Bëhet fjalë për një dron që mbante një mesazh prekës, përmes të cilit i biri i kishte shprehur dashurinë dhe mbështetjen, duke i dhënë forcë për të vazhduar garën.
“Unë nuk jam dobësia jote, mam. Unë jam forca jote. E ti veç vazhdo e fortë për mua. Të dua shumë, Akini”, thuhej në mesazhin që e përloti Editën, transmeton Klankosova.tv.
E prekur nga fjalët e të birit, ajo nuk arriti t’i mbante lotët, ndërsa pas këtij momenti emocional mori përqafime dhe ngushëllime nga Anjeza dhe Sharri, si dhe nga banorët e tjerë të shtëpisë.
Surpriza nga djali i saj u shndërrua në një nga momentet më të ndjera të përjetuara nga Edita gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në vend. /Telegrafi/
– YouTube youtu.be
]]>Në vjeshtën e vitit 1991, qyteti i Vukovarit në Sllavoninë Lindore të Kroacisë, dikur një qendër industriale dhe kulturore me rreth 45’000 banorë, u shndërrua në fushëbetejën më të përgjakshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Disa media ndërkombëtare e quajtën “Stalingradi kroat”.
Ajo që komanda ushtarake në Beograd e kishte planifikuar si një operacion të shpejtë, disaditor, për të pushtuar Kroacinë, u kthye në një rrethim 87-ditor të Vukovarit. Përballë një force sulmuese prej rreth 30’000 ushtarësh, të pajisur me mbi 600 tanke, qindra gryka artilerie, aviacion dhe flotë lumore në Danub, qëndronin vetëm rreth 1800 mbrojtës kroatë me armatim të lehtë. Gjatë kësaj periudhe, mbi qytet u hodhën më shumë se 6,5 milionë predha – deri në 11’000 në ditë – duke mos lënë asnjë ndërtesë apo rrugë të paprekur. Ndërkaq, Kulla e Ujit, e lartë 50 metra, mbeti simbol i pathyeshmërisë, pasi nuk arritën ta rrëzonin as pas më shumë se 600 goditjeve të drejtpërdrejta.
Pas tre muajsh rezistence mbinjerëzore, rrethimi u shtrëngua plotësisht në mesin e nëntorit 1991. Më 18 nëntor u thye mbrojtja në qendër të qytetit, ndërsa më 20 nëntor luftëtarët e fundit në Borovo Naselje dhe Mitnica dorëzuan armët për të shpëtuar mijëra civilë të strehuar në kombinatin “Borovo”.
Rënia e Vukovarit u pasua nga krime masive, plaçkitje, dëbime dhe dërgimin e rreth 7000 mbrojtësve e civilëve në kampet serbe të përqendrimit në Serbi. Edhe pse Vukovari u mposht ushtarakisht, tridhjetë e pesë vjet më vonë ai mbetet një pikë kthese në historinë moderne kroate, pasi sakrifica e tij i dha vendit kohën e çmuar për t’u organizuar dhe për t’u mbrojtur.
Vukovari është edhe një dramë shqiptare. Kur ushtarët dhe paramilitarët serbë u futën në qytet, ata arrestuan edhe pacientët e spitalit të Vukovarit, mbi 200 syresh, dhe i dërguan në një objekt të një kombinati bujqësor në periferi të qytetit. Aty i pushkatuan të gjithë. Sot aty gjendet një muze që kujton viktimat. Mes shumë emrave gjenden edhe emra shqiptarësh nga Vukovari, të vrarë nga soldateska e Beogradit. Në këtë qytet jetonin disa familje shqiptare, të cilat i kishin aty bizneset e tyre: furra buke, restorante, dyqane këpucësh, mishtore. Gjatë luftës, shumë prej tyre humbën pronat.
Në tmerrin e Vukovarit, shqiptarët ishin gjithandej, në të gjitha frontet. Pra, kishte shqiptarë që banonin e jetonin në Vukovar dhe që u vranë nga ushtarët serbë. Kishte shqiptarë që iu bashkuan forcave kroate për të mbrojtur Vukovarin. Dhe kishte rekrutë shqiptarë që kishin mbetur në armatën e serbizuar jugosllave dhe që zhvillonin betejën e jetës së tyre: si të iknin nga kjo ushtri e urryer dhe të shpëtonin kokën? Oficerët serbë i kanë shitur për shuma të majme kokat e ushtarëve shqiptarë.
Disa gjëra, mes shumë të tjerave, më kanë mbetur në kujtesë nga qëndrimet e mia në Vukovar: një shqiptar nga Gostivari që shiste hamburgerë në një kamp-shtëpizë dhe priste që autoritetet kroate t’ia lëshonin lejen për të ndërtuar shtëpinë e shkatërruar. Shtëpinë e kishte pasur në qendër, por autoritetet, sipas tij, e terrorizonin me burokraci. Një kujtim tjetër: Vukovari është vendlindja e Lavoslav Ružičkës, i cili, si profesor në ETH të Zürichut, mori Çmimin Nobel për Kimi. Në Vukovar, shtëpia e Ružičkës është muze.
Kjo nuk është e tëra, natyrisht. Zëri më kumbues shqiptar në Vukovar padyshim është zëri i Klaudija Gojanit. Në gusht të vitit 1991, babai i saj, Jozo, vendosi që gruan dhe fëmijët t’i dërgonte në Gjermani, ndërsa vetë qëndroi në Vukovar për të mbrojtur qytetin. Kur forcat serbe u futën në qytet, bashkë me Jozon morën peng edhe qindra banorë të tjerë, mes tyre edhe gazetarin legjendar kroat Sinisha Gllavasheviq, kronikat e të cilit nga Vukovari i rrethuar kanë hyrë në historinë e Kroacisë.
Kur iku me nënën në Gjermani më 1991, Klaudija ishte foshnje. Sot ajo është gazetare e Radios Kroate të Vukovarit, të cilës ia kishte dhënë famën Sinisha Gllavasheviq. Vite më parë, Klaudija Gojani i kishte deklaruar gazetës “Jutarnji list”: “Jemi shqiptarë, babai ka ardhur këtu nga Klina e Kosovës, atëbotë ishte 16-vjeçar. Në Vukovar ai kishte shumë familjarë. Kemi pasur mishtoren tonë dhe një dyqan këpucësh. Ata jetonin një jetë të lumtur dhe të qetë, askush nuk e ka pritur atë që ndodhi më 1991. E keqja ndihej, nëna e kishte ndier, andaj e luti babain t’i linte të gjitha dhe të niseshin për në Gjermani. Ai tha se Kroacia i ka dhënë çdo gjë, jo Gjermania, prandaj do të qëndronte këtu për të luftuar për Kroacinë”.
Eshtrat e Jozo Gojanit nuk janë gjetur ende. Klaudija nuk e ka njohur kurrë babain e saj. Ende e kërkon. “Dua t’ia ndez një qiri dhe t’i them sa më mungon”, thotë ajo për mediat kroate.
Pas pushtimit të Vukovarit forcat serbe organizuan një vizitë të gazetarëve të huaj në këtë qytet. Mes tyre atëbotë ishte edhe Cyrill Stieger nga gazeta “Neue Zürcher Zeitung”. Ai e ka përshkruar kështu situatën që e kishte parë në Vukovar: “Edhe tre ditë pas pushtimit të Vukovarit, gazetarëve të sjellë aty nga Armata Popullore Jugosllave u shfaqej një pamje tmerri. Lagje të tëra ishin shkatërruar dhe shumë shtëpi ishin djegur plotësisht. I gjithë qyteti ishte i mbushur me rrënoja dhe gërmadha. Në anë të rrugës qëndronin të shtrira kafshë të ngordhura, ndërsa para një shtëpie të shkatërruar nga plumbat ndodheshin dy kufoma. Në një oborr të brendshëm përballë spitalit, gazetarëve iu prezantuan rreth 20 kufoma, shumica prej tyre të karbonizuara dhe të gjymtuara. Disa kishin një etiketë me numër në këmbë. Me gjasë, ishin pacientë të spitalit. Këtë ia kishin bërë ‘fashistët kroatë’ popullsisë civile serbe, tha një oficer i armatës jugosllave. Kur u pyet se nga e dinte ai që viktimat ishin serbë dhe nëse kishte ende rëndësi kjo përballë atij mjerimi njerëzor, ai ktheu shpinën menjëherë. Në një shfaqje propagandistike të pashembullt, që nuk mund të tejkalohej për nga cinizmi, oficerët e armatës jugosllave u përpoqën t’ua shisnin gazetarëve pushtimin e qytetit si një ‘fitore të madhe’, ndërsa ata endeshin si të mpirë mes rrënojave.
Sipas tyre, në Vukovar nuk ishte mbrojtur Kroacia, siç pretendonte Zagrebi; përkundrazi, qyteti ishte shndërruar në një kështjellë me qëllim që prej andej të përhapej fashizmi. Lufta u ishte imponuar serbëve dhe ushtria jugosllave e kishte ‘çliruar qytetin pas një lufte heroike nga duart e hordhive fashiste’. Të gjitha këto oficerët i thoshin me tonin e bindjes së plotë dhe me gjoksin të fryrë nga krenaria. Nën një shi të rrëmbyeshëm, gazetarët u ushqyen nga kuzhina fushore e ushtrisë jugosllave përpara rrënojave të zeza të hotelit ‘Dunav’, dhe si kujtim secili pjesëmarrës mori një stilolaps me mbishkrimin JNA”. Kështu dukeshin “fitoret serbe” më 1991./Telegrafi/
]]>Nga: Tom Fordy / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Më 25 shkurt 1944, më shumë se 750 bombardues të rëndë – B-17 dhe B-24 – fluturuan nga Anglia drejt Gjermanisë, shoqëruar nga më shumë se 30 skuadrilje aeroplanësh luftarakë të Forcës së Tetë Ajrore dhe Forcës Ajrore Mbretërore [RAF]. Kjo ishte dita e fundit e asaj që ishte quajtur Java e Madhe – një fushatë e koordinuar bombardimesh kundër fabrikave të montimit të Luftvafes [forcave ajrore gjermane] dhe objektivave që ndërlidheshin me prodhimin, në një përpjekje për ta gjymtuar Luftvafen përpara Ditës D [zbarkimit në Normandi].
