Në fund të viteve 1960, Gjermania nisi të rekrutojë punëtorë në Jugosllavinë e atëhershme. Më së shumti u rekrutuan punëtorë në zonat më të varfra të vendit. Në Kosovë, për shembull. Marrëveshja për rekrutimin e punëtorëve («Gastarbeiter») mes Gjermanisë Perëndimore dhe Jugosllavisë u nënshkrua më 12 tetor 1968. Ajo mundësoi rekrutimin e organizuar të punëtorëve nga Jugosllavia për punësim në Gjermaninë Perëndimore.
Zhvillimi i shpejtë ekonomik i Gjermanisë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, i njohur si Wirtschaftswunder (mrekullia ekonomike), krijoi mungesë të fuqisë punëtore në industri dhe ndërtim. Gjermania kishte lidhur më herët marrëveshje për rekrutim të punëtorëve me Italinë, më 1955; Spanjën dhe Greqinë, më 1960; Turqinë, më 1961; Marokun, më 1963; Portugalinë, më 1964; Tunizinë, më 1965. Jugosllavia ishte vendi i fundit në këtë seri marrëveshjesh rekrutimi, por i pari nga bota komuniste.
Gjermania Perëndimore i kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë në vitin 1957, pasi kjo e fundit njohu Gjermaninë Lindore. Marrëdhëniet u rivendosën në janar 1968, ndërsa marrëveshja e rekrutimit u nënshkrua, siç u tha tashmë, në tetor të po atij viti.
Djem të Kosovës, Luginës së Preshevës, Strugës, Tetovës, Kumanovës etj., të gjithë të moshës 20 deri në 30 vjeç, të cilët sapo kishin kryer shërbimin ushtarak në Armatën e Jugosllavisë, merrnin udhën e kurbetit. Me tren. Disa merrnin trenin në Ferizaj, disa në Fushë-Kosovë, disa në Xërxë, disa në Bujanoc, disa në Shkup. Një valixhe me rroba, një çantë me ushqime, shumë duhan, të futur në kuti prej kartoni, ku më parë kishte qenë e palosur një këmishë e blerë pas shumë kursimesh.
Ndërsa pranë tyre – të rehatuar mirë e mirë në vagonë – kalonin fushat e arat e pafundme, ata e hapnin çantën kur i merrte uria, zakonisht pasi treni braktiste stacionin e Beogradit dhe marshonte drejt Zagrebit. Me çdo kilometër të kaluar, shqiptarët ndiheshin më të lirë. E dinin se në Kroaci priteshin (më) mirë, në Slloveni po se po. Mjaftonte një fjalë normale, një mirësjellje nga konduktori dhe çlirimi shpirtëror fillonte me hapjen e një birre, në kanaçe bojëkafe. Tuborg. Kështu quhej atëherë, kështu quhet edhe sot. Punëtori nga Kosova mund të blinte edhe një birrë të ndonjë marke jugosllave, por preferonte Tuborg, sepse ishte nga Danimarka. Shija e parë e Perëndimit.
Pas një udhëtimi të gjatë, ditën tjetër punëtorët zbrisnin në stacionin e trenit në Stuttgart. Viti 1968. Ishin larguar si «punëtorë me punë të përkohshme jashtë vendit» (kështu i quante propaganda komuniste) dhe sot, 58 vjet më vonë, janë pensionistë të Gjermanisë (nëse janë gjallë). Nga punëtorë të përkohshëm u bënë të përhershëm.
Pensioni u vjen me rregull nga Gjermania, sepse ata kanë punuar me zell në fabrikat e Mercedesit në Stuttgart e rrethinë. Kanë krijuar familje, vajzat e djemtë e tyre janë lindur e rritur në Gjermani, disa kanë themeluar ndërmarrje të ndryshme në Gjermani, janë integruar, disa madje janë mbiintegruar, duke u bërë punëdhënës, kontribues të rëndësishëm të ekonomisë gjermane, krenaria e madhe e prindërve të tyre, në radhë të parë, por edhe e tërë komunitetit. Vetëm në landin e Baden-Württembergut, kryeqyteti i të cilit është Stuttgarti, jetojnë rreth 170 mijë shqiptarë të Kosovës. Nëse këtu i llogarisim edhe shqiptarët e viseve të tjera, atëherë numri arrin mbase në mbi 200 mijë, në mos më shumë. Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane numëron rreth 1000 anëtarë, domethënë këta janë pronarë ndërmarrjesh, pra trashëgimtarë të atyre djemve që më 1968, 1969, 1970 u nisën me tren nga Fushë-Kosova drejt Gjermanisë.
Për shumë shqiptarë, puna në Gjermani u bë burim për mbajtjen e familjes dhe shkollimin e fëmijëve; ndërtimin e shtëpive në Kosovë; blerjen e pajisjeve dhe investimet e vogla; krijimin e lidhjeve që më vonë ndihmuan edhe të afërmit të emigronin.
Kthimi në Kosovë mbeti ëndërr, por Kosova është afruar me Gjermaninë: për dy orë nga Stuttgarti arrin në kryeqytetin e Kosovës, çdo ditë, madje disa herë në ditë.
Të gjitha këto mendime m’u sollën nëpër kokë dhe i hodha në letër (kështu thuhet, se në fakt i rendita në laptop) kur pashë dhe lexova lajmin se Mercedesi ka pezulluar investimet në Gjermani pas përplasjes me sindikatat.
«Der Spiegel» madje shkruan se «mundësitë për mbylljen e fabrikave dhe zhvendosjen e mëtejshme të prodhimit jashtë vendit po bëhen më konkrete». A është Mercedesi i prodhuar jashtë Gjermanisë Mercedes? Përgjigjja e shqiptarit që ka filluar punën në Mercedes më 1968 është e qartë: «Jo».
]]>Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk ndalë patjetër trendin e largimit të njerëzve drejt vendeve të tjera të BE-së. Këtë e tregon në mënyrë dramatike rasti i Kroacisë. Që nga hyrja e këtij vendi në Bashkimin Evropian në korrik 2013 e deri më sot, vlerësohet se rreth 400’000 deri në 450’000 shtetas kroatë janë larguar drejt shteteve më të zhvilluara të BE-së (kryesisht Gjermanisë, Austrisë dhe Irlandës).
Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave të Kroacisë, vetëm në periudhën 2013-2023 janë regjistruar zyrtarisht mbi 370’000 të larguar (ndërsa regjistrimi i popullsisë i vitit 2021 tregoi një rënie totale prej afro 400’000 banorësh brenda një dekade), por demografët kroatë dhe statistikat e vendeve pritëse (si zyra e statistikave në Gjermani) tregojnë se shifra reale është më e lartë pasi shumë emigrantë nuk e çregjistrojnë vendbanimin në Kroaci.
Ky largim ka shkaktuar mungesë kronike të fuqisë punëtore vendase në Kroaci. Nuk mungojnë vetëm kamerierë në Zagreb dhe qytete bregdetare. Mungesa e punëtorëve ka prekur edhe sektorin e përpunimit të mishit dhe traditën e njohur të therjes së derrave në rajonin kroat të Sllavonisë. Kapacitetet aktuale nuk po arrijnë të ndjekin rritjen e kërkesës sezonale, ndërsa kompanitë e mbetura po detyrohen të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit, duke punësuar punëtorë nga Filipinet.
Ky zhvillim pasqyron krizën e thellë të tregut të punës në Kroaci, ku sipas vlerësimeve të Bankës Popullore të Kroacisë aktualisht punojnë rreth 125 mijë deri në 130 mijë punëtorë të huaj. Të dhënat e Eurostatit e rendisin Kroacinë në vendin e tretë në Bashkimin Evropian – pas Maltës dhe Qipros – për numrin e lejeve të qëndrimit të lëshuara për shtetasit jashtë BE-së në raport me numrin e banorëve, ku mbi 95 për qind e tyre janë leje pune.
Brenda kësaj vale të re migracioni, struktura e punëtorëve nga Azia po ndryshon me shpejtësi. Për herë të parë, punëtorët nga Filipinet ua kanë kaluar atyre nga Nepali, duke marrë rreth 20 mijë leje pune – një rritje prej 42 për qind. Punëdhënësit kroatë po i preferojnë filipinasit jo vetëm në turizëm e hoteleri, por edhe në industri, për shkak të njohjes së mirë të anglishtes dhe përshtatjes më të lehtë kulturore dhe afërsisë fetare (filipinasit janë katolikë).
Për vite me radhë, Kroacia është mbështetur te fuqia punëtore nga rajoni, ku Kosova vazhdon të mbetet në listën e dhjetë vendeve kryesore prej nga vijnë punëtorët. Megjithatë, statistikat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë tregojnë një rënie graduale të numrit të lejeve të lëshuara për shtetasit e Kosovës. Në vitin 2023 janë lëshuar 9922 leje pune, në vitin 2024 ky numër ka rënë në 8139, në vitin 2025 në 6355, ndërsa në periudhën janar – gusht 2026 janë regjistruar 4165 leje pune.
Mediat kroate vlerësojnë se Kroacia po shërben si një “stacion tranzit” për punëtorët nga Kosova. Pasi fitojnë përvojën dhe dokumentacionin e nevojshëm, një pjesë e madhe e tyre, sidomos pas liberalizimit të vizave dhe lehtësive të punësimit në Gjermani, largohen drejt Gjermanisë apo Austrisë për paga më të larta. Punëtorët nga Kosova në Kroaci mbeten të përqendruar kryesisht në ndërtimtari dhe gastronomi gjatë sezonit veror, ku vlerësohen për njohjen e gjuhës dhe përshtatjen e shpejtë.
Hapja e tregut kroat për punëtorët nga Azia po shoqërohet edhe me tensione shoqërore. Hulumtimet sociologjike në Kroaci tregojnë se qytetarët vendas shfaqin distancë të madhe sociale ndaj punëtorëve nga Azia dhe Afrika, e cila në disa raste ka eskaluar në sulme fizike. Në qytetin e Splitit më 2024 janë regjistruar katër sulme ndaj punëtorëve të huaj dhe një rritje alarmante prej 211 për qind e krimeve të urrejtjes, përfshirë sulmin brutal të një grupi të rinjsh ndaj shpërndarësve të ushqimit nga India.
Përtej incidenteve në rrugë, Avokatja e Popullit e Kroacisë ka paralajmëruar se racizmi shpesh shfaqet edhe në formën e diskriminimit ekonomik. Sipas raportimeve institucionale, punëtorët aziatikë shpesh paguhen më pak se punëtorët vendas për të njëjtën punë, u merren pasaportat dhe vendosen në kushte banimi çnjerëzore, nga 10 deri në 15 persona në një dhomë, çka ka nxitur sindikatat kroate të kërkojnë kritere më të rrepta dhe kontrolle të shtuara nga shteti.
]]>Le të mbeten këto pyetje të hapura, përderisa unë do t’i përgjigjem njërës prej tyre. Ambasada e Palestinës në Serbi, e cila mbulon edhe Malin e Zi, nuk e ka përmendur këtë gjest, të paktën deri tani. Vështirë se një gjest i tillë do ta ndryshojë qëndrimin negativ të Palestinës ndaj pavarësisë së Kosovës. Nuk është se na duhet përkrahja e tyre, por kjo vlen të përmendet për të kuptuar se sa pak mund të arrijë një veprim i tillë.
Për mua, ulja e kokës ishte një veprim i kotë, me potencial për pasoja negative për Kosovën. Një gjest që mund t’u ketë sjellë vetëkënaqësi morale atyre që e bënë dhe atyre që e përkrahën, por që nuk i ka sjellë asgjë konkrete popullit palestinez. Përkundrazi, ka hapur një debat tjetër përçarës në Kosovë dhe ka rrezikuar të dëmtojë marrëdhëniet me një shtet që e ka njohur pavarësinë tonë.
Sporti dhe aktet politike
Në historinë e sportit ka akte politike që kanë mbetur në kujtesën e njerëzimit. Por, disa nga më të fuqishmet kanë qenë akte kundër padrejtësive të shtetit të vet, jo shfaqje mosrespektimi ndaj kundërshtarit sportiv.
Në Lojërat Olimpike të vitit 1968, në Meksikë, dy atletë amerikanë me ngjyrë, Tommie Smith dhe John Carlos, ngritën grushtet e veshur me dorëza të zeza dhe ulën kokat gjatë himnit amerikan. Ishte protestë kundër diskriminimit racor në shtetin e tyre. Ata nuk po përçmonin një kundërshtar sportiv, por po kërkonin që vendi i tyre t’i trajtonte qytetarët e vet me dinjitet. Gjesti i tyre hyri në histori.
