Është përmbyllur vizita katërditore e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë, i cili do të kthehet në Hagë, ku po mbahet në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Krasniqi kishte marrë leje të posaçme për të qëndruar pranë familjes, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi. Largimi i tij nga shtëpia në Prishtinë u përcoll me emocione, lot dhe përqafime me familjarët.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai u shoqërua me masa të shtuara sigurie nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
Vizita nxiti reagime solidarizuese nga deputetë e përfaqësues politikë të subjekteve të ndryshme shqiptare, përfshirë LVV-në, PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Nismën.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shprehu mbështetjen për Krasniqin dhe familjen e tij, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimi për drejtësi dhe lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së.
“Me shumë dhimbje dhe bashkëndjejë po e përcjellim ardhjen e bacës Jakup Krasniqi në Kosovë…Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm”, ka shkruar Haxhiu.
“Sot, më shumë se çdo herë më parë, jemi pranë dhe në mbështetje të zonjës Sevdije dhe bacës Jakup, në këto kohë të vështira për ta dhe për të gjithë familjen Krasniqi”, ka deklaruar deputetja tjetër e LVV-së Shqipe Selimi.
Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, i krahasoi pamjet e vizitës me skenat e filmit “Një pallto për babain tim”, duke shprehur indinjatën për atë që e konsideroi si burgosje politike.
“Kush do ta kishte menduar se, pas gjithë këtyre dekadave, pas rënies së kaq shumë dëshmorëve dhe sakrificave të panumërta për liri, do të përjetonim sërish edhe burgosje politike për vetë lirinë që gëzojmë sot?!”, ka shkruar deputeti tjetër i LVV, Ilir Kërqeli.
Edhe deputeti tjetër i LVV-së, Egzon Azemi, kritikoi krijimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “Gjykatë të padrejtësisë speciale”, ndërsa Krasniqit i uroi shëndet.
Edhe nga PDK-ja, shumë deputetë shprehën solidaritet me familjen Krasniqi, duke thënë se do të vazhdojnë përpjekjet që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë.
Ushtruesja e detyrës së kryetares, Vlora Çitaku, tha se Krasniqi dhe bashkëluftëtarët e tij nuk do të lihen vetëm dhe se do të bëjnë gjithçka që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë, të lirë dhe krenarë.
“Baca Jakup, na emocionove shumë kur të pamë sërish në Prishtinë, në përqafimin e familjes, qoftë edhe vetëm për pak orë. Mbahuni të fortë, se edhe ne nuk do t’ju lëmë vetëm”, ka shkruar Çitaku.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, theksoi se pamjet e katër ditëve të Krasniqit pranë familjes kanë prekur thellë, duke përmendur veçanërisht përqafimet dhe momentet e ndarjes.
Ai bëri thirrje që shoqëria dhe institucionet të vazhdojnë mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.
Edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, reagoi me një mesazh të shkurtër drejtuar Krasniqit:
“Baci Jakup, na fal që nuk po dimë më mirë…Çlirimtarë përjetë”.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, vuri në pah sakrificën e grave shqiptare që, gjatë luftës dhe periudhave të burgosjeve, mbajtën familjet dhe përballuan mungesën e bashkëshortëve.
“Zonja Krasniqi sot përfaqëson dhjetëra mijëra gra shqiptare që, në kohët më të vështira, mbajtën familjet, rritën fëmijët dhe përballuan dhimbjen e mungesën, ndërsa burrat e tyre ishin në burgje, përballeshin me tortura apo ishin në luftë”.
Reagime pati edhe Aleanca.
Zyrtari i saj Daut Haradinaj tha se do të kishte sakrifiku edhe nga jeta për bacin Jakup.
“Mjekrra e bardhë dhe rrudhat tua tregojnë rrugën e gjatë e të vështirë që e pati kombi ynë. S’di çka të them për ty, përpos që e kisha nda një pjesë të jetës me të zëvendësu, Baca Jakup. Burri i urtë dhe ideologu i shtetësisë sonë”, shkroi Haradinaj.
Bilall Sherifi i Nismës kritikoi atë që e cilësoi si mungesë veprimi për përfundimin e procesit, duke thënë se është koha që thirrjet për durim të zëvendësohen me veprime konkrete./Telegrafi/
]]>Nga: Tom Holland / The Guardian (titulli: King Æthelstan founded England in the year 927. Why don’t we celebrate that anniversary?) Përkthimi: Telegrafi.com
Më 4 korrik, Shtetet e Bashkuara festuan 250-vjetorin e tyre me gjithë bujën dhe shkëlqimin karakteristik të një ngjarjeje publike amerikane. Verën e ardhshme, më 12 korrik, Anglia do të festojë 1100-vjetorin e ngjarjes që, më shumë se çdo tjetër, shënoi themelimin e vendit – por, bujë dhe shkëlqim, dyshoj unë, do të ketë shumë pak.
Kthesa e madhe ndodhi më 12 korrik 927, pranë lumit Imënt [Eamont], në atë që sot është Kambria [Cumbria]. Këtu, mes një natyre të egër me male dhe liqene, mbreti më i fuqishëm në Britani kishte thirrur mbretër dhe lordë të tjerë nga gjithë ishulli për t’u takuar me të në një samit.
Ethelstani [Æthelstan] ishte nipi i Alfredit të Madh [Alfred the Great], trashëgimtari i një dinastie që, deri në vitet 920, kishte arritur të sundonte të gjitha tokat në jug të Hamberit [Humber]. Ky grumbullim i fuqishëm territoresh ishte fryt i fitoreve të përsëritura mbi vikingët: një popull pagan, jashtëzakonisht luftarak dhe i dhënë pas praktikave të liga, si larja e trupit çdo javë.
Në vitin 925, kur Ethelstani ishte kurorëzuar pranë Temzës në Kingston, një viking ende sundonte në Jork [York] dhe pjesa më e madhe e Northambrisë [Northumbria] – dikur më e shkëlqyera nga mbretëritë anglosaksone – mbetej nën sundimin e tij. Por, kur në pranverën e vitit 927, ky mbret nordik i Jorkut vdiq papritur, Ethelstani e shfrytëzoi rastin. Ai u shfaq para mureve të qytetit të lashtë dhe nuk kishte askënd që t’i rezistonte. Zotërit e Northambrisë iu nënshtruan siç duhej Ethelstanit si kryezotit të tyre. Për herë të parë, të gjitha tokat e ndryshme ku flitej anglisht – tokat e anglëve dhe të saksonëve – ishin shtyrë të pranonin një mbret të vetëm. Një çast vendimtar, sepse kishte shënuar lindjen e një rendi të ri politik: mbretërinë e bashkuar të asaj që së shpejti do të njihej si “Englalonde” [Angli].
Takimi i samitit në Imënt u mbajt për ta solemnizuar këtë rend të ri. Aq frikësues ishte autoriteti i Ethelstanit saqë “të gjithë mbretërit e ishullit u vunë nën sundimin e tij”. U bë nënshtrimi; u premtuan pagesat e kontributeve; u dhanë betimet se nuk do të kishte më kurrë marrëdhënie me “vikingët paganë”. Këto betime, siç doli, nuk do të mbaheshin gjatë. Princat e Uellsit dhe Skocisë e kundërshtonin pretendimin e Ethelstanit për të sunduar si rex totius Britanniae – mbreti i gjithë Britanisë. Vdekja e tij në vitin 939 ua mundësoi atyre t’i shpëtonin sundimit të trashëgimtarëve të tij.