Mes shumë pilotëve aleatë që ishin në ajër atë ditë, ishte edhe aktori Jimmy Stewart. Me një hijeshi të pafajshme, Stewarti ishte aktor me kontratë i MGM-it, i cili tashmë ishte shfaqur në 28 filma të Holivudit – ai kishte fituar Çmimin e Akademisë për Aktorin më të Mirë përpara se të hynte në ushtri. Tani do të komandonte një skuadrilje në një mision për të bombarduar qytetin bavarez Firt, duke lëvizur përmes zjarrit të artilerisë kundërajrore dhe sulmeve të [aeroplanëve luftarakë] Focke-Wulf dhe Messerschmitt – në temperatura që mund t’u shkaktonin ngrirje pilotëve ose t’ua ngrinin lëkurën pas metalit akull të ftohtë – teksa mbante një ngarkesë prej 10 bombash nga 500 paundë secila [226.8 kilogramë].
Ishte një mision prej afro 10 orësh, me karburant në bord vetëm për nëntë orë e gjysmë. Kur Stewarti u kthye në bazë në Norfolk, pjesa e poshtme e bombarduesit të tij B-24 Liberator, Dixie Flyer, ishte çarë nga një predhë 88 milimetërshe. Si hunda, ashtu edhe bishti ishin ngritur drejt qiellit, duke kërcënuar ta ndanin aeroplanin më dysh, ndërsa trupi i aeroplanit u ça teksa ekuipazhi i tij, në njëfarë mënyre, arriti ta ulte aeroplanin. Në mënyrë të pabesueshme, Stewarti doli pa asnjë gërvishtje, megjithëse përvoja e atij sulmi bombardues e la “flak happy” – zhargon i forcave ajrore për atë që sot do ta quanim çrregullim të stresit post-traumatik.
Stewart prezantoi çmimin për Aktorin më të Mirë në ceremoninë e Çmimeve të Akademisë të vitit 1942 (në fotografi me Ginger Rogersin) i veshur me uniformëFoto: CBS Photo Archive
Tetëdhjetë vjet pas filmit të tij më të kujtuar, It’s A Wonderful Life, shikuesit e sotëm mund të mos e dinë se Jimmy Stewart ishte gjithashtu hero i mirëfilltë lufte. Por, shërbimi i tij ushtarak është gati të bëhet historia kryesore falë një filmi të ri biografik të prodhuar nga të krishterët, Xhimi [Jimmy], i cili doli në ShBA javën e kaluar dhe ku KJ Apa i [serisë] Riverdale luan rolin kryesor.
Stewarti nuk luftoi vetëm kundër Luftvafes – iu desh të luftonte edhe me krerët e lartë ushtarakë, vetëm që të merrte pjesë në luftime. Duke ndjekur gjurmët e të atit dhe gjyshërve të tij, burra krenarë të ushtrisë që kishin kryer detyrën e tyre në konflikte të ndryshme, Stewarti ishte i përcaktuar të shërbente. Megjithatë, autoritetet ishin këmbëngulëse ta përdornin fituesin e Oskarit vetëm për qëllime të marrëdhënieve me publikun dhe për propagandë.
Stewarti ishte aktori i parë i madh i Holivudit që u thirr në ushtri në tetor 1940, por – për turpin e madh të tij dhe të të atit – iu shty shërbimi pas kontrollit mjekësor. Me peshë 59 kilogramë dhe 191 centimetra gjatësi u konsiderua tepër thatanik për të shërbyer. Stewarti dyshonte se Louis B Mayer, shefi i MGM-it, mund të kishte ndikuar për ta penguar yllin e tij që të shkonte në luftë. Thuhet se Mayeri iu lut, duke i thënë aktorit të mos e kundërshtonte shtyrjen e shërbimit.
Siç përshkruhet në biografinë e Marc Eliotit, babai i Jimmyt, Alexander Maitland Stewart, mori telefonin dhe e qortoi të birin që nuk e kishte arritur peshën e miratuar nga ushtria.
KJ Apa në filmin e ri biografik “Jimmy”
Historia ushtarake e familjes Stewart shkonte deri te Revolucioni Amerikan. Gjyshërit e tij shërbyen në Luftën Civile; i ati shërbeu në Luftën Spanjollo-Amerikane dhe në Luftën e Parë Botërore. Jimmy ndihej i detyruar të nderonte këtë trashëgimi. Falë një mjeku që mund të ketë bërë ose jo një sy qorr, ai e kaloi kontrollin mjekësor në shkurt të vitit 1941 – po atë muaj kur fitoi Çmimin e Akademisë për [filmin] The Philadelphia Story. Siç shkroi Elioti, “në familjen e tij, Oskarët e veshur me ar nuk ishin asgjë në krahasim me guximin”.
Mayeri e shfrytëzoi rastin për publicitet të mirë, duke e paraqitur veten si shef studioje i cili njëkohësisht është zemërgjerë dhe patriot, i cili e lejoi yllin e tij të shkonte në luftë. Kur Stewarti u pranua zyrtarisht në ushtri, Mayeri njoftoi shtypin i cili u dynd rreth aktorit. Kontrata e tij me MGM-in do të vazhdonte aty ku kishte mbetur kur – ose nëse – ai do të kthehej në shtëpi.
Stewart fillimisht u regjistrua në Korpusin Ajror të Ushtrisë. Ishte pilot me përvojë, me rreth 400 orë fluturime. Por, në moshën 32-vjeçare, ishte dukshëm më i madh në moshë se rekrutët e tjerë.
Fillimi ishte një përvojë zhgënjyese: shtypi, i dëshpëruar për fotografi të tij me uniformë, e ndiqte kudo, dhe ai ndiente se po trajtohej mirë – më pak si njëri prej djemve dhe më shumë si i famshëm. Mund të kthehej herë pas here në Holivud e të merrte pjesë në festa. Siç vëren Elioti, lojërat e tij ia sollën një tjetër qortim nga i ati – kjo nuk ishte mënyra e duhur për të qenë ushtar.
Në qershor 1941 paraqiti kërkesë për t’u bërë pilot dhe e kaloi provimin. Libri i Robert Matzenit për shërbimin e Stewartit, Mission [Misioni], shpjegon se forca ajrore i shihte marrëdhëniet me publikun dhe rekrutimin si përparësi të tjera nga ai. Ai u urdhërua të merrte pjesë në një transmetim propagandistik radiofonik me yje, së bashku me Orson Wellesin dhe aktorë të tjerë, dhe bënte rregullisht paraqitje për marrëdhënie me publikun. Në shkurt 1942, ai prezantoi Oskarin për Aktorin më të Mirë, i veshur me uniformë. Ai u shfaq gjithashtu në filma të shkurtër propagandistikë, përfshirë Winning Your Wings, të realizuar nga “First Motion Picture Unit”.
Për njëfarë kohe, Stewartit kishte kryesisht detyra promovuese
Stewart donte të fluturonte dhe të luftonte, por një oficer i lartë më në fund ia tha të vërtetën: ai ishte tepër i çmuar për ushtrinë amerikane. Ishte tepër e rrezikshme ta dërgonin në luftime. Vdekja e tij do të ishte goditje demoralizuese dhe një katastrofë për marrëdhëniet me publikun.
Por, pasi i bindi eprorët, Stewarti arriti t’i shmangej detyrave promovuese dhe u stërvit për të fluturuar me bombardues – fillimisht me bombardues dy-motorësh dhe më pas me bombardues të rëndë katër-motorësh, B-17 dhe B-24. Pasi u bë kapiten, iu ngarkua detyra të stërviste pilotë të tjerë, si në ajër ashtu edhe në tokë. Sipas biografisë së Eliotit, numri i shokëve të tij të stërvitjes që shkonin jashtë vendit dhe vdisnin e tronditi aq shumë saqë nisi të shkonte rregullisht në kishë.
Më në fund iu plotësua dëshira për të marrë pjesë në luftime, kur iu dha komanda e Skuadriljes së 703-të të Grupit të 445-të të Bombardimit. Ai kishte nën komandë 15 ekuipazhe B-24 dhe 200 burra në tokë. Teksa ylli po përgatitej të nisej për në Angli, i ati ia dha një letër me fjalë inkurajimi dhe besimi, si dhe një kopje të Psalmit 91 tek i cili Stewart gjente shpesh ngushëllim gjatë misioneve. Ndërkohë, mori lajme për dhjetëra ekuipazhe të Forcës së Tetë Ajrore që ishin rrëzuar mbi Evropë.
Skuadrilja e tij mbërriti në Angli për shërbim aktiv në nëntor 1943. Me bazë në Tibenham të Norfolkut, ai u rrethua nga shtypi britanik dhe u urdhëruar të bashkëpunonte. Kalonte sa më shumë kohë që mundej në ajër për t’iu shmangur atyre.
Stewarti fluturonte me një “B-24 Liberator”, të ngjashëm me këta që shihen në një mision drejt GjermanisëFoto: Archive Photos/Getty Images
Misioni i parë luftarak i Stewartit erdhi më në fund në dhjetor 1943. Natyrisht, atij i parapriu një aktivitet për shtypin, ku e detyruan të ulej përballë gazetarëve dhe t’u përgjigjej pyetjeve të rëndomta për jetën si yll kinemaje.
Stewarti e udhëhoqi Grupin e 445-të në një sulm ndaj qytetit-port gjerman Kiel. Skuadrilja iu shmang zjarrit kundërajror, por ishte një sukses relativisht i drejtpërdrejtë. Misioni tjetër, më vonë po atë muaj, e çoi në Bremen. Ishte më i ashpër: pasi u përballën në qiell me aeroplanë luftarakë të armikut, Stewarti pa gjashtë burra duke u hedhur me parashutë nga një tjetër B-24, teksa ai digjej dhe binte me shpejtësi drejt tokës.
Kuri Stewart nuk fluturonte, u jepte udhëzime ekuipazheve dhe priste kthimin e tyre të sigurt. Ai mori gjithashtu përsipër detyrën e shkrimit të letrave për familjet e burrave të zhdukur dhe të vrarë. Një kapiten tjetër i tha një gazetari se Stewarti ishte “njeriu që punonte më së shumti në bazë” dhe se “merrej me këtë 15 orë në ditë”.
