Ballina Lajme nacionale Rruga Ballkanike/ Emigrantët nga Lindja e Mesme “luajnë” mes jetës dhe vdekjes

Rruga Ballkanike/ Emigrantët nga Lindja e Mesme “luajnë” mes jetës dhe vdekjes

48
SHPËRNDAJE

Që nga fillimi i këtij viti e deri tani në Kosovë kanë hyrë rreth 670 emigrantë, të cilët janë paraqitur si azilkërkues te autoritetet vendore, por aktualisht më pak se një e treta e këtij numri janë akomoduar si azilkërkues në Kosovë, konfirmojnë autoritetet vendore, kompetente për strehimin e migrantëve azilkërkues.

Sipas tyre, rreth dy të tretat e këtij numri, para se pandemia e coronavirusit të përfshijë Kosovën, e kanë shfrytëzuar territorin e saj vetëm si vend transit në rrugën e tyre drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Emigrantët që kanë kërkuar azil në Kosovë, janë vendosur në Qendrën për Azil, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Në fillimin e javës së dytë të muajit prill, përderisa vendi gjendej nën masat e marra nga institucionet shëndetësore dhe qeveritare për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së coronavirusit, autoritetet e vendit kanë konfirmuar se në Kosovë kanë hyrë në mënyrë jolegale 31 persona, të cilët janë vendosur fillimisht në karantinë, nën dyshimet se mund të jenë të infektuar me coronavirus.

Drejtori i Qendrës për Azil në fshatin Magurë të Lipjanit dhe objekteve të saj përcjellëse në fshatin Vranidoll të Prishtinës, Fitim Zariqi, thotë për Radion Evropa e Lirë që aktualisht në këtë qendër janë të vendosur rreth 200 azilkërkues. Disa prej tyre, sipas tij janë të vendosur edhe në objektet e kësaj qendre në lagjen Taukbahqe në Prishtinë.

“I kemi furnizuar me dorëza, me maska. Ekipet mjekësore i kanë kontrolluar në vazhdimësi, në aspektin e coronavirusit dhe deri më tani nuk ka rezultuar asnjë pozitiv. Pra, të gjithë kanë rezultuar negativ. Gjithashtu, Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë një vendim dhe ka caktuar një karantinë për të gjithë migrantët e rinj që vijnë në Kosovë.

Pra, paraprakisht, ata duhet të akomodohen në karantinë, që t’i kalojnë aty 14 ditë, t’iu bëhen testet dhe pas kësaj procedure, në rast se kërkojnë azil, atëherë akomodohen në objektet e Qendrës për Azil”, ka thënë Zariqi.

Ai ka shtuar se të gjithë azilkërkuesve, përveç akomodimit dhe ushqimit, u janë siguruar falas edhe veshmbathjet, pakot higjienike, mjekimi dhe medikamentet. Autoritetet e Kosovës, më herët kanë theksuar se numri më i madh i migrantëve që kanë kërkuar azil në Kosovë, vijnë nga Siria, rreth 60 për qind e tyre, por edhe shtetas të tjerë nga Algjeria, Maroku, Autoriteti Palestinez, Iraku, Irani dhe vende të tjera.

Siç është thënë nga ta, kushtet në qendrat e azilkërkuesve në Kosovë janë të mira dhe azilkërkuesit trajtohen mirë. Madje edhe gjatë pandemisë së coronaviruasit, ata nuk janë mbyllur tërësisht në objektet ku janë vendosur.

Megjithatë, Zariqi ka theksuar që Ministria e Brendshme ka aplikuar edhe për azilkërkuesit të gjitha masat në fuqi të marra nga Ministria e Shëndetësisë që ndërlidhen me luftën kundër pandemisë së coronavirusit.

“Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ne i kemi përkthyer në gjuhën arabe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), por edhe vendimet e qeverisë dhe të ministrisë. I kemi afishuar ato në vende të dukshme dhe ata kanë të drejtë që të dalin sipas numrit të parafundit të letërnjoftimit të azilkërkuesit. U kemi thënë që duhet t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHP-së dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, që duhet ta mbajnë distancën, duhet t’i mbajnë maskat dhe dorëzat. Dezinfektues u kemi dhënë në vazhdimësi dhe çdo gjë është nën kontroll”, theksoi Zariqi.

Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se migrantët që hyjnë në Kosovë, janë duke e shfrytëzuar atë që quhet rruga e Ballkanit Perëndimor. Ata hyjnë përmes Greqisë në Shqipëri, për të vazhduar pastaj në Kosovë. Shumica e tyre më pas udhëtojnë drejt Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, drejt kufijve të vendeve që tashmë janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Por, qëndrimi në këto vende, që janë në kufij me vendet e Bashkimit Evropian, si dhe e ashtuquajtura “Rruga Ballkanike”, ka shënuar vështirësi shtesë për migrantët që synojnë vendet e Evropës Perëndimore, sidomos në kohën kur bota po përballet me pandeminë e coronavirusit.

“Ushtria është çdo kund rreth kampit dhe po na trajtojnë si të burgosur. Në kamp nuk ka ujë të ngrohtë dhe sapun. Nuk e di se pse nuk mund të dalim jashtë”, kanë thënë në një video-adresim të tyre Mahdi dhe Ehsan, të cilët në gjashtë muajt e fundit janë duke qëndruar në Serbi. Që nga 15 marsi, kur është vendosur gjendja e jashtëzakonshme në këtë vend, ata nuk kanë dalë nga kampi i pritjes.

Video-porosia e tyre është shfaqur në seminarin “online”, të quajtur “Ndikimi i Covid-19 në rrugën Ballkanike”, i cili u organizua nga aktivistët humanitarë ndërkombëtarë, të mbledhur rreth “No name kitchen”.

Pjesëmarrësit e këtij seminari, aktivistët nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Greqia dhe Sllovenia, kanë theksuar që gjatë pandemisë së coronavirusit është hetuar niveli i ngritur i dhunës policore ndaj njerëzve në “Rrugën Ballkanike të migrantëve”, si dhe që në mesin e popullatës lokale ekziston frika nga migrantët dhe refugjatëve, sepse në opinion i kanë prezantuar si “popullatë që e përhapë infeksionin”.

Organizatat humanitare, të cilat u kanë ofruar ndihmë migrantëve dhe refugjatëve në Serbi, pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë shtet, nuk kanë mundur të hyjnë në kampe. Nisur nga kjo, aktivistët kanë theksuar që është “gati se e pamundur” mbikëqyrja e situatës në terten.

Vullnetarja Marija Stojiq, ka theksuar që edhe para se të vendosej gjendja e jashtëzakonshme dhe që migratët dhe refugjatët të mbylleshin në kampe, në Serbi ishte rritur diskursi kundër migrantëve. Pas paraqitjes së coronavirusit, sipas saj, në një pjesë të medieve kjo popullatë është portretizuar si “kërcënim për pjesën tjetër të bashkësisë”.

“Edhe para se qeveria të kufizonte lëvizjen, migrantët dhe të zhvendosurit janë kapur nëpër rrugë dhe janë dërguar në kampe. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ata nuk kanë mundësi që të nisin procedurat për azil dhe ta rregullojnë statusin e tyre. Njerëzve nuk u është sqaruar se pse janë në kampe dhe pse nuk mund të dalin”, tha Stojiq.

Duke përshkruar kushtet e këqija në kampe, të cilat menaxhohen nga Komisariati për refugjatë dhe migrantë i Qeverisë së Serbisë, Stojiq ka theksuar që në ato kampe shpeshherë nuk ka as sapun, si dhe që njerëzit që janë vendosur aty, nuk kanë as ushqim të mjaftueshëm.

“Në kampin në Adashevci (në afërsi të Shidit, në afërsi të kufirit me Kroacinë) kanë maska, por jo edhe sapun”, tha Stojiq. Ndonëse, siç theksoi ajo, kufijtë janë mbyllur, megjithatë vullnetarët dhe organizatat joqeveritare i posedojnë të dhënat për ardhjen e refugjatëve dhe emigrantëve në Serbi.

“Në muajin mars, kur është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, janë regjistruar ardhjet nga Bosnjë e Hercegovina dhe Hungaria, ndërkaq, tash në prill, nga Maqedonia dhe Shqipëria”, u shpreh Stojiq.