Por, mbijetoi mbretëria e bashkuar e Anglisë, e siguruar nga Ethelstani në vitin 927. Nuk kishte asgjë të paracaktuar në shfaqjen e saj. Sikur Ethelstani të mos e kishte shfrytëzuar rastin në vitin 927, atëherë konturat politike të Britanisë fare lehtë mund të kishin përfunduar shumë ndryshe. Nuk është e tepruar të përfytyrohet një mbretëri anglo-vikinge, e sunduar nga Jorku, duke lëshuar rrënjë të përhershme. Trashëgimtarët e Alfredit atëherë do të ishin kufizuar në Sauthambri [Southumbria], ndërsa mbretërit e skocezëve në Malësi [Highlands]. Ngjarjet e vitit 927 ishin, në këtë kuptim, krijimi i Skocisë po aq sa edhe i Anglisë.
Meriton plotësisht të përkujtohet 1100-vjetori i atij viti vendimtar. Ethelstani – ndonëse ishte luftëtar i fuqishëm – nuk ishte i madh vetëm si pushtues. Devotshmëria, dituria, pasioni për drejtësinë: edhe këto ishin cilësitë që tërhoqën lavdërimet e bashkëkohësve të tij. Ai nguliti në zemër të qeverisjes angleze parime ligjore dhe shoqërore që vazhdojnë edhe sot. Vendosmëria e Ethelstanit që askush që jetonte në tokat e tij të mos lejohej të vdiste nga uria e shtyu të nxirrte urdhëresa të përsëritura. Zyrtarët përgjegjës për pronat e tij u paralajmëruan nga zotëria i tyre se do të vendoseshin gjoba ndaj atyre që nuk e përmbushnin detyrën ndaj nevojtarëve dhe të ardhurat do të dhuroheshin për bamirësi: “Dëshira ime është që gjithmonë t’u siguroni ushqim të varfërve”.
A është vërtet aq optimiste gjendja shpirtërore në Anglinë e sotme, saqë nuk do të përmirësohej duke shënuar – dhe ndoshta edhe duke festuar – ditëlindjen e vendit? Historia se si dinastia mbretërore e Ethelstanit kaloi nga afër zhdukjes në duart e vikingëve te krijimi i një mbretërie që vazhdon edhe sot është ndër më të jashtëzakonshmet në historinë britanike.
Ishte një arritje po aq frymëzuese sa Revolucioni Amerikan dhe po aq epokale në pasojat e saj – dhe, ndryshe nga nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë, pati edhe një nënë themeluese. Kjo ishte Ethelfleda [Æthelflæd], halla e jashtëzakonshme e Ethelstanit e cila, në rolin e saj si sunduese e Midlëndsit [Midlands], rimori nga vikingët zona të gjera territori. Personazhe të jashtëzakonshme, sukses dramatik kundër gjasave dhe arritja më e jashtëzakonshme e ndërtimit të shtetit në Evropën e hershme mesjetare: ka kaq shumë për të festuar.
Dhe, këtë e dinin ata që kishin qenë dëshmitarë të shfaqjes së Anglisë si shtet unitar. Ata e çmonin faktin se bashkimi i popujve të ndryshëm në një ndjenjë të përbashkët identiteti nuk ishte diçka që ishte arritur lehtë. Dy dekada e gjysmë pas vdekjes së Ethelstanit, një peshkop i quajtur Ethelvold [Æthelwold], i cili kishte shërbyer si një nga këshilltarët më të afërt të mbretit, i bëri homazh një burri që ishte “i pjekur në moshë dhe shumë i matur, largpamës në urtësi dhe i vështirë për t’u mposhtur në çfarëdo përplasjeje”.
Peshkopi Ethelvold foli në emër të të gjithë atyre të cilët, duke gëzuar rendin e sjellë në toka që vetëm disa dekada më parë kishin qenë skena masakrash dhe shkatërrimi, ndienin mirënjohjen që ua kishin borxh atyre që e kishin arritur atë. Ai, mjaft afër në kohë me sundimin e Ethelstanit sa të kishte qenë i mbrojturi i mbretit të madh, e kuptonte plotësisht përmasën e borxhit të tij. Ne, në largësinë prej 1100 vjetësh, ndoshta mund ta kujtonim më mirë. /Telegrafi/
]]>Nga: Eliot Stein / BBC Përkthimi: Telegrafi.com
Në vitin 1528, një burrë nga Maroku doli në bregdetin e Teksasit të sotëm, më shumë i vdekur sesa i gjallë. E kishte kaluar muajin e mëparshëm duke u endur në Gjirin e Meksikës, së bashku me një grup marinarësh spanjollë, në një barkë të brishtë shpëtimi, të lidhur me trungje pemësh, lëkurë kali dhe me atë që kishte mbetur prej rrobat të tyre të grisura. Kur një stuhi i la të bllokuar të mbijetuarit e përmbytjes së anijes, në një ishull pranë Galvestonit, ata pa e kuptuar u bënë njerëzit e parë nga Bota e Vjetër që hynë në Perëndimin Amerikan – dhe, kur ndodhi kjo, secili prej tyre ishte i uritur, i rraskapitur dhe i zhveshur.
Në javët që pasuan, të mbijetuarit filluan të vdisnin – një nga një. Shumë iu dorëzuan urisë, të tjerët kushteve të motit dhe disa sulmeve të fiseve indigjene. Nga rreth 600 burrat që kishin lundruar nga Spanja, një vit më parë – në këtë ekspeditë fatkeqe për të pushtuar Floridën e sotme dhe bregun e Gjirit, për Kurorën Spanjolle – vetëm katër mbijetuan: tre kapitenë spanjollë dhe, disi, marokeni i skllavëruar.
Gjatë tetë vjetëve të ardhshme, burri do të bëhej udhëheqësi de facto i grupit dhe do të niste një nga udhëtimet më të jashtëzakonshme të mbijetesës në historinë e eksplorimit. E, megjithatë, ne as emrin e tij të vërtetë nuk e dimë.
I njohur ndryshe si Esteban de Dorantes, Esteban Mauri ose – më së shpeshti – Estevanico, ky individ enigmatik ishte një nga afrikanët, folësit e arabishtes dhe myslimanët e parë të dokumentuar që shkelën në atë që sot janë Shtetet e Bashkuara, duke mbërritur gati 40 vjet para vendbanimit të parë evropian. Midis viteve 1528 dhe 1536, ai përshkoi afërsisht 2 250 milje (3 620 kilometra) drejt Perëndimit, nga Florida deri në bregun paqësor të Meksikës, duke përfunduar atë që besohet gjerësisht se ishte kalimi i parë i regjistruar i Amerikës së Veriut në histori dhe duke i paraprirë ekspeditës tokësore të Lewisit dhe Clarkut drejt bregut të Oregonit me gati 300 vjet.
Gjatë rrugëtimit, Estevanico u kap nga amerikanët vendas, mësoi gjuhët e tyre dhe u bë shërues, përpara se të udhëtonte edhe 1 300 milje të tjera (2,090 kilometra) drejt Jugut me tre të mbijetuarit e tjerë të përmbytjes së anijes – nga Gjiri i Kalifornisë deri në Meksiko-Siti. Më pas ai ndërmori një odise tjetër prej 1 500 miljesh (2 415 kilometra) drejt Veriut dhe u bë jo-amerikani vendas i parë i njohur që hyri në territorin e sotëm të Nju-Meksikos dhe Arizonës.
Estevanico ishte udhëheqësi i asaj që besohet të ketë qenë kalimi i parë i regjistruar i Amerikës së Veriut në histori(Foto: Serenity Strull)
“Estevanico ishte një nga eksploruesit më të jashtëzakonshëm, por të anashkaluar, në historinë e hershme të asaj që më vonë do të bëhej Jugperëndimi i Amerikës,” tha Dr. Hsain Ilahiane, antropolog dhe eksplorues në Universitetin e Arizonës, i cili ka kaluar vite duke studiuar eksploruesin. “Ai ndihmoi në hapjen e rrugëve, shtigjeve dhe njohurive gjeografike që më vonë orientuan depërtimet spanjolle [në Perëndimin e sotëm të Amerikës].”