Misioni i tij i radhës ishte në janar 1944 – bombardimi i një fabrike kimike në Ludvigshafen. Gjatë kthimit, njëra prej skuadriljeve, e 389-ta, doli nga formacioni dhe devijoi në drejtimin e gabuar. Stewarti u foli me radio për t’i kthyer në drejtimin e duhur, por e 389-ta vazhdoi në atë drejtim. Si oficer komandues në ajër, Stewarti duhej të merrte menjëherë vendimin që ta ndiqte të 389-tën dhe ta mbante formacionin ngjeshur.
Shpejt u gjendën duke fluturuar pranë Parisit të pushtuar – dukej Kulla e Ajfelit – ku Luftvafe i sulmoi. Stewarti pa teksa njëri prej bombarduesve të Grupit të 389-të u godit dhe ra drejt tokës në spirale, i përfshirë nga flakët. Fatmirësisht për Stewartin dhe Grupin e 445-të, aeroplanët luftarakë aleatë – Spitfire, P-47 dhe P-51 Mustang – mbërritën dhe i shpëtuan.
Jimmy Stewart në uniformë: babai dhe gjyshërit e Stewartit shërbyen në ushtri para tij (në fotografi me prindërit)Foto: Bettmann
Stewarti u gradua major dhe priti Javën e Madhe – e njohur edhe si Operacioni Argument – e cila u shty për shkak të motit të keq deri në shkurt 1944. Misioni i parë i Stewartit gjatë Javës së Madhe ishte mbi qytetin Brunsvik, ku objektiv ishte një fabrikë që prodhonte pjesë për aeroplanët Junkers Ju 88. Gjithçka shkoi mirë derisa arritën në pjesën e fundit të kursit të bombardimit, ku u përballën me një breshëri zjarri kundërajror dhe aeroplanë luftarakë të armikut. Teksa bombat binin mbi Brunsvik, shpërtheu një betejë ajrore. Aeroplanët luftarakë aleatë dhe gjermanë u vërsulën në betejë, ndërsa Stewarti pa njërin prej B-24-ve të tij të digjej dhe të binte me shpejtësi. Pasuan bombardues të tjerë.
Më 25 shkurt – ditën e fundit të Javës së Madhe – Stewarti komandoi misionin drejt Firtit i cili tashmë ishte në flakë prej bombardimeve të mëparshme kur Dixie Flyer mbërriti me Grupin e 445-të. Predhat kundërajrore shpërthenin rreth tyre dhe goditën pjesën e poshtme të aeroplanit, duke bërë që ajri i akullt të futej me vrull brenda. Siç përshkruhet me hollësi në rrëfimin e Matzenit për incidentin, Stewarti shikoi përmes një vrime te këmbët e tij dhe pa Gjermaninë poshtë. Si harta, ashtu edhe parashuta e tij dolën jashtë aeroplanit. Megjithatë, nuk kishte kohë ta kuptonte atë që po ndodhte – aeroplanët luftarakë Focke-Wulf u shfaqën dhe sulmuan. Në njëfarë mënyre, Dixie Flyer qëndroi në ajër, ndërsa aeroplanët e tjerë B-24 shpërbëheshin dhe binin në flakë drejt Brunsvikut. Ata shpëtuan duke ruajtur formacionin dhe, në njëfarë mënyre, arritën të ktheheshin në Britani duke fluturuar me rezervat e fundit të karburantit dhe me sistemin hidraulik të bërë copë. Edhe nervat e Stewartit ishin bërë copë.
Sipas Eliotit, para misionit të tij të radhës ai pësoi një sulm paniku që e la të paaftë. “Kisha frikë nga më e keqja”, tha ai më vonë. “Frika është diçka tinëzare dhe vdekjeprurëse. Mund ta shtrembërojë gjykimin, t’i ngrijë reflekset, të shkaktojë gabime. Dhe, më keq akoma, është ngjitëse. E ndjeja frikën time dhe e dija se, po të mos vihej nën kontroll, mund t’i infektonte pjesëtarët e ekuipazhit tim”.
Në prill 1944 ai mori Medaljen Ajrore për të shënuar 10 misione të suksesshme mbi Gjermani. Stewartit iu dha gjithashtu Kryqi i Shquar i Fluturimit për sulmin ndaj Brunsvikut. Atë ia dorëzoi oficeri James Doolittle, i famshëm për “Sulmin Dulitël” ndaj Tokios si përgjigje ndaj Përl-Harburit. Medalja e Stewartit iu dërgua babait të tij në shtëpi.
Më pas u transferua te Grupi i 453-të në Old Bakenham dhe u emërua oficer i operacioneve. I rrënuar nga trauma dhe dukshëm më i dobët, fluturonte më rrallë, ndërsa ndër misionet e tij të fundit ishin bombardimet katastrofike ndaj Troasë në Francë dhe Ahmerit në Gjermani. Ky i fundit, në mars 1945, shënoi fluturimin e tij të fundit luftarak, pasi oficeri i tij komandues, gjenerali Hap Arnold, i tha Stewartit se nuk donte që ai të fluturonte më. “Nuk kundërshtoi”, tha Arnoldi.
Stewart luajti në “It’s a Wonderful Life” menjëherë pas luftësFoto: RKO Pictures/Archive Photos/Getty Images
Stewarti qëndroi në Angli si oficer i operacioneve të krahut dhe shef shtabi. Pasi lufta përfundoi në Evropë, ai mori Kryqin e Luftës për ndihmën në çlirimin e Francës.
Pas kthimit në Holivud, nuk donte të fliste me gazetarët për luftën (megjithëse u shfaq në një intervistë të shkurtër në serialin dokumentar historik, The World at War) dhe refuzonte të luante role ushtarësh. Ai vuante gjithashtu prej maktheve dhe anktheve. Ndërkohë, filmi i tij i parë pas luftës ishte It’s A Wonderful Life. Është e lehtë të besohet se ai futi një pjesë të atij dëshpërimi të vërtetë te personazhi George Bailey, i cili shtyhet deri pranë vetëvrasjes.
Siç vërehet në një biografi të vitit 1997 nga Lawrence Quirk, Stewarti megjithatë e vlerësonte atë përvojë si pozitive. “Në shumë mënyra, isha shumë më i lumtur në shërbim sesa kam qenë ndonjëherë në ndonjë periudhë të jetës sime”, tha aktori. “Afërsia dhe shoqëria me gjithë ata djem të mrekullueshëm. Ndjesia se isha pjesë e një tërësie, e një plani hyjnor, me detyrimin për të thënë më të mirën time. Atëherë nuk po shtiresha se po jetoja. Po e jetoja”. /Telegrafi/
]]>Filmi u përzgjodh për Festivalin e Filmit në Kanë në fillim të këtij viti, gjë që ishte veçanërisht e rëndësishme për Ambrossin dhe Calvon pasi ata ishin relativisht të panjohur jashtë Spanjës.
Pas shfaqjes në Kanë, dyshja e njohur si Los Javis ndau çmimin për regjisorin më të mirë me Pawel Pawlikowski për filmin “Fatherland”, me Netflix që fitoi tenderin për të drejtat e filmit.
– YouTube www.youtube.com
“La Bola Negra” ndjek jetët e lidhura të tre burrave gej përgjatë periudhës që nga fillimi i shekullit të 20-të, përmes Luftës Civile Spanjolle e deri në kohët moderne.
Filmi flet për dhimbjen e brezave dhe trashëgiminë queer, dhe Netflix po i jep atij 46 ditë shfaqje ekskluzive në kinema, më e gjata në historinë e kompanisë.
Ambrossi përshkroi se si u prit filmi në Kanë: “Thierry Fremaux tha: ‘E dua këtë film. Kush je ti?'”
Pritjet tani janë të larta, me filmin spanjoll prej 15 milionë dollarësh që përmendet si një pretendent i mundshëm për të sfiduar “Odisea” në garën për filmin më të mirë.
Historia fillon me personazhin e Sebastianit, të luajtur nga kantautori spanjoll Guitarricadelafuente në debutimin e tij në film.
Filmi paraqet gjithashtu poetin Federico Garcia Lorca, lufta e të cilit për identitetin, dinjitetin dhe mbijetesën homoseksuale është e lidhur me vrasjen e tij në vitin 1936.
Calvo tha se filmi është një homazh për brezat e mëparshëm të personave LGBTQ: “Ata luftuan për ne. Ata vdiqën për ne. Ne qamë në sheshxhirim çdo ditë”.
Filmi “La Bola Negra” ka arritur tashmë sukses të madh në kinematë spanjolle dhe ka vendosur rekorde për një film të pavarur.
Në shtator, filmi fitoi çmimin e publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, duke forcuar më tej statusin e tij në sezonin e çmimeve Oscar dhe potencialisht duke i hapur rrugën Netflix-it drejt fitores së tij të parë në kategorinë e filmit më të mirë. /Telegrafi/
]]>Nga: Eliot Stein / BBC Përkthimi: Telegrafi.com
Në vitin 1528, një burrë nga Maroku doli në bregdetin e Teksasit të sotëm, më shumë i vdekur sesa i gjallë. E kishte kaluar muajin e mëparshëm duke u endur në Gjirin e Meksikës, së bashku me një grup marinarësh spanjollë, në një barkë të brishtë shpëtimi, të lidhur me trungje pemësh, lëkurë kali dhe me atë që kishte mbetur prej rrobat të tyre të grisura. Kur një stuhi i la të bllokuar të mbijetuarit e përmbytjes së anijes, në një ishull pranë Galvestonit, ata pa e kuptuar u bënë njerëzit e parë nga Bota e Vjetër që hynë në Perëndimin Amerikan – dhe, kur ndodhi kjo, secili prej tyre ishte i uritur, i rraskapitur dhe i zhveshur.
Në javët që pasuan, të mbijetuarit filluan të vdisnin – një nga një. Shumë iu dorëzuan urisë, të tjerët kushteve të motit dhe disa sulmeve të fiseve indigjene. Nga rreth 600 burrat që kishin lundruar nga Spanja, një vit më parë – në këtë ekspeditë fatkeqe për të pushtuar Floridën e sotme dhe bregun e Gjirit, për Kurorën Spanjolle – vetëm katër mbijetuan: tre kapitenë spanjollë dhe, disi, marokeni i skllavëruar.
