Ballina Lajme nacionale Sfidohet Vuçiq, i thonë shko për Krishtlindje në Kosovë nëse mundesh

Sfidohet Vuçiq, i thonë shko për Krishtlindje në Kosovë nëse mundesh

48
SHPËRNDAJE

Lëvizja Malaziase sfidon Vuçiqin.

Me rastin e paralajmërimit të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq se për Krishtlindje do të shkojë në Mal të Zi për t’iu dhënë përkrahje serbëve atje, Lëvizja Malaziase propozon që Vuçiqi të shkojë në Kosovë dhe atje ta ndezë pemën e Krishtlindjes.

Lëvizja Malaziase ka kumtuar sot se ardhja e paralajmëruar e presidentit të Serbisë ditën e Krishtlindjes serbe në Mal të Zi, ka për qëllim që edhe më tepër ta acarojë situatën në Mal të Zi, që të përsëritet skenari i 16 tetorit 2016 kur u tentua grusht shteti në këtë vend dhe kështu të krijojë kaos në Mal të Zi.

Në këtë lëvizje kanë vlerësuar se ardhja e Vuçiqit nuk është asgjë tjetër përveç vazhdimit të politikës së tij nga koha e Partisë Radikale Serbe, kur me vizitat e tij nëpër Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë ka inkurajuar përleshje të përgjakshme.

“Nuk ka dyshim se qëllimi i ardhjes së tij është që të acarohet edhe më tepër situata në Mal të Zi dhe të përsëritet skenari i 16.10.2016, të krijohet kaos në Mal të Zi dhe të cenohet rendi shtetëror. Serbia përsëri po e nisë ofensivën propagandistike, siç ka bërë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, me qëllime të njëjta të përgjakshme”, shkruan në komunikatën e Lëvizjes Malaziase.

Ata i propozojnë Vuçiqit që të shkojë në Kosovë nëse guxon dhe atje të ndezë pemën e Krishtlindjes, në vend se, së bashku me patriarkun serb Irinej të nisë konflikt me Amfilohije Radoviqin në mënyrë që ta destabilizojnë Malin e Zi.

-----