Megjithatë, shumica e njerëzve nuk kanë dëgjuar kurrë për të – madje as në ShBA.
Tani, ndërsa ShBA-ja feston 250-vjetorin e saj dhe kthen vështrimin te origjina e saj, një numër gjithnjë e më i madh i muzeve, vizitave dhe monumenteve në të gjithë vendin po nxjerrin në pah trashëgiminë e tij pak të njohur.
Odisejada e Estevanicos
Meqenëse Estevanico nuk la asnjë dokument të shkruar, historianët e kanë rindërtuar jetën e tij kryesisht përmes rrëfimeve të mbijetuara të spanjollëve që udhëtuan përkrah tij. Ai lindi në fillim të viteve 1500 në Azemur dhe u skllavërua nga fisniku spanjoll Andrés Dorantes de Carranza, i cili e mori me vete në ekspeditën Narváez të Spanjës drejt Amerikave. Meqenëse – në ekspedita zyrtare spanjolle – myslimanëve u ndalohej të udhëtonin drejt Botës së Re, Dorantesi e pagëzoi atë duke ia ndryshuar emrin në Estevanico.
Udhëtimi me pesë anije dhe 600 persona nisi në qershor të vitit 1527 dhe ishte një katastrofë që në fillim. Rreth 140 burra e braktisën ekspeditën gjatë një ndalese në Santo Domingo dhe, ndërsa furnizoheshin në Kubë, një uragan fundosi dy anije dhe vrau edhe 50 marinarë të tjerë. Ekuipazhi përfundimisht u përpoq të lundronte drejt Meksikës, por stuhitë i shtynë drejt territorit të sotëm të Sent-Petersburgut në Floridë, në prill të vitit 1528.
Një pllakë përkujtimore tregon vendin ku Estevanico dhe anëtarët e tjerë të ekspeditës Narváez zbarkuan në Floridë(Foto: Florida Department of State)
Më pas, udhëheqësi i ekspeditës, Panfilo de Narváez, urdhëroi Estevanicon dhe disa qindra burra të marshonin drejt Veriut për të eksploruar brendësinë e Floridës. Pasi përshkuan me shumë vështirësi rreth 300 milje (480 kilometra) – nëpër këneta të mbushura me mushkonja – deri në atë që sot është Sent-Marks, në Floridë, dhe pasi ranë në pritë nga amerikanët vendas apalaçi, Estevanico dhe spanjollët e mbetur ishin aq të shkatërruar dhe të dëshpëruar, sa therën dhe hëngrën kuajt e tyre të fundit, ndërtuan pesë trape të improvizuara dhe lundruan përgjatë bregdetit me shpresën për të arritur në Meksikën e sotme.
Ndërsa burrat lëviznin të shtyrë nga rrymat drejt Perëndimit, ata u bënë udhëtarët e parë jo-indigjenë që panë grykëderdhjen e lumit Misisipi. Por, të njëjtat stuhi që përmbysën përfundimisht trapet e tyre pranë Galvestonit, do të vrisnin dy të tretat e spanjollëve të mbetur, përfshirë vetë Narváezin.
Ashtu si shumë nga të mbijetuarit e tjerë të përmbytjes, Estevanico u kap shpejt nga amerikanët vendas. Disi, njeriu me statusin më të ulët në Botën e Vjetër, arriti të mbijetonte në Botën e Re.
“Kur rendi i Botës së Vjetër u shemb, Estevanico kishte disa përparësi. Ndryshe [nga spanjollët], ai duhej të fliste gjuhë të tjera,” tha Laila Lalami, romani i së cilës, Rrëfimi i Maurit [The Moor’s Account], bazohet te Estevanico dhe ishte finalist për Çmimin Pulitzer. “Meqenëse Azemuri ishte qytet amazig [berber] i kontrolluar nga portugezët, e dimë se ai ka të ngjarë të fliste tamazigshten, arabishten dhe portugalishten. Dhe, meqë ishte i skllavëruar nga një spanjoll, ai fliste edhe spanjisht.”
Gjatë afro pesë vjetëve të punës së rëndë nën fisin vendas Karankaua, Estevanico mësoi gjuhën e tyre të folur dhe gjuhën e shenjave që përdorej nga grupet e tjera të rajonit. Më pas, ai bashkëpunoi fshehurazi me një fis rival të tyre për t’u arratisur, së bashku me Dorantesin, ndërsa ndihmoi në lirimin e dy spanjollëve të mbetur.
Estevanico dhe tre të mbijetuarit e tjerë ecën për tetë vjet nëpër Perëndimin Amerikan(Foto: Getty Images)
Gjatë dy viteve pasuese, katër të mbijetuarit ecën nga Bregu i Gjirit deri në Gjirin e Kalifornisë, duke u mbështetur te aftësitë gjuhësore dhe përshtatshmëria kulturore e Estevanicos për t’i udhëhequr nga një komunitet vendas te tjetri.
“Ai ishte udhëheqësi i grupit – përkthyesi, ndërmjetësi, zbuluesi,” tha Ilahiane. “Ata po lëviznin në një botë të re dhe nuk dinin se ku po shkonin, ndërsa Estevanico kishte një përparësi: informacionin.”
Gjatë udhëtimeve të tyre, Estevanico takoi një tregtar vendas dhe organizoi që ata të qëndronin në komunitetin e tij. Ndërsa ndodheshin aty, një person i sëmurë iu afrua vizitorëve dhe u kërkoi ta trajtonin. Duke ndërthurur rituale të krishtera – të marra nga spanjollët – me praktika vendase që Estevanico i kishte vëzhguar, burrat arritën disi ta bindnin gruan se ishte shëruar.
Ndërsa u përhap fjala për fuqitë e supozuara shëruese të burrave, komunitetet indigjene nisën t’i kërkonin dhe madje t’i ndiqnin gjatë udhëtimit të tyre drejt Perëndimit. Estevanico udhëtonte përpara spanjollëve, për të njoftuar mbërritjen e tyre, shpesh i zbukuruar me byzylykë guacash deti në krahë, zile që tingëllonin rreth kyçeve të këmbëve dhe duke mbajtur një vegël tingëlluese të bërë nga një kungull i tharë.
“Ai ma kujton një sufist rural maroken me njohuri mjekësore, që udhëtonte nga fshati në fshat, por ai gjithashtu përvetësonte këto aspekte [kulturore] nga amerikanët vendas dhe i përdorte si mënyrë hyrjeje te fiset e tjera gjatë bredhjeve të tij,” tha Ilahiane. “Në fund, kjo do të bëhej disi tragjike për të.”
Estevanico u bë personi i parë nga Bota e Vjetër që shkeli në Arizonë dhe Nju-Meksiko(Foto: Alamy)
Shtatë Qytetet e Arta
Pasi pushtoi actekët në vitin 1521, Spanja kishte krijuar një koloni në territorin e sotëm të Meksikës qendrore dhe jugore. Ndërsa katër udhëtarët po afroheshin te Kuliakan, në territorin e sotëm të Sinaloas, ata takuan një grup kalorësish spanjollë, të cilët i çuan 1 300 milje (2 090 kilometra) drejt Jugut, në kryeqytetin e Spanjës së Re (sot Meksiko-Siti). Atje, katër të mbijetuarit e përmbytjes së anijes treguan histori për qytete të praruara diku në shkretëtirën veriore, për të cilat fiset vendase i kishin folur Estevanicos – me shumë gjasa për t’i shtyrë të huajt të vazhdonin rrugën larg fshatrave të tyre.