Gjatë tetë vjetëve të ardhshme, burri do të bëhej udhëheqësi de facto i grupit dhe do të niste një nga udhëtimet më të jashtëzakonshme të mbijetesës në historinë e eksplorimit. E, megjithatë, ne as emrin e tij të vërtetë nuk e dimë.
I njohur ndryshe si Esteban de Dorantes, Esteban Mauri ose – më së shpeshti – Estevanico, ky individ enigmatik ishte një nga afrikanët, folësit e arabishtes dhe myslimanët e parë të dokumentuar që shkelën në atë që sot janë Shtetet e Bashkuara, duke mbërritur gati 40 vjet para vendbanimit të parë evropian. Midis viteve 1528 dhe 1536, ai përshkoi afërsisht 2 250 milje (3 620 kilometra) drejt Perëndimit, nga Florida deri në bregun paqësor të Meksikës, duke përfunduar atë që besohet gjerësisht se ishte kalimi i parë i regjistruar i Amerikës së Veriut në histori dhe duke i paraprirë ekspeditës tokësore të Lewisit dhe Clarkut drejt bregut të Oregonit me gati 300 vjet.
Gjatë rrugëtimit, Estevanico u kap nga amerikanët vendas, mësoi gjuhët e tyre dhe u bë shërues, përpara se të udhëtonte edhe 1 300 milje të tjera (2,090 kilometra) drejt Jugut me tre të mbijetuarit e tjerë të përmbytjes së anijes – nga Gjiri i Kalifornisë deri në Meksiko-Siti. Më pas ai ndërmori një odise tjetër prej 1 500 miljesh (2 415 kilometra) drejt Veriut dhe u bë jo-amerikani vendas i parë i njohur që hyri në territorin e sotëm të Nju-Meksikos dhe Arizonës.
Estevanico ishte udhëheqësi i asaj që besohet të ketë qenë kalimi i parë i regjistruar i Amerikës së Veriut në histori(Foto: Serenity Strull)
“Estevanico ishte një nga eksploruesit më të jashtëzakonshëm, por të anashkaluar, në historinë e hershme të asaj që më vonë do të bëhej Jugperëndimi i Amerikës,” tha Dr. Hsain Ilahiane, antropolog dhe eksplorues në Universitetin e Arizonës, i cili ka kaluar vite duke studiuar eksploruesin. “Ai ndihmoi në hapjen e rrugëve, shtigjeve dhe njohurive gjeografike që më vonë orientuan depërtimet spanjolle [në Perëndimin e sotëm të Amerikës].”
Megjithatë, shumica e njerëzve nuk kanë dëgjuar kurrë për të – madje as në ShBA.
Tani, ndërsa ShBA-ja feston 250-vjetorin e saj dhe kthen vështrimin te origjina e saj, një numër gjithnjë e më i madh i muzeve, vizitave dhe monumenteve në të gjithë vendin po nxjerrin në pah trashëgiminë e tij pak të njohur.
Odisejada e Estevanicos
Meqenëse Estevanico nuk la asnjë dokument të shkruar, historianët e kanë rindërtuar jetën e tij kryesisht përmes rrëfimeve të mbijetuara të spanjollëve që udhëtuan përkrah tij. Ai lindi në fillim të viteve 1500 në Azemur dhe u skllavërua nga fisniku spanjoll Andrés Dorantes de Carranza, i cili e mori me vete në ekspeditën Narváez të Spanjës drejt Amerikave. Meqenëse – në ekspedita zyrtare spanjolle – myslimanëve u ndalohej të udhëtonin drejt Botës së Re, Dorantesi e pagëzoi atë duke ia ndryshuar emrin në Estevanico.
Udhëtimi me pesë anije dhe 600 persona nisi në qershor të vitit 1527 dhe ishte një katastrofë që në fillim. Rreth 140 burra e braktisën ekspeditën gjatë një ndalese në Santo Domingo dhe, ndërsa furnizoheshin në Kubë, një uragan fundosi dy anije dhe vrau edhe 50 marinarë të tjerë. Ekuipazhi përfundimisht u përpoq të lundronte drejt Meksikës, por stuhitë i shtynë drejt territorit të sotëm të Sent-Petersburgut në Floridë, në prill të vitit 1528.
Një pllakë përkujtimore tregon vendin ku Estevanico dhe anëtarët e tjerë të ekspeditës Narváez zbarkuan në Floridë(Foto: Florida Department of State)
Më pas, udhëheqësi i ekspeditës, Panfilo de Narváez, urdhëroi Estevanicon dhe disa qindra burra të marshonin drejt Veriut për të eksploruar brendësinë e Floridës. Pasi përshkuan me shumë vështirësi rreth 300 milje (480 kilometra) – nëpër këneta të mbushura me mushkonja – deri në atë që sot është Sent-Marks, në Floridë, dhe pasi ranë në pritë nga amerikanët vendas apalaçi, Estevanico dhe spanjollët e mbetur ishin aq të shkatërruar dhe të dëshpëruar, sa therën dhe hëngrën kuajt e tyre të fundit, ndërtuan pesë trape të improvizuara dhe lundruan përgjatë bregdetit me shpresën për të arritur në Meksikën e sotme.
Ndërsa burrat lëviznin të shtyrë nga rrymat drejt Perëndimit, ata u bënë udhëtarët e parë jo-indigjenë që panë grykëderdhjen e lumit Misisipi. Por, të njëjtat stuhi që përmbysën përfundimisht trapet e tyre pranë Galvestonit, do të vrisnin dy të tretat e spanjollëve të mbetur, përfshirë vetë Narváezin.
Ashtu si shumë nga të mbijetuarit e tjerë të përmbytjes, Estevanico u kap shpejt nga amerikanët vendas. Disi, njeriu me statusin më të ulët në Botën e Vjetër, arriti të mbijetonte në Botën e Re.
“Kur rendi i Botës së Vjetër u shemb, Estevanico kishte disa përparësi. Ndryshe [nga spanjollët], ai duhej të fliste gjuhë të tjera,” tha Laila Lalami, romani i së cilës, Rrëfimi i Maurit [The Moor’s Account], bazohet te Estevanico dhe ishte finalist për Çmimin Pulitzer. “Meqenëse Azemuri ishte qytet amazig [berber] i kontrolluar nga portugezët, e dimë se ai ka të ngjarë të fliste tamazigshten, arabishten dhe portugalishten. Dhe, meqë ishte i skllavëruar nga një spanjoll, ai fliste edhe spanjisht.”
Gjatë afro pesë vjetëve të punës së rëndë nën fisin vendas Karankaua, Estevanico mësoi gjuhën e tyre të folur dhe gjuhën e shenjave që përdorej nga grupet e tjera të rajonit. Më pas, ai bashkëpunoi fshehurazi me një fis rival të tyre për t’u arratisur, së bashku me Dorantesin, ndërsa ndihmoi në lirimin e dy spanjollëve të mbetur.
Estevanico dhe tre të mbijetuarit e tjerë ecën për tetë vjet nëpër Perëndimin Amerikan(Foto: Getty Images)
Gjatë dy viteve pasuese, katër të mbijetuarit ecën nga Bregu i Gjirit deri në Gjirin e Kalifornisë, duke u mbështetur te aftësitë gjuhësore dhe përshtatshmëria kulturore e Estevanicos për t’i udhëhequr nga një komunitet vendas te tjetri.
“Ai ishte udhëheqësi i grupit – përkthyesi, ndërmjetësi, zbuluesi,” tha Ilahiane. “Ata po lëviznin në një botë të re dhe nuk dinin se ku po shkonin, ndërsa Estevanico kishte një përparësi: informacionin.”
Gjatë udhëtimeve të tyre, Estevanico takoi një tregtar vendas dhe organizoi që ata të qëndronin në komunitetin e tij. Ndërsa ndodheshin aty, një person i sëmurë iu afrua vizitorëve dhe u kërkoi ta trajtonin. Duke ndërthurur rituale të krishtera – të marra nga spanjollët – me praktika vendase që Estevanico i kishte vëzhguar, burrat arritën disi ta bindnin gruan se ishte shëruar.
Ndërsa u përhap fjala për fuqitë e supozuara shëruese të burrave, komunitetet indigjene nisën t’i kërkonin dhe madje t’i ndiqnin gjatë udhëtimit të tyre drejt Perëndimit. Estevanico udhëtonte përpara spanjollëve, për të njoftuar mbërritjen e tyre, shpesh i zbukuruar me byzylykë guacash deti në krahë, zile që tingëllonin rreth kyçeve të këmbëve dhe duke mbajtur një vegël tingëlluese të bërë nga një kungull i tharë.
“Ai ma kujton një sufist rural maroken me njohuri mjekësore, që udhëtonte nga fshati në fshat, por ai gjithashtu përvetësonte këto aspekte [kulturore] nga amerikanët vendas dhe i përdorte si mënyrë hyrjeje te fiset e tjera gjatë bredhjeve të tij,” tha Ilahiane. “Në fund, kjo do të bëhej disi tragjike për të.”
Estevanico u bë personi i parë nga Bota e Vjetër që shkeli në Arizonë dhe Nju-Meksiko(Foto: Alamy)
Shtatë Qytetet e Arta
Pasi pushtoi actekët në vitin 1521, Spanja kishte krijuar një koloni në territorin e sotëm të Meksikës qendrore dhe jugore. Ndërsa katër udhëtarët po afroheshin te Kuliakan, në territorin e sotëm të Sinaloas, ata takuan një grup kalorësish spanjollë, të cilët i çuan 1 300 milje (2 090 kilometra) drejt Jugut, në kryeqytetin e Spanjës së Re (sot Meksiko-Siti). Atje, katër të mbijetuarit e përmbytjes së anijes treguan histori për qytete të praruara diku në shkretëtirën veriore, për të cilat fiset vendase i kishin folur Estevanicos – me shumë gjasa për t’i shtyrë të huajt të vazhdonin rrugën larg fshatrave të tyre.