Sipas saj, aktivistët humanitarë që janë në kontakt me refugjatët dhe migrantët, marrin informacione për rritje të dhunës dhe kërcënimeve nga ana e ushtrisë dhe policisë që po i ruajnë kampet.

“Nuk ka komunikim të mirë ndërmjet Komisariatit dhe publikut, po dëgjohen spekulime lidhur me atë se çfarë po ndodhë brenda kampeve. Numrin e migrantëve dhe refugjatëve në Serbi, e kanë treguar politikanët e ndryshëm, të cilët në deklaratat e tyre kanë dashur që të theksojnë që emigrantët nuk janë kërcënim për popullsinë lokale. Atëherë i dëgjojmë edhe numrat”, tha Stojiq dhe shtoi që numri i migrantëve dhe refugjatëve, i cili aktualisht është 9 mijë, tejkalon kapacitetet e kampeve.

Komisariati për refugjatë dhe migrantë i Serbisë, i ka thënë më 23 prill Radios Evropa e Lirë që më shumë se 8.800 refugjatë, migrantë dhe azilkërkues, që nga 15 marsi gjenden në karantinë të plotë dhe se qendrat po i siguron ushtria.

Sipas komunikatës së Komisariatit, masat janë vendosur “për të parandaluar përhapjen e coronavirusit në mesin e popullatës migrante”. Siç kanë thënë nga Komisariati për Radion Evropa e Lirë, aty ku nuk ka pasur vend të mjaftueshëm në objekte, janë aktivizuar disa salla si dhe vendbanimet me tenda dhe në ato vende, siç është thënë, është siguruar qasja deri te uji i pijshëm dhe tualeti.

“Emigrantëve në mënyrë të rregullt u sigurohet ushqim i gatuar dhe kanë tri shujta në ditë. Janë hapur edhe dy qendra të përkohshme në Moroviq (në kufi të Serbisë me Kroacinë) dhe në Miratovc (në jug të Serbisë), si dhe sërish është duke u përdorur edhe qendra private në Divljani (juglindje të Serbisë)”, është thënë nga Komisariati.

Gazetarja dhe vullnetarja nga Sarajeva, Nidzhara Ahmetasheviq ka theksuar që në Bosnjë e Hercegovinë, më shumë se 6 mijë njerëz janë mbyllur në kampe, me të cilat menaxhon Organizata ndërkombëtare për migrim (IOM).

“Kushtet janë të këqija. Njerëzit nuk janë të kënaqur, presin nga disa orë në radhë për ushqim”, tha Ahmetasheviq, duke përshkruar kushtet në kampe.

Ajo ka theksuar që gjatë fundjavës ka vdekur një baba i katër fëmijëve nga Kurdistani, i cili ka qëndruar në kampin në Ushivak afër Sarajevës dhe se në opinion janë paraqitur informata kontradiktore për vdekjen e tij, si dhe që po pritet përgjigja e policisë dhe prokurorisë.

Ajo gjithashtu tha që kushtet ishin të këqija në Kampin Lipa dhe që IOM-i ka theksuar që bëhet fjalë vetëm për strehim të përkohshëm gjatë pandemisë së coronavirusit. Por, sipas saj, “këtë nuk e thonë autoritetet”.

“Problemi është që ministri i ri i Sigurisë, Fahrudin Radonçiq, i cili ka marrë funksionin në vitin 2019, me deklaratat e tij e ka trimëruar policinë lokale që të përdorin dhunën gjatë komunikimit me migrantët dhe refugjatët. Kjo po ndodhë edhe rreth kampit të Lipas. Njerëzit atje janë duke fjetur në tenda, pra, më shumë se 100 njerëz në një tendë, njëri pranë tjetrit. Kur tentojnë të dalin nga kampi, evidentojmë shembuj të dhunës nga policia lokale, ashtu siç me vite të tëra po bën policia kufitare kroate”, tha Ahmetasheviq.