I përcaktuar për të gjetur këto të ashtuquajtura “Shtatë qytete të arta”, mëkëmbësi i Spanjës së Re e dërgoi Estevanicon të udhëhiqte një grup fretërish spanjollë drejt Veriut, në territorin e sotëm të Nju-Meksikos dhe Arizonës, në vitin 1539. Me stoli bruzi rreth qafës dhe pupla në flokë, Estevanico ecte përpara grupit, duke shërbyer si zbuluesi kryesor për të mbledhur njohuri mbi këto qytete legjendare nga fiset vendase. Nëse ajo që mësonte ishte mesatarisht e rëndësishme, ai u dërgonte spanjollëve një kryq të vogël përmes një lajmëtari. Nëse ishte e rëndësishme, dërgonte një kryq të mesëm. Dhe, nëse ishte shumë e rëndësishme, dërgonte një kryq të madh.
Një ditë, pak pasi u bë i pari nga Bota e Vjetër që hyri në tokën e popullit zuni, Estevanico thuhet se dërgoi një kryq që përshkruhej “sa lartësia e një njeriu”. Të ngazëllyer, spanjollët nxituan për t’iu bashkuar, vetëm për të mësuar se, kur u përpoq të hynte në qytetin më jugor nga të ashtuquajturit Shtatë Qytete të Arta, në Hauikuh, ai ishte vrarë nga vendasit zuni.
Megjithëse spanjollët nuk gjetën kurrë qytete të praruara, udhëtimi i fundit i Estevanicos i çoi ata drejt asaj që u bë e njohur si “Tierra Nueva” (Toka e Re), e cila më vonë do të bëhej qendrore për zgjerimin spanjoll në Jugperëndimin Amerikan.
“Estevanico ndihmoi në formësimin e imagjinatës gjeografike të Perandorisë Spanjolle në Amerikën e Veriut,” tha Ilahiane. “Udhëtimet e tij përhapën njohuri mbi rrugët, popujt dhe mundësitë për zgjerim në rajonet që më vonë do të bëheshin Teksasi, Nju-Meksiko, Arizona dhe më gjerë. Ky udhëtim i fundit në territorin e zunive në vitin 1539 e nxiti Ekspeditën Coronado të vitit 1540 [e cila hapi rrugën për ekspeditat dhe vendbanimet spanjolle në gjithë Jugperëndimin Amerikan].”
Nga përhapja e sëmundjeve shkatërruese dhe zhvendosja e popullsive vendase deri te vendosja e katolicizmit, praktikave kulturore dhe kulinare, ky zgjerim spanjoll do të skaliste thellësisht të ardhmen e kombit që do të vinte më pas.
Një statujë e Estevanicos, që e përkujton atë si afrikanin e parë në territorin e sotëm të Teksasit, në Ostin(Foto: Travel Texas)
“Diçka në mes”
Për shekuj me radhë, Estevanico mbeti pak më shumë se një shënim në kronikat spanjolle dhe një figurë e harruar mes amerikanëve.
“Kjo sepse eksplorimi i tij nuk lidhet me mitin themelues të Shteteve të Bashkuara,” tha Lalami. “Është një nga ato gjëra që nuk përshtaten mirë me historinë e themelimit të ShBA-së që mësohet në shkolla – për 13 kolonitë dhe njerëzit që ikën nga përndjekja në Angli.”
Por, në dekadën e fundit, muzetë, monumentet dhe vizitat në të gjithë ShBA-në kanë filluar gjithnjë e më shumë të njohin rolin e tij në historinë e hershme të kontinentit.
“Ai pati një nga udhëtimet më të jashtëzakonshme në histori – drejt së panjohurës. Dikush duhet vërtet të bëjë tashmë një film për të,” tha David Anderson, pronari i Discover Florida Tours, e cila që nga viti 2017 organizon shëtitje historike të udhëhequra në Sent-Petersburg, aty ku zbarkoi Estevanico, dhe rrëfen odisejadën e tij epike.
Në vitin 2016, një statujë bronzi shtatë këmbë (2.15 metra) e lartë e Estevanicos u ngrit pranë Kapitolit të Shtetit të Teksasit në Ostin, për të përkujtuar rolin e tij si afrikani i parë që shkeli në Teksas. Që nga viti 2022, Muzeu i Historisë së El Pasos në Teksasin Perëndimor e ka rrëfyer rrugëtimin e Estevanicos në murin e tij digjital interaktiv, dhe eksploruesi zë vend të rëndësishëm në Muzeun e Historisë së Nju-Meksikos në Santa Fe dhe në Memorialin Kombëtar Koronado në Arizonë.
“Ky është një person që bëri diçka vërtet të jashtëzakonshme,” tha Diana Abouali, drejtoresha e Muzeut Kombëtar Arabo-Amerikan në Dirborn, Miçigan. “Në muze e paraqesim atë në fillim të ekspozitës sonë, Ardhja në Amerikë, për të treguar se folësit e arabishtes nuk janë të rinj në këtë vend. Gjuha dhe kultura arabe kanë qenë – në atë që sot janë Shtetet e Bashkuara – për një kohë shumë, shumë të gjatë.”
Për Lalaman, ajo që e bën Estevanicon kaq të rëndësishëm nuk është vetëm ajo që ai bëri – por, ajo që ai përfaqëson.
“Ai ishte afrikani i parë që përshkoi Amerikën e Veriut, por ajo që e bën kaq magjepsës është pozicioni i tij: ai nuk erdhi në ShBA si pushtues dhe nuk ishte pjesë e njerëzve që u pushtuan. Ai ishte diçka në mes,” tha ajo. /Telegrafi/
]]>Pamjet u shpërndanë nga boksieri profesionist kubanez Gustavo Trujillo, ndërsa ende nuk dihet se ku dhe kur janë regjistruar.
Burri që po e filmonte nga makina e pyet: “Kampion, çfarë po ndodh? Savon, çfarë po bën, mik?”, ndërsa ish-boksieri përgjigjet: “Po mbledh ushqim, diçka për të ngrënë”.
Sipas portalit Cuba Noticias 360, pasi pamjet u bënë virale, komediani kubanez Limay Blanco i dhuroi Savonit një pako me ushqime dhe një Bibël, të dërguara nga kisha e tij, Cristo Cambia Vidas.
“Çfarëdo që të ketë bërë ai person, ndihmojeni dhe vazhdoni përpara”, tha Blanco.
El boxeador legendario cubano Félix Savón pasó de medallista olímpico a recogedor de comida en las calles para poder comer. Ese es el comunismo cubano del cual me resingo en la madre de todo el que lo quiere para Estados Unidos y defiende el cubano. #cuba https://t.co/FrpOArj1W5
— Willie Suarez (@boxeocubanocom) October 12, 2026
Savon është një nga emrat më të mëdhenj në historinë e boksit amator. Boksieri kubanez, i cili garonte në kategorinë e peshave të rënda, fitoi tri medalje të arta olimpike radhazi: në Barcelonë më 1992, në Atlanta më 1996 dhe në Sydney më 2000. Një arritje të tillë e kanë realizuar vetëm dy boksierë të tjerë: Teofilo Stevenson dhe Laszlo Papp.
Përveç tri medaljeve të arta olimpike, Savon fitoi edhe gjashtë tituj botërorë, katër medalje të arta në Kupën e Botës, tri në Lojërat Panamerikane dhe katër në Lojërat e Amerikës Qendrore dhe Karaibeve.
Ai nuk u bë kurrë boksier profesionist dhe thuhet se refuzoi oferta milionëshe për t’u përballur me Mike Tysonin, pasi boksi profesionist ishte i ndaluar në Kubë.
Megjithatë, emri i Savonit është lidhur edhe me akuza serioze gjatë viteve të fundit.
Në vitin 2018, gazetari i pavarur kubanez Abraham Jimenez Enoa raportoi në revistën Gatopardo se Savon ishte ndaluar nga autoritetet, nën dyshimin për abuzim seksual ndaj një të mituri, pasi familja e një fëmije 12-vjeçar kishte ngritur një denoncim kundër tij.
Autoritetet kubane nuk kanë publikuar asnjëherë zyrtarisht detaje lidhur me akuzën, procesin gjyqësor apo ndonjë vendim të mundshëm të gjykatës./Telegrafi/
]]>Ajo i tha lamtumirë publikut pas 13 koncerteve në kryeqytetin spanjoll, të cilat u vizituan nga më shumë se 700,000 njerëz në total.
Siç shkruan gazeta spanjolle AS, gjatë performancës së saj të fundit në Macondo Park, ajo foli hapur për problemet private dhe shëndetin e babait të saj, dhe falënderoi veçanërisht ish-partnerin e saj Antonio de la Rúa, i cili ishte një mbështetës i madh i saj.
Përpara 55,000 njerëzve në koncertin e saj të fundit, Shakira kujtoi javët e kaluara dhe zbuloi se sa shumë kishin rëndësi për të performancat në Madrid.
“Mendoj se ky muaj ka qenë një nga më të rëndësishmit në karrierën time. Këto koncerte në Madrid janë historike për mua”, tha ajo nga skena.
Megjithatë, pas performancave të suksesshme kishte edhe momente të vështira. Shakira pranoi se javët e kaluara u shënuan nga shqetësime familjare dhe probleme private për të cilat media kishte shkruar tashmë.
“Këtë muaj kalova kohë të vështira për shkak të shëndetit të babait tim, por edhe për shkak të problemeve private që ju tashmë i dini”, i tha ajo audiencës, duke aluduar në mosmarrëveshjet e fundit me ish-partnerin Gerard Piqué.
Këngëtarja theksoi se sa shumë do të thoshte për të mbështetja e fansave të saj. Ajo shpjegoi se dashuria e tyre në çdo koncert i jepte forcën për të vazhduar të performonte pavarësisht gjithçkaje që po ndodhte në jetën e saj private.
“Falë teje, koha ndalet vërtet dhe unë rifitoj forcën time. Me ty, e shijova sikur të isha vetëm në fillim të karrierës sime dhe nuk do ta harroj kurrë këtë”, tha ajo.
Një nga momentet më emocionale të mbrëmjes erdhi kur Shakira përmendi Antonio de la Rúa-n. Ajo kishte qenë në një lidhje me argjentinasin për më shumë se dhjetë vjet dhe vitet e fundit ata janë afruar përsëri, këtë herë si miq. De la Rúa e mbështeti atë gjatë turneut të saj dhe ishte gjithashtu i përfshirë në realizimin e projektit Macondo Park.
“Dua të falënderoj burrin që dikur ishte partneri im dhe tani është miku im i ngushtë. Shpirtin tim binjak. Antonio de la Rúa. Antonio, faleminderit. Faleminderit për miqësinë tuaj”, tha ajo para mijëra njerëzve të mbledhur.
Edhe pse lidhja e tyre e dashurisë përfundoi shumë kohë më parë, ata mbetën të afërt dhe Shakira vendosi ta falënderonte publikisht për mbështetjen dhe miqësinë e tij në koncertin e saj të lamtumirës në Madrid.
]]>Familjet e mëdha shqiptare kanë mundur të përcjellin nëpër dhimbje pa fund e luftëra shekullore, dinjitetin moral të papërlyer. Ashtu si ahu i një peme, ato kanë mbrojtur trungje dhe degë përballë stuhive, duke i ushqyer me shqiptarizmin e mbrojtur në shekuj. Këto familje të vyera, këto dyer të mëdha, kanë qenë dhe mbeten interprete të historisë së kombit tonë, histori e mbushur me disfata e fitore njëherësh. Në këtë yllësi të nacionalizmit shqiptar, padyshim familja e Toptanasve zë një vend të shquar. Ndër pinjollët e kësaj familjeje, Said Toptani do të njihej sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ndonëse i ardhur prej një familjeje që zotëronte pothuaj gjysmën e tokave të Tiranës, Saidi do të përkrahte vegjëlinë shqiptare, në të ashtuquajturat lëvizje kundër Tanzimatit.
Taksat e reja që Porta e Lartë donte t’u vinte shqiptarëve, ishin të tjera brenga e vuajtje për kombin që vuante varfërinë e tejskajshme në natën e gjatë osmane. Dalja publike e Said Toptanit kundër reformave të ndërmarra nga Stambolli, bëri që ky të internohej në qytetin e vogël Aka të Turqisë, së bashku me familjen. Pikërisht në këtë qytet, më 14 mars 1867, u lind Murati, djali i parë i Saidit. Disa vite më pas, me ndërhyrjen e Sami Frashërit, Said Toptani u lejua të shkonte në Stamboll. Këtu familja e tij do të ishte në kontakte thuajse të përditshme me familjen e shquar të Frashërllinjve, të cilët jo vetëm mbanin të ndezur në shpirt ndjenjat liridashëse, por përpiqeshin me çdo mjet e mënyrë për t’ia përcjellë ato ndër bashkëkombës të tjerë.
– Lexo po ashtu:Dëshmia e baroneshës gjermane për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë
Mësimet e para ai i mori në turqisht, ndonëse në shtëpi flitej vetëm gjuha shqipe. Por, shkrimi i saj ishte ende i vështirë, sidomos në Stamboll, në zemrën e Perandorisë Osmane. Pas kësaj, në vitin 1878, Murati vijoi mësimet në kolegjin “Madam Fyres” të Stambollit, të njohur për cilësinë e lartë të mësimdhënies, si dhe për formimin e plotë në rrafsh të dijeve që përvetësoje. Kur Said Toptani u lejua të shkonte në Shqipëri, ai nuk e hoqi Muratin nga shkolla. Përkundrazi, me këshillën e Samiut, e la djalin që të frekuentonte shkollën, duke ndenjur në shtëpinë e Frashërllinjve. Ky rast i lum bëri që Murati i vogël të merrte më shumë dije pranë Naimit dhe Samiut, sesa pranë mësuesve turq të “Madam Fyres”.
Aty, në vatrën e shqiptarizmës, Murati u njoh jo vetëm me gjuhën, traditat, historinë e kulturën shqiptare, por edhe me rrugën e pushkës e të pendës që dhjetëra patriotë të mëdhenj shqiptarë kishin zgjedhur për autonominë e viseve shqiptare. “Në bankat e shkollës dhe në ambientin familjar, Murat Toptani njohu vajzën e poetit kombëtar Naim Frashëri, zonjën Asie, me të cilën më pas u martua”. (“Ata që shpallën pavarësinë kombëtare” – Tiranë 1997, faqe 146). Po në këto vite, Murati do të njihej për së afërmi edhe me atdhetarë të tjerë të shquar si Hoxha Tahsimi, Ibrahim Temo, Ferhat Draga, Shahin Kolonja. Njëherazi, ai do të ishte miku i ngushtë i Mid’hat Frashërit, me ç’rast e shoqja Asia do të kishte në vend të vëllait. Vite më vonë, kur të dy këta do të mbanin mbi supe hallet e Shqipërisë, një letërkëmbim padyshim që do t’i bashkonte kudo ku ndodheshin. Ndriçimi i këtij letërkëmbimi, padyshim që do të hedhë mendime dhe hipoteza të reja për historinë e Shqipërisë, sidomos në fillim të shekullit XX.