I përcaktuar për të gjetur këto të ashtuquajtura “Shtatë qytete të arta”, mëkëmbësi i Spanjës së Re e dërgoi Estevanicon të udhëhiqte një grup fretërish spanjollë drejt Veriut, në territorin e sotëm të Nju-Meksikos dhe Arizonës, në vitin 1539. Me stoli bruzi rreth qafës dhe pupla në flokë, Estevanico ecte përpara grupit, duke shërbyer si zbuluesi kryesor për të mbledhur njohuri mbi këto qytete legjendare nga fiset vendase. Nëse ajo që mësonte ishte mesatarisht e rëndësishme, ai u dërgonte spanjollëve një kryq të vogël përmes një lajmëtari. Nëse ishte e rëndësishme, dërgonte një kryq të mesëm. Dhe, nëse ishte shumë e rëndësishme, dërgonte një kryq të madh.
Një ditë, pak pasi u bë i pari nga Bota e Vjetër që hyri në tokën e popullit zuni, Estevanico thuhet se dërgoi një kryq që përshkruhej “sa lartësia e një njeriu”. Të ngazëllyer, spanjollët nxituan për t’iu bashkuar, vetëm për të mësuar se, kur u përpoq të hynte në qytetin më jugor nga të ashtuquajturit Shtatë Qytete të Arta, në Hauikuh, ai ishte vrarë nga vendasit zuni.
Megjithëse spanjollët nuk gjetën kurrë qytete të praruara, udhëtimi i fundit i Estevanicos i çoi ata drejt asaj që u bë e njohur si “Tierra Nueva” (Toka e Re), e cila më vonë do të bëhej qendrore për zgjerimin spanjoll në Jugperëndimin Amerikan.
“Estevanico ndihmoi në formësimin e imagjinatës gjeografike të Perandorisë Spanjolle në Amerikën e Veriut,” tha Ilahiane. “Udhëtimet e tij përhapën njohuri mbi rrugët, popujt dhe mundësitë për zgjerim në rajonet që më vonë do të bëheshin Teksasi, Nju-Meksiko, Arizona dhe më gjerë. Ky udhëtim i fundit në territorin e zunive në vitin 1539 e nxiti Ekspeditën Coronado të vitit 1540 [e cila hapi rrugën për ekspeditat dhe vendbanimet spanjolle në gjithë Jugperëndimin Amerikan].”
Nga përhapja e sëmundjeve shkatërruese dhe zhvendosja e popullsive vendase deri te vendosja e katolicizmit, praktikave kulturore dhe kulinare, ky zgjerim spanjoll do të skaliste thellësisht të ardhmen e kombit që do të vinte më pas.
Një statujë e Estevanicos, që e përkujton atë si afrikanin e parë në territorin e sotëm të Teksasit, në Ostin(Foto: Travel Texas)
“Diçka në mes”
Për shekuj me radhë, Estevanico mbeti pak më shumë se një shënim në kronikat spanjolle dhe një figurë e harruar mes amerikanëve.
“Kjo sepse eksplorimi i tij nuk lidhet me mitin themelues të Shteteve të Bashkuara,” tha Lalami. “Është një nga ato gjëra që nuk përshtaten mirë me historinë e themelimit të ShBA-së që mësohet në shkolla – për 13 kolonitë dhe njerëzit që ikën nga përndjekja në Angli.”
Por, në dekadën e fundit, muzetë, monumentet dhe vizitat në të gjithë ShBA-në kanë filluar gjithnjë e më shumë të njohin rolin e tij në historinë e hershme të kontinentit.
“Ai pati një nga udhëtimet më të jashtëzakonshme në histori – drejt së panjohurës. Dikush duhet vërtet të bëjë tashmë një film për të,” tha David Anderson, pronari i Discover Florida Tours, e cila që nga viti 2017 organizon shëtitje historike të udhëhequra në Sent-Petersburg, aty ku zbarkoi Estevanico, dhe rrëfen odisejadën e tij epike.
Në vitin 2016, një statujë bronzi shtatë këmbë (2.15 metra) e lartë e Estevanicos u ngrit pranë Kapitolit të Shtetit të Teksasit në Ostin, për të përkujtuar rolin e tij si afrikani i parë që shkeli në Teksas. Që nga viti 2022, Muzeu i Historisë së El Pasos në Teksasin Perëndimor e ka rrëfyer rrugëtimin e Estevanicos në murin e tij digjital interaktiv, dhe eksploruesi zë vend të rëndësishëm në Muzeun e Historisë së Nju-Meksikos në Santa Fe dhe në Memorialin Kombëtar Koronado në Arizonë.
“Ky është një person që bëri diçka vërtet të jashtëzakonshme,” tha Diana Abouali, drejtoresha e Muzeut Kombëtar Arabo-Amerikan në Dirborn, Miçigan. “Në muze e paraqesim atë në fillim të ekspozitës sonë, Ardhja në Amerikë, për të treguar se folësit e arabishtes nuk janë të rinj në këtë vend. Gjuha dhe kultura arabe kanë qenë – në atë që sot janë Shtetet e Bashkuara – për një kohë shumë, shumë të gjatë.”
Për Lalaman, ajo që e bën Estevanicon kaq të rëndësishëm nuk është vetëm ajo që ai bëri – por, ajo që ai përfaqëson.
“Ai ishte afrikani i parë që përshkoi Amerikën e Veriut, por ajo që e bën kaq magjepsës është pozicioni i tij: ai nuk erdhi në ShBA si pushtues dhe nuk ishte pjesë e njerëzve që u pushtuan. Ai ishte diçka në mes,” tha ajo. /Telegrafi/
]]>Ukraina ka deklaruar më herët se nuk do t’i dorëzojë Rusisë territore të tjera, por ka lënë të kuptohet se ngrirja e konfliktit përgjatë vijave aktuale të frontit mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje paqeje.
Ky vlerësim vjen në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet ta rikthejë Moskën në negociata përmes lëshimeve të reja. Sipas Reuters, të dërguarit e presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u kanë thënë zyrtarëve ukrainas gjatë një takimi në Miami të premten se marrëveshja për lejimin e eksporteve ruse të naftës dizel është pjesë e përpjekjeve për rifillimin e negociatave.
Sipas dy burimeve të njohura me takimin, Witkoff dhe Kushner u kanë thënë përfaqësuesve ukrainas se Putini aktualisht nuk është i gatshëm të negociojë për përfundimin e luftës, e cila po vazhdon prej katër vjetësh e gjysmë. Megjithatë, marrëveshja për naftën dizel mund të ndihmojë në rifillimin e bisedimeve trepalëshe.
Një burim tjetër tha se pala amerikane beson se kjo marrëveshje mund ta zbusë qëndrimin e Moskës, pasi i dërgon sinjalin se Trump është i hapur për bashkëpunim me Rusinë.
Sipas marrëveshjes, Rusia do të furnizojë tregjet amerikane dhe ato ndërkombëtare me më shumë se 2.25 milionë fuçi naftë dizel. Disa ligjvënës amerikanë e kanë kritikuar këtë vendim, duke argumentuar se ai i siguron Moskës të ardhura për vazhdimin e luftës, pa e detyruar Putinin të bëjë lëshime.
Trump e ka mbrojtur marrëveshjen, duke thënë se ajo do të ndihmojë në uljen e çmimeve të energjisë në SHBA. Megjithatë, disa ekspertë vlerësojnë se sasia shtesë e naftës është më e vogël se konsumi njëditor i sektorit amerikan të transportit.
Gjatë takimit në Miami, Kushner përsëriti kërkesën e Trumpit që Ukraina t’i ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse. Sipas njërit prej burimeve, ideja ishte që Uashingtoni t’i tregonte Moskës se Ukraina i kishte ndalur sulmet dhe se SHBA-ja kishte bërë një lëshim ekonomik, duke pritur që Rusia të ndërmerrte një hap në këmbim.
Megjithatë, zyrtarët ukrainas ishin skeptikë ndaj kësaj qasjeje, të cilën e shohin si përpjekje për ta kënaqur Rusinë përmes marrëveshjeve ekonomike.
Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje zyrtare. Ukraina, megjithatë, ka shprehur gatishmërinë për një armëpushim në sektorin energjetik, nëse Rusia vepron në të njëjtën mënyrë.
Trump njoftoi të dielën për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, por palët ndërluftuese nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht atë. Të hënën, Rusia sulmoi objektiva energjetike në Ukrainë, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë propozimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një armëpushim të plotë 60-ditor.
Zelensky e cilësoi marrëveshjen për naftën dizel si një vendim të dobët të SHBA-së dhe si një dhuratë për Putinin. Ndërkohë, Trump deklaroi se Zelensky kishte pasur shumë mundësi për t’i dhënë fund luftës dhe se Ukrainës i nevojitet një president i ri. /Telegrafi/
]]>Të dhënat preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se remitencat kanë arritur në 984.1 milionë euro, duke konfirmuar peshën e madhe që paratë e mërgimtarëve vazhdojnë të kenë në ekonominë e vendit.
Banka Qendrore e Kosovës në një intervistë për Telegrafin bën të ditur se Gjermania dhe Zvicra vazhdojnë të jenë dy shtyllat kryesore të remitencave të diasporës në Kosovë.
Telegrafi: Sa është vlera totale e remitencave të pranuara në Kosovë gjatë vitit 2026 deri më tani dhe si krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit 2025?
BQK: Bazuar në të dhënat preliminare të publikuara për remitancat në Kosovë, vlera totale e pranuar gjatë periudhës janar-gusht 2026 është 984.1 milionë euro. Vlera për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka qenë 922.0 milionë euro, duke përfaqëson rritje vjetore prej 6.74%.
Telegrafi: Nga cilat shtete vjen pjesa më e madhe e remitencave dhe a ka pasur ndryshime në strukturën e vendeve prej nga dërgohen paratë? Ku qëndron Zvicra me dërgimin e remitencave në Kosovë?
BQK: Gjatë viteve, Gjermania ka mbajtur pozitën dominuese, me një pjesëmarrje që në shumicën e periudhave lëviz ndërmjet rreth 35% dhe 44% të remitencave totale. Ndërkohë, Zvicra renditet e dyta, me një pjesëmarrje që kryesisht ka lëvizur ndërmjet 16% dhe 24%.
Sa i përket ndryshimeve në strukturën e vendeve prej nga dërgohen remitencat, nuk vërehen ndryshime të mëdha në renditjen e vendeve kryesore.
Gjermania dhe Zvicra mbeten burimet kryesore, ndërsa vendet si SHBA, Austria, Belgjika, Franca, Italia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar vazhdojnë të japin kontribute të rëndësishme, por shumë më të vogla në krahasim me dy vendet kryesore.
Telegrafi: Cilat janë kanalet kryesore përmes të cilave diaspora dërgon para në Kosovë dhe sa ka ndryshuar përdorimi i kanaleve digjitale vitet e fundit?
BQK: Bazuar në të dhënat preliminare të remitancave sipas kanaleve, agjencitë për transfer të mjeteve janë kanali kryesor përmes të cilit diaspora dërgon remitenca në Kosovë. Gjatë periudhës janar-gusht 2026, pjesëmarrja e këtij burimi në total remitencat është 56%.
Kanalet bankare renditen të dytat për nga rëndësia, me pjesëmarrje prej 18% gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Ndërsa pjesa e mbetur është dërguar përmes kanaleve të tjera, të cilat përfshijnë kryesisht transferet informale, remitencat në mallra dhe format e tjera të dërgimit të mjeteve.
Telegrafi: Sa e varur mbetet ekonomia e Kosovës nga remitencat dhe cili është ndikimi i tyre në konsumin, kursimet dhe investimet e familjeve kosovare?
BQK: Remitencat vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Në vitin 2025, vlera e tyre përfaqëson rreth 13% të BPV-së nominale, duke dëshmuar rëndësinë e tyre si burim i të ardhurave për një numër të madh familjesh. BQK nuk disponon studime specifike që matin ndikimin e remitencave në konsum, kursime dhe investime në nivel të familjeve.
Në përputhje me standardet ndërkombëtare të statistikave të Bilancit të Pagesave, BQK i regjistron remitencat si transfere personale ndërmjet ekonomive familjare rezidente dhe jorezidente.
Për nga natyra, këto transfere shërbejnë kryesisht si mbështetje financiare për ekonomitë familjare dhe mund të përdoren për konsum, investime ose nevoja të tjera individuale. Megjithatë, BQK nuk disponon të dhëna statistikore të detajuara mbi destinimin përfundimtar të mjeteve të dërguara nga diaspora. /Telegrafi/
]]>Pse mjekët ndonjëherë bëjnë test për d**** në një grua shtatzënë ose te foshnja e porsalindur?
Dikush mund të mendojë se kjo bëhet sepse nëna nën ndikimin e drogave mund ta ketë të vështirë të kujdeset për foshnjën, ose për shkak të komplikimeve të mundshme shëndetësore për një foshnjë që është ekspozuar ndaj drogave ose alkoolit.
Jo, thotë avokatja aktiviste Miriam Mack: Kjo ndodh sepse testimi për d**** “është kaq efektiv në arritjen e asaj që ky vend ka synuar gjithmonë, që është ruajtja e një hierarkie shoqërore [dhe] e supremacisë së bardhë”.
Mack, këshilltare e lartë ligjore në Lëvizjen për Fuqizimin e Familjes [Movement for Family Power], e bëri këtë pohim muajin e kaluar në [raportin] “Nga salla e lindjes në sallën e gjyqit: Vlerësimi dhe kundërshtimi i provave të testeve për d****”, një uebinar [seminar në internet] për avokatë dhe profesionistë të mjekësisë.
Në të ajo gjykoi sistemin tonë aktual të mirëqenies së fëmijëve (ose sistemin e “ndarjes së familjeve”, siç e quajti ajo) si ekuivalentin modern të “skllavërisë së njerëzve si pronë”, shkollave me konvikt për indianët dhe trenave të jetimëve.
“Eugjenika … vazhdon të përcaktojë se cilët njerëz Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të denjë për autonomi riprodhuese, dinjitet, krijimin e familjes dhe integritetin familjar”, deklaroi ajo.
Ideologjia radikale konspirative e Mackut është mjaft e keqe.
Edhe më keq është se kjo është dëshmi se aktivistët vazhdojnë të shtyjnë idenë se përdorimi i drogave gjatë shtatzënisë është çështje e vogël që duhet t’u fshihet autoriteteve shëndetësore dhe atyre të mirëqenies së fëmijëve.
Ndër këta aktivistë janë Qendra Përlmater për Drejtësi Ligjore [Pearlmutter Center for Legal Justice] në Shkollën Juridike Kardozo [Cardozo Law School] dhe Aleanca për Politikën e Drogave [Drug Policy Alliance] e financuar nga George Sorosi – sponsorë të uebinarit.
Ndër ata që folën ishte Mishka Terplin nga grupi Veprimi i Drejt që nga Lindja [Doing Right by Birth], e cila u ankua për rezultatet e rreme pozitive – të përhapura gjerësisht – të testeve për d**** (për shkak të ngrënies së një bageli me fara lulekuqeje ose të një epidurali të administruar gjatë lindjes), të cilat, sipas saj, çojnë rregullisht në largimin e një të porsalinduri nga kujdesi i nënës.
Harroje këtu përdorimin e testeve dytësore për të konfirmuar saktësinë e një testi depistues.
Për më tepër, është i sajuar pretendimi i saj se shtetet i largojnë automatikisht fëmijët dhe i vendosin në kujdestari sociale pas një rezultati pozitiv në testin për d****.
Një rezultat pozitiv i konfirmuar ka më shumë gjasa të çojë në përfshirjen e nënës në trajtim për varësinë, së bashku me kontrolle të rregullta nga shërbimet e mirëqenies së fëmijëve.
Terplin argumentoi se regjimi ynë aktual i testimit të nënave për d**** është rezultat i panikut rreth “foshnjave të nënave që kanë përdorur d****” – një “mit racist”, siç pretendoi ajo.
Ajo tha se shqetësimet për përdorimin e drogave nga nënat arritën kulmin në vitin 2003, kur ligji federal kërkoi për herë të parë që ofruesit e kujdesit shëndetësor të njoftonin autoritetet nëse një foshnjë lindte me shenja të ekspozimit prenatal ndaj drogave.
Por, ajo anashkaloi faktin se ky shqetësim u rrit për shkak të epidemisë së opioideve – e cila në vitin 2003 po prekte kryesisht familjet e bardha.
Në të vërtetë, një hetim i Reuters-it atë vit nxori në pah 110 raste ku “foshnja dhe fëmijë të vegjël, nënat e të cilëve kishin përdorur opioide gjatë shtatzënisë … më vonë vdiqën nga vdekja që mund të ishte parandaluar” – dhe të gjithë fëmijët e paraqitur në artikull ishin të bardhë.
Secili fëmijë “u përmirësua mjaftueshëm sa të dilte nga spitali”, vinte në dukje raporti.
“Ajo që vulosi fatin e tyre ishte dërgimi në shtëpi te familjet e papërgatitura për kujdes të tyre”.
Sot vlerësohet se çdo vit lindin 500 mijë foshnja të ekspozuara ndaj substancave.
Të gjitha ato foshnja kanë gjasa dukshëm më të larta për të përjetuar abuzim, neglizhencë dhe vdekje pasi dërgohen në shtëpi.
Por, kjo, sipas aktivistëve, nuk ka rëndësi: vetëm racizmi mund të jetë shkaku që qëndron pas testeve për d**** te foshnjat.
Dhe, veprimtaria e tyre lobuese prapa skenave i ka shtyrë spitalet dhe shtetet ta dobësojnë këtë kërkesë thelbësore për sigurinë e fëmijëve.
Spitali i Bostonit [Mass General Brigham Hospital] i ka dekurajuar profesionistët e mjekësisë që t’i raportojnë nënat, me rezultat pozitiv në test, te agjencia shtetërore e mirëqenies së fëmijëve.
Në vitin 2020, Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Nju-Jorkut nisi një hetim për të përcaktuar nëse spitalet private po shënjestronin nënat shtatzëna dhe të porsalindurit me ngjyrë dhe hispanikë për testim për d****; pak më vonë, spitalet publike të qytetit i bënë këto kontrolle në mënyrë vullnetare.
Në Nju-Meksiko, një ligj i vitit 2019 bëri që nënat të dërgoheshin rregullisht në shtëpi me të porsalindur të ekspozuar ndaj substancave – pa asnjë ndërhyrje tjetër përveç një “plani vullnetar për kujdes të sigurt”; gjatë dy viteve pasuese, një foshnjë në muaj vdiq si pasojë e helmimeve aksidentale, vdekjeve të lidhura me gjumin e pasigurt ose formave të tjera të abuzimit dhe neglizhencës.
Është e habitshme se sa shpejt përkrahësit e legalizimit, të financuar prej grupeve si Aleanca për Politikën e Drogave, kaluan nga argumenti se d**** është zgjedhje legjitime për të rriturit që nuk e dëmton askënd tjetër – te lufta për të drejtën e një gruaje shtatzënë që të abuzojë lirisht me d****, pa asnjë shqetësim për gjendjen e foshnjës së saj.
Por, muajt e fundit, guvernatorja progresiste e Nju-Meksikos, e cila e nënshkroi në ligj politikën e butë të shtetit, ka shprehur keqardhje.
“Ne po i dërgonim në shtëpi – pasi ishin mjaftueshëm mirë për të shkuar atje – foshnjat nën kujdesin e prindërve me varësi të rëndë nga d****, të cilëve nuk u kërkohej të merrnin asnjë shërbim apo të trajtoheshin për varësinë e tyre”, tha guvernatorja Michelle Lujan Grisham në shkurt.
“Tani, unë nuk e di nëse ka ndonjë recetë më të sigurt për katastrofë në Amerikë sesa kjo”. /Telegrafi/
]]>Familjet e mëdha shqiptare kanë mundur të përcjellin nëpër dhimbje pa fund e luftëra shekullore, dinjitetin moral të papërlyer. Ashtu si ahu i një peme, ato kanë mbrojtur trungje dhe degë përballë stuhive, duke i ushqyer me shqiptarizmin e mbrojtur në shekuj. Këto familje të vyera, këto dyer të mëdha, kanë qenë dhe mbeten interprete të historisë së kombit tonë, histori e mbushur me disfata e fitore njëherësh. Në këtë yllësi të nacionalizmit shqiptar, padyshim familja e Toptanasve zë një vend të shquar. Ndër pinjollët e kësaj familjeje, Said Toptani do të njihej sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ndonëse i ardhur prej një familjeje që zotëronte pothuaj gjysmën e tokave të Tiranës, Saidi do të përkrahte vegjëlinë shqiptare, në të ashtuquajturat lëvizje kundër Tanzimatit.
Taksat e reja që Porta e Lartë donte t’u vinte shqiptarëve, ishin të tjera brenga e vuajtje për kombin që vuante varfërinë e tejskajshme në natën e gjatë osmane. Dalja publike e Said Toptanit kundër reformave të ndërmarra nga Stambolli, bëri që ky të internohej në qytetin e vogël Aka të Turqisë, së bashku me familjen. Pikërisht në këtë qytet, më 14 mars 1867, u lind Murati, djali i parë i Saidit. Disa vite më pas, me ndërhyrjen e Sami Frashërit, Said Toptani u lejua të shkonte në Stamboll. Këtu familja e tij do të ishte në kontakte thuajse të përditshme me familjen e shquar të Frashërllinjve, të cilët jo vetëm mbanin të ndezur në shpirt ndjenjat liridashëse, por përpiqeshin me çdo mjet e mënyrë për t’ia përcjellë ato ndër bashkëkombës të tjerë.
– Lexo po ashtu:Dëshmia e baroneshës gjermane për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë
Mësimet e para ai i mori në turqisht, ndonëse në shtëpi flitej vetëm gjuha shqipe. Por, shkrimi i saj ishte ende i vështirë, sidomos në Stamboll, në zemrën e Perandorisë Osmane. Pas kësaj, në vitin 1878, Murati vijoi mësimet në kolegjin “Madam Fyres” të Stambollit, të njohur për cilësinë e lartë të mësimdhënies, si dhe për formimin e plotë në rrafsh të dijeve që përvetësoje. Kur Said Toptani u lejua të shkonte në Shqipëri, ai nuk e hoqi Muratin nga shkolla. Përkundrazi, me këshillën e Samiut, e la djalin që të frekuentonte shkollën, duke ndenjur në shtëpinë e Frashërllinjve. Ky rast i lum bëri që Murati i vogël të merrte më shumë dije pranë Naimit dhe Samiut, sesa pranë mësuesve turq të “Madam Fyres”.
Aty, në vatrën e shqiptarizmës, Murati u njoh jo vetëm me gjuhën, traditat, historinë e kulturën shqiptare, por edhe me rrugën e pushkës e të pendës që dhjetëra patriotë të mëdhenj shqiptarë kishin zgjedhur për autonominë e viseve shqiptare. “Në bankat e shkollës dhe në ambientin familjar, Murat Toptani njohu vajzën e poetit kombëtar Naim Frashëri, zonjën Asie, me të cilën më pas u martua”. (“Ata që shpallën pavarësinë kombëtare” – Tiranë 1997, faqe 146). Po në këto vite, Murati do të njihej për së afërmi edhe me atdhetarë të tjerë të shquar si Hoxha Tahsimi, Ibrahim Temo, Ferhat Draga, Shahin Kolonja. Njëherazi, ai do të ishte miku i ngushtë i Mid’hat Frashërit, me ç’rast e shoqja Asia do të kishte në vend të vëllait. Vite më vonë, kur të dy këta do të mbanin mbi supe hallet e Shqipërisë, një letërkëmbim padyshim që do t’i bashkonte kudo ku ndodheshin. Ndriçimi i këtij letërkëmbimi, padyshim që do të hedhë mendime dhe hipoteza të reja për historinë e Shqipërisë, sidomos në fillim të shekullit XX.
Në vitet 1884-1888, Murati ndjek mësimet në Stamboll, në fakultetin e shquar të “Gallata Saraj”, ku përpos dijeve në rrafsh të të drejtave ndërkombëtare, do të mbronte me sukses edhe gjuhët: frëngjisht, turqisht, arabisht, persisht dhe gjermanisht. I prirur të rrinte deri në orët e vona duke studiuar, falë vullnetit të papërkulur, ai filloi edhe të përkthejë në gjuhën shqipe, duke patur kurdoherë pranë ndihmën e pakursyer të vjershëtorit dhe atdhetarit Naim Frashëri. Në vitin 1895, pas martesës me Asien, Murat Toptani vendos të shkojë në Tiranë, pavarësisht se atë e priste një karrierë e shkëlqyer në hierarkinë e Perandorisë Osmane, por pinjolli i shquar i Toptanasve preferoi të shkonte në vendlindjen e tij, në Tiranën e mbushur me mushkonja, mjerim, pa drita e rrugë, të fshehur mes ferrave dhe baltës.
Që në muajt e parë vendoset në shtëpinë e madhe të prindërve dhe nis punën për përhapjen e gjuhës shqipe, sipas metodës së mësuesve-shëtitës. Shtatlartë, me vështrim të mprehtë, tejet energjik, Murat Toptani do të merrte rrugët e Shqipërisë, duke dashur të përhapë deri në fshatin më të largët gjuhën e bukur shqipe. Falë emrit të nderuar të të atit, Saidit, kudo ku shkonte në Durrës, në Krujë, Mirditë e Lezhë, njerëzit e prisnin me dashuri. Por, kur ky rrëfente qëllimin dhe mblidhte fshehurazi fëmijë për t’u çelur sytë, atëherë shqiptarët e rrethonin me një dashuri të pashoq. Në një prej raporteve sekrete që konsulli rus në Manastir i dërgonte Peterburgut më 26 nëntor 1896, pos emrave të tjerë rendiste edhe Murat Toptanin, i cili “po jep një kontribut të veçantë për të futur gjuhën shqipe në shkollat turke, aktuale”. (Arkivi Qendror i Shtetitm Tiranë. Fondi “Dokumenta para vitit 1912”, dosja 17, fleta 4)
Në vjeshtën e vitit 1897, Porta e Lartë ndërmori një varg masash të rrepta ndaj “rebelimeve” të shfaqura në vilajetet shqiptare: midis këtyre masave, hafijet turke kishin përpiluar edhe listën e atdhetarëve shqiptarë, të cilët sipas tyre ishin shkaktarët kryesorë të këtyre “rebelimeve”. Merret lehtësisht me mend se në krye të kësaj liste figuronte emri i Murat Toptanit, i cili me dekret të veçantë të Stambollit u internua në Tripoli të Libisë. Kundërshtimet e vegjëlisë në Tiranë, Shkodër e më gjerë kësaj radhe ranë në vesh të shurdhër, madje edhe përpjekjet e Naimit në Stamboll nuk u përfillën. Tashmë lajmi u përhap jo vetëm në vilajetet shqiptare, por edhe më tej. Në ditët e para të vitit 1898, shtypi shqiptar i kohës do të shkruante: “Kartat që na vijnë andej, thonë se Turqia zuri Murat Beun dhe do ta bëjë syrgjyn”. (Gazeta “Shqipëria”, nr. 40, Bukuresht, janar 1898)
Fillimisht, Murat Toptani dërgohet në burgun e Kalipojës dhe pas disa kohe në atë të Tripolit. Tashmë për qindra shqiptarë që jetonin në Tripoli, i burgosuri Murat Toptani ishte “mësuesi” i gjuhës shqipe, ndaj nuk mund të rrinin të qetë. Kur e panë se protestat e njëpasnjëshme u shpërfillën prej Portës së Lartë, pikërisht këta atdhetarë shqiptarë paguan disa roje turke të burgut, duke nxjerrë bashkëkombësin e tyre të shquar nga qelia. Më pas, me ndihmën e fqinjëve të vet, Murati largohet nga Tripoli dhe vendoset në Itali, jashtë rrezikut për jetën. Këtu menjëherë bie në kontakt me drejtorin e revistës “La Nazione Albanese”, z. Anselmo Lorecio, mik i madh i shqiptarëve. Në gushtin e vitit 1898, boton në revistën në fjalë shkrimin me titull “Shqipëria e shqiptarëve”, i cili në të vërtetë është një manifest politik.
Pasi tregon prejardhjen e kombit të vet, Toptani në këtë manifest bën me dije opinionin italian dhe më gjerë se populli shqiptar ka treguar se ka prirje të luftojë për lirinë dhe autonominë e vet. Ai shpreh bindje se luftërat e Gjergj Kastriot Skënderbeut, në mbrojtje të viseve shqiptare, por edhe të qytetërimit evropian, nuk mund të jenë rastësi, por kanë buruar prej shpirtit liridashës të bashkëkombësve të vet. Është kjo arsyeja, përfundon ky manifest politik, që unë besoj se “Shqipëria ka për të qenë kurdoherë vetëm e shqiptarëve, edhe pse mund të paguhet me çmim të lartë. Kurrë nga jeta e shqiptarëve s’u del shpresa dhe dëshira e lirisë”.
Në fillim të shekullit XX, Murat Toptani endet nëpër Itali dhe Evropë. Bashkëpunon me disa prej gazetave që atdhetarët shqiptarë botonin në ato kohëra, duke u përpjekur për çështjen kombëtare. Por, gjen kohë të punojë edhe për përkthime apo krijime të veta, sidomos në poezi. Njihet së afërmi me kulturën evropiane, me ç’rast guxon të merret edhe me pikturë apo skulpturë. I pajisur me një kulturë të thellë dhe shumëplanëshe, edhe përmes kësaj periudhe krijimtarie, don të zgjojë vetëdijen e fjetur të bashkëkombësve të vet. Në një prej informacioneve të atyre kohërave, konsulli Von Ciedenek njofton Vjenën pos të tjerave se “Murat Toptani vazhdon të propagandojë autonominë e vendit të vet”. (Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. Fondi i dokumenteve të Vjenës, dokumenti 176)
Gjatë këtyre viteve, vlen të merret në konsideratë dhe bashkëpunimi i tij me atdhetarin tjetër të shquar, Faik Konicën, i cili boton në Bruksel gazetën “Albania”, me ç’rast bashkëpunimi në rrafsh të publicistikës nuk mungoi. Pas udhëtimesh të gjata, kthehet sërish në Tiranë, por Porta e Lartë, e cila ka ndjekur veprimtarinë atdhetare të tij, e arreston dhe e dërgon kësaj radhe në burgun famëkeq të Çanak-Kalasë. Është dashur sërish ndërhyrja e atdhetarëve shqiptarë pranë Sulltanit që ky të lirohet, por “pa patur të drejtë të shkojë në Shqipëri apo të bëjë propagandë, kudo ku ndodhet”. Kur ndodhej i internuar në Kolonjë të Turqisë, aty u dërgua si vali i qytetit Ferid Pasha, miku i madh i Frashërllinjve. Ky e pati njohur qysh më parë Muratin dhe me reputacionin që gëzonte, mundi ta heqë nga lista e të internuarve, madje duke njohur prirjet e tij si piktor apo skulptor, e ngarkoi në punët komunale për zbukurimin e qytetit.
Kështu, Murat Toptani do të shpaloste krejt talentin e vet, duke i dhënë qytetit të Kolonjës një fytyrë tjetër dhe duke fituar me këtë rast admirimin e mjaft qytetarëve. Por, ky aktivitet nuk e pengoi për asnjë çast patriotin e madh që të mbante lidhjet shpirtërore me atdheun e vet. Vazhdon të këmbejë letra me Mid’hat Frashërin, Ibrahim Temon, Faik Konicën dhe Josif Bagerin, takohet shpesh me atdhetarë shqiptarë në Stamboll dhe është përkrahës i flaktë i lëvizjes autonomiste shqiptare, e ideuar prej Komitetit të Fshehtë të Manastirit. Pasi mbaron kohën e internimit, vendoset sërish në Stamboll, por kur e kupton se vendi i tij nuk ishte aty, i ndjekur këmba këmbës nga hafijet e Sulltanit, i sigurt se nëse do të kapej sërish e priste plumbi, Murat Toptani pranon më mirë të vdesë në atdhe, atje në fushëbetejë, sesa nëpër bodrumet e Çanak-Kalasë. Duke përfituar edhe nga premtimet e Turqve të Rinj, në fillim të vitit 1908 shkon në Tiranë dhe, energjik siç ishte, brenda pak javësh çel në shtëpinë e madhe të tij, në zemër të Tiranës, shkollën e parë shqipe për këtë qytet.
Ai në këtë aksion human kombëtar pati edhe përkrahjen e dhjetëra patriotëve të tjerë të Tiranës, por gjithsesi çelja publike e shkollës në katin e sipërm të shtëpisë rrezikonte së tepërmi jo vetëm shtëpinë, por edhe zotërit e saj. Një vit më pas, kur Turqit e Rinj filluan operacione ndëshkimore ndaj lëvizjes kombëtare shqiptare, ishin atdhetarë tiranas të bashkuar si grusht, të cilët u armatosën duke mbrojtur me jetën e tyre shtëpinë e shenjtë, e cila ishte shndërruar në vatër të arsimit të shkollës shqipe. Ishin po këta atdhetarë që mbajtën të fshehur për muaj me radhë, në rrethina të Tiranës dhe Krujës, mësuesin e shqipes dhe burrin trim Murat Toptanin, prej ndjekjeve të qeverisë turke. Kanë qenë pikërisht veprimtaria dhe sakrifica të këtij burri në shërbim të kombit të vet, me ç’rast në kuvendet e popullit të Tiranës, në nëntorin e vitit 1912, në mënyrë unanime ai zgjidhet përfaqësues i këtij qyteti për ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë, si dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar.
Në ditët e para të nëntorit, Murat Toptani thirret në Durrës prej kushëririt të tij, Esat Pashë Toptanit, madje i premtohet pasuri e ofiqe nëse ai do të luftonte kundër Ismail Qemalit. Murat Toptani jo vetëm që nuk pranon oferta të tilla të turpshme, por ia përplas në sy kushëririt të tij flirtet që ai pat bërë e bënte me qarqet antishqiptare brenda dhe jashtë vilajeteve shqiptare. Kështu që, Esat Pashë Toptani, duke mos gjetur as përkrahjen ndër njerëzit e vet, ai shkoi në Vlorë dhe mbështeti sa për sy e faqe qeverinë e parë shqiptare. Por, vetëm pak muaj më pas, duke përdorur intriga dhe me mbështetjen e të huajve, sidomos të serbëve e francezëve, jo vetëm e sabotoi këtë shtet, por solli trazira të papara ndonjëherë në vitet 1913-1915.
Murat Toptani ishte ndër të parët që priti plakun Ismail Qemalin në molin e Durrësit, ai pati paguar edhe dhjetëra vullnetarë tiranas, të cilët do ta përcillnin atdhetarin dhe diplomatin vlonjat nëpër baltat dhe shirat e Myzeqesë. Kështu, patrioti tiranas do të hynte kryelartë në Vlorën heroike, duke u takuar e përqafuar me dhjetëra e dhjetëra burra të tjerë që po dilnin zot fateve të kombit të tyre. Lidhur me ditën e parë të Kuvendit të Vlorës, shtypi shqiptar i asaj kohe do të shkruante: “Kuvendi Kombëtar i mbledhur prej delegatëve të të gjitha viseve të Shqipërisë këtu në Vlorë, u hap sot në orën katër pas dreke në shtëpi të z. Xhemil Beut. Zoti Ismail Qemal Beu, si nismëtari i parë i mbledhjes, mori fjalën dhe u tregoi delegatëve qëllimin e Kuvendit, domethënë që të përpiqen së bashku e të marrin masat e nevojshme për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i madh që ndodhet sot. Si e kërkon rregulla e zakoni, u nis pastaj vërtetimi i kartave të delegatëve, emrat e të cilëve janë këta … Nga Tirana, zotërinjtë Abdyl Bej Toptani e Murat Bej Toptani”. (Gazeta “Përlindja e Shqypnis”, viti II, nr. 6-7, datë 31 janar – 4 shkurt 1914)
Qeveria shqiptare e drejtuar nga Ismail Qemali, siç dihet, u gjend përballë vështirësive të mëdha qysh në ditët e para të shpalljes së saj. Murat Toptanit iu ngarkuan detyra të rëndësishme në arsim, me ç’rast iu desh të ngarendte në çdo cep të Shqipërisë, duke punuar si kurdoherë me energjinë karakteristike, për të vënë arsimin shqiptar mbi baza sa më kombëtare. Veçanërisht në pikëpamje të teksteve shkollore, ai dha ndihmën e vet jo vetëm duke organizuar specialistë më në zë, por edhe duke i paguar nga xhepi i tij mjaft prej hartuesve të këtyre teksteve. Murat Toptani ka qenë gjithashtu ndër të parët nismëtarë për krijimin e Akademisë së Shkencave Shqiptare, e cila do t’i paraprinte zhvillimeve ekonomike, politike dhe sociale të Shqipërisë. Edhe pse këto ide të tij quheshin prej disave në ato kohë si ëndrra, pinjolli i familjes së madhe të Toptanasve donte ta shihte vendin e vet, ndonëse të rrënuar ekonomikisht, sa më parë në Evropën e qytetëruar.
Pas rënies së qeverisë së përkohshme të Vlorës, Murat Toptani u rreshtua pranë atyre politikanëve atdhetarë që vunë mbi gjithçka interesat e kombit të tyre. Në mënyrë të veçantë, ai iu kundërvu politikës prej matrapazi të kushëririt të tij tradhtar, Esat Pashë Toptanit, si dhe lëvizjes reaksionare të Haxhi Qamilit. Ai bashkëpunoi me qarqet përparimtare shqiptare dhe, me anën e artikujve të ndryshëm publicistikë, e ngriti lartë zërin për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë në vorbullën e ngjarjeve ballkanike. Në vjeshtën e vitit 1914, ka qenë Esat Pashë Toptani i cili ka kërkuar sërish përkrahjen e kushëririt të tij, Muratit, kuptohet në dëm të interesave kombëtare. Por, kësaj radhe, Murat Toptani i ka dërguar lajm kushëririt të tij se rrugët e tyre ishin të ndara përgjithmonë: njëri në atë të nderit, tjetri në atë të turpit.
Dy javë më pas kësaj ngjarjeje, Esat Pashë Toptani pagoi disa mercenarë tiranas, të cilët rrethuan shtëpinë e Murat Toptanit. Falë disa miqve të tij, Murati dhe familja shpëtuan, ndërsa shtëpia e madhe në zemër të Tiranës, ajo shtëpi që u kontrollua e u bastis me dhjetëra herë prej pushtuesve osmanllinj, tanimë u bë shkrumb e hi nga disa shqiptarë të blerë prej Esat Pashës. Së bashku me orenditë dhe muret e lashta, rrënoheshin prej flakëve edhe mijëra libra në dhjetëra gjuhë, mijëra faqe dorëshkrimesh, apo qindra artikuj të mbledhur prej birit të Tiranës në gjithë cepat e Perandorisë Osmane. Kjo sigurisht ishte një goditje e madhe për Murat Toptanin, patriotin që ishte përpjekur në çdo minutë të jetës së vet për kombin, prosperitetin dhe ardhmërinë e tij. Pas kësaj, ai udhëtoi në Vjenë, me ç’rast nuk i ndërpreu kontaktet me diplomatë vjenez lidhur me fatet e Shqipërisë.
Mban ende lidhje me Mid’hat Frashërin, Sali Gjukën, Luigj Gurakuqin etj. Kthehet në Shqipëri në trazirat e vitit 1917 dhe 3-4 muaj më pas, mbyll sytë i trishtuar, më 20 shkurt 1918. Me mijëra ishin banorët e Tiranës që e përcillnin për në banesën e fundit mësuesin, atdhetarin, poetin, piktorin dhe skulptorin e shquar, birin e tyre gojëmbël, burrin që gjithçka pati ia falur atdheut. Disa ditë më pas, gazeta “Vllaznia”, që botohej prej studentëve shqiptarë në Vjenë, do të shkruante pos të tjerave: “Murat Toptani tregoi pa frikë në të gjitha rastet se ishte gjithmonë në anë të kombit të vet dhe me zell të pashoq u përpoq për të mirën e tij”. Burrat e mëdhenj mbyllin jetën, por jo veprat për të cilat kombi i nderon. /Memorie.al/
]]>Në takim, ai u informua se mënyra se si ajo u prit në Sofje, përfshirë njoftimet për pritjen e saj në nivel të lartë, përbën një provokim dhe minon përpjekjet për të ndërtuar besim dhe për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore.
Në të njëjtën kohë, siç raportohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, u theksua se një sjellje e tillë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin ligjor të vendit dhe dërgon mesazh seriozisht të gabuar në lidhje me respektimin e procedurave gjyqësore dhe parimin e barazisë para ligjit.
Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se do të informojë institucionet ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës./Telegrafi/
]]>