Ballina Lajme nacionale Rudina Hajdari sulmon Ramën dhe Bashën: Mos i mbështesni politikanët që s’i...

Rudina Hajdari sulmon Ramën dhe Bashën: Mos i mbështesni politikanët që s’i shërbejnë vendit

4
SHPËRNDAJE

Deputetja Rudina Hajdari ka dalë sot para mediave nga Kryesia e Kuvendit, ku iu ka bërë thirrje shqiptarëve të distancohen nga dhuna dhe nga loja e politikanëve që nuk i shërbejnë interesave të qytetarëve dhe vendit.

Duke folur me tone që të kujtonin deklaratat e ish-ambasadorit amerikan Donald Lu, Hajdari hodhi akuza të ashpra mbi opozitën, tek e cila ishte pjesë deri para pak muajsh por edhe ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

DEKLARATA E RUDINA HAJDARIT

Nuk duhet injoruar fakti që jemi përpara një situate të tensionuar. Nga njëra anë kemi një opozitë joparlamentare me politika regresive dhe shkatërruese për popullin shqiptar , e cila gjithashtu po pengon rrugën e zhvillimit dhe hapjen e negociatave duke zhvilluar protesta të cilat kanë qenë të dhunshme dhe që kanë dëmtuar qytetarin e thjeshtë dhe imazhin e Shqipërisë në të gjithë botën.

Por nga ana tjetër nuk duhet injoruar fakti që qeveria ‘Rama’ ka dështuar këto 6 vite të rimëkëmbë ekonominë, të mbjellë shpresën për gjithë shqiptarët dhe të forcojë institucionet dhe shtetin e së drejtës, duke lënë Shqipërinë shumë mbrapa krahasuar me vendet e tjera të rajonit.. Korrupsioni i lartë i Shqipërisë është burimi i çdo të keqe në këtë vend, që nga zbrazja e Shqipërisë deri tek mosndëshkimi i atyre që janë mbi ligjin sot dhe nuk mbajnë përgjegjësi, përkundrazi mbrohen nga drejtësia e kalbur.

Maxhoranca ka zvarritur zbatimin e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit ka mbetur vetëm në letër. Ky konstatim vërehet qartasi sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë. Është i qartë cili është mendimi i ndërkombëtarëve për korrupsionin në Shqipëri dhe për situatën politike në vend. Vendet e BE, duan të shohin fakte dhe rezultate konkrete të luftës ndaj korrupsionit dhe reformës në drejtësi. Pa pasur zgjedhje të lira e të ndershme e paqësore, ne nuk jemi asgjëkund. Ndryshimi i sistemit zgjedhor është nevojë imediate për popullin shqiptar. Duhet të implementojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Duhet të shikojmë me vëmendje nga vijnë burimet financiare të partive që duket sikur janë kthyer në korporata në shërbim të kryetarit. Mungesa e demokracisë brenda tyre ka sjellë përçarje tek elektorati. Kushtetuta është e shenjtë dhe nuk duhet të dhunohet.

Politika nuk duhet të bëhet pengesë e integrimit të Shqipërisë dhe të rëndojë mbi jetën e çdo qytetari. Bëj thirrje për distancim nga nxitja e dhunës nga të gjitha palët për hir të interesit të Shqipërisë. Nuk mund të shikojmë luftën mes politikanëve për interesat e tyre të ngushta të shkatërrojë Shqipërinë. Distancohuni nga dhuna e mos u bëni pjesë e lojës së atyre politikanëve që nuk ju shërbejnë ju dhe as vendit. Ka ardhur koha që ne vërtetë të distancohemi nga këta politikanë që po e thellojnë krizën gjithmonë e më shumë e të vazhdojmë rrugën tonë europiane.

-----