Në vitet 1884-1888, Murati ndjek mësimet në Stamboll, në fakultetin e shquar të “Gallata Saraj”, ku përpos dijeve në rrafsh të të drejtave ndërkombëtare, do të mbronte me sukses edhe gjuhët: frëngjisht, turqisht, arabisht, persisht dhe gjermanisht. I prirur të rrinte deri në orët e vona duke studiuar, falë vullnetit të papërkulur, ai filloi edhe të përkthejë në gjuhën shqipe, duke patur kurdoherë pranë ndihmën e pakursyer të vjershëtorit dhe atdhetarit Naim Frashëri. Në vitin 1895, pas martesës me Asien, Murat Toptani vendos të shkojë në Tiranë, pavarësisht se atë e priste një karrierë e shkëlqyer në hierarkinë e Perandorisë Osmane, por pinjolli i shquar i Toptanasve preferoi të shkonte në vendlindjen e tij, në Tiranën e mbushur me mushkonja, mjerim, pa drita e rrugë, të fshehur mes ferrave dhe baltës.
Që në muajt e parë vendoset në shtëpinë e madhe të prindërve dhe nis punën për përhapjen e gjuhës shqipe, sipas metodës së mësuesve-shëtitës. Shtatlartë, me vështrim të mprehtë, tejet energjik, Murat Toptani do të merrte rrugët e Shqipërisë, duke dashur të përhapë deri në fshatin më të largët gjuhën e bukur shqipe. Falë emrit të nderuar të të atit, Saidit, kudo ku shkonte në Durrës, në Krujë, Mirditë e Lezhë, njerëzit e prisnin me dashuri. Por, kur ky rrëfente qëllimin dhe mblidhte fshehurazi fëmijë për t’u çelur sytë, atëherë shqiptarët e rrethonin me një dashuri të pashoq. Në një prej raporteve sekrete që konsulli rus në Manastir i dërgonte Peterburgut më 26 nëntor 1896, pos emrave të tjerë rendiste edhe Murat Toptanin, i cili “po jep një kontribut të veçantë për të futur gjuhën shqipe në shkollat turke, aktuale”. (Arkivi Qendror i Shtetitm Tiranë. Fondi “Dokumenta para vitit 1912”, dosja 17, fleta 4)
Në vjeshtën e vitit 1897, Porta e Lartë ndërmori një varg masash të rrepta ndaj “rebelimeve” të shfaqura në vilajetet shqiptare: midis këtyre masave, hafijet turke kishin përpiluar edhe listën e atdhetarëve shqiptarë, të cilët sipas tyre ishin shkaktarët kryesorë të këtyre “rebelimeve”. Merret lehtësisht me mend se në krye të kësaj liste figuronte emri i Murat Toptanit, i cili me dekret të veçantë të Stambollit u internua në Tripoli të Libisë. Kundërshtimet e vegjëlisë në Tiranë, Shkodër e më gjerë kësaj radhe ranë në vesh të shurdhër, madje edhe përpjekjet e Naimit në Stamboll nuk u përfillën. Tashmë lajmi u përhap jo vetëm në vilajetet shqiptare, por edhe më tej. Në ditët e para të vitit 1898, shtypi shqiptar i kohës do të shkruante: “Kartat që na vijnë andej, thonë se Turqia zuri Murat Beun dhe do ta bëjë syrgjyn”. (Gazeta “Shqipëria”, nr. 40, Bukuresht, janar 1898)
Fillimisht, Murat Toptani dërgohet në burgun e Kalipojës dhe pas disa kohe në atë të Tripolit. Tashmë për qindra shqiptarë që jetonin në Tripoli, i burgosuri Murat Toptani ishte “mësuesi” i gjuhës shqipe, ndaj nuk mund të rrinin të qetë. Kur e panë se protestat e njëpasnjëshme u shpërfillën prej Portës së Lartë, pikërisht këta atdhetarë shqiptarë paguan disa roje turke të burgut, duke nxjerrë bashkëkombësin e tyre të shquar nga qelia. Më pas, me ndihmën e fqinjëve të vet, Murati largohet nga Tripoli dhe vendoset në Itali, jashtë rrezikut për jetën. Këtu menjëherë bie në kontakt me drejtorin e revistës “La Nazione Albanese”, z. Anselmo Lorecio, mik i madh i shqiptarëve. Në gushtin e vitit 1898, boton në revistën në fjalë shkrimin me titull “Shqipëria e shqiptarëve”, i cili në të vërtetë është një manifest politik.
Pasi tregon prejardhjen e kombit të vet, Toptani në këtë manifest bën me dije opinionin italian dhe më gjerë se populli shqiptar ka treguar se ka prirje të luftojë për lirinë dhe autonominë e vet. Ai shpreh bindje se luftërat e Gjergj Kastriot Skënderbeut, në mbrojtje të viseve shqiptare, por edhe të qytetërimit evropian, nuk mund të jenë rastësi, por kanë buruar prej shpirtit liridashës të bashkëkombësve të vet. Është kjo arsyeja, përfundon ky manifest politik, që unë besoj se “Shqipëria ka për të qenë kurdoherë vetëm e shqiptarëve, edhe pse mund të paguhet me çmim të lartë. Kurrë nga jeta e shqiptarëve s’u del shpresa dhe dëshira e lirisë”.
Në fillim të shekullit XX, Murat Toptani endet nëpër Itali dhe Evropë. Bashkëpunon me disa prej gazetave që atdhetarët shqiptarë botonin në ato kohëra, duke u përpjekur për çështjen kombëtare. Por, gjen kohë të punojë edhe për përkthime apo krijime të veta, sidomos në poezi. Njihet së afërmi me kulturën evropiane, me ç’rast guxon të merret edhe me pikturë apo skulpturë. I pajisur me një kulturë të thellë dhe shumëplanëshe, edhe përmes kësaj periudhe krijimtarie, don të zgjojë vetëdijen e fjetur të bashkëkombësve të vet. Në një prej informacioneve të atyre kohërave, konsulli Von Ciedenek njofton Vjenën pos të tjerave se “Murat Toptani vazhdon të propagandojë autonominë e vendit të vet”. (Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. Fondi i dokumenteve të Vjenës, dokumenti 176)
Gjatë këtyre viteve, vlen të merret në konsideratë dhe bashkëpunimi i tij me atdhetarin tjetër të shquar, Faik Konicën, i cili boton në Bruksel gazetën “Albania”, me ç’rast bashkëpunimi në rrafsh të publicistikës nuk mungoi. Pas udhëtimesh të gjata, kthehet sërish në Tiranë, por Porta e Lartë, e cila ka ndjekur veprimtarinë atdhetare të tij, e arreston dhe e dërgon kësaj radhe në burgun famëkeq të Çanak-Kalasë. Është dashur sërish ndërhyrja e atdhetarëve shqiptarë pranë Sulltanit që ky të lirohet, por “pa patur të drejtë të shkojë në Shqipëri apo të bëjë propagandë, kudo ku ndodhet”. Kur ndodhej i internuar në Kolonjë të Turqisë, aty u dërgua si vali i qytetit Ferid Pasha, miku i madh i Frashërllinjve. Ky e pati njohur qysh më parë Muratin dhe me reputacionin që gëzonte, mundi ta heqë nga lista e të internuarve, madje duke njohur prirjet e tij si piktor apo skulptor, e ngarkoi në punët komunale për zbukurimin e qytetit.
Kështu, Murat Toptani do të shpaloste krejt talentin e vet, duke i dhënë qytetit të Kolonjës një fytyrë tjetër dhe duke fituar me këtë rast admirimin e mjaft qytetarëve. Por, ky aktivitet nuk e pengoi për asnjë çast patriotin e madh që të mbante lidhjet shpirtërore me atdheun e vet. Vazhdon të këmbejë letra me Mid’hat Frashërin, Ibrahim Temon, Faik Konicën dhe Josif Bagerin, takohet shpesh me atdhetarë shqiptarë në Stamboll dhe është përkrahës i flaktë i lëvizjes autonomiste shqiptare, e ideuar prej Komitetit të Fshehtë të Manastirit. Pasi mbaron kohën e internimit, vendoset sërish në Stamboll, por kur e kupton se vendi i tij nuk ishte aty, i ndjekur këmba këmbës nga hafijet e Sulltanit, i sigurt se nëse do të kapej sërish e priste plumbi, Murat Toptani pranon më mirë të vdesë në atdhe, atje në fushëbetejë, sesa nëpër bodrumet e Çanak-Kalasë. Duke përfituar edhe nga premtimet e Turqve të Rinj, në fillim të vitit 1908 shkon në Tiranë dhe, energjik siç ishte, brenda pak javësh çel në shtëpinë e madhe të tij, në zemër të Tiranës, shkollën e parë shqipe për këtë qytet.
