Ballina Lajme Bota/Rajoni SHBA: Një vajzë e klasës së 6-të në shkollë ka plagosur tre...

SHBA: Një vajzë e klasës së 6-të në shkollë ka plagosur tre persona

17
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Uashington, 7 maj – Një vajzë e klasës së gjashtë dje ka hapur zjarr në shkollën e saj fillore në Ajdaho dhe ka plagosur dy nxënës dhe një pastrues dhe më pas u çarmatos nga një mësuese.

Tre personat e lënduar pritet të shërohen, thanë zyrtarët në një konferencë shtypi. Sherifi i Qarkut të Xhefersonit, Stiv Anderson deklaroi se vajza nxori një pistoletë nga çanta dhe gjuajti disa herë brenda dhe jashtë Shkollës fillore Rigbi, në qytetin e vogël të Rigbit, rreth 145 kilometra në jugperëndim të Parkut Kombëtar Jellouston.

Një mësuese e çarmatosi vajzën dhe e mbajti atë deri kur policia arriti në vendin e ngjarjes dhe e arrestoi atë, thanë autoritetet, pa dhënë detaje të tjera. Autoritetet thonë se po hetojnë motivin e sulmit dhe po përpiqen të mësojnë se ku e kishte marrë armën vajza.

Sherifi Anderson theksoi se nxënësja është nga qyteti Ajdaho Folls, mirëpo nuk e bëri publik emrin e saj.

Dr. Majkëll Lemon, drejtori për traumën në Qendrën rajonale mjekësore të Ajdahos Lindore, tha se i rrituri i plagosur u trajtua nga një plagë që kishte marrë në një nga gjymtyrët dhe u nxor nga spitali, ndërsa  dy nxënësit e qëlluar u mbajtën në spital gjatë natës dhe njëri prej tyre mund të ketë nevojë për ndërhyrje krirugjikale, por ata janë në gjendje të qëndrueshme.

“Njëri nga nxënësit kishte plagë në dy gjymtyrë”, shtoi ai.

Rreth orës 9:15 të mëngjesit policia u njoftua për incidentin me armë. Agjenci të shumta të zbatimit të ligjit u përgjigjën dhe nxënësit u evakuuan në një shkollë të mesme aty pranë për t’u bashkuar me prindërit e tyre.

Nxënësi 12-vjeçar Jandel Rodrigez tha se ai dhe shoku i tij i klasës ishin vetëm në klasë, me mësuesin dhe po studionim, kur papritmas, dëgjuan një zhurmë të madhe dhe pastaj dy krisma të tjera.

“Më vonë pati ulërima, mësuesi ynë doli jashtë për parë se çfarë kishte ndodhur dhe ai pa shenja gjaku”, përshkroi Rodrigez

Sipas Qendrës kombëtare të statistikave të arsimit, shkolla fillore në Rigbi ka rreth 1.500 nxënës nga klasa e gjashtë deri në të tetën.

Ky është sulmi i dytë në një shkollë në Ajdaho. Në vitin 1999, një nxënës i shkollës së mesme në Notus gjuajti me armë, duke plagosur një nxënës tjetër.

Sipas një raporti të gazetës Deseret Njuz, në vitin 1989, një nxënës në Shkollën e mesme të Rigbit nxori një armë, kërcënoi një mësues dhe nxënësit dhe mori një vajzë 14-vjeçare peng. Policia e shpëtoi në mënyrë të sigurt pengun nga një kishë aty pranë rreth një orë më vonë dhe e ndaloi adoleshentin. Askush nuk u qëllua në atë incident. 

The post SHBA: Një vajzë e klasës së 6-të në shkollë ka plagosur tre persona appeared first on KOHA.

---- ---- ----
-----