Një rast tjetër, edhe më domethënës, ndodhi në Berlinin e vitit 1936, në Lojërat Olimpike të organizuara nga Gjermania naziste. Atleti gjerman Luz Long e përgëzoi dhe e përqafoi atletin amerikan me ngjyrë, Jesse Owens, i cili e kishte mundur në kërcim së gjati. Në një stadium ku regjimi i Hitlerit synonte të demonstronte epërsinë racore, një gjerman tregoi respekt dhe miqësi ndaj një atleti që ideologjia naziste e konsideronte inferior.
Pa ngritur asnjë pankartë, pa fyer asnjë kundërshtar dhe pa ulur kokën para himnit të një vendi tjetër, Longu dha një mesazh që në thelb i thoshte “fuck you” ideologjisë raciste të shtetit të vet.
Këto janë gjeste që mbeten në histori, sepse mbartin një mesazh të fuqishëm moral.
Ndërsa, gjesti ynë i mosrespektimit ndaj kundërshtarit sportiv, të cilin e kemi ftuar në shtëpinë tonë, për mua është edhe një lloj “magarie”. Sidomos kur kemi parasysh edukatën dhe kulturën tradicionale shqiptare, ku mikpritja zë vend qendror.
Mund të jesh kundër politikave të qeverisë izraelite, mund të dënosh luftën në Gazë dhe vuajtjet e civilëve palestinezë, pa treguar mungesë respekt ndaj sportistëve që përfaqësojnë atë vend. Por, këto i bënë pa fanellën e Kosovës.
Sporti dhe uniteti
Por, ajo që më shqetëson më shumë është se ky gjest solli përçarje dhe jo unitet. Dy gjëra që kanë rëndësi të jashtëzakonshme, si për sportin, ashtu edhe për një komb të vogël si yni.
Pas përfundimit të aparteidit në Afrikën e Jugut, Nelson Mandela u përball me një shoqëri të ndarë thellësisht. Të bardhët dhe të zinjtë kishin jetuar për dekada në dy botë të ndryshme, me padrejtësi, urrejtje dhe mosbesim të thellë.
Mandela kërkonte diçka që mund t’i bashkonte.
Dhe, e gjeti te sporti.
Në vitin 1995, Afrika e Jugut organizoi Kupën e Botës në ragbi. Ekipi kombëtar, Springboks, ishte pothuajse tërësisht i bardhë. Për shumicën me ngjyrë, ai ekip dhe fanella e tij ishin simbole të aparteidit, të shtypjes dhe të privilegjeve të pakicës së bardhë.
Mandela mund ta kishte refuzuar atë simbol. Mund ta kishte përdorur sportin për të shprehur zemërimin e shumicës së shtypur. Do të kishte pasur arsye të forta historike për ta bërë këtë.
Por, bëri të kundërtën.
Veshi fanellën e Springboks-it, me numrin e kapitenit François Pienaar, dhe doli para stadiumit të mbushur kryesisht me tifozë të bardhë. Ata që dikur e kishin parë si armik, tani brohorisnin emrin e tij.
Afrika e Jugut fitoi Kupën e Botës dhe për një moment historik, një vend thellësisht i ndarë festoi së bashku.
Mandela nuk e përdori sportin për t’ua kujtuar njerëzve arsyet pse duhej ta urrenin njëri-tjetrin. E përdori për t’u dhënë një arsye që të bashkoheshin.
Kjo ishte madhështia e gjestit të tij.
Në Evropë, sporti përdoret vazhdimisht për të promovuar luftën kundër racizmit, për të treguar diversitetin e shoqërive dhe për të vlerësuar arritjet e atyre që historikisht kanë pasur më pak mundësi.
Xhaka dhe Shaqiri kanë bërë mrekulli për dinjitetin dhe imazhin e shqiptarëve në Zvicër. Jo duke përçmuar kundërshtarët, por duke qenë të suksesshëm dhe duke dëshmuar se shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë zvicerane.
E çfarë bëmë ne?
Në ekipin e Kosovës, një pjesë e lojtarëve ndërmorën një akt që nuk solli asgjë të dukshme të mirë në shkretëtirat e Lindjes së Mesme, por që solli ndasi, përçarje dhe një debat të panevojshëm në vendin tonë.
Ky ekip, sikurse secili ekip tjetër që përfaqëson shtetin tonë të vogël dhe relativisht të varfër, duhet të jetë simbol i unitetit, i ndërtimit të miqësive dhe pika ku bashkohemi, jo pika ku ndahemi.
Fakti që disa lojtarë ulën kokën dhe të tjerët jo tregon se nuk pati një qëndrim të përbashkët për këtë gjest politik. Dhe, fakti që Facebook-u është mbushur me sharje e fyerje të ndërsjella, tregon se gjestet e tilla mund të krijojnë përçarje në shoqërinë tonë për çështje mbi të cilat Kosova ka fare pak ndikim.
Për çfarë na duhej kjo?
Për të dëshmuar se kush është më shumë me Palestinën? Për të matur patriotizmin, moralin apo ndjeshmërinë e njëri-tjetrit ndaj vuajtjeve të një populli tjetër?
Për mua, lojtarët që e bënë këtë gjest duhet të reflektojnë mbi përgjegjësinë që mbajnë kur veshin fanellën e Kosovës. Ajo fanellë nuk është platformë për bindjet politike individuale. Është simbol i një shteti dhe i të gjithë qytetarëve të tij, pavarësisht bindjeve fetare e politike.
Miqtë nuk fitohen duke i fyer
Nuk duhet të harrojmë se Izraeli dhe shumë personalitete hebraike kanë qenë mbështetës të rëndësishëm të Kosovës në periudha të ndryshme të luftës sonë për liri dhe të përpjekjeve për shtetësi. Pa asnjë interes për ta.
Sot Izraeli e njeh Kosovën, kemi marrëdhënie diplomatike dhe ambasador izraelit jorezident.
Për një vend si Kosova, që ende lufton për njohje ndërkombëtare, këto marrëdhënie nuk janë të parëndësishme.
Kjo është punë e politikës, e diplomacisë dhe e debatit publik. Nuk shoh se çfarë fiton Kosova kur futbollistët e saj vendosin të bëjnë diplomaci me kokën ulur gjatë himnit të kundërshtarit.
Madje, për një vend që ka përjetuar vetë luftën, dëbimet dhe vuajtjet e civilëve, do të ishte shumë më dinjitoze të shprehej solidariteti me viktimat pa e kthyer një ndeshje futbolli në një arenë tjetër armiqësie.
Sepse, solidariteti me një popull nuk matet me shkallën e mosrespektimit që tregojmë ndaj popullit tjetër.
Më mirë një gol se një gjest politik
Në fund të fundit, futbollistët tanë kanë një detyrë kryesore kur dalin në fushë: të luajnë futboll dhe ta përfaqësojnë Kosovën sa më mirë.
Në ndeshjen kundër Izraelit nuk shënuan asnjë gol. Rezultati ishte 0 me 0.
Do të kishte qenë shumë më mirë të kishin shënuar ndonjë gol kundër Izraelit sesa të bënin politikë. Por, siç duket, kur nuk arrin të bësh atë për të cilën je në fushë, është më lehtë të marrësh vëmendje duke futur hundët në çështje të tjera.
Dhe, nëse futbollistët tanë vërtet duan t’i ndihmojnë palestinezët, kanë mundësi ta bëjnë këtë në mënyra shumë më konkrete.
Mund ta hapin kuletën dhe të dhurojnë nga njëqind mijë euro për ndihma humanitare. Mund të financojnë ushqim, barna, trajtime mjekësore apo strehim për familjet që kanë humbur gjithçka.
Një veprim i tillë do të kishte vlerë reale për njerëzit që vuajnë. Dhe, nuk do të kërkonte as fyerjen e kundërshtarit, as përçarjen e tifozëve kosovarë.
Por, natyrisht, është shumë më lehtë të bësh politikë me një gjest që nuk të kushton asgjë. /Telegrafi/
]]>Shqiptarët e Kosovës arritën ta bindnin botën se nuk po luftonin për të pushtuar territorin e dikujt tjetër, por për të mos u zhdukur nga toka e tyre. Ky ishte konteksti që e legjitimoi politikisht ndërhyrjen dhe që i dha Kosovës mbështetjen e jashtëzakonshme ndërkombëtare pas luftës.
Por, Serbia nuk e pranoi kurrë humbjen e kësaj beteje. Për 27 vjet, bashkë me Rusinë, vazhdoi ta ndërtonte dhe ta eksportonte një narrativë tjetër: NATO-ja kishte shkelur sovranitetin e një shteti, Kosova ishte shkëputur padrejtësisht dhe Serbia ishte viktimë e ndërhyrjes perëndimore. Nuk ishte një përpjekje e përkohshme, por një investim i vazhdueshëm diplomatik, politik dhe propagandistik.
E, teksa Serbia lobonte, Kosova jetonte me bindjen se e vërteta e vitit 1999 ishte e mjaftueshme për ta garantuar përgjithmonë mbështetjen e Perëndimit.
Sot po i shohim rezultatet e kësaj diference.
Më 15 nëntor, në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, u interpretua kënga serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila bart pretendime të hapura territoriale ndaj Kosovës. Marta Kos u distancua nga përmbajtja, duke thënë se ishte zgjedhje e muzikantëve. Por, çështja nuk mbyllet me kaq. Një aktivitet i organizuar në kuadër të Komisionit Evropian nuk është aheng privat ku askush nuk mban përgjegjësi për programin. Kush e përzgjodhi bendin, kush e miratoi programin dhe si u konsiderua e pranueshme që Kosova të përfaqësohej përmes një kënge që promovon pretendimet territoriale të Serbisë? Në institucionet e BE-së ka procedura organizative dhe përgjegjësi. Prandaj, arsyetimi se përgjegjësia ishte vetëm e muzikantëve nuk është përgjigje e mjaftueshme.
Por, Brukseli nuk është rasti i vetëm.
Në Hagë, Hashim Thaçi, një nga figurat kryesore të luftës çlirimtare dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, ish-president i Kosovës, më 16 shtator u dënua me 25 vjet burg në shkallë të parë për krime lufte. Më 17 nëntor mori edhe një dënim tjetër prej 17 muajsh në një proces të veçantë për vepra kundër administrimit të drejtësisë. Është e papranueshme që lufta e një populli për liri të përfundojë duke u identifikuar ndërkombëtarisht kryesisht përmes gjykimit të drejtuesve të saj, ndërkohë që regjimi që organizoi represionin, dëbimet dhe vrasjet e shqiptarëve mbetet jashtë kësaj qendre të vëmendjes.
Thaçi nuk është një çfarëdo emri në historinë e Kosovës. Është njëri prej njerëzve që udhëhoqën procesin politik të luftës dhe që qëndruan në themel të shtetformimit të Kosovës. Kur shpallësi i pavarësisë përfundon me dy dënime brenda dy muajsh, njëri prej tyre me 25 vjet burg, nuk mund të injorohet dimensioni politik dhe simbolik i këtij zhvillimi. Të dy aktgjykimet janë të shkallës së parë dhe mund t’i nënshtrohen apelit, por pesha e tyre publike është tashmë reale. Sepse, kur në qendër të vëmendjes vendosen vazhdimisht drejtuesit e palës që luftoi për çlirim, ndërsa historia e agresionit serb relativizohet, krijohet një barazim që nuk mund të justifikohet vetëm me terminologjinë juridike.
Kjo është pikërisht ajo që Serbia ka kërkuar për vite të tëra: jo domosdoshmërisht ta bindë botën se nuk ka kryer krime, por ta bindë se edhe pala shqiptare duhet të vendoset në të njëjtën peshore historike. Dhe, ky është ndryshimi më i rrezikshëm që po ndodh në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës.
Por, përgjegjësia nuk është vetëm e Beogradit dhe Moskës. Është edhe e Prishtinës. Për 27 vjet nuk arritëm të ndërtojmë një diplomaci që do ta mbronte historinë tonë me të njëjtin intensitet me të cilin Serbia e sulmonte atë. Nuk krijuam një prani të qëndrueshme në universitetet, institutet kërkimore, qarqet politike dhe mediat ndërkombëtare. Nuk e kuptuam se mbështetja e vitit 1999 nuk ishte çek i bardhë për gjithë të ardhmen.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, mirënjohja nuk e zëvendëson diplomacinë dhe historia nuk mbrohet vetvetiu. Aleatët kanë interesa që ndryshojnë, qeveritë ndërrohen dhe kujtesa politike zbehet. Nëse ti nuk e mbron vazhdimisht pozicionin tënd, dikush tjetër do ta ndërtojë narrativën në vendin tënd.
Serbia këtë e bëri. Kosova jo.
Dhe, sot, 27 vjet pas luftës, në vend se të diskutojmë vetëm se si ta përshpejtojmë integrimin evropian, jemi të detyruar të reagojmë ndaj këngëve që kontestojnë territorin tonë në institucionet evropiane dhe ndaj interpretimeve që rrezikojnë ta barazojnë luftën çlirimtare me regjimin që kreu krime kundër nesh.
Serbia nuk e ndali luftën, vetëm e ndërroi frontin. Kosova e ndali mbrojtjen e së vërtetës. Dhe, sot po e kupton se në politikën ndërkombëtare, edhe ajo që dikur ishte e qartë mund të vihet në pikëpyetje kur ti nuk je aty për ta mbrojtur. /Telegrafi/
]]>Sanduiçi portorikan me biftek është një nga recetat që Gordon Ramsay prezanton në serinë e tij Ramsay Around the World. Ai kombinon mishin e viçit të pjekur në skarë me perime të karamelizuara dhe një salcë pikante, të pasur me aroma.
E veçanta qëndron te salca Mojo Rojo, e përgatitur me domate, speca, hudhër, vaj ulliri dhe lëng limoni, e cila përdoret edhe gjatë pjekjes së mishit, transmeton Telegrafi.
Përbërësit
Për salcën Mojo Rojo:
Për sandviçin:
– YouTube
Përgatitja
1. Përgatitja e salcës Mojo Rojo
Ngrohni një tigan në temperaturë mesatare deri të lartë dhe shtoni 1–2 lugë gjelle vaj ulliri.
Hidhni qepën e grirë, pak kripë dhe kaurdiseni derisa të bëhet e tejdukshme.
Shtoni domatet qershi dhe hudhrën. Gatuajini derisa domatet të fillojnë të zbuten dhe të çahen.
Shtoni specin e pjekur dhe specin djegës. Vazhdoni gatimin edhe rreth pesë minuta.
2. Përfundimi i salcës
Hidhni lëngun e perimeve dhe vazhdoni gatimin për 7–10 minuta, derisa lëngu të reduktohet pak.
Hiqeni tiganin nga zjarri dhe kalojeni përzierjen në blender. Përpunojeni derisa të përftoni një masë të njëtrajtshme, duke shtuar gradualisht pjesën e mbetur të vajit të ullirit.
Rregullojeni shijen me kripë dhe lëng limoni. Lëreni salcën mënjanë.
3. Përgatitja e biftekut
Ngrohni skarën ose tiganin për skarë në temperaturë të lartë. Njëkohësisht, ngrohni edhe një tigan që nuk ngjit.
Spërkateni biftekun me kripë dhe piper të zi, lyejeni me vaj ulliri dhe shtypeni lehtë me duar për t’ia përshtatur formën madhësisë së bukës.
Vendoseni në pjesën më të nxehtë të skarës.
4. Karamelizimi i perimeve
Në tiganin tjetër shtoni një lugë gjelle vaj ulliri dhe qepën e prerë në feta.
Kaurdiseni për pak kohë, pastaj shtoni specin e kuq dhe pak vaj ulliri, nëse nevojitet.
Vazhdoni gatimin derisa perimet të zbuten dhe të karamelizohen.
5. Lyerja e biftekut me salcë
Kur bifteku të jetë skuqur mirë nga njëra anë, kthejeni dhe lyeni sipërfaqen e pjekur me një shtresë të bollshme salce Mojo Rojo.
Gatuajeni edhe 30–60 sekonda, pastaj kthejeni përsëri dhe lyeni edhe anën tjetër.
6. Pjekja e bukës
Spërkatni me vaj ulliri pjesët e brendshme të bukës dhe shtoni pak kripë.
Fërkojini lehtë dy gjysmat me njëra-tjetrën, pastaj vendosini në skarë me pjesën e prerë poshtë.
Piqini derisa të krijohet një sipërfaqe krokante dhe e artë.
Hiqeni edhe biftekun nga skara kur të ketë arritur shkallën e dëshiruar të pjekjes. Ramsay rekomandon mishin pak të pjekur në brendësi.
7. Përfundimi i mbushjes
Kur qepët dhe specat të jenë karamelizuar, hiqini nga zjarri.
Shtoni koriandrën e freskët dhe pjesët e gjelbra të qepëve të njoma. Përziejini lehtë.
8. Përgatitja përfundimtare
Në gjysmën e poshtme të bukës vendosni disa lugë të bollshme nga përzierja e qepëve dhe specave.
Lëreni biftekun të pushojë pak, pastaj priteni në feta të trasha, diagonalisht dhe në drejtim të kundërt me fijet e mishit.
Vendosini fetat mbi perimet, duke i lënë të dalin pak përtej skajeve të bukës.
Shtoni kripë dhe piper sipas dëshirës, mbulojeni me gjysmën tjetër të bukës dhe priteni sandviçin përgjysmë.
Rezultati është një sandviç me bukë krokante, biftek të lëngshëm, perime të karamelizuara dhe salcë pikante, ku ndërthuren aromat e kuzhinës portorikane. /Telegrafi/
]]>Ka njerëz që, në çastet më të vështira, janë të parët që ofrojnë ndihmë. Të tjerë pikërisht atëherë gjejnë mënyrën për t’u tërhequr. Ndërsa njëra palë mendon si të përfundojë puna, tjetra gjen arsye për të mos u angazhuar. Shpesh i njohin mirë të drejtat e tyre, por kur vjen radha te detyrimet, barra përfundon mbi supet e dikujt tjetër. Pse përsëritet ky model dhe pse njerëzit e përgjegjshëm e pranojnë?
Pse disa punojnë më pak kur janë pjesë e ekipit?
Në psikologji, fenomeni quhet dembelizëm social: prirja për të bërë më pak përpjekje në grup sesa kur rezultati varet vetëm nga individi. Në vitin 1979, psikologët Bibb Latané, Kipling Williams dhe Stephen Harkins treguan se, në disa detyra kolektive, angazhimi individual zvogëlohet kur kontributi personal nuk dallohet qartë.
Një studim i botuar në Journal of Management e lidh këtë dukuri edhe me organizimin e punës, dukshmërinë e kontributit dhe marrëdhëniet mes punonjësve. Kur askush nuk e di saktësisht kush duhet të bëjë çfarë, bëhet më e lehtë që detyrat t’u lihen të tjerëve.
“Pse të mundohem unë, kur të tjerët nuk bëjnë asgjë?”
Kjo fjali mund të shërbejë si justifikim. Psikologjia e quan racionalizim përpjekjen për t’i dhënë sjelljes sonë një shpjegim të pranueshëm. Në vend që të shqyrtojë përgjegjësitë e veta, individi përqendrohet te mungesa e angazhimit të të tjerëve dhe e paraqet pasivitetin si reagim ndaj padrejtësisë.
Megjithatë, angazhimi i ulët nuk nënkupton gjithmonë papërgjegjësi. Pas tij mund të qëndrojnë lodhja, pakënaqësia, ndjenja e nënvlerësimit ose drejtimi i dobët. Prandaj duhen vlerësuar rrethanat dhe përsëritja e sjelljes, jo vetëm një rast i veçuar.
Të drejtat i njohin mirë, po detyrimet?
Disa njerëz e dinë saktësisht çfarë u takon dhe çfarë presin prej të tjerëve, por tregohen më pak të gatshëm të pranojnë përgjegjësitë personale. Kjo sjellje mund të lidhet me ndjenjën psikologjike të privilegjit: bindjen se meritojnë trajtim të veçantë, edhe pa arsye të përligjura.
Një studim i psikologut W. Keith Campbell dhe bashkëpunëtorëve e lidhi këtë prirje me më shumë konflikte ndërpersonale. Dikush mund të reagojë fort kur mendon se po i cenohen të drejtat, ndërkohë që nuk vëren ndikimin e sjelljes së vet te kolegët.
Sigurisht, kërkimi i respektimit të të drejtave nuk është privilegjim. Pushimi, koha e lirë dhe mbrojtja e interesave personale janë të ligjshme. Problemi fillon kur kërkohet trajtim i veçantë, pa respektuar marrëveshjet dhe nevojat e të tjerëve, transmeton Telegrafi.
Pse njerëzit e përgjegjshëm marrin gjithmonë më shumë përsipër?
Njerëzit e ndërgjegjshëm e kanë të vështirë ta lënë një detyrë të papërfunduar. Marrin punë shtesë, korrigjojnë gabimet e kolegëve dhe përpiqen të shmangin vonesat. Ky reagim lidhet me kompensimin social: rritjen e përpjekjeve personale për të mbuluar kontributin e pamjaftueshëm që pritet nga të tjerët.
Në afat të shkurtër, kjo e shpëton punën e përbashkët. Por kur bëhet zakon, sjell rraskapitje, pakënaqësi dhe ndjenjë padrejtësie. Situata rëndohet kur përkushtimi i një personi merret si i mirëqenë, ndërsa shmangia e detyrimeve nga një tjetër tolerohet vazhdimisht.
Kjo nuk ndikon vetëm në produktivitet: me kalimin e kohës dëmton besimin, marrëdhëniet mes kolegëve dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në të ardhmen.
Si të vendosni kufij pa grindje dhe ndjenjë faji?
Së pari, mos e konsideroni veten përgjegjës për gjithçka. Detyrat, afatet dhe pritshmëritë duhen përcaktuar qartë, në mënyrë që secili ta dijë pjesën e vet. Kur një detyrim nuk përmbushet, flisni për problemin konkret, jo për karakterin e personit.
Në vend të “Ti nuk bën kurrë asgjë”, mund të thoni: “Kjo detyrë nuk ka përfunduar, prandaj të tjerët po marrin punë shtesë”. Edhe drejtuesit duhet ta dallojnë dhe korrigjojnë shpërndarjen e pabarabartë të ngarkesës. Funksionimi i ekipit nuk mund të mbështetet vetëm te punonjësit më të përkushtuar.
Të jesh i përgjegjshëm nuk do të thotë të pranosh përgjegjësi të përhershme edhe për të tjerët. Kur disa zgjedhin vazhdimisht vetëm atë që u leverdis, të tjerët përfundojnë duke paguar çmimin. /Telegrafi/
]]>Sipas njoftimit të KFOR-it, përfaqësuesit e NATO-s janë takuar me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Takimet kishin për qëllim vazhdimin e dialogut dhe komunikimit të hapur, konstruktiv dhe transparent me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Gjatë diskutimeve u ritheksua se optimizimi i pozicionimit të trupave të NATO-s është një proces që u mundëson forcave të zhvendosen në zonat ku nevojat për praninë e tyre janë më të mëdha.
KFOR bëri të ditur se ky proces bazohet në kushtet e sigurisë dhe mund të kthehet prapa, nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë një gjë të tillë.
NATO-ja, përmes KFOR-it, vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës, në përputhje me mandatin e saj. /Telegrafi/
]]>Po afrohej një stuhi e madhe vere. Sistemi i dispeçerisë me IA [inteligjenca artificiale] i ndërmarrjes lokale të shërbimeve publike përcaktoi me saktësi qarkun me shpejtësinë më të lartë të parashikuar të erës si ekspozimin më të madh ndaj rrezikut. Modeli rekomandoi vendosjen e ekipeve në një depo rajonale atje, për të qenë në gatishmëri.
Një mbikëqyrës linjash me 24 vjet përvojë nuk ishte i pajtimit.
Ai u përqendrua te një zonë shërbimi dy qarqe më larg – një brez i ngushtë që mund të anashkalohej lehtë – me linja të vjetra furnizuese nën pemë të rritura, një nënstacioni pranë një përroi të prirur ndaj përmbytjeve, një spitali të madh dhe një ure të mbyllur kohët e fundit në rrugën kryesore të hyrjes – një fakt që nuk pasqyrohej në të dhënat e menaxhimit të ndërprerjeve. Prandaj, ai e anuloi rekomandimin. Plani i tij më i matur e riktheu energjinë në qarkun kritik disa orë më herët sesa plani i algoritmit.
Ky skenar ilustron sfidën më urgjente për IA-në tani: pa një kuptim të thellë dhe të nuancuar të mënyrës se si funksionojnë gjërat në botën reale, edhe modeli më i mirë i IA-së do të jetë funksionalisht i penguar. Kjo është arsyeja pse kaq shumë pilotprojekte dhe prova koncepti të IA-së nuk arrijnë të kalojnë në botën reale.
Në një studim global, përqindja e kompanive që braktisnin shumicën e nismave të tyre të IA-së – para se ato të arrijnë në prodhim – u rrit nga 17 përqind në 42 përqind nga një vit në tjetrin, ndërsa organizatat raportuan mesatarisht se 46 përqind e projekteve anulohen midis provës së konceptit dhe adoptimit të gjerë. Bordet kërkojnë kthime nga investimet e tyre dhe nuk po i arrijnë ato.
Kjo ndodh edhe pse teknologjia po bëhet më e mirë, më e shpejtë, më e lirë dhe më e qasshme. Sot një kompani mund të testojë modele të fuqishme, pa e ndërtuar modelin e vet nga e para. Megjithatë, kalimi nga një demonstrim premtues te një zgjidhje plotësisht funksionale – të cilën njerëzit mund ta përdorin, t’i besojnë dhe të mbështeten tek ajo – mbetet i vështirë për t’u arritur.
Kjo ndodh sepse një sistemi të IA-së i duhen më shumë sesa vetëm të dhënat. Atij i duhet të kuptojë punën – jo çfarë është puna, por si kryhet ajo në të vërtetë në realitetin e operacioneve të përditshme. Sistemit i duhet të kuptojë semantikën e biznesit dhe mënyrën se si përcaktohen përparësitë e punës, si kryhet puna dhe si menaxhohen dështimet.
Për shembull, një sistem i IA-së duhet të dijë se si një bankë e shlyen pagesën kur një udhëzim rutinor rezulton se ka pasoja që lidhen me sanksionet, ose përse një profesionist i trajtimit të kërkesave e konsideron mospërputhjen si çështje administrative dhe një tjetër si shenjë paralajmëruese. Duhet të dijë se cili sinjalizim për mirëmbajtje mund të presë deri në mëngjes dhe cili e sinjalizon rrezikun për sigurinë. Këto dallime rrallëherë shfaqen në një hartë procesi. Ato gjenden në përvojën e njerëzve që janë marrë me përjashtimet, kanë parë pasojat dhe kanë mësuar atë që rregullat formale nuk mund ta përcjellin.
Faza e ardhshme e IA-së varet nga shfrytëzimi i kësaj ekspertize. IA-ja e suksesshme do t’i përfshijë që në fillim në IA njerëzit më me përvojë të një kompanie – jo që të mësojnë si të përdorin një mjet të ri, por si partnerë në përcaktimin e asaj që sistemi i IA-së duhet të dijë, asaj që duhet të bëjë dhe pikës ku duhet të ndalet.
Kjo fillon me gjetjen e përjashtimeve. Shumica e rrjedhave të punës duken të rregullta në letër. Në praktikë, ato përmbajnë vendime që kërkojnë gjykim, zgjidhje anësore, historikun e klientëve, kërkesa rregullatore dhe kushte të cilat ndryshojnë sipas stinës, gjeografisë, produktit ose rrethanave. Një model i trajnuar vetëm mbi rrjedhën standarde ose mbi variante të thjeshta mund të funksionojë në mënyrë të admirueshme – deri në çastin kur rrjedha standarde nuk zbatohet më. Gjithashtu, mes të dhënave rutinë të trajnimit fshihen disa modele përjashtimesh, gjë që e bën të vështirë që modelet të mësojnë nga ato përjashtime.
Kjo do të thotë gjithashtu që të matet ajo që ka rëndësi. Një model mund ta zvogëlojë kohën e nevojshme për të përfunduar një detyrë, por vetëm shpejtësia thotë pak për vlerën e biznesit. Matjet e duhura mund të përfshijnë humbjet e shmangura, më pak telefonata të përsëritura, rikthimin më të shpejtë të një shërbimi kritik, përmirësimin e pajtueshmërisë ose më shumë kohë që njerëzit e kualifikuar të përqendrohen në raste të vështira. Matjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse – përtej produktivitetit të drejtpërdrejtë – dhe të njohin e të pasqyrojnë veçoritë e biznesit në të cilin kompania vepron në të vërtetë.
Së fundi, organizatat duhet të vendosin se sa gabime mund të përballojë procesi. Rekomandimi i një produkti për një blerës dhe lëshimi i një pagese me vlerë të lartë janë që të dyja forma automatizimi. Ato nuk duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë. Punonjësit me përvojë mund të ndihmojnë në përcaktimin se kur IA-ja duhet të sugjerojë, kur mund të ndërmarrë veprime dhe kur një person duhet të mbetet përgjegjës për vendimin. Përgjegjësia përfundimtare i takon gjithmonë njeriut.
E kemi parë këtë duke ndodhur në praktikë. Duke punuar me një sigurues të specializuar amerikan dhe duke shfrytëzuar Wipro Intelligence-n, e ndërtuam një sistem IA-je për t’i ndihmuar nënshkruesit e sigurimeve të përpunonin dokumentet e dendura dhe jokonsistente që shoqërojnë paraqitjet komplekse të rrezikut tregtar: raporte inspektimi, dosje lidhëse, formularë dhe raporte të vlerësimit të rrezikut.
Teknologjia mund të nxirrte më shumë se 100 pika të dhënash përkatëse dhe të identifikonte anomali, por puna e vërtetë ishte të përcaktohej se çfarë nënkuptonin ato sinjale. Nënshkruesit me përvojë të sigurimeve ndihmuan të dallohej mospërputhja e padëmshme nga ekspozimi material, i identifikuan hollësitë narrative që duhet të nxisnin rishikim dhe vendosën kufij të qartë se kur sistemi mund ta përshpejtonte vendimin dhe kur duhej t’ia kthente rastin një personi. Rezultati nuk ishte një nënshkrues IA-je. Ishte një nënshkrues më i shpejtë: koha e trajtimit ra nga një orë në disa minuta, ndërsa gjykimi njerëzor mbeti aty ku kishte më shumë rëndësi.
Për drejtorët ekzekutivë, mesazhi është i qartë. IA-ja nuk mund të trajtohet si projekt teknologjik që i dorëzohet ekipit të teknologjisë. Është projekt i ridizajnimit të biznesit që duhet të drejtohet nga niveli më i lartë. Filloni me një rrjedhë pune ku një vendim më i mirë ose një zgjidhje më e shpejtë ka vlerë të qartë; vendosini njerëzit që e njohin më mirë atë punë pranë njerëzve që ndërtojnë teknologjinë; jepuni një përkufizim të përbashkët të suksesit; dhe, përshtateni modelin me detyrën konkrete që keni përpara – bazuar në njohuritë e ekspertëve tuaj operacionalë. Jo të gjitha rrjedhat e punës kërkojnë modelet më të mëdha dhe më të sofistikuara.
Kompanitë që do ta bëjnë IA-në të funksionojë do të jenë ato që e kuptojnë se ku ndodhet tashmë aseti i tyre më i vlefshëm i IA-së – në mendjet e njerëzve dinë se si kryhen vërtet gjërat. /Telegrafi/
]]>Peshku i skuqur me petë mund të mbetet krokant deri në kafshatën e fundit, pa lënë pas vaktit ndjesinë sikur keni ngrënë një lugë vaj. Sekreti nuk qëndron vetëm te temperatura e vajit, por edhe te përzierja ku zhytet peshku para skuqjes.
Mënyra greke e përgatitjes përdor disa përbërës të thjeshtë, të cilët krijojnë një shtresë të hollë dhe krokante, ndërsa peshku brenda mbetet i lëngshëm. Rol të veçantë në këtë truk kanë uji mineral me gaz, niseshteja e misrit dhe disa kuba akulli.
Për rreth një kilogram peshk nevojiten:
Fillimisht përzieni miellin me niseshtenë e misrit dhe më pas shtoni vezën. Hidhni gradualisht ujin mineral me gaz, duke e përzier vazhdimisht me tel kuzhine derisa të krijohet një masë e njëtrajtshme, pa kokrriza.
Shtoni lëkurën e grirë të limonit, kripën dhe piperin, pastaj fusni disa kuba akulli. Përzierjen mund ta lini për disa minuta në frigorifer ndërsa përgatitni peshkun.
Akulli dhe uji me gaz bëjnë dallimin
Kur përzierja shumë e ftohtë bie në kontakt me vajin e nxehtë, formohet shpejt një kore krokante. Uji me gaz e bën masën më të lehtë, ndërsa niseshteja e misrit ndihmon që shtresa e jashtme të bëhet më e fortë dhe më krokante.
Është e rëndësishme që vaji të jetë ngrohur mirë para se të filloni skuqjen. Nëse nuk është mjaftueshëm i nxehtë, peshku do të skuqet më gjatë dhe mund të thithë më shumë yndyrë.
Para se ta zhytni në përzierje, thajeni mirë peshkun me letër kuzhine dhe rregullojeni me erëza. Zhyteni në masë menjëherë para se ta vendosni në vaj dhe mos hidhni shumë copa njëherësh në tigan. Nëse tigani mbushet tepër, temperatura e vajit bie dhe korja nuk do të dalë njësoj krokante.
Një gabim pas skuqjes mund ta zbusë koren
Kur peshku të jetë gati, nxirreni me lugë të shpuar dhe vendoseni mbi një rrjetë kuzhine ose mbi letër thithëse për të larguar vajin e tepërt.
Megjithatë, nëse dëshironi që korja të mbetet sa më krokante, rrjeta është zgjidhje më e mirë. Kur copat vendosen njëra mbi tjetrën, avulli që grumbullohet mes tyre mund ta zbusë shpejt shtresën e jashtme.
Nëse përgatitni sasi më të madhe, vendoseni rrjetën mbi një tepsi, në mënyrë që ajri të qarkullojë edhe poshtë peshkut. Copat mund t’i mbani edhe në furrë pak të ngrohur, por mos i mbuloni me folie.
Limonin shtojeni vetëm në fund
Edhe pse në përzierje shtohet lëkura e grirë e limonit, lëngu është më mirë të lihet për momentin e servirjes. Nëse hidhet mbi peshkun ende të nxehtë, lagështia mund ta zbusë shpejt koren krokante.
Peshkun e skuqur mund ta shoqëroni me sallatë patatesh, sallatë të freskët ose një salcë të lehtë të servirur veçmas.
Nëse ju ndodh shpesh që peshku i skuqur të dalë shumë i yndyrshëm ose që korja të zbutet sapo ta hiqni nga tigani, kombinimi i masës së ftohtë, ujit me gaz dhe niseshtesë së misrit është një truk i thjeshtë që ia vlen të provohet. /Telegrafi/
]]>Përveçse përgatitet pa furrë, kjo tortë nuk kërkon shumë përbërës ose kohë.
Baza e çokollatës dhe mbushja kremoze me kokos i japin një pamje dhe shije të veçantë, ndërsa roleja mund të përgatitet paraprakisht dhe të ruhet në frigorifer.
Foto ilustruese
Përbërësit për pjesën e errët:
– 200 g biskota të vogla të bluara
– 2 lugë gjelle pluhur kakaoje
– 100 g sheqer pluhur
– 1 sheqer vanilje
– 100 ml qumësht i ngrohtë
– 100 g gjalpë
– 1 lugë gjelle rum, sipas dëshirës
Përbërësit për pjesën e bardhë:
– 150 g kokos
– 100 g sheqer pluhur
– 100 g gjalpë në temperaturë ambienti
– 3 lugë gjelle qumësht
Përgatitja:
Në një tas të madh, përzieni së bashku biskotat e shtypura, kakaon, sheqerin pluhur dhe sheqerin e vaniljes.
Shtoni gjalpin e zbutur dhe qumështin e ngrohtë dhe përzieni mirë derisa të përftoni një përzierje kompakte.
Shtoni një lugë gjelle rum nëse dëshironi.Vendoseni përzierjen në letër pjekjeje dhe hapeni në një drejtkëndësh me trashësi rreth gjysmë centimetri.
Për ta bërë më të lehtë formësimin, mund ta mbuloni me një fletë tjetër letre pjekjeje dhe ta hapni në mënyrë të barabartë.
Për të përgatitur mbushjen me kokos, përzieni kokosin, sheqerin pluhur dhe gjalpin në temperaturë ambienti.
Shtoni qumështin dhe përzieni derisa të përftoni një përzierje kremoze që mund të lyhet me ujë.
Shpërndajeni kremin e kokosit në mënyrë të barabartë mbi bazën e errët.
Pastaj, duke përdorur letër pjekjeje, rrotullojeni me kujdes përzierjen për të krijuar një rrotull të ngushtë.
Mbështilleni me qese plastike dhe vendoseni në frigorifer për të paktën një orë që të ngurtësohet.
Pasi të ftohet, priteni në feta dhe shërbejeni. /Telegrafi/
]]>