Ai në këtë aksion human kombëtar pati edhe përkrahjen e dhjetëra patriotëve të tjerë të Tiranës, por gjithsesi çelja publike e shkollës në katin e sipërm të shtëpisë rrezikonte së tepërmi jo vetëm shtëpinë, por edhe zotërit e saj. Një vit më pas, kur Turqit e Rinj filluan operacione ndëshkimore ndaj lëvizjes kombëtare shqiptare, ishin atdhetarë tiranas të bashkuar si grusht, të cilët u armatosën duke mbrojtur me jetën e tyre shtëpinë e shenjtë, e cila ishte shndërruar në vatër të arsimit të shkollës shqipe. Ishin po këta atdhetarë që mbajtën të fshehur për muaj me radhë, në rrethina të Tiranës dhe Krujës, mësuesin e shqipes dhe burrin trim Murat Toptanin, prej ndjekjeve të qeverisë turke. Kanë qenë pikërisht veprimtaria dhe sakrifica të këtij burri në shërbim të kombit të vet, me ç’rast në kuvendet e popullit të Tiranës, në nëntorin e vitit 1912, në mënyrë unanime ai zgjidhet përfaqësues i këtij qyteti për ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë, si dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar.
Në ditët e para të nëntorit, Murat Toptani thirret në Durrës prej kushëririt të tij, Esat Pashë Toptanit, madje i premtohet pasuri e ofiqe nëse ai do të luftonte kundër Ismail Qemalit. Murat Toptani jo vetëm që nuk pranon oferta të tilla të turpshme, por ia përplas në sy kushëririt të tij flirtet që ai pat bërë e bënte me qarqet antishqiptare brenda dhe jashtë vilajeteve shqiptare. Kështu që, Esat Pashë Toptani, duke mos gjetur as përkrahjen ndër njerëzit e vet, ai shkoi në Vlorë dhe mbështeti sa për sy e faqe qeverinë e parë shqiptare. Por, vetëm pak muaj më pas, duke përdorur intriga dhe me mbështetjen e të huajve, sidomos të serbëve e francezëve, jo vetëm e sabotoi këtë shtet, por solli trazira të papara ndonjëherë në vitet 1913-1915.
Murat Toptani ishte ndër të parët që priti plakun Ismail Qemalin në molin e Durrësit, ai pati paguar edhe dhjetëra vullnetarë tiranas, të cilët do ta përcillnin atdhetarin dhe diplomatin vlonjat nëpër baltat dhe shirat e Myzeqesë. Kështu, patrioti tiranas do të hynte kryelartë në Vlorën heroike, duke u takuar e përqafuar me dhjetëra e dhjetëra burra të tjerë që po dilnin zot fateve të kombit të tyre. Lidhur me ditën e parë të Kuvendit të Vlorës, shtypi shqiptar i asaj kohe do të shkruante: “Kuvendi Kombëtar i mbledhur prej delegatëve të të gjitha viseve të Shqipërisë këtu në Vlorë, u hap sot në orën katër pas dreke në shtëpi të z. Xhemil Beut. Zoti Ismail Qemal Beu, si nismëtari i parë i mbledhjes, mori fjalën dhe u tregoi delegatëve qëllimin e Kuvendit, domethënë që të përpiqen së bashku e të marrin masat e nevojshme për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i madh që ndodhet sot. Si e kërkon rregulla e zakoni, u nis pastaj vërtetimi i kartave të delegatëve, emrat e të cilëve janë këta … Nga Tirana, zotërinjtë Abdyl Bej Toptani e Murat Bej Toptani”. (Gazeta “Përlindja e Shqypnis”, viti II, nr. 6-7, datë 31 janar – 4 shkurt 1914)
Qeveria shqiptare e drejtuar nga Ismail Qemali, siç dihet, u gjend përballë vështirësive të mëdha qysh në ditët e para të shpalljes së saj. Murat Toptanit iu ngarkuan detyra të rëndësishme në arsim, me ç’rast iu desh të ngarendte në çdo cep të Shqipërisë, duke punuar si kurdoherë me energjinë karakteristike, për të vënë arsimin shqiptar mbi baza sa më kombëtare. Veçanërisht në pikëpamje të teksteve shkollore, ai dha ndihmën e vet jo vetëm duke organizuar specialistë më në zë, por edhe duke i paguar nga xhepi i tij mjaft prej hartuesve të këtyre teksteve. Murat Toptani ka qenë gjithashtu ndër të parët nismëtarë për krijimin e Akademisë së Shkencave Shqiptare, e cila do t’i paraprinte zhvillimeve ekonomike, politike dhe sociale të Shqipërisë. Edhe pse këto ide të tij quheshin prej disave në ato kohë si ëndrra, pinjolli i familjes së madhe të Toptanasve donte ta shihte vendin e vet, ndonëse të rrënuar ekonomikisht, sa më parë në Evropën e qytetëruar.
Pas rënies së qeverisë së përkohshme të Vlorës, Murat Toptani u rreshtua pranë atyre politikanëve atdhetarë që vunë mbi gjithçka interesat e kombit të tyre. Në mënyrë të veçantë, ai iu kundërvu politikës prej matrapazi të kushëririt të tij tradhtar, Esat Pashë Toptanit, si dhe lëvizjes reaksionare të Haxhi Qamilit. Ai bashkëpunoi me qarqet përparimtare shqiptare dhe, me anën e artikujve të ndryshëm publicistikë, e ngriti lartë zërin për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë në vorbullën e ngjarjeve ballkanike. Në vjeshtën e vitit 1914, ka qenë Esat Pashë Toptani i cili ka kërkuar sërish përkrahjen e kushëririt të tij, Muratit, kuptohet në dëm të interesave kombëtare. Por, kësaj radhe, Murat Toptani i ka dërguar lajm kushëririt të tij se rrugët e tyre ishin të ndara përgjithmonë: njëri në atë të nderit, tjetri në atë të turpit.
Dy javë më pas kësaj ngjarjeje, Esat Pashë Toptani pagoi disa mercenarë tiranas, të cilët rrethuan shtëpinë e Murat Toptanit. Falë disa miqve të tij, Murati dhe familja shpëtuan, ndërsa shtëpia e madhe në zemër të Tiranës, ajo shtëpi që u kontrollua e u bastis me dhjetëra herë prej pushtuesve osmanllinj, tanimë u bë shkrumb e hi nga disa shqiptarë të blerë prej Esat Pashës. Së bashku me orenditë dhe muret e lashta, rrënoheshin prej flakëve edhe mijëra libra në dhjetëra gjuhë, mijëra faqe dorëshkrimesh, apo qindra artikuj të mbledhur prej birit të Tiranës në gjithë cepat e Perandorisë Osmane. Kjo sigurisht ishte një goditje e madhe për Murat Toptanin, patriotin që ishte përpjekur në çdo minutë të jetës së vet për kombin, prosperitetin dhe ardhmërinë e tij. Pas kësaj, ai udhëtoi në Vjenë, me ç’rast nuk i ndërpreu kontaktet me diplomatë vjenez lidhur me fatet e Shqipërisë.
