Ballina Lajme nacionale Shala i reagon Haradinajt: Vendimi për pastrimin e rezervuarëve do të mbetet...

Shala i reagon Haradinajt: Vendimi për pastrimin e rezervuarëve do të mbetet në fuqi

11
SHPËRNDAJE

Endrit Shala i përgjigjet Haradinajt .

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, e ka anuluar Udhëzimin Administrativ të ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për pastrimin e rezervuarve të naftës.

Haradinaj e ka marrë vendimin për anulimin e pastrimit të rezervuarve ani pse kishte thënë se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i qartësuar kompetencat e tij pasi dha dorëheqje.

Burime të lajmit brenda qeverisë në dorëheqje kanë thënë se vendimi i Haradinajt për anulimin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë ka ardhur si rrjedhojë e afërsisë së kryeministrit në dorëheqje dhe partisë së tij me disa kompani të naftës në Kosovë.

Ndërsa, ministri i Tregtisë, Endrit Shala është shprehur se nuk është në dijeni për anulimin e këtij Udhëzimi Administrativ, duke shtuar se i njëjti është nxjerrë nga Ligji në fuqi për Tregti me Naftë.

Sipas Shalës, i vetmi autoritet që i nxjerr këto udhëzime administrative është ministri i Tregtisë dhe askush nuk ka kompetencë ligjore të anulojë të tilla vendime, përveç parlamentit nëse e shfuqizon ligjin ose qeveria nëse kërkon nga vet ministri.

“Nuk jam në dijeni. Ky Udhëzim Administrativ që është nxjerrë në kuadër të ligjit për tregti me naftë. Ligji që është në fuqi e thotë qartë, që MTI-ja i nxjerr udhëzimet administrative që përcakton kriteret për licencim, kualitet të karburanteve të naftës. I vetmi autoritet që i nxjerr këto udhëzime administrative është ministri i Tregtisë, përkatësisht, Ministria e Tregtisë dhe nuk ka askush kompetencë ligjore, asnjë institucion tjetër, përveç parlamentit nëse e shfuqizon ligjin ose nëse bëhet një mbledhje e qeverisë dhe e shfuqizon atë Udhëzim Administrativ, kërkon nga ministri pra”, tha Shala.

Më tutje, Ministri Shala tha se Zyra e Kryeministrit ka dhënë mendim dhe se dikush ka rënë pre e lobingjeve dhe interesave të ngushta.

“Nuk është as Zyra Ligjore e Kryeministrit ka dhënë mendim që dikush ka rënë pre e lobingjeve dhe interesave të ngushta dhe prioritet i imi kryesor është mbrojtja e konsumatorit. E njëkohësisht furnizimi me karburante cilësore”, tha Shala.

Ai në fund është shprehur se nuk ka askush kompetencë ligjore për shfuqizimin e këtij Udhëzimi, dhe se ky udhëzim do të mbetet në fuqi me çdo kusht.

“Nuk ka kompetencë ligjore askush ta shfuqizojë një Udhëzim Administrativ që është derivat i Ligjit në Fuqi që e përcakton kriteret për deponim, kualitet, rezervuar është Ministria e Tregtisë. Udhëzimi mbetet në fuqi dhe pikë”, tha Shala.

Vlen të theksohet se në Udhëzimin Administrativ të lëshuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përcaktohet që pastrimi i rezervuarve të ndodhë çdo 3 vite.

Në lidhje me këtë Udhëzim Administrativ nuk ishin pajtuar naftëtarët, ani pse nga MTI thonë se kjo është bërë për të mirën e konsumatorit.

-----