Ballina Sport Shkaktar bojkoti e merkatoja, listës së Rejës i humbet “aroma” e Superiores

Shkaktar bojkoti e merkatoja, listës së Rejës i humbet “aroma” e Superiores

10
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ditën e sotme trajneri i kombëtares sonë, Edi Reja ka zbuluar listën e lojtarëve, që do jenë të gatshëm për të në tre ndeshjet e ardhshme: miqësoren ndaj Armenisë dhe dy përballjet e Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë. Mes shumë risive të kësaj liste ishte edhe mungesa e lojtarëve nga Kategoria Superiore, që zakonisht e ka patur nga një përfaqësues, që mbante lart “flamurin” e elitës së futbollit tonë.

Kjo nuk ka ndodhur këtë herë. Asnjë lojtar i 10 skuadrave të Kategorisë Superiore nuk është thirrur nga Reja. Ai, që kishte më shumë mundësi të ishte në listë, Alban Hoxha (portier i tretë) është zëvendësuar nga gardiani i të rinjve të Bolonjës, Marko Molla.

Ndikim në këto zgjedhje të Rejës padyshim ka edhe fakti se skuadrat e Kategorisë Superiore janë në bojkot dhe nuk kanë luajtur rregullisht ndeshje zyrtare.

Të vetmet ekipe, që kanë patur aktivitet janë Teuta, Laçi, Kukësi dhe Tirana (ndeshjet në kompeticione europiane), por Reja, i cili edhe i ka ndjekur në stadium disa nga betejat e tyre, nuk është bindur nga asnjë lojtar për atë që ka parë në fushën e lojës. Kjo ndodh për herë të parë pas shumë vitesh, pasi edhe De Biazi e Panuçi e kanë “tërhequr” ndonjë element nga Superiorja më parë.

Merkatoja gjithashtu mban peshën e vet të “fajit”, pasi tre nga lojtarët e thirrur së fundmi në kombëtare: Doka, Kallaku dhe Trashi, para rreth një muaji luanin në Superiore dhe tashmë luajnë në liga të huaja.

Tashmë është e sigurt që do duhet “shpërthimi” i ndonjë lojtari në sezonin e ri, që në kombëtare të kemi sërish lojtarë nga Superiorja. Fillimisht synimi kryesor është të përfundojë bojkoti dhe të nisë futbolli.

---- ----
----
----- ----
-----