Mban ende lidhje me Mid’hat Frashërin, Sali Gjukën, Luigj Gurakuqin etj. Kthehet në Shqipëri në trazirat e vitit 1917 dhe 3-4 muaj më pas, mbyll sytë i trishtuar, më 20 shkurt 1918. Me mijëra ishin banorët e Tiranës që e përcillnin për në banesën e fundit mësuesin, atdhetarin, poetin, piktorin dhe skulptorin e shquar, birin e tyre gojëmbël, burrin që gjithçka pati ia falur atdheut. Disa ditë më pas, gazeta “Vllaznia”, që botohej prej studentëve shqiptarë në Vjenë, do të shkruante pos të tjerave: “Murat Toptani tregoi pa frikë në të gjitha rastet se ishte gjithmonë në anë të kombit të vet dhe me zell të pashoq u përpoq për të mirën e tij”. Burrat e mëdhenj mbyllin jetën, por jo veprat për të cilat kombi i nderon. /Memorie.al/
]]>Këtë e konfirmoi të martën zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, e cila për herë të parë është paraqitur para mediave pas largimit të Karoline Leavitt.
“Ne i kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqje. Ajo ka qenë një aset i çmuar për ekipin dhe i dëshirojmë gjithë të mirat”, deklaroi Zacharia gjatë një konference për media, pa dhënë detaje të tjera për vendimin.
Vendimi vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të Guilfoyle, duke deklaruar se administrata nuk ishte e kënaqur me të.
Ambasadorja është përballur me vëmendje të shtuar pas raportimeve për sjellje të papërshtatshme para emërimit të saj.
Sipas The Wall Street Journal, ajo dyshohet se i kishte kërkuar një donatori të Trumpit një kontribut prej 100 mijë dollarësh për të mbuluar një faturë të kartës së kreditit, si dhe se kishte pasur raste të tjera të diskutueshme lidhur me dhuratat dhe marrëdhëniet me zyrtarë.
Këto pretendime nuk janë paraqitur nga Shtëpia e Bardhë si arsye zyrtare për kërkesën për dorëheqje. Ambasada amerikane në Athinë nuk kishte dhënë menjëherë një koment për këtë çështje.
Guilfoyle, ish-prezantuesja televizive dhe ish-e fejuara e Donald Trump Jr., djalit të presidentit amerikan, u emërua ambasadore e SHBA-së në Greqi gjatë administratës Trump.
Greqia është aleate e rëndësishme e SHBA-së në NATO dhe ka një rol strategjik në Mesdheun Lindor, ku ofron objekte të rëndësishme ushtarake për operacionet amerikane. /Telegrafi/
]]>David Rush, i cili mban më shumë se 200 rekorde botërore të Guinnessit, tha se kishte menduar ta provonte këtë rekord vite më parë, por kishte hequr dorë pasi zbuloi se goditja në fytyrë nga maja e një aeroplani prej letre ishte e dhimbshme.
Rush vendosi ta provonte sërish rekordin pasi gjeti një lloj aeroplani prej letre me majë të topitur, e cila “vazhdonte të shkaktonte dhimbje”, por ishte thjesht “e dhimbshme” dhe jo “e rrezikshme”.
Gjuetari i rekordeve e angazhoi mbesën e tij, Ali, për t’ia hedhur aeroplanët prej letre drejt fytyrës.
“Ali kishte një përparësi që në hedhjen e parë. Këndi i hedhjes së saj ishte më i lartë dhe hedhjet ishin jashtëzakonisht të qëndrueshme, gjë që nuk është për t’u habitur, pasi ajo është një portiere e nivelit të lartë në futboll. Kaluan një ditë të tërë duke ushtruar, duke bërë qindra hedhje, derisa arritëm një sinkronizim të mjaftueshëm për ta provuar rekordin”, tha Rush. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com
]]>Sipas njoftimit të Policisë Federale, gjatë kontrollit kufitar të kryer pas mbërritjes së avionit, zyrtarët konstatuan se ndaj shtetasit kosovar kishte dy urdhër-arreste të pazgjidhura, transmeton Telegrafi.
Bëhet e ditur se urdhër-arrestet ishin lëshuar në lidhje me gjoba të papaguara të vendosura nga Gjykata e Qarkut në Münster për veprat penale të vjedhjes dhe detyrimit.
31-vjeçari kishte mundësinë të shmangte vuajtjen e dënimit me burg duke paguar gjobën në shumën prej 1,800 eurosh.
Sipas Policisë Federale, ai arriti ta paguante shumën e kërkuar dhe, për pasojë, shmangu një dënim me burg prej 120 ditësh.
Pas përfundimit të procedurave, burri u lejua të vazhdonte qëndrimin e tij në Gjermani.
Njoftimi është bërë publik nga Drejtoria Federale e Policisë Sankt Augustin, përmes Inspektoratit Federal të Policisë në Münster./Telegrafi/
]]>Ajo dha dorëheqje të martën si ambasadore e SHBA-së në Greqi, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme, të cilat i mohoi, duke u zotuar se do të “mbrohet fuqishëm” ndaj tyre
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Guilfoyle tha se shërbimi si ambasadore amerikane në Greqi kishte qenë nderi më i madh i jetës së saj, ndërsa shprehu mirënjohje për presidentin Donald Trump dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, që i kishin besuar përfaqësimin e SHBA-së.
Ajo theksoi se, që nga dita e parë në këtë detyrë, kishte punuar për të zbatuar agjendën e Trumpit “Amerika e Para”, për të forcuar aleancën strategjike me Greqinë dhe për të arritur rezultate konkrete në dobi të popullit amerikan.
Guilfoyle përmendi si arritje gjatë mandatit të saj marrëveshjet për zgjerimin e eksporteve amerikane të gazit natyror të lëngshëm drejt Evropës, avancimin e Korridorit Vertikal për të zvogëluar varësinë evropiane nga energjia ruse, si dhe forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri me Greqinë, aleate e NATO-s. Ajo shtoi se ishin zgjeruar edhe mundësitë për bizneset dhe investimet amerikane në rajon.
Ambasadorja tha se ishte veçanërisht krenare për kontributin e ambasadës në forcimin e ndikimit energjetik amerikan dhe bashkëpunimit ekonomik, si dhe në ruajtjen e rolit udhëheqës të SHBA-së në Evropën Juglindore.
Duke iu referuar drejtpërdrejt akuzave ndaj saj, Guilfoyle i mohoi ato dhe u zotua se do ta mbrojë emrin, reputacionin dhe integritetin e saj.
“Jetën time profesionale ia kam kushtuar luftës për drejtësi, mbrojtjes së asaj që është e drejtë dhe vlerave që e bëjnë Amerikën të jashtëzakonshme. Nuk do të lejoj që akuzat e rreme të përcaktojnë dekadat e mia në shërbim publik”, deklaroi ajo.
Guilfoyle theksoi se mirënjohja dhe respekti i saj për Trumpin dhe Rubion mbeten të palëkundura, duke shtuar se do të vazhdojë ta mbështesë presidentin amerikan dhe misionin e tij për ta bërë Amerikën sërish të madhe.
Ajo la të kuptohet se koha e saj si ambasadore mund të jetë drejt fundit, por nënvizoi se përkushtimi ndaj Trumpit, lëvizjes “Amerika e Para” dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të përfundojë.
Në fund të deklaratës, Guilfoyle falënderoi popullin grek për mikpritjen dhe bashkëpunimin, duke e cilësuar shërbimin ndaj SHBA-së si nderin më të madh të jetës së saj.
Reagimi i saj vjen pas raportimeve se Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar të largohet nga posti i ambasadores, pas pretendimeve se ajo i kishte kërkuar një donatori t’ia paguante një faturë prej 100 mijë dollarësh të kartelës së kreditit. Guilfoyle i ka cilësuar akuzat si të pavërteta dhe ka deklaruar se do ta mbrojë reputacionin e saj. /Telegrafi/
]]>