Ballina Sport Shënojnë Gjimshiti dhe Muriqi, Atalanta eleminon Lazion nga Kupa e Italisë

Shënojnë Gjimshiti dhe Muriqi, Atalanta eleminon Lazion nga Kupa e Italisë

30
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Spektakël pa fund në sfidën çerekfinale të Kupës së Italisë mes Atalantës dhe Lazios, teksa 90-minutëshi pati penallti, karton të kuq dhe mbi të gjitha 5 gola të shënuar, por në fund festuan zikaltrit e Gasperinit, që fituan 3-2 dhe kaluan në gjysmëfinale.

Sfida nisi mjaft mirë për Atalantën, që kaloi në avantazh që në minutën e 7, me golin e shënuar nga mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, berat Gjimshiti, i cili arriti të thyejë portierin spanjoll Pepe Reina, i preferuar sërish para Strakoshës.

Reagimi i Lazios ishte shumë i shpejtë dhe në minutën e 17’ ishte sulmuesi i Kosovës Vedat Muriqi, që pas një krosimi në zonë, gjuajti mjaft bukur me kokë dhe mposhti Gollinin, duke rikthyer baraspeshën.

Në minutën e 34-t futbollistët e Atalantës harruan mbrojtësin Acerbi, i cili doli si një sulmues i vërtetë në zonën kundërshtare dhe arriti të thyejë për herë të dytë Gollinin, duke u dhënë avantazhin bardhekaltërve kryeqytetas.

Megjithatë pjesa e parë do të përfundonte në barazim 2-2, pasi vetëm tre minuta pas golit të Acerbit, ishte fantazisti ukrainas Ruslan Malinovskij që shënoi golin e dytë për skuadrën e Gasperinit.

Pjesa e dytë nisi me një karton të kuq për mbrojtësin zikaltër, Palomino, i cili la Atalantën me 10 futbollistë përreth 40 minuta. Megjithatë ndonëse me një lojtar më pak, zikaltrit gjetën edhe golin e tretë me Miranchuk në minutën e 57’, ndërsa në të 66-ën Zapata pati mundësinë të mbyllë llogaritë, por gaboi në ekzekutimin e një 11-metërshi, të cilin e priti saktë Reina.

Lazio provoi të rikthejë baraspeshën në minutat e fundit, por në ato pak tentativa drejt portës, Gollini reagoi mjaft mirë, duke mos lënë topin të përfundojë në rrjetë dhe duke i dhënë mundësi Atalantës të kalojë në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, ku do të përballet me fituesin e çiftit Napoli-Spezia.

---- ----
----
----- ----
-----