxhibegoviç, Darko Pançev, Davor Suker, Robert Proçineski, etj.

Që në fillimin e viteve ’70-të por dhe më pas në vitet ’80-të, me ekipin Prishtina të kryeqytetit kosovar ishin aktivizuar dhe bënin pjesë disa emra të mëdhenj si: Fahrudin Jusufi (që ishte dhe futbollisti i parë me origjinë shqiptare që deputoi më përfaqësuesen e Jugosllavisë) Xhevat Prekazi, Fadil Vokrri, Kujtim Shala, Fadil Muriqi etj., të cilët u shitën më pas, duke u bërë pjesë e ekipeve elitë të futbollit jugosllav, si Dinamo e Zagrebit, Partizani i Beogradit etj.

Të gjitha këto, etj., asokohe pasqyroheshin mësëmiri edhe nga e përditshmja kosovare Rilindja e Prishtinës, e cila në faqet sportive të saj, veç të tjerash i kushtonte një vënd të veçantë ekipit Prishtina dhe kampionatit të Kosovës, ku në formacionin bazë, aktivizoheshin: Shuica, Shenguli, Sinani, Cimili, Mehinovic, Tortoshi, Trajkovic, Rugova, Muriqi, Vokrri, Cana, Krasniqi, Batroviqi etj.

Nisur nga fakti se gazeta në fjalë (Rilindja), nuk lejohej të hynte në Shqipërinë komuniste të asaj kohe dhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë ishte rezervat (fondi i ndaluar që jepej vetëm me një autorizim special për t’u parë vetëm në një dhomë të veçantë të asaj biblioteke), Memorie.al sjell një shkrim të gazetarit Azem Brovina dhe foto të panjohura nga faqet e asaj gazete të fillimit të viteve ’80-të, ku pasqyrohej jo vetëm kampionati i futbollit i ligës inferiore të Kosovës, por edhe ai Jugosllavisë së asaj kohe, ku debutonte me sukses ekipi Prishtina.

Shkrimi i gazetës ‘Rilindja’ e Prishtinës për ndeshjen Buduqnosti –   Prishtina të zhvilluar më 5 dhjetor 1983 në qytetin e Titogradit

                                                  PRISHTINA – E SHTATA

                                  Dje: Buducnosti – Prishtina 3 : 0  (3 : 0)

Në ndeshjen e javës së 17-të, të fundit, të pjesës vjeshtore të kampionatit të Ligës së parë federative të futbollit Buducnosti mundi Prishtinën me rezultat 3:0 (3:0). Golat I shënuan: Lumoviqi në minutën e 12-të dhe Radinoviqi në minutën 20 e 44. Takimi u zhvillua nëpër mot të ftohtë, në praninë e 8000 spektatorëve. Gjyqtarë: Josip Glazhari (Riekë), ndihmësit e tij Davor Zekani (Split) dhe Husref Muharemagic (Tuzëll).

Buducnosti: Lukovçani 7 – Vlaisavljevic 7, Vorotovic 7 – Bakraçi 7, Vlahovici 8, Drobnjak 8 – Bozhoviqi 7 (Veshoviqi), Lumoviqi 8, Janovic 7, (Saviçeviqi) Radovici 7, Radinovic 8.

Prishtina: Shuica 7- Shengyli 5, Sinani 5 – Cimili 5, (Tortoshi), Mehinovic 5, Trajkovic 5 – Rugova 5, Muriqi 5, Vokrri 6, Cana 5 (Krasniqi), Batrovci.

Futbollistët e Prishtinës, të cilët arritën të shtunën në Titograd pas një udhëtimi të mundimshëm, që zgjati rreth 11 orë, nuk arritën të realizojnë dëshirën që në ndeshjen e fundit të pjesës vjeshtore të kampionatit të fitojnë së paku një pikë.

Lojtarët e Buduqnostit, për të cilët pikët ishin të rëndësishme për të përmirësuar pozitën në tabelën e klasifikimit, që nga fillimi u vërsulën drejt portës së Shuicës dhe me sulme të pandërprera vazhdimisht rrezikonin atë. Ndonëse arritën t’i evitojnë rreziqet pas disa sulmeve në dhjetë minutat e para, prishtinasit, megjithatë, shumë shpejt pësuan gol. Në minutën e 12-të futbollistët vendës organizuan një sulm nga krahu i djathtë. Radinoviqi i shpejtë dhe i shkathtë depërtoi mirë dhe krosoi bukur te vija e zonës së rreptësisë. Në pozitë ballore, para portës së Shiicës, ishte Lumoviqi, i cili me shut preçiz dërgoi topin në këndin e djathtë të poshtëm të Shuicës, përpjekjet e të cilit për ta mbrojtur këtë shut ishin të kota. Kështu Buduqnosti avancoi 1:0.

Edhe pas avantazhit titogradasit nuk u ndalën. Duke sulmuar vazhdimisht ata arritën të shënojnë edhe golin e dytë. Ndodhi kjo në minutën e 20-të, kur pamë një aksion të shpejtë dhe të rrjedhshëm të lojtarëve të Buduqnostit, që filloi në mesin e fushës. Futbollistët vendas depërtonin nëpër mbrojtjen e Prishtinës, lojtarët e së cilës nuk arrinin për ta ndërprerë këtë aksion. Topin pastaj e mori Radovici, i cili shërbeu sulmuesin e majtë, Radinoviqin, brenda zonës së rreptësisë e ky, me shut preciz prej nja 8 metrash, mposhti Shuicën dhe -2:0 për Buduqnostin. Sa ishin të shkathtë, në këtë moment, lojtarët vendas, aq ishin të ngathtë ata të Prishtinës.

Pas dizavantazhit 0:2 prishtinasit hapën lojën, filluan t’i ekuilibrojnë forcat në fushë e madje nja 10-18 minuta dominuan në terren, duke sulmuar gjithnjë më shpesh portën e Lukovçanit. Ishin këto momente kur pritej se prishtinasit eventualisht mund të zvogëlojnë rezultatin, por përpjekjet e tyre nuk dhanë fryt, sepse aksionet përfundonin, zakonisht afër zonës së rreptësisë së Buduqnostit, ose me gjuajtje joprecize. Ç’është e vërteta, mu në këtë periudhë Buduqnosti shënoi edhe golin e tretë. Një aksion të bukur të Bakraqit, Lumoviqi dhe të Radinoviqit, ky i fundit e përfundoi me sukses, duke tundur, me gjuajtje të rreptë, rrjetën e Shuicës.

Në gjysmën e dytë prishtinasit, që në fillim u orvatën të bëjnë diçka më shumë, por përkundër përpjekjeve nuk arritën që, pas disa depërtimeve të Vokrrit, të rrezikojnë më seriozishtë portën e Lukovçanit. Nga ana tjetër, futbollistët vendës, të kënaqur me avantazhin e lartë, nuk u angazhuan si në pjesën e parë. Megjithatë, pas një periudhe të shkurtër, ata sërish dominuan në terren dhe disa herë rrezikuan portën e Prishtinës. Kështu, në minutën e 60-të, pas një depërtimi të Radinoviqit në krahun e majtë, dhe krosimit të tij para portës, Bozhoviqi gjuajti nga afërsia, por Shuica e ndali topin. Shtatë minuta më vonë (67), Radovici gjuajti papritmas nga 20 metra, por topi goditi vendin ku takohen shtylla pingule dhe ajo horizontale. Shuica pati fat, sepse, megjithëse u orvat të mdalë këtë top, nuk ia arriti qëllimit. Portieri i Prishtinës u dallua edhe në minutat 70 dhe 81, kur mbrojti dy gjuajtje të rrezikshme të Vorotoviqit, përkatësisht të Veshoviqit.

Finishi i ndeshjes ishte i qetë, sepse vendësit ishin të kënaqur me fitoren, kurse prishtinasit nuk kishin kurrfarë shprese për të arritur rezultat të volitshëm.

Shpresohej se Prishtina do të linte përshtypje më të mirë në Titograd, por futbollistët e saj nuk e arritën këtë. Në qoftëse themi se portiere Shuica ishte lojtari më i mirë i Prishtinës atëherë është e qartë se fitorja e vendasve është plotësisht e merituar.

Azem Brovina

---- ----
----
-----
-----