Ministri i Sigurisë i Bosnjë e Hercegovinës, Fahrudin Radonçiq, një ditë pasi që në një konferencën për gazetarë kishte paralajmëruar masat që do të ndërmerreshin ndaj migrantëve, siç kishte thënë ai, “në një përpjekje për të dëbuar migrantët e paligjshëm ekonomikë nga Bosnjë e Hercegovina në vendet e tyre të origjinës”, më 23 prill, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deklaroi që ata migrantë që do të refuzojnë që të identifikohen te kompetentët, do të paraburgosen.

Ai kishte shtuar që Bosnjë e Hercegovina ka për obligim që të pranojë refugjatët nga Siria, ndërkaq që për migrantët nga shtetet tjera, ai tha që “duhet të shkojnë nga Bosnjë e Hercegovina”.

Mjaft migrantë dhe refugjatë vazhdojnë të jenë jashtë kampeve private në Bosnjë e Hercegovinë, në bujtina, në ndërtesa të braktisura ose flenë në qiell të hapur, theksoi vullnetarja nga Sarajeva.

Sipas saj, atyre njerëzve po u ofrojnë ndihmë banorët lokal dhe se numri më i madh i tyre gjendet në kantonin Una-Sana, në afërsi të kufirit me Kroacinë, si dhe në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, në Sarajevë.

Edhe jashtë kampeve, siç tha Ahemtasheviq, po shënohet rritje e dhunës policore. “Nga spitali në Bihaq nuk kam marrë përgjigje, në Sarajevë nuk e konfirmuan e as mohuan, por thanë që ka qenë një aksion i ‘pastrimit të rrugëve’, sipas urdhrit të Ministrisë së Sigurisë”, tha Ahmetasheviq.

Sipas saj, IOM-i, i cili menaxhon me qendrat private për refugjatë dhe migrantë, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë “po heshtin ndaj dhunës” dhe se ajo konkludon që bëhet fjalë për “mbështetje të heshtur për sjellje të tillë”.

“Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paratë nga Bashkimi Evropian për kampet pranuese nuk i merr shteti, por IOM-i. Heshtja pas gjithë atyre raportimeve, është dëshmi që kjo është edhe politikë e Brukselit”, theksoi Ahmetasheviq.

Ajo ka përkujtuar edhe që “askush nuk e mbikëqyrë atë se çfarë po ndodhë në kampet në Bosnjë e Hercegovinë”. “Ne, aktivistët, gazetarët, po përpiqemi dhe po kërkojmë leje për të hyrë në kampe. Nuk i kemi marrë. Mua më kanë refuzuar gjashtë herë”, tha vullnetarja dhe gazetarja nga Sarajeva.

Në Patras, një qytet lima në Graçi, është regjistruar një fluks i refugjatëve dhe migrantëve, të cilët dhunshëm janë kthyer nga Italia që nga fillimi i pandemisë së coronavirusit.

“Me një numër më të vogël të njerëzve nëpër rrugë, vëmendja e policisë është rritur. Është rritur dhuna policore në javët e kaluara. Nga dita në ditë ka pasur më shumë të lënduar, të rrahur. Është rritur edhe frika e banorëve lokalë nga njerëzit në rrugë, se do të përhapin coronavirusin”, tha Aleks Alex Saëizki nga organizata “No name kitchen”, i cili javën e kaluar ka qëndruar në Patras.

Me shtendosjen e masave të lëvizjes në Greqi, jeta në mesin e banorëve lokal, ngadalë po kthehet në normalitet. Por, siç ka thënë Saëizki, pyetja më e shpeshtë që u është bërë vullnetarëve nga njerëzit që janë në rrugën e migrimit, është “kur do të përfundojë coronavirusi”.

“Por, virusi edhe më tej do të jetë këtu, ndërkaq që njerëzit do të vazhdojnë të arrijnë në Patras dhe të përpiqen që të kalojnë në Itali. Pra, do të vazhdojë loja e jetës dhe vdekjes”, tha Saëizki.

Deri në Slloveni është e vështirë që të arrihet, theksoi Josht Zhagar nga organizata Infoklopa, sepse sipas tij, ai shtet, në dy vjetët e fundit aplikon kthim të dhunshëm sistematik të migrantëve dhe refugjatëve në Kroaci, prