Warning: Constant WP_DEBUG already defined in /var/www/html/bujanoci-temp/wp-config.php on line 32
Përfundime Kërkimi për “mendon” – www.Bujanoci.Net https://bujanoci.net Këtu është fuqia e lajmit... Sun, 22 Nov 2026 11:57:37 +0000 sq hourly 1 https://wordpress.org/?v=7.1.5 Ai punon në Mercedes… https://bujanoci.net/ai-punon-ne-mercedes/ https://bujanoci.net/ai-punon-ne-mercedes/#respond Sun, 22 Nov 2026 11:57:37 +0000 https://familja.uk/bujanoci-temp/ai-punon-ne-mercedes/ Shqiptari që punonte në fabrikën e Mercedesit në vitet 1970 apo 1980 gëzonte reputacion të lartë në atdhe. Kur kthehej «nga atje», e shikonin me admirim, sidomos kur në krye të katundit shihej në timonin e Mercedesit, nga dritarja gjysmë e hapur dilte tymi i cigareve «HB» dhe jehonte një këngë me çifteli. Mercedesi ishte sinonim i veturës. Disa mendime (paksa nostalgjike) pas lajmit se Mercedesi i ka ndalur investimet në Gjermani dhe po mendon të prodhojë vetura vetëm jashtë Gjermanisë.

Në fund të viteve 1960, Gjermania nisi të rekrutojë punëtorë në Jugosllavinë e atëhershme. Më së shumti u rekrutuan punëtorë në zonat më të varfra të vendit. Në Kosovë, për shembull. Marrëveshja për rekrutimin e punëtorëve («Gastarbeiter») mes Gjermanisë Perëndimore dhe Jugosllavisë u nënshkrua më 12 tetor 1968. Ajo mundësoi rekrutimin e organizuar të punëtorëve nga Jugosllavia për punësim në Gjermaninë Perëndimore.

Zhvillimi i shpejtë ekonomik i Gjermanisë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, i njohur si Wirtschaftswunder (mrekullia ekonomike), krijoi mungesë të fuqisë punëtore në industri dhe ndërtim. Gjermania kishte lidhur më herët marrëveshje për rekrutim të punëtorëve me Italinë, më 1955; Spanjën dhe Greqinë, më 1960; Turqinë, më 1961; Marokun, më 1963; Portugalinë, më 1964; Tunizinë, më 1965. Jugosllavia ishte vendi i fundit në këtë seri marrëveshjesh rekrutimi, por i pari nga bota komuniste.

Gjermania Perëndimore i kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë në vitin 1957, pasi kjo e fundit njohu Gjermaninë Lindore. Marrëdhëniet u rivendosën në janar 1968, ndërsa marrëveshja e rekrutimit u nënshkrua, siç u tha tashmë, në tetor të po atij viti.

Djem të Kosovës, Luginës së Preshevës, Strugës, Tetovës, Kumanovës etj., të gjithë të moshës 20 deri në 30 vjeç, të cilët sapo kishin kryer shërbimin ushtarak në Armatën e Jugosllavisë, merrnin udhën e kurbetit. Me tren. Disa merrnin trenin në Ferizaj, disa në Fushë-Kosovë, disa në Xërxë, disa në Bujanoc, disa në Shkup. Një valixhe me rroba, një çantë me ushqime, shumë duhan, të futur në kuti prej kartoni, ku më parë kishte qenë e palosur një këmishë e blerë pas shumë kursimesh.

Ndërsa pranë tyre – të rehatuar mirë e mirë në vagonë – kalonin fushat e arat e pafundme, ata e hapnin çantën kur i merrte uria, zakonisht pasi treni braktiste stacionin e Beogradit dhe marshonte drejt Zagrebit. Me çdo kilometër të kaluar, shqiptarët ndiheshin më të lirë. E dinin se në Kroaci priteshin (më) mirë, në Slloveni po se po. Mjaftonte një fjalë normale, një mirësjellje nga konduktori dhe çlirimi shpirtëror fillonte me hapjen e një birre, në kanaçe bojëkafe. Tuborg. Kështu quhej atëherë, kështu quhet edhe sot. Punëtori nga Kosova mund të blinte edhe një birrë të ndonjë marke jugosllave, por preferonte Tuborg, sepse ishte nga Danimarka. Shija e parë e Perëndimit.

Pas një udhëtimi të gjatë, ditën tjetër punëtorët zbrisnin në stacionin e trenit në Stuttgart. Viti 1968. Ishin larguar si «punëtorë me punë të përkohshme jashtë vendit» (kështu i quante propaganda komuniste) dhe sot, 58 vjet më vonë, janë pensionistë të Gjermanisë (nëse janë gjallë). Nga punëtorë të përkohshëm u bënë të përhershëm.

Pensioni u vjen me rregull nga Gjermania, sepse ata kanë punuar me zell në fabrikat e Mercedesit në Stuttgart e rrethinë. Kanë krijuar familje, vajzat e djemtë e tyre janë lindur e rritur në Gjermani, disa kanë themeluar ndërmarrje të ndryshme në Gjermani, janë integruar, disa madje janë mbiintegruar, duke u bërë punëdhënës, kontribues të rëndësishëm të ekonomisë gjermane, krenaria e madhe e prindërve të tyre, në radhë të parë, por edhe e tërë komunitetit. Vetëm në landin e Baden-Württembergut, kryeqyteti i të cilit është Stuttgarti, jetojnë rreth 170 mijë shqiptarë të Kosovës. Nëse këtu i llogarisim edhe shqiptarët e viseve të tjera, atëherë numri arrin mbase në mbi 200 mijë, në mos më shumë. Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane numëron rreth 1000 anëtarë, domethënë këta janë pronarë ndërmarrjesh, pra trashëgimtarë të atyre djemve që më 1968, 1969, 1970 u nisën me tren nga Fushë-Kosova drejt Gjermanisë.

Për shumë shqiptarë, puna në Gjermani u bë burim për mbajtjen e familjes dhe shkollimin e fëmijëve; ndërtimin e shtëpive në Kosovë; blerjen e pajisjeve dhe investimet e vogla; krijimin e lidhjeve që më vonë ndihmuan edhe të afërmit të emigronin.

Kthimi në Kosovë mbeti ëndërr, por Kosova është afruar me Gjermaninë: për dy orë nga Stuttgarti arrin në kryeqytetin e Kosovës, çdo ditë, madje disa herë në ditë.

Të gjitha këto mendime m’u sollën nëpër kokë dhe i hodha në letër (kështu thuhet, se në fakt i rendita në laptop) kur pashë dhe lexova lajmin se Mercedesi ka pezulluar investimet në Gjermani pas përplasjes me sindikatat.

«Der Spiegel» madje shkruan se «mundësitë për mbylljen e fabrikave dhe zhvendosjen e mëtejshme të prodhimit jashtë vendit po bëhen më konkrete». A është Mercedesi i prodhuar jashtë Gjermanisë Mercedes? Përgjigjja e shqiptarit që ka filluar punën në Mercedes më 1968 është e qartë: «Jo».

]]>
https://bujanoci.net/ai-punon-ne-mercedes/feed/ 0
Trumpi nuk do ta shpëtojë Ukrainën, por tradhtia e Marine Le Penit mund të jetë më e keqe https://bujanoci.net/trumpi-nuk-do-ta-shpetoje-ukrainen-por-tradhtia-e-marine-le-penit-mund-te-jete-me-e-keqe/ https://bujanoci.net/trumpi-nuk-do-ta-shpetoje-ukrainen-por-tradhtia-e-marine-le-penit-mund-te-jete-me-e-keqe/#respond Sun, 22 Nov 2026 11:57:34 +0000 https://familja.uk/bujanoci-temp/trumpi-nuk-do-ta-shpetoje-ukrainen-por-tradhtia-e-marine-le-penit-mund-te-jete-me-e-keqe/ Udhëheqësit evropianë duhet urgjentisht të përgatiten për një presidente franceze të së djathtës ekstreme, e cila do t’ia ndërpriste Kievit linjën jetike të financimit.

Nga: Mujtaba Rahman / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com

Evropa është e konsumuar nga dy debate që kanë më pak rëndësi nga sa mendon, ndërkohë që po shpërfill një që ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe. I pari është se kush duhet ta përfaqësojë BE-në në negociatat me Rusinë. Kjo është kryesisht e parëndësishme, sepse ka pak gjasa për bisedime serioze paqeje për Ukrainën para fundit të dimrit – pavarësisht bujës që i ka shoqëruar diskutimet në Abu Dabi këtë javë. Rusia ka arsye të fuqishme për ta përshkallëzuar luftën gjatë muajve të ardhshëm, në përpjekje për të thyer ekonominë e Ukrainës dhe moralin e civilëve.

I dyti është qasja e Donald Trumpit ndaj Ukrainës. Kjo ka më pak rëndësi se dikur – dhe jo vetëm sepse ai tani është më i kufizuar nga një Kongres demokrat. Që nga rikthimi në detyrë në janar 2025, Trumpi nuk i ka dhënë Kievit asnjë ndihmë të re ushtarake amerikane. Shitjet amerikane të armëve mbeten të rëndësishme për përpjekjen luftarake të Ukrainës, por ndërhyrjet ushtarake të Trumpit në Lindjen e Mesme i kanë rënduar edhe më shumë furnizimet me armët të cilat Ukrainës i duhen më së shumti – veçanërisht interceptorët Patriot.

Ukraina mbetet shumë e varur nga inteligjenca amerikane e paralajmërimit të hershëm, veçanërisht për të zbuluar raketat balistike ruse që po afrohen, një aftësi të cilën Evropa nuk ka gjasa ta riprodhojë plotësisht para vitit 2030. Por, pika më e gjerë mbetet: ShBA-ja është partner më pak i domosdoshëm për Ukrainën sesa ishte dy vjet më parë.

Debati që udhëheqësit evropianë po shpërfillin është shumë më pranë shtëpisë: çfarë ndodh nëse, pas gjashtë muajsh, Marine Le Pen i fiton zgjedhjet presidenciale të Francës?

Presidentja Le Pen do ta pezullonte ndihmën dypalëshe të Francës për Ukrainën. Me pasoja edhe më të mëdha, kundërshtimi i saj ndaj rritjes së kontributit të Francës në buxhetin e BE-së mund ta rrezikonte financimin në nivel të të gjithë BE-së. Le Peni kërcënon se do t’i japë veto buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të bllokut, përfshirë instrumentit të propozuar prej 100 miliardë eurosh për Ukrainën. Ky është mekanizmi përmes të cilit BE-ja shpreson ta mbajë financiarisht Kievin pas vitit 2028.

Presidenca e Le Peni mund t’u jepte gjithashtu qeverive, më larg vijës së frontit, një mbulesë politike për ta zvogëluar mbështetjen e tyre. Për Italinë, Spanjën, Greqinë, Austrinë, Hungarinë dhe Sllovakinë, Ukraina është prioritet më i ulët dhe mbështetja italiane mund të dobësohet më tej pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Bilateralizimi i ndihmës që do të rezultonte mund të linte një grup më të vogël vendesh të Evropës Veriore dhe Perëndimore duke e mbajtur barrën. Ato do ta kishin të vështirë ta kompensonin humbjen e kontributeve nga një pjesë e madhe e Evropës Jugore dhe Qendrore.

Le Pen do t’i kërcënonte gjithashtu perspektivat e Ukrainës për anëtarësim në BE, si dhe regjimin e sanksioneve të bllokut kundër Rusisë. Anëtarësimi i Ukrainës në BE do të bëhej praktikisht i pamundur: vendimet kyçe kërkojnë unanimitet dhe Le Peni tashmë e ka kundërshtuar anëtarësimin e Kievit. As nuk do të ishte e vetme në ngurrimin e saj. Pavarësisht zotimeve të tyre publike, shumë qeveri të BE-së kanë rezerva serioze për pranimin e Ukrainës.

Sanksionet do të ishin po aq të cenueshme. Le Peni ka mbrojtur heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë që nga viti 2017. Sanksionet ekonomike të bllokut duhet të rinovohen në korrik 2027 dhe vetoja franceze mund t’u jepte fund atyre. Ajo gjithashtu mund të bllokonte rinovimin e sanksioneve ndaj individëve dhe t’i jepte veton çdo pakete të re.

Me pak fjalë, presidenca e Le Penit mund t’i minonte njëkohësisht tri shtyllat e mbështetjes së Evropës për Ukrainën: financimin, anëtarësimin në BE dhe sanksionet ndaj Rusisë.

Le ta përfytyrojmë për një çast skenarin më të keq – si rezultat i paaftësisë së Evropës për ta mbështetur Ukrainën pas një fitoreje të Le Penit, Kievi shtyhet drejt një marrëveshjeje sipas kushteve të Moskës. Rusia merr njohje kushtetuese të aneksimit të Donjeskut dhe Luhanskit (dhe ndoshta edhe të Zaporizhias dhe Hersonit). Moska i imponon gjithashtu Kievit kushte politike dhe të sigurisë: ndalimin e anëtarësimit në NATO, një kufi për madhësinë e forcave të tij të armatosura dhe kërkesat politike që Moska i paraqet si “denazifikim”.

Pas një pushtimi të paprovokuar dhe pothuajse pesë vjetëve me sulme të pamëshirshme ruse ndaj civilëve, ukrainasit do ta shihnin marrëveshjen si humbje poshtëruese. Poshtërimi do të ishte edhe më i madh nëse Kievi do ta nënshkruante nën presionin e Uashingtonit, me mbështetjen e disa pjesëve të Evropës dhe kundërshtimin e të tjerave.

Mbi të gjitha, marrëveshja do të ishte një tragjedi humanitare. Dorëzimi i pjesës tjetër të Donbasit do të linte dhjetëra mijëra civilë nën pushtimin rus. Ata do të përballeshin me atë që pushtimi ka nënkuptuar diku tjetër: arrestime masive, zhdukje të detyruara dhe tortura. Të tjerët, që do të arrinin të evakuoheshin, do t’i shtoheshin popullsisë së zhvendosur brenda Ukrainës.

Meqë çdo transferim territori kërkon referendum, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, do të duhej ta mbante një të tillë dhe me gjasë do ta vinte të gjithë marrëveshjen në votim. Ukrainasit me shumë gjasë do ta refuzonin atë, duke hapur një krizë të paprecedentë politike. Nëse Ukraina nuk do të mund të vazhdonte më të luftonte, Zelenskyy do të përballej me dy mundësi të këqija: ta anashkalonte votën dhe të impononte marrëveshjen thellësisht jopopullore; ose të jepte dorëheqjen dhe të linte një boshllëk që do të duhej ta plotësonte qeveria e ardhshme.

Në të dyja rastet, protestuesit me gjasë do të mbushnin rrugët, kundërshtarët do ta sfidonin marrëveshjen në gjykatë dhe kushdo që do ta nënshkruante do ta humbte postin. Marrëveshja do të duhej gjithashtu të miratohej nga Parlamenti, ku mund të rrëzohej me votë, sepse pak deputetë do të donin që emrat e tyre të lidheshin me të. Nëse, në vend të kësaj, do të imponohej jashtë Kushtetutës, politika do të copëzohej në fraksione, disa duke u zotuar ta anulonin marrëveshjen dhe të tjerët duke këmbëngulur të ecej përpara.

Ekonomia ka të ngjarë ta ndjekë këtë. Donatorët dhe investitorët që kishin planifikuar të financonin rindërtimin do të tërhiqeshin, duke lënë miliarda – në marrëveshje të mundshme – pa u realizuar. Kërcënimi i pushtimit të ri rus dhe paqëndrueshmëria politike do ta ndalnin rindërtimin. Miliona ukrainas të tjerë më pas do të niseshin drejt Perëndimit për t’u ribashkuar me familjet e veta, duke i ikur një marrëveshjeje që nuk arrin të ofrojë garanci të përshtatshme sigurie dhe duke lënë pas shkatërrimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, shumë ushtarë do të refuzonin t’i dorëzonin armët dhe do të vazhdonin luftën guerile në pjesët e Donbasit që do dorëzoheshin. Këto njësi do të ishte e vështirë të viheshin nën kontroll, duke i dhënë ndoshta Moskës një pretekst për të rifilluar luftimet në shkallë të plotë.

Me kalimin e kohës, ndjenja e tradhtisë është e destinuar të ngurtësohet në pakënaqësi – si ndaj partnerëve perëndimorë, ashtu edhe ndaj elitave të kohës së luftës në Kiev. Më e rrezikshmja nga të gjitha është se Rusia me gjasë do ta përdorte ndërprerjen për të rindërtuar ekonominë dhe ushtrinë e saj. Së shpejti, Vladimir Putini mund të tundohet ta shfrytëzojë kaosin e Ukrainës dhe të pushtojë përsëri. Korniza e dobët e sigurisë e një marrëveshjeje, sipas kushteve të Rusisë, do ta bënte këtë të mundur. Evropa do të mbetej me një shtet të thyer, të hidhëruar dhe të armatosur rëndë në kufirin e saj – dhe me një Rusi të trimëruar pas tij.

Asgjë nga kjo nuk është e pashmangshme. Ukrainasit kanë treguar pak prirje për kapitullim dhe javët e presionit amerikan nuk e kanë ndryshuar opinionin publik. Kievi e kupton gjithashtu se kushtet e Moskës me gjasë janë hartuar pikërisht për të prodhuar këtë lloj trazire. Ukraina do ta pranonte një marrëveshje të tillë vetëm nëse nuk do të kishte zgjidhje tjetër.

Arritja deri aty do të kërkonte që disa gjëra të shkonin keq në të njëjtën kohë: ndërprerje e plotë nga ShBA-ja e inteligjencës dhe mbështetjes ushtarake, që do t’i lejonte Rusisë ta shtynte vijën e frontit prapa; tharjen e financimit evropian pa ndonjë zëvendësim dypalësh; dhe, një përshkallëzim rus të mbështetur nga një mobilizim i ri. Secila prej tyre është e mundshme; së bashku ato janë të pamundshme. Megjithatë, ky skenar duhet t’u japë kryeqyteteve të BE-së një arsye serioze për t’u menduar. Politika duhet të ndërtohet mbi skenarin më të keq dhe jo mbi mendimin e dëshiruar se Le Peni, pasi të vijë në pushtet, do ta zbusë qëndrimin e saj ndaj Ukrainës, ashtu siç ka bërë Meloni.

]]>
https://bujanoci.net/trumpi-nuk-do-ta-shpetoje-ukrainen-por-tradhtia-e-marine-le-penit-mund-te-jete-me-e-keqe/feed/ 0
Jalta 2.0 tregon se sa e pafuqishme është bërë Evropa https://bujanoci.net/jalta-2-0-tregon-se-sa-e-pafuqishme-eshte-bere-evropa/ https://bujanoci.net/jalta-2-0-tregon-se-sa-e-pafuqishme-eshte-bere-evropa/#respond Sun, 22 Nov 2026 11:55:50 +0000 https://familja.uk/bujanoci-temp/jalta-2-0-tregon-se-sa-e-pafuqishme-eshte-bere-evropa/ Bota po përballet, me gjasë, me mjedisin më sfidues të sigurisë që nga viti 1945. Nuk është çudi që pritshmëritë janë të larta për samitin trepalësh të udhëheqësve të Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Nuk janë vetëm luftërat në Ukrainë dhe Iran ato që do të zënë vend të rëndësishëm në diskutimet mes Xi Jinpingut, Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit në qytetin kinez Shenzhen. Nevoja për një bisedë serioze mbi çështjen jetike të çarmatimit bërthamor nuk ka qenë kurrë më e madhe – duke pasur parasysh prirjen e Putinit për të kërcënuar me sulme bërthamore sa herë që mendon se ofensiva ushtarake e Rusisë në Ukrainë nuk po shkon sipas planit.

Vetëm për këtë arsye, duhet të shpresojmë që bisedimet trepalëshe ta arrijnë synimin e Kremlinit për të qenë një “ngjarje që ndal gjithçka”, një ngjarje që kërkon t’i zbusë tensionet globale në vend që t’i përkeqësojë ato. Megjithatë, gjasat që samiti ta arrijë synimin e shpallur për të çuar përpara një botë multipolare do të ishin shumë më të mëdha nëse diskutimet nuk do të kufizoheshin thjesht në një grup të vogël ad hoc të burrave të fuqishëm, secili prej të cilëve ka agjenda shumë të ndryshme personale.

Teksa përparësia kryesore për Xiun dhe Trumpin është zgjidhja e mosmarrëveshjes së tyre të kahershme tregtare, udhëheqësi amerikan gjithashtu do të shpresojë se takimi i tij i parë ballë për ballë me Putinin – që nga samiti i tyre i dështuar në Alaskë vitin e kaluar – do të ndihmojë në realizimin e përpjekjes së tij të kahershme për një armëpushim në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, Xiu dhe Putini po kërkojnë t’i forcojnë lidhjet e tyre dypalëshe duke krijuar lidhje më të ngushta ushtarake, veçanërisht në fushën e prodhimit të mbrojtjes.

Mbetet për t’u parë se si objektivat shumë specifikë mund të ndihmojnë në nxitjen e një bote multipolare. Por, perspektivat për të bërë përparim të vërtetë në përpjekjet për të vendosur stabilitet global do të përmirësoheshin shumë nga pjesëmarrja e fuqive të tjera në proces – jo më pak e evropianëve.

Teksa krahasimet janë bërë në mënyrë të pashmangshme mes bisedimeve të kësaj jave në Shenzhen dhe Konferencës së Jaltës nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ka disa dallime të dukshme mes dy ngjarjeve. Jalta – të paktën në letër – ishte samit i Aleatëve dhe evropianët, në figurën bulldog të Winston Churchillit, luajtën rol mbizotërues në zhvillimet e tij.

Këto ditë, siç kemi parë me përpjekjet më të fundit diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, evropianët nuk duken askund. Ata mezi arrijnë të sigurojnë një vend në tryezë, e lëre më të përcaktojnë agjendën.

Dobësia e qenësishme e Evropës dhe dështimi i saj për të arritur një qëndrim të përbashkët për Ukrainën dhe Iranin e kanë shtyrë atë në skajet e ngjarjeve botërore. Jared Kushnero, dhëndri i Trumpit që po udhëheq bisedimet amerikane të paqes për Ukrainën, nuk mundi të përmbahej pa bërë një vërejtje përçmuese për statusin e zvogëluar të Evropës, kur fundjavën e kaluar u shtrua mundësia e pjesëmarrjes evropiane në negociatat e ardhshme.

Duke i bërë jehonë batutës së famshme të Henry Kissingerit, Kushneri komentoi me tallje se do të ishte arritje e madhe nëse evropianët do të mund të “identifikonin një person që do të fliste në emër të tyre”. Kaja Kallas, e cila supozohet të jetë shefja e politikës së jashtme të BE-së, fillimisht u ofrua ta merrte këtë rol, duke deklaruar: “Jam e gatshme ta bëj këtë punë”.

Ajo u vu menjëherë në vendin e vet nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, i cili njoftoi se interesat e Evropës do të përfaqësoheshin – në vend të saj – nga një ekip i këshilltarëve të sigurisë kombëtare nga Franca, Gjermania, Polonia, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Është e vështirë të përfytyrohet një përgjigje më groteske evropiane ndaj përçmimit të Kushnerit.

Sa i përket Britanisë, ditët kur udhëheqësit tanë ishin në gjendje ta përmbushnin rolin e një burrështetasi të vërtetë, duke përcaktuar dhe drejtuar agjendën ndërkombëtare, kanë kaluar prej kohësh. Me qeverinë e Andy Burnhamit që duket e fiksuar pas çështjeve margjinale të politikës së jashtme – si vendosja e sanksioneve ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor – nuk është për t’u habitur që akterët kryesorë në çështjet botërore nuk kanë shumë interes ta dëgjojnë qëndrimin e Britanisë për çështjet ditore.

Në të njëjtën javë kur udhëheqësit e Kinës, Rusisë dhe ShBA-së janë të angazhuar në diplomacinë e tyre të nivelit të lartë në Shenzhen, Burnhami do të jetë në Bruksel duke u grindur për marrëveshjet aq të ndërlikuara të harmonizimit rregullator, sa ministrat e kanë kaluar javën duke i siguruar votuesit se ato nuk nënkuptojnë fundin e patatinave me shije proshute të tymosur.

Dhe, për sa kohë që udhëheqësit britanikë dhe evropianë mbeten të preokupuar me çështje të tilla të ngushta, nuk ka absolutisht asnjë mundësi që fuqitë e kontinentit të vjetër të kenë një rol serioz për të luajtur në skenën botërore. /Telegrafi/

]]>
https://bujanoci.net/jalta-2-0-tregon-se-sa-e-pafuqishme-eshte-bere-evropa/feed/ 0
Si filloi shoqëria jonë t’i adhurojë të padijshmit https://bujanoci.net/si-filloi-shoqeria-jone-ti-adhuroje-te-padijshmit/ https://bujanoci.net/si-filloi-shoqeria-jone-ti-adhuroje-te-padijshmit/#respond Sun, 22 Nov 2026 11:55:30 +0000 https://familja.uk/bujanoci-temp/si-filloi-shoqeria-jone-ti-adhuroje-te-padijshmit/ A kemi arritur në një pikë ku shoqëria jonë i vlerëson më shumë njerëzit që bëjnë zhurmë sesa ata që kanë njohuri?

A jetojmë në një kohë kur një person mund të fitojë qindra mijëra ndjekës pa pasur ndonjë kontribut të rëndësishëm intelektual, ndërsa një shkencëtar, mësimdhënës, hulumtues, i ditur, duhet të luftojë për vëmendjen e publikut?

Pse një deklaratë sipërfaqësore mund të marrë mijëra pëlqime, ndërsa një mendim i argumentuar, një hulumtim shkencor apo një analizë serioze shpesh kalon pothuajse pa u vënë re?

Dikur, dija, përvoja, urtësia dhe karakteri konsideroheshin ndër vlerat më të rëndësishme të njeriut.

Sot, gjithnjë e më shpesh, vëmendja, fama, pasuria, pamja e jashtme dhe numri i ndjekësve përdoren si tregues të suksesit dhe rëndësisë shoqërore.

Nuk është problem që njerëzit të bëhen të famshëm. Problemi fillon atëherë kur fama ngatërrohet me mençurinë, popullariteti me kompetencën dhe vetëbesimi me inteligjencën.

Shumë prej atyre që pretendojnë se janë të mençur kanë vetëbesim të madh për njohuritë që pretendojnë se i zotërojnë, por kur ju kërkohet t’i shpjegojnë bindjet e tyre, shpesh nuk arrinin t’i mbronin ato me argumente të qëndrueshme.

Këtu qëndron një mësim i madh: njeriu që nuk e kupton sa pak di, ose nuk e di që nuk di, mund të jetë shumë më i rrezikshëm sesa njeriu që e pranon se nuk di.

Vetëdija për kufijtë e dijes njerëzore është fundamenti i shoqërisë së civilizuar – atje ku ne si shoqëri pretendojmë të arrijmë. Jeta pa reflektim dhe pa vetëdije kritike nuk është jetë e jetuar në mënyrë të plotë.

Mençuria fillon me vetëdijesimin për paditurinë tonë.

Një njeri i mençur nuk ka frikë të thotë: “nuk di”. Ai është i gatshëm të mësojë, të dëgjojë, të hulumtojë dhe ta ndryshojë mendimin kur përballet me argumente më të forta.
Ndërsa, njeriu arrogant, shpesh e sheh pyetjen si sulm, kritikën si fyerje dhe mospajtimin si kërcënim.

Sot ky dallim është veçanërisht i rëndësishëm.

Në shoqërinë tonë, shpesh hasim individë që flasin me siguri absolute për politikën, ekonominë, shkencën, historinë, mjekësinë dhe pothuajse çdo fushë tjetër edhe kur i nuk kanë njohuritë e nevojshme.
Problemi nuk është se njerëzit kanë opinione. Të gjithë kemi të drejtë të kemi opinione.
Problemi është kur opinioni personal paraqitet si fakt, kur padituria maskohet me vetëbesim dhe kur refuzimi për të mësuar konsiderohet shenjë force.

Nuk është qëllimi të dimë gjithçka; e kundërta, duhet të kemi guximin të kuptojmë sa shumë kemi ende për të mësuar.

Le ta shikojmë realitetin e shoqërisë tonë.

Sot fama është bërë një lloj monedhe shoqërore.

Një person mund të bëhet i famshëm për shkak të një videoje provokuese, një deklarate skandaloze, një sjelljeje të pazakontë apo një konflikti publik.

Nuk është e nevojshme të ketë krijuar diçka të rëndësishme, të ketë kontribuar në shkencë, kulturë, arsim apo zhvillim shoqëror.

Mjafton të tërheqë vëmendjen.

Kjo krijon një paradoks të shoqërisë moderne: njerëzit që kanë shumë për të thënë, shpesh nuk dëgjohen, ndërsa ata që kanë pak për të ofruar dominojnë hapësirën publike.

Mendoni për një profesor universiteti që ka kaluar decenie duke studiuar, hulumtuar dhe publikuar.

Në anën tjetër, mendoni për një person që bëhet i famshëm brenda natës përmes një videoje disa sekondëshe.

Cili prej tyre merr më shumë vëmendje?

Në shumë raste, përgjigjja është e qartë.

Por, a do të thotë kjo se personi më i famshëm është edhe më i vlefshëm për shoqërinë?

Natyrisht që jo.

Këtu duhet ta dallojmë një koncept shumë të rëndësishëm: dukshmëria nuk është e njëjtë me vlerën, ndërsa fama nuk është e njëjtë me meritën.

Një shoqëri që mat njerëzit kryesisht me numrin e ndjekësve, pasurinë apo popullaritetin, rrezikon t’i lërë në hije vlerat e vërteta njerëzore.

Dija kërkon vite pune. Mençuria kërkon përvojë dhe reflektim. Karakteri kërkon integritet dhe përgjegjësi.

Ndërsa, fama mund të vijë brenda pak orësh.

Kjo nuk do të thotë se çdo person i famshëm është i padijshëm apo se çdo akademik është i mençur. As fama dhe as titujt akademikë nuk duhet të na pengojnë ta vlerësojmë një individ në bazë të argumenteve dhe veprave të tij.

Por, pyetja që duhet t’ia parashtrojmë vetes është: Pse po e shpërblejmë kaq shumë vëmendjen dhe kaq pak kontributin?

Nëse shoqëria fillon t’i shpërblejë më shumë ata që argëtojnë sesa ata që edukojnë, atëherë edhe prioritetet tona kolektive fillojnë të ndryshojnë.

Rrjetet sociale e kanë përshpejtuar këtë fenomen në një mënyrë të jashtëzakonshme.

Platformat si Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube kanë krijuar një hapësirë ku çdokush mund të bëhet krijues i përmbajtjes dhe të fitojë audiencë të madhe. Kjo është një mundësi pozitive për demokratizimin e informacionit. Megjithatë, ekziston edhe një anë tjetër.

Platformat digjitale shpesh e shpërblejnë përmbajtjen që gjeneron vëmendje të madhe. Kjo mund të favorizojë videot provokuese, konfliktet, skandalet dhe deklaratat emocionale. Një përmbajtje e thellë, që kërkon dhjetë minuta për t’u kuptuar, mund të ketë më pak sukses sesa një video që ofron një përgjigje të thjeshtë për një problem kompleks.

Kështu krijohet një kulturë e konsumimit të shpejtë të informacionit.

Njerëzit mësohen të marrin përgjigje të menjëhershme, pa e bërë përpjekjen për të kuptuar shkaqet, kontekstin dhe pasojat e një problemi.

Në vend që të pyesim: “A është kjo e vërtetë?”, fillojmë të pyesim: “Sa pëlqime ka marrë?” Në vend që të pyesim: “A ka ky person njohuri dhe përvojë?”, pyesim: “Sa ndjekës ka?” Në vend që të vlerësojmë argumentin, vlerësojmë personin që e paraqet atë.

Kjo është një zhvendosje shumë serioze në mënyrën se si formojmë gjykimet tona.

Janë hulumtuar lidhjet ndërmjet nivelit të aftësive dhe vlerësimit që individët i bëjnë aftësive të tyre. Rezultati është se ekziston prirje ku individët me njohuri ose aftësi të kufizuara në një fushë mund t’i mbivlerësojnë aftësitë e tyre, ndërsa individët më kompetentë mund të jenë më të vetëdijshëm për kompleksitetin dhe kufijtë e njohurive të veta.

Me fjalë tjera hulumtimi flet për njerëz “që nuk e dinë që nuk dinë” dhe për ata që “nuk dinë që dinë”.

Duhet të jemi të kujdesshëm, ky efekt nuk do të thotë se çdo person i padijshëm është arrogant apo se çdo ekspert dyshon në veten e tij. Por, ai na ndihmon të kuptojmë pse vetëbesimi i tepruar ndonjëherë mund të duket më bindës sesa kompetenca e vërtetë.

Në mediat sociale, ky fenomen mund të bëhet veçanërisht i dukshëm.

Një individ mund të japë këshilla për shëndetin pa pasur arsimim mjekësor, të komentojë ekonominë pa njohuri ekonomike apo të japë verdikte historike pa studiuar histori.

Dhe, nëse komunikon me siguri dhe përdor gjuhë bindëse, mund të krijojë përshtypjen e një eksperti.

Rreziku nuk është vetëm përhapja e paditurisë. Rreziku është kur padituria fiton autoritet publik dhe fillon të perceptohet si dije.

Pse shoqëria fillon t’i adhurojë njerëzit e gabuar?

Ekzistojnë disa arsye pse shoqëria mund t’i japë vëmendje të tepruar individëve që nuk kanë domosdoshmërisht vlera të mëdha intelektuale.

Së pari: Njerëzit tërhiqen nga ajo që është e lehtë dhe argëtuese.

Të lexosh një studim shkencor kërkon përqendrim dhe përpjekje. Të shikosh një video zbavitëse kërkon shumë më pak energji mendore.

Nuk ka asgjë të gabuar me argëtimin. Problemi lind kur argëtimi bëhet burimi ynë kryesor i informacionit dhe formimit të bindjeve.

Së dyti: Ne kemi prirje t’i admirojmë njerëzit që duken të suksesshëm.

Pasuria, veshja luksoze, makinat e shtrenjta dhe një stil jetese i ekspozuar publikisht mund të krijojnë përshtypjen e superioritetit. Por, suksesi material nuk është dëshmi e inteligjencës, e moralit apo e mençurisë. Një person mund të jetë shumë i pasur dhe njëkohësisht të ketë mungesë të theksuar të përgjegjësisë shoqërore.

Në mendësinë kolektive, suksesi material ka filluar të barazohet me vlerën intelektuale dhe morale. Njerëzit mendojnë: “Nëse ky person ka arritur të bëhet kaq i pasur dhe i famshëm, ai patjetër duhet të dijë diçka që unë nuk e di.” Kjo është një pikënisje e gabuar. Pasuria mund të jetë rezultat i fatit, i manipulimit të algoritmeve apo i shfrytëzimit të banalitetit, por asnjëherë nuk është garanci e mençurisë apo e integritetit.

Së treti: Thjeshtëzimi i tepërt i realitetit. Njerëzit shpesh preferojnë përgjigje të thjeshta për probleme komplekse.

Politika, ekonomia, arsimi dhe marrëdhëniet shoqërore janë çështje të ndërlikuara.

Njeriu i padijshëm ofron përgjigje bardhezi, zgjidhje magjike dhe fajtorë të menjëhershëm.

Megjithatë, njerëzit që ofrojnë përgjigje të shpejta, premtime të mëdha dhe zgjidhje të lehta mund të fitojnë më shumë mbështetje sesa ata që shpjegojnë realitetin me nuanca dhe argumente.

Eksperti i vërtetë shpesh flet me dyshime, përdor terma si “varet” ose “mundësisht”, sepse e njeh kompleksitetin.

Për fat të keq, masa shpesh preferon një gënjeshtër të thjeshtë dhe të sigurt, sesa një të vërtetë komplekse dhe të pasigurt.

Së katërti: Shoqëria ndonjëherë e ngatërron guximin me arrogancën.

Një person që flet me zë të lartë, ndërpret të tjerët dhe nuk pranon asnjë kritikë, shpesh perceptohet gabimisht si i fortë. Ndërsa, një person që dëgjon, analizon dhe i shqyrton me kujdes fjalët e veta mund të perceptohet si i pasigurt dhe i dobët.

Por, mençuria nuk ka nevojë të bërtasë.

Shpesh, njeriu më i mençur në një dhomë është ai që dëgjon më shumë, pyet më mirë dhe flet vetëm kur ka diçka me vlerë për të thënë.

Në lidhje me këto, cilat janë pasojat për demokracinë, arsimin dhe të ardhmen e shoqërisë tonë?

Kjo çështje nuk është thjesht problem kulturologjik. Kur një shoqëri fillon të udhëhiqet nga opinionet e të padijshmëve me vetëbesim të lartë, pasojat nuk janë thjesht kulturore, por ekzistenciale. Ajo ka pasoja të drejtpërdrejta për funksionimin e shoqërisë.

Vendimet e rëndësishme publike fillojnë të merren mbi bazën e popullaritetit të ideve, jo mbi bazën e fakteve të provuara dhe kjo shpie në erozionin e sistemit shoqëror dhe politik. Një demokraci e shëndoshë kërkon qytetarë të informuar, të aftë të analizojnë argumente, të dallojnë faktet nga propaganda dhe të marrin vendime të përgjegjshme.

Nëse qytetarët e vlerësojnë një politikan vetëm për shkak të popullaritetit, retorikës apo spektaklit publik, ekziston rreziku që kompetenca dhe integriteti të humbin rëndësinë.

Një shoqëri që nuk e vlerëson dijen bëhet më e cenueshme ndaj manipulimit.

Në arsim, rreziku është po ashtu i madh. Nëse nxënësit dhe studentët mësohen vetëm të përsërisin informacione, por jo t’i analizojnë ato, atëherë arsimi rrezikon të prodhojë njerëz që dinë të japin përgjigje, por nuk dinë të parashtrojnë pyetje.

Universiteti nuk duhet të jetë thjesht vendi ku merren diploma. Ai duhet të jetë vendi ku sfidohen idetë, ku zhvillohet mendimi kritik dhe ku kërkimi i së vërtetës vendoset mbi interesat personale.

Brezi i ri fillon të shohë shkollimin dhe punën kërkimore si një humbje kohe, duke qenë se “suksesi” arrihet më shpejt përmes skandaleve digjitale.

Padituria ushqehet nga emocionet primitive si frika dhe urrejtja, duke e bërë dialogun racional pothuajse të pamundur duke krijuar kushte për polarizim ekstrem.

Këtu duhet të kujtojmë edhe një mësim tjetër.

Sot dënohen, anatemohen, baltosen njerëzit jo pse nuk janë pa ndikim intelektual. Përkundrazi, se ata bëhen të papërshtatshëm për një pjesë të vogël shoqërisë, sepse vazhdimisht i ballafaqojnë dhe cenojnë grupe të veçanta të interest.

E kaluara na kujton se shoqëria jonë jo gjithmonë i shpërblenë njerëzit që kërkojnë të vërtetën.
Dhe, jo rallë, shoqëri e tilla i kundërshton pikërisht ata që kanë më shumë nevojë t’i dëgjonë.

Por, si mund ta rikthejmë respektin për dijen dhe mençurinë?

Nëse kemi arritur në një pikë ku fama vlerësohet më shumë se dija, atëherë duhet të pyesim veten: si mund ta ndryshojmë këtë realitet?

Janë disa hapa, praktikisht jo të lehte por të mundëshëm

– Të rikthejmë respektin për dijen. të promovohet shpërblimi i meritës: Duhet të vlerësojmë mësimdhënësit, studiuesit, shkencëtarët, profesionistët dhe të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë. Si konsumatorë të përmbajtjes, ne e kemi në dorë “monedhën” më të shtrenjtë sot: vëmendjen tonë. Duhet t’ua heqim vëmendjen të padijshmëve dhe t’ua falim krijuesve të vlerave të vërteta.

– Të mësojmë të dallojmë famën nga kompetenca: Numri i ndjekësve nuk është diplomë. Popullariteti nuk është ekspertizë. Vetëbesimi nuk është dëshmi e inteligjencës.

– Të zhvillojmë kulturën e pyetjeve dhe të kultivohet dyshimi: Të mos kemi frikë të pyesim: Kush e thotë këtë? Në çfarë dëshmish mbështetet? A ka argumente alternative?

– Të kultivojmë përulësinë intelektuale: Të pranojmë se mund të gabojmë. Të kuptojmë se askush nuk i di të gjitha dhe se të mësuarit nuk përfundon kurrë. Duhet të rikthejmë guximin për të thënë “nuk di” dhe të vlerësojmë ata që hulumtojnë përpara se të flasin.

– Të bëhemi më të përgjegjshëm në përdorimin e mediave sociale, të sforcojmë edukimin mediatik: Duhet vetë të mësojmë dhe të mësojmë fëmijët tanë se si të filtrojnë informacionin, si t’i njohin lajmet e rreme dhe si të mos e ngatërrojnë algoritmin me të vërtetën. Të mos shpërblejmë çdo përmbajtje vetëm sepse është provokuese apo argëtuese. Të mbështesim përmbajtjen që edukon, informon dhe nxit reflektimin.

Një shoqëri e mençur nuk është ajo ku të gjithë pretendojnë se dinë gjithçka. Është ajo ku njerëzit e vlerësojnë dijen dhe nuk turpërohen të pranojnë atë që nuk dinë.

Një shoqëri që admiron zhurmën rrezikon ta humbasë mençurinë

Duhet të pyesim, të dyshojmë, të analizojmë dhe të mos pranojmë asgjë vetëm sepse është e popullarizuar apo sepse e thotë dikush me autoritet.

Shoqëria moderne ka arritur përparim të jashtëzakonshëm teknologjik, por përparimi teknologjik nuk garanton automatikisht përparim intelektual dhe moral.

Mund të kemi telefona inteligjentë, por kjo nuk do të thotë se kemi mendime të mençura.

Mund të kemi miliona informacione, por kjo nuk do të thotë se kemi dije.

Mund të kemi miliona ndjekës, por kjo nuk do të thotë se kemi vlera.

Mund të jemi shumë të famshëm, por kjo nuk do të thotë se kemi kontribuar diçka të rëndësishme për shoqërinë

Një shoqëri fillon ta humbasë mençurinë atëherë kur pushon së admiruari dijen dhe fillon të adhurojë padijen e veshur me vetëbesim.

Nuk duhet të admirojmë njerëzit vetëm sepse janë të famshëm, të pasur apo të zhurmshëm.

Duhet t’i admirojmë ata që mendojnë, hulumtojnë, krijojnë, mësojnë, kontribuojnë dhe kanë guximin ta mbrojnë të vërtetën.

Shoqëria nuk ka nevojë për më shumë njerëz që pretendojnë se dinë gjithçka. Ajo ka nevojë për më shumë njerëz që kanë dëshirë të mësojnë dhe kanë guximin të mendojnë.

Në fund të fundit, problemi më i madh nuk është se në shoqëri ekzistojnë njerëz të padijshëm. Problemi fillon atëherë kur padituria bëhet model suksesi, arroganca bëhet model lidershipi dhe fama bëhet zëvendësim për mençurinë.

Padituria ka qenë gjithmonë e pranishme në historinë njerëzore, por sot ajo ka gjetur një autoparlant të fuqishëm, teknologjinë dhe kulturën e famës së shpejtë. Megjithatë, një shoqëri nuk mund të mbijetojë gjatë mbi themelet e zhurmës dhe sipërfaqësores.

Le të mos bëhemi bashkëfajtorë në adhurimin e të paditurve. Le të jemi ne ata që rikthejmë në piedestal urtësinë, mendimin e argumentuar dhe etjen për dije. Sepse, në fund të fundit, civilizimi nuk ndërtohet me numër ndjekësish, por me thellësinë e mendimit dhe forcën e karakterit.

(Autori është neuropsikiatër, ky shkrim është lexuar me rastin e 24-vjetorit të shoqatës së intelektualëve “Jakova”)

]]>
https://bujanoci.net/si-filloi-shoqeria-jone-ti-adhuroje-te-padijshmit/feed/ 0
Nuk mjaftohet me milionat nga futbolli, zbulohet biznesi i ri i Lamine Yamal https://bujanoci.net/nuk-mjaftohet-me-milionat-nga-futbolli-zbulohet-biznesi-i-ri-i-lamine-yamal/ https://bujanoci.net/nuk-mjaftohet-me-milionat-nga-futbolli-zbulohet-biznesi-i-ri-i-lamine-yamal/#respond Sun, 22 Nov 2026 11:55:16 +0000 https://familja.uk/bujanoci-temp/nuk-mjaftohet-me-milionat-nga-futbolli-zbulohet-biznesi-i-ri-i-lamine-yamal/ Lamine Yamal po mendon edhe për të ardhmen jashtë fushës së futbollit, pasi ylli i Barcelonës ka hyrë në biznesin e patundshmërive, duke investuar një pjesë të pasurisë së tij në këtë sektor.

Sipas raportimit të mediumit spanjoll Marca, 19-vjeçari ka themeluar kompaninë Capitally Property SL në qershor të vitit 2026, përmes së cilës synon të diversifikojë investimet dhe të ndërtojë një biznes afatgjatë.

Dokumentet e Regjistrit Tregtar tregojnë se kjo kompani funksionon krahas Ally Global SL, agjencisë së tij për menaxhimin e të drejtave të imazhit, e cila tashmë ka ndryshuar emërtimin.

Pas blerjes së një shtëpie në Sant Just Desvern, kompania e futbollistit thuhet se ka blerë 50 për qind të aksioneve në një ndërtesë industriale katërkatëshe.

Transaksioni është realizuar më 30 shtator dhe, sipas raportimit, është kryer pa marrëveshje hipotekare.

Pjesa tjetër prej 50 për qind e kësaj prone i takon kompanisë Bastida Pancarana SL, e cila menaxhohet nga Santiago San Torcuato, këshilltari ligjor argjentinas që ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me familjen e Yamalit.

Yamal mbetet i impresionuar nga ylli anglez, Barcelona përgatit goditjen nga Liga Premier

Investimet në patundshmëri vijnë krahas blerjeve të tjera personale të futbollistit. Babai i tij, Mounir Nasraoui, kishte zbuluar më herët se Lamine kishte blerë shtëpi për vete, nënën dhe gjyshen e tij.

Aktualisht, talenti spanjoll jeton në një rezidencë të rinovuar në Esplugues de Llobregat, ndërsa duket se po shfrytëzon suksesin e tij në futboll për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme financiare edhe jashtë sportit./Telegrafi/

]]>
https://bujanoci.net/nuk-mjaftohet-me-milionat-nga-futbolli-zbulohet-biznesi-i-ri-i-lamine-yamal/feed/ 0
Pse disa njerëz u shmangen vazhdimisht përgjegjësive, ndërsa të tjerët detyrohen të bëjnë edhe punën e tyre? https://bujanoci.net/pse-disa-njerez-u-shmangen-vazhdimisht-pergjegjesive-ndersa-te-tjeret-detyrohen-te-bejne-edhe-punen-e-tyre/ https://bujanoci.net/pse-disa-njerez-u-shmangen-vazhdimisht-pergjegjesive-ndersa-te-tjeret-detyrohen-te-bejne-edhe-punen-e-tyre/#respond Sun, 22 Nov 2026 11:54:13 +0000 https://familja.uk/bujanoci-temp/pse-disa-njerez-u-shmangen-vazhdimisht-pergjegjesive-ndersa-te-tjeret-detyrohen-te-bejne-edhe-punen-e-tyre/ Kur përgjegjësitë nuk ndahen drejt, njerëzit më të ndërgjegjshëm marrin përsipër gjithnjë e më shumë. Psikologjia shpjegon pse ndodh kjo dhe si mund të vendosen kufij pa përplasje

Ka njerëz që, në çastet më të vështira, janë të parët që ofrojnë ndihmë. Të tjerë pikërisht atëherë gjejnë mënyrën për t’u tërhequr. Ndërsa njëra palë mendon si të përfundojë puna, tjetra gjen arsye për të mos u angazhuar. Shpesh i njohin mirë të drejtat e tyre, por kur vjen radha te detyrimet, barra përfundon mbi supet e dikujt tjetër. Pse përsëritet ky model dhe pse njerëzit e përgjegjshëm e pranojnë?

Pse disa punojnë më pak kur janë pjesë e ekipit?

Në psikologji, fenomeni quhet dembelizëm social: prirja për të bërë më pak përpjekje në grup sesa kur rezultati varet vetëm nga individi. Në vitin 1979, psikologët Bibb Latané, Kipling Williams dhe Stephen Harkins treguan se, në disa detyra kolektive, angazhimi individual zvogëlohet kur kontributi personal nuk dallohet qartë.

Një studim i botuar në Journal of Management e lidh këtë dukuri edhe me organizimin e punës, dukshmërinë e kontributit dhe marrëdhëniet mes punonjësve. Kur askush nuk e di saktësisht kush duhet të bëjë çfarë, bëhet më e lehtë që detyrat t’u lihen të tjerëve.

“Pse të mundohem unë, kur të tjerët nuk bëjnë asgjë?”

Kjo fjali mund të shërbejë si justifikim. Psikologjia e quan racionalizim përpjekjen për t’i dhënë sjelljes sonë një shpjegim të pranueshëm. Në vend që të shqyrtojë përgjegjësitë e veta, individi përqendrohet te mungesa e angazhimit të të tjerëve dhe e paraqet pasivitetin si reagim ndaj padrejtësisë.

Megjithatë, angazhimi i ulët nuk nënkupton gjithmonë papërgjegjësi. Pas tij mund të qëndrojnë lodhja, pakënaqësia, ndjenja e nënvlerësimit ose drejtimi i dobët. Prandaj duhen vlerësuar rrethanat dhe përsëritja e sjelljes, jo vetëm një rast i veçuar.

Të drejtat i njohin mirë, po detyrimet?

Disa njerëz e dinë saktësisht çfarë u takon dhe çfarë presin prej të tjerëve, por tregohen më pak të gatshëm të pranojnë përgjegjësitë personale. Kjo sjellje mund të lidhet me ndjenjën psikologjike të privilegjit: bindjen se meritojnë trajtim të veçantë, edhe pa arsye të përligjura.

Një studim i psikologut W. Keith Campbell dhe bashkëpunëtorëve e lidhi këtë prirje me më shumë konflikte ndërpersonale. Dikush mund të reagojë fort kur mendon se po i cenohen të drejtat, ndërkohë që nuk vëren ndikimin e sjelljes së vet te kolegët.

Sigurisht, kërkimi i respektimit të të drejtave nuk është privilegjim. Pushimi, koha e lirë dhe mbrojtja e interesave personale janë të ligjshme. Problemi fillon kur kërkohet trajtim i veçantë, pa respektuar marrëveshjet dhe nevojat e të tjerëve, transmeton Telegrafi.

Pse njerëzit e përgjegjshëm marrin gjithmonë më shumë përsipër?

Njerëzit e ndërgjegjshëm e kanë të vështirë ta lënë një detyrë të papërfunduar. Marrin punë shtesë, korrigjojnë gabimet e kolegëve dhe përpiqen të shmangin vonesat. Ky reagim lidhet me kompensimin social: rritjen e përpjekjeve personale për të mbuluar kontributin e pamjaftueshëm që pritet nga të tjerët.

Në afat të shkurtër, kjo e shpëton punën e përbashkët. Por kur bëhet zakon, sjell rraskapitje, pakënaqësi dhe ndjenjë padrejtësie. Situata rëndohet kur përkushtimi i një personi merret si i mirëqenë, ndërsa shmangia e detyrimeve nga një tjetër tolerohet vazhdimisht.

Kjo nuk ndikon vetëm në produktivitet: me kalimin e kohës dëmton besimin, marrëdhëniet mes kolegëve dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në të ardhmen.

Si të vendosni kufij pa grindje dhe ndjenjë faji?

Së pari, mos e konsideroni veten përgjegjës për gjithçka. Detyrat, afatet dhe pritshmëritë duhen përcaktuar qartë, në mënyrë që secili ta dijë pjesën e vet. Kur një detyrim nuk përmbushet, flisni për problemin konkret, jo për karakterin e personit.

Në vend të “Ti nuk bën kurrë asgjë”, mund të thoni: “Kjo detyrë nuk ka përfunduar, prandaj të tjerët po marrin punë shtesë”. Edhe drejtuesit duhet ta dallojnë dhe korrigjojnë shpërndarjen e pabarabartë të ngarkesës. Funksionimi i ekipit nuk mund të mbështetet vetëm te punonjësit më të përkushtuar.

Të jesh i përgjegjshëm nuk do të thotë të pranosh përgjegjësi të përhershme edhe për të tjerët. Kur disa zgjedhin vazhdimisht vetëm atë që u leverdis, të tjerët përfundojnë duke paguar çmimin. /Telegrafi/

]]>
https://bujanoci.net/pse-disa-njerez-u-shmangen-vazhdimisht-pergjegjesive-ndersa-te-tjeret-detyrohen-te-bejne-edhe-punen-e-tyre/feed/ 0
Ndryshimet e motit dhe dhimbja e kokës: Kur është shkaktare temperatura dhe kur duhet të shqetësoheni? https://bujanoci.net/ndryshimet-e-motit-dhe-dhimbja-e-kokes-kur-eshte-shkaktare-temperatura-dhe-kur-duhet-te-shqetesoheni/ https://bujanoci.net/ndryshimet-e-motit-dhe-dhimbja-e-kokes-kur-eshte-shkaktare-temperatura-dhe-kur-duhet-te-shqetesoheni/#respond Sun, 22 Nov 2026 11:54:07 +0000 https://familja.uk/bujanoci-temp/ndryshimet-e-motit-dhe-dhimbja-e-kokes-kur-eshte-shkaktare-temperatura-dhe-kur-duhet-te-shqetesoheni/ Dielli, shiu, era dhe luhatjet e temperaturave mund të ndikojnë më shumë sesa mendoni. Një studim me mbi 7.000 pacientë zbulon një lidhje interesante, ndërsa disa simptoma kërkojnë reagim të menjëhershëm

Ditët e fundit, dielli, shiu, erërat e forta dhe luhatjet e temperaturave janë alternuar vazhdimisht. Në periudha të tilla, shumë njerëz ankohen për dhimbje koke, lodhje dhe ndjeshmëri ndaj ndryshimeve atmosferike.

Te personat që vuajnë nga migrena, ndryshimet e motit mund të jenë një ndër faktorët që nxisin sulmet, krahas mungesës së gjumit, anashkalimit të vakteve dhe konsumimit të pamjaftueshëm të lëngjeve.

Pse shfaqet dhimbja e kokës kur ndryshon moti?

Ndryshimet e menjëhershme të motit shpesh shoqërohen me luhatje të temperaturës, lagështisë së ajrit dhe presionit atmosferik.

Disa persona me migrenë vërejnë se sulmet u fillojnë pikërisht gjatë këtyre ndryshimeve. Për disa, shkaktar mund të jetë drita e fortë e diellit, ndërsa për të tjerë i ftohti ose moti me stuhi.

Megjithatë, është e rëndësishme të dallojmë dhimbjen e zakonshme të kokës nga migrena, e cila shpesh shoqërohet me të përziera, ndjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmës.

Nëse dhimbja shfaqet gjatë ndryshimit të temperaturave, mendoni edhe për gjumin, ushqimin dhe hidratimin. Ndonjëherë, disa faktorë veprojnë njëkohësisht.

Mbajtja e një ditari të dhimbjes së kokës mund të ndihmojë në identifikimin e shkaktarëve. Shënoni kohën e fillimit, kohëzgjatjen, simptomat shoqëruese dhe kushtet atmosferike.

Çfarë tregoi studimi për temperaturat dhe dhimbjet e forta të kokës?

Një studim i publikuar në revistën shkencore Neurology analizoi të dhënat e 7.054 pacientëve që kishin kërkuar ndihmë urgjente për dhimbje koke në Boston.

Studiuesit krahasuan kushtet meteorologjike përpara paraqitjes së pacientëve në urgjencë dhe zbuluan se temperaturat më të larta gjatë 24 orëve paraprake lidheshin me më shumë vizita për dhimbje koke.

Kjo lidhje u vërejt si te pacientët me migrenë, ashtu edhe te ata me lloje të tjera dhimbjesh koke.

Presioni më i ulët atmosferik u shoqërua gjithashtu me vizita më të shpeshta për dhimbje koke që nuk klasifikoheshin si migrenë.

Megjithatë, rezultatet tregojnë një lidhje statistikore, jo domosdoshmërisht marrëdhënie shkak-pasojë. Studimi nuk vërteton se ftohja e menjëhershme shkakton dhimbje koke te çdo person, transmeton Telegrafi.

Si mund ta përkeqësojë ajri i ftohtë astmën?

Ndryshimet e temperaturës nuk ndikojnë vetëm te dhimbjet e kokës. Kalimi nga një ambient i ngrohtë në ajër të ftohtë mund të shkaktojë shqetësime te personat me astmë.

Kollitja, fishkëllima gjatë frymëmarrjes dhe shtrëngimi në kraharor janë ndër simptomat më të zakonshme.

Në ditët e ftohta, mbulimi i lehtë i hundës dhe gojës me shall mund të ndihmojë në ngrohjen e ajrit të thithur.

Personat me astmë duhet të ndjekin trajtimin e përshkruar dhe të konsultohen me mjekun nëse simptomat shtohen.

Si të mbroheni gjatë luhatjeve të temperaturave?

Kur mëngjeset janë të ftohta, ndërsa mesdita dukshëm më e ngrohtë, veshja me disa shtresa është zgjedhje praktike.

Për personat e prirur ndaj migrenës, rëndësi të veçantë kanë hidratimi i rregullt, ushqimi në orare të qëndrueshme dhe gjumi i mjaftueshëm.

Nëse dhimbja përsëritet, shënoni intensitetin, kohëzgjatjen, ndikimin në aktivitetet e përditshme dhe barnat e përdorura.

Këto informacione mund ta ndihmojnë mjekun të vlerësojë më saktë gjendjen.

Kur dhimbja e kokës kërkon ndihmë urgjente?

Nëse dhimbjet përsëriten, zgjasin më shumë se zakonisht ose bëhen gjithnjë e më të forta, rekomandohet konsultimi mjekësor.

Megjithatë, disa simptoma kërkojnë reagim të menjëhershëm.

Një dhimbje koke që shfaqet papritmas dhe arrin intensitet jashtëzakonisht të lartë brenda sekondave mund të sinjalizojë një gjendje serioze.

Ndihma urgjente është e domosdoshme nëse dhimbja shoqërohet me dobësi në njërën anë të trupit, çrregullime të të folurit, humbje të papritur të shikimit ose humbje të vetëdijes.

Personelit mjekësor duhet t’i tregoni saktësisht kur ka filluar dhimbja, sa shpejt është intensifikuar dhe cilat simptoma janë shfaqur njëkohësisht.

Jo çdo dhimbje koke gjatë ndryshimit të motit shkaktohet nga kushtet atmosferike. Prandaj, ndryshimet e pazakonta të karakterit të dhimbjes dhe simptomat shoqëruese nuk duhen neglizhuar. /Telegrafi/

]]>
https://bujanoci.net/ndryshimet-e-motit-dhe-dhimbja-e-kokes-kur-eshte-shkaktare-temperatura-dhe-kur-duhet-te-shqetesoheni/feed/ 0
Si e krijoi tabloidi i shekullit XIX mitologjinë e Xhek Rrjepësit https://bujanoci.net/si-e-krijoi-tabloidi-i-shekullit-xix-mitologjine-e-xhek-rrjepesit/ https://bujanoci.net/si-e-krijoi-tabloidi-i-shekullit-xix-mitologjine-e-xhek-rrjepesit/#respond Sun, 22 Nov 2026 11:52:47 +0000 https://familja.uk/bujanoci-temp/si-e-krijoi-tabloidi-i-shekullit-xix-mitologjine-e-xhek-rrjepesit/ Pesë gra u vranë në Ist-End [East End] të Londrës në vitin 1888. Vrasësi nuk u identifikua kurrë. Një shekull më vonë, BBC pyeti nëse për këtë ishin fajtorë rrëfimet e gazetave dhe thashethemet.

Nga: Fiona Macdonald / BBC Përkthimi: Telegrafi.com

Më 9 nëntor 1888, u vra viktima e pestë dhe e fundit e Xhek Rrjepësit [Jack the Ripper] në lindje të Londrës. Në atë kohë, në Teatrin “Lyceum” të Londrës po jepej një produksion amerikan i Rastit të çuditshëm të dr. Xhekillit dhe z. Haidit [The Strange Case of Dr Jekyll and Mr Hyde] – dhe menaxheri i teatrit ishte Bram Stoker i cili po bëhej gati të fillonte të shkruante Drakulën [Dracula]. Një vit më parë, në dhjetor 1897, Sherlok Holmsi [Sherlock Holmes] i Arthur Conan Doyleit kishte bërë paraqitjen e tij të parë. Pikërisht në kontekstin e kësaj imagjinate të ethshme kolektive, një seri vrasjesh të egra do të kalonte nga fakti historik në sferën e legjendës.

Një shekull më vonë, në vitin 1988, BBC iu rikthye dosjeve origjinale të policisë dhe të Ministrisë së Brendshme – dhe pyeti nëse legjenda e kishte mjegulluar identitetin e vërtetë të vrasësit. Vrasjet vazhdojnë të magjepsin, pjesërisht sepse Xhek Rrjepësi nuk u identifikua kurrë dhe krimet mbeten të pazgjidhura – por, edhe për shkak të krijimit të mitit nga shtypi tabloid i epokës viktoriane, dhe në veçanti nga një redaktor që zhvillonte fushata.

Në një recension të novelës gotike të vitit 1886 Dr. Xhekilli dhe z. Haidi në një gazetë londineze, Pall Mall Gazette, një kritik shkroi: “Gërvishteni Xhon Bullin dhe do të gjeni një britanik të lashtë që kënaqet me gjak, që i pëlqen të zhytet thellë në vrasje dhe që përpin detajet e një varjeje.” Gazette e lavdëroi gjithashtu versionin skenik të librit, i cili u hap në gusht 1888, duke veçuar skenat ku Haidi u hidhet grave.

“Ishte pothuajse profetike,” i tha BBC-së në vitin 1988 Christopher Frayling, profesor i historisë kulturore në Kolegjin Mbretëror të Arteve [Royal College of Art]. “Brenda tri javësh, Gazette shkruante për një z. Haid që përgjonte Ist-Endin. Xhek Rrjepësi i Uajtçepelit [Whitechapel] dhe Dr. Xhekilli dhe z. Haidi, Xheku-me-thembra-suste [Spring-heeled Jack] dhe të gjithë tregtarët e frikës që popullonin gazetat e lira të sensacioneve [Penny Dreadfuls] dhe melodramat viktoriane – ishin ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme.”

Aktori Richard Mansfield, i cili e kishte sjellë shfaqjen nga ShBA-ja në Londër, ishte aq bindës në interpretimin e dy roleve kryesore, saqë një spektator i shqetësuar i shkroi policisë duke sugjeruar se aktori mund të ishte Xhek Rrjepësi. Mansfield u përpoq ta rifitonte mbështetjen e publikut duke organizuar shfaqje bamirësie me komedi, ndërsa një gazetar shkroi: “Në Londër tani nuk ka fare dëshirë për tmerre në skenë. Ka mjaftueshëm jashtë saj për të na bërë të rrëqethemi.”

Në tetor, Gazette botoi një letër ku thuhej se shfaqja kishte ndikuar te Xhek Rrjepësi. Megjithatë, mënyra se si vetë gazeta i trajtoi vrasjet ndoshta ishte pjesërisht përgjegjëse për atë që ndodhi më pas. Fraylingu argumentonte se, në vend që të kishte dalë nga lagjet e varfra të lindjes së Londrës, historia e Rrjepësit ishte zhvilluar në klubet e zotërinjve të Londrës perëndimore, ndërtuar nga shkruesit e gazetave mbi material të pakët.

Dhe, ishte vetë Gazette pjesërisht përgjegjëse për famën e keqe të Rrjepësit. Redaktori i saj, WT Stead, po eksperimentonte me një stil të ri sensacionalist i cili më vonë do të njihej si gazetari tabloide. Liberal dhe me ide të forta për reforma, ai kishte krijuar gjithashtu një armiqësi ndaj komisionerit të Policisë Metropolitane, Charles Warren, pas asaj që ai e konsideronte një dënim të padrejtë dhe përdorim të tepruar të forcës kundër protestuesve një vit më parë.

Aristokrat, mjek apo emigrant

Kur ndodhi vrasja e parë, më 31 gusht 1888, gazetat londineze – të udhëhequra nga Gazette – filluan ta lidhnin historinë me një varg çështjesh morale dhe shoqërore të kohës. Më 10 shtator, Gazette sugjeroi se vrasësi mund të ishte një aristokrat dekadent. “Ka një numër arsyesh pse komentuesit [në atë kohë] … e përfytyronin Xhek Rrjepësin si xhentëlmen,” i tha BBC-së prof. Judith Walkowitz, autore e librit Qyteti i kënaqësisë së tmerrshme: Rrëfime për rrezikun seksual në Londrën e vonë viktoriane [City of Dreadful Delight: Narratives of Sexual Danger in Late-Victorian London].

“Për të paktën 20 vjet kishte pasur agjitacion rreth çështjes së prostitucionit, fillimisht nga reformatorë moralë të klasës së mesme dhe agjitatoreve feministe … dhe më pas kjo u intensifikua dhe u shtjellua në një ekspoze gazetareske të Steadit për prostitucionin e fëmijëve, në të cilën Steadi dokumentonte se si vajzat e varfra të popullit binin në grackë … për kënaqësinë seksuale të zotërinjve të klasës së lartë.”

Secila prej viktimave të Rrjepësit ishte detyruar të merrej me p*********** për shkak të varfërisë. Redaktori – i cili do të vdiste në vitin 1912, në bordin e Titanikut – i përdori vrasjet si një mundësi për të nxjerrë në pah çështjet të cilat kërkonin reformë dhe për të bërë fushatë kundër veseve në shtresat e larta. Ato i dhanë gjithashtu mundësi ta sulmonte Warrenin sa herë që mundej, për shkak se ai nuk po bënte mjaftueshëm për ta gjetur vrasësin.

Shtypi filloi të spekulonte se, për shkak të mënyrës se si ishte përdorur thika mbi viktimat, vrasësi mund të ishte mjek – gjë që prekte frikën e asaj kohe ndaj kirurgëve. Ndërkaq, mediat konservatore drejtonin gishtin te lagjet e varfra të Ist-Endit, të banuara prej komuniteteve të emigrantëve.

Ky publicitet dhe sensacionalizëm i fuqishëm pati efekt të menjëhershëm, tha Frayling. “Vrasjet u kthyen në letërsi në po atë vjeshtë, në një lloj drame morale që vazhdon të ketë jehonë.”

Ai zbuloi se kjo prirje kishte depërtuar madje edhe në hetimin policor, siç tregohet nga dosjet origjinale të ruajtura nga Ministria e Brendshme. Në pjesën më të madhe, ato përmbajnë “qindra letra nga njerëz të çuditshëm, shumë prej tyre të nënshkruara me emrin [Xhek Rrjepësi] – i cili u përhap shumë shpejt, i shkruar në mënyra të ndryshme.”

Por, ekziston një memorandum i një oficeri të lartë policie, i shkruar në vitin 1894, pasi çështja ishte mbyllur, ku përmenden tre të dyshuar. Megjithatë, edhe ky duket se ishte ndikuar nga zhurma e madhe mediatike. “Është provë e fortë për ekzistencën e tri miteve të qëndrueshme, dhe jo për identitetin e Xhek Rrjepësit,” argumentonte Frayling.

I dyshuari i parë i përmendur nga kreu i Skotland-Jardit [Scotland Yard], Melville Macnaghten, ishte Montague Druitt, një avokat për të cilin detektivi mendonte se ishte mjek. Trupi i tij u gjet duke pluskuar në lumin e Temzës në dhjetor 1888, pak pas vrasjes së fundit. I dyti ishte berberi Aaron Kosminski, një emigrant hebre polak në Uajtçepel, i cili vdiq në një azil psikiatrik në vitin 1899. Dhe, i treti ishte Michael Ostrog, një mjek rus dhe ish-i dënuar.

“Këta janë të vetmit tre të dyshuar që përmenden seriozisht në të gjithë dosjen e policisë dhe nuk ka ndonjë provë policore që ia vlen të përmendet në mbështetje të tyre,” tha Frayling. “Shihni se si përputhen me gjithë ata aristokratë, të huaj dhe mjekë që shtypi i përmendte në vitin 1888 si pjesë të fushatave të veta … A është ky vërtet përfundimi i peshuar i një ndjekjeje për kapjen e vrasësit, apo janë thashethemet e klubeve? Dhe, a ishte policia aq e përfshirë në mitologjinë e vitit 1888 saqë edhe ajo po kërkonte personazhe të dala nga gazetat e lira të sensacioneve, melodramat viktoriane dhe fushatat e shtypit?”

Me pak fjalë, argumentonte Frayling, kushdo që përpiqej të zbulonte identitetin e Xhek Rrjepësit mund të kishte kërkuar në drejtimin e gabuar. Dhe, e njëjta gjë ka vlejtur që atëherë edhe për studiuesit e Xhek Rrjepësit. “Ne duam të dëshmojnë se Rrjepësi ishte aristokrat dekadent një artist bohem, ose homoseksual, ose emigrant, ose i çmendur,” tha ai. Në të vërtetë, vrasësi mund të mos i përshtatej asnjërës prej këtyre kategorive të rregullta, sensacionaliste. Kushdo që i vrau ato pesë gra, ai nuk ishte “personazhi i shpikur nga shtypi, policia dhe shoqëria viktoriane.” /Telegrafi/

]]>
https://bujanoci.net/si-e-krijoi-tabloidi-i-shekullit-xix-mitologjine-e-xhek-rrjepesit/feed/ 0
Thuaje me zë të ulët, por Amerika mund të jetë duke e fituar luftën me Iranin https://bujanoci.net/thuaje-me-ze-te-ulet-por-amerika-mund-te-jete-duke-e-fituar-luften-me-iranin/ https://bujanoci.net/thuaje-me-ze-te-ulet-por-amerika-mund-te-jete-duke-e-fituar-luften-me-iranin/#respond Wed, 14 Oct 2026 14:47:59 +0000 https://bujanoci.online/bujanoci-temp/thuaje-me-ze-te-ulet-por-amerika-mund-te-jete-duke-e-fituar-luften-me-iranin/ Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se mbase zhvillimet po fillojnë të anojnë në favor të të mirëve.

Është një rregull i hekurt i gazetarisë se luftërat shpërthejnë në titujt kryesorë botërorë, qëndrojnë aty për njëfarë kohe dhe më pas zbehen në sfond sapo lexuesit mësohen me to.

Mendojeni si parim të një “normaliteti të ri”; pasi kalon tronditja, audienca përshtatet me një sfond më të zymtë dhe i kthehet jetës së vet. Që nga ai çast, vetëm tronditjet e rëndësishme ua tërheqin sërish vëmendjen. (Përjashtimi i vetëm është gjithçka që përfshin Izraelin, i cili është obsesion patologjik.)

Kështu, lexuesve shpesh u mbetet përshtypja e një konflikti të ngrirë në vend, pa e ditur se ngërçi po ndryshon në terren. Kjo na çon te Ngushtica e Hormuzit, ku prej muajsh armada e Donald Trumpit është mbërthyer në një konfrontim ekonomiko-ushtarake me Iranin. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se zhvillimet mbase po fillojnë të anojnë në favor të të mirëve.

Duke folur të enjten me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpit iu kërkua të thoshte nëse tentativa e penguar për rrëmbimin e aeroplanit të Flydubai-t, të mërkurën, kishte ndonjë lidhje me Iranin. “Do të thosha se përgjigjja, bazuar në atë që po dëgjoj, është ‘po’, por po merremi që tani me këtë”, tha ai.

Po nëse dyshimet konfirmohen? “Oh, do të goditen shumë rëndë, mos u shqetësoni”, tha Trumpi. “Thjesht, pyetini ata. Ata e dinë çfarë ndodhi. Do të goditen shumë rëndë”. Sigurisht, jemi mësuar me një retorikë të tillë bombastike nga presidenti – pretendimi i tij i fundit se po mendonte “t’i zhdukte” mezi shkaktoi ndonjë jehonë në lajme – por, këtë herë, ai mund ta mendojë seriozisht këtë.

Javët e fundit kanë sjellë një shtim të qetë, por të vazhdueshëm, të forcave amerikane në rajon. Një aeroplanmbajtëse e tretë, USS Theodore Roosevelt, u nis nga San Diego javën e kaluar së bashku me Grupin Goditës të Aeroplanmbajtëses 9 [Carrier Strike Group 9], duke lundruar për t’iu bashkuar Komandës Qendrore të ShBA-së në Lindjen e Mesme.

Së bashku me USS George HW Bush dhe USS George Washington, që ndodhen tashmë në skenë, kjo përbën një fuqi të frikshme ushtarake. Përveç kësaj, grupi amfib USS Makin Island – ku përfshihen anijet zbarkuese USS John P Murtha dhe USS Anchorage – po dislokohet krahas tij, duke transportuar më shumë se 2 000 marinsa të Njësisë së 13-të Ekspedicionare të Marinës [13th Marine Expeditionary Unit]. Në total, 9 000 ushtarakë të tjerë janë rrugës.

Është e vërtetë se problemi i Uashingtonit ka qenë prej kohësh i tillë që vetëm me forcë nuk zgjidhet. Epërsia dërrmuese ushtarake e Amerikës nuk është vënë në dyshim, megjithatë Teherani mbetet i gatshëm të durojë goditjet dhe ka dinakërinë për të shënjestruar poshtë brezit të butë të ekonomisë globale. Shtatë muaj pas fillimit të këtij konflikti, pyetja vendimtare mbetet se si do të shndërrohet fuqia e zjarrit amerikan në rezultate.

Dallimi është se përgjigjja që Trumpi i dha më në fund mbylljes së Hormuzit nga Ajatollahu – t’ia shkëpuste tiranit kontrollin, ndërkohë që vendoste vetë një shtrëngim mbytës – po jep dalëngadalë fryte. Teksa marina amerikane është bërë më e aftë në zmbrapsjen e sulmeve iraniane, më shumë cisterna ndërkombëtare kanë kaluar përmes Ngushticës. Sipas sistemit të gjurmimit Kpler, dërgesat përmes Hormuzit dhe rrugëve që e anashkalojnë atë kanë arritur pothuajse në 80 përqind të flukseve të paraluftës.

Muajin e kaluar, eksportet e naftës bruto nga Lindja e Mesme u rikthyen në nivelin e tyre më të lartë që nga fillimi i luftimeve, me pothuajse 13 milionë fuçi në ditë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iraku dhe vende të tjera që arritën në treg, krahasuar me 19 milionë në shkurt.

Naftësjellësi Lindje-Perëndim i Arabisë Saudite, i cili u dëmtua në një sulm me dron muajin e kaluar, po rikthehet me vështirësi në funksion, me sasi të reduktuara që po arrijnë në Detin e Kuq, ku nafta ngarkohet në cisterna dhe eksportohet.

Në kontrast të thellë, Teherani nuk ka mundur të kalojë asnjë sasi nafte bruto përmes Hormuzit qëkur ShBA-ja vendosi bllokadën e saj detare në korrik. Vlerësimet e Kpler-it sugjerojnë se rezervat iraniane mund të shterojnë brenda dy javësh, duke e tredhur një ekonomi që tashmë po përkulet nën peshën e sanksioneve dhe kostos së luftës.

Historia do ta dënojë Trumpin që nuk arriti të hartonte më herët një strategji për Hormuzin. Para bllokadës amerikane, Teherani po siguronte më shumë të ardhura ditore nga nafta gjatë luftës sesa kishte siguruar para saj. Kjo, së bashku me vendimin jashtëzakonisht të keq të Trumpit – nën presionin e udhëheqësit islamist të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan – për ta anuluar në çastin e fundit një pushtim tokësor kurd, ia mohoi atij fitoren e vet.

Megjithatë, pasi zgjedhjet e ndërmjetme të nëntorit të kenë kaluar, me ekonominë e Iranit në gjendje të mjerueshme dhe fuqinë amerikane të dyfishuar, Trumpi mund ta ketë manovruar veten në një pozitë më dominuese në këtë përplasje gjeopolitike të forcës.

Rezervat e raketave interceptuese në rajon janë të pakta. Teherani, i mbështetur për muri, mund ta përshkallëzojë situatën në mënyra të papritura, përfshirë përmes terrorizmit në territorin perëndimor; huthët mbeten të papërmbajtur në brigjet e Ngushticës Bab el-Mandeb – një tjetër pikë e ngushtë strategjike; dhe, pa forca tokësore, si dhe me lëvizjen opozitare që ende po përpiqet të marrë veten nga dhjetëra mijëra të vdekur, pamja e një fitoreje amerikane mbetet e paqartë. Megjithatë, çfarëdo forme që mund të marrë ajo, është më afër sesa ishte më parë. /Telegrafi/

]]>
https://bujanoci.net/thuaje-me-ze-te-ulet-por-amerika-mund-te-jete-duke-e-fituar-luften-me-iranin/feed/ 0
Pushteti që nuk e sheh veten me syrin e ikjes, e sheh me syrin e pronarit https://bujanoci.net/pushteti-qe-nuk-e-sheh-veten-me-syrin-e-ikjes-e-sheh-me-syrin-e-pronarit/ https://bujanoci.net/pushteti-qe-nuk-e-sheh-veten-me-syrin-e-ikjes-e-sheh-me-syrin-e-pronarit/#respond Wed, 14 Oct 2026 14:47:53 +0000 https://bujanoci.online/bujanoci-temp/pushteti-qe-nuk-e-sheh-veten-me-syrin-e-ikjes-e-sheh-me-syrin-e-pronarit/ Është gjithmonë problem për një politikan kur aktivitetin e vet, pushtetin apo administrimin e institucioneve nuk i shikon me syrin e ikjes. Është problem kur, që në çastin e fitores politike, nuk e sheh realitetin me syrin e ikjes.

Dallimi mes një politikani civil dhe atij tribal është se, që në momentin e fitores, i pari mendon se si të ikë me nder, ndërsa politikani tribal, edhe kur ikën, mendon se si të fitojë pa nder. Dallimi qëndron te përgjegjësia civile, e cila përkthehet në përgjegjësi politike. I pari e njeh këtë përgjegjësi dhe vepron në përputhje me të; i dyti, edhe pse e njeh, abuzon me të. Për fatin tonë të keq, politikani tribal ka qenë modeli i tranzicionit tonë, ai është kthyer në një model ekskluziv pushteti, një model tranzicional i cili nuk mbërrin kurrë në destinacion, i cili qëndron aty e përveç vetes shikon të tjerët me syrin e ikjes, sepse destinacioni i tij nuk është demokracia. Është pushteti.

Që nga viti 2013, kur kjo mazhorancë socialiste me në krye Edi Ramën fituan zgjedhjet e “një milion shuplakave” ndaj një lideri tjetër tribal, jo vetëm që nuk e pa kurrë këtë besim popullor me syrin e ikjes, por edhe tronditjet e mëdha që kanë shoqëruar pushtetin e saj – nga Saimir Tahiri te Lefter Koka, nga Alqi Bllako te Vangjush Dako, nga Arben Ahmetaj te Ilir Beqaj, nga Jurgis Çyrbja te Erion Veliaj, nga Belinda Balluku te Vlora Hyseni – janë servirur si mundësi, madje si dëshmi e një pushteti që po lufton korrupsionin. Në këtë logjikë, nuk ka më rëndësi ngjarja dhe as përgjegjësia politike, rëndësi ka vazhdimësia e pushtetit dhe bindja se “askush dhe asgjë nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë”. E, këtu jemi pastaj në atë pikë sa “rastësia” kërkon më shumë “rastësi”, deri kur përjashtimet nga rregulli shumohen, e kur ato shumohen, atëherë duhet shqyrtuar vetë rregulli.

Askush sot nuk është në gjendje që të përcaktojë, pas 13 vjetësh në pushtet, se sa raste figurash politike të zgjedhura, të emëruara dhe të promovuara nga vetë kryeministri Rama, do të duhen të mbushin faqet e para të mediave derisa “përgjegjësia individuale” të shndërrohet në përgjegjësi politike të vetë sistemit dhe kreut që i ka përzgjedhur këta njerëz. Përpjekja për të ndarë kryeministrin Rama nga administrata e tij, se gjoja të gjitha problemet dhe keqqeverisja janë shkaktuar nga mosfunksionimi i administratës publike, është alibia më qesharake. Nuk është as edhe politike si tezë. Është në kufijtë e provincializmit tribal.

Domethënë, për këtë arsye Rama papritmas, vetëm pas 13 vitesh në pushtet, zbuloi se duhet një “Besë” me shqiptarët. Sa herë që në Shqipëri ka pasur protesta qytetare apo studentore – se ato partiaket i ka shumë qejf ai – aq herë Rama është distancuar nga vetvetja. Gjithmonë fajin e ka pasur administrata e tij dhe kurrë ai. Bile ai ka shpejtuar të jetë me protestuesit në shesh kundra vetë Ramës. Edhe në protestën e fundit ai u bë me flamingot. Ndërsa kur skandalet e njerëzve të tij mbulojnë mediat, ai distancohet dhe në ndihmë i vjen dardha. Problemi është se aq shumë dardha e kumbulla po fermentohen, sa tashmë janë bërë një reçel i mykur e toksik. Ka një rregull i cili na mëson se si të ndajmë rastet individuale dhe sporadike të korrupsionit me një sistem të tërë korruptiv që përfundon me kapjen e shtetit.

Është kur fenomeni bëhet i vazhdueshëm, sistematik e pastaj bëhet sistemik duke lëvizur gjithmonë e më lart në piramidën shtetërore. Në këtë rast nuk funksionon alibia se përgjegjësia është personale, sepse shtrirja e gjatë në kohë dhe numri i madh i rasteve në nivele të larta, ngrenë pyetje të tipit: Cilat janë mekanizmat e parandalimit që qeveria ndërmori pasi skandalet u bënë publike? Çfarë bënë institucionet e kontrollit? A u reformuan procedurat e përzgjedhjes së figurave politike? Përse për 13 vjet natyra e skandalit është pothuaj e njëjtë? Të mos dish gjë, aq më tepër duke qenë kryeministër, është më e rëndë se të jesh bashkëpunëtor në skandal, sepse ai që bashkëpunon ka thyer një herë ligjin, ndërsa ai që nuk di gjë e ka thyer disa herë atë.

Padijenia ka gjithmonë një autor. “Nuk e dija” është më e rëndë sepse të ngarkon me përgjegjësinë e tipit: “përse nuk e dite?” dhe pastaj, “çfarë sistemi kishe ndërtuar që të lejoi të mos e dije?”. Padijenia kthehet vetë subjekt i llogaridhënies e për pasojë kthehet në faj politik. Në të gjitha rastet e përgjegjësive institucionale, publike apo private qofshin ato, përgjegjësia ndjek rrugën e hierarkisë duke mbërritur në majë, aty ku problemi duhej të eliminohet. Në çdo hierarki përgjegjësia ngjitet lart, vetëm në Shqipëri, kur arrin pranë majës, ajo papritur bëhet personale. Ky është problemi i një pushteti që nuk e sheh veten me syrin e ikjes, për shkak se me kalimin e kohës, fillon ta shohë shtetin me syrin e pronarit.

Nëse Kushtetuta i ngarkon kryeministrit kontrollin e punës së ministrave, deri ku mund të përdoret politikisht “nuk e dija” si shfajësim, sepse është normale që në një demokraci përgjegjësia të ndjekë rrugën e hierarkisë, jo vetëm të autorit, por edhe të pushtetit që e ka për detyrë të kontrollojë e të parandalojë. Precedenti se padijenia është pafajësi është i rrezikshëm për modelin se si ne kemi ndërtuar shtetin tonë. E kemi lënë krimin vetëm individual, ndërsa përgjegjësinë e funksionimit të shtetit e kemi lënë jetime. Pas skandalit të parë zakonisht kërkohet autori, por pas të dhjetit kërkohet sistemi që lejoi të njëmbëdhjetin.

E këtu, me të drejtë, mund të mendojmë se padijenia pranohet për një ose dy raste, por jo kur skandali bëhet vetë sistemi. Sa herë mund të mos dijë një kryeministër para se mosdija të pushojë së qenuri një shpjegim? Si mund të mos dijë një kryeministër me pushtet të gjatë dhe të centralizuar informacioni? Të mos njohësh mënyrën e funksionimit të pushtetit që vetë ke ndërtuar, kësaj i thonë paaftësi.

]]>
https://bujanoci.net/pushteti-qe-nuk-e-sheh-veten-me-syrin-e-ikjes-e-sheh-me-syrin-e-pronarit/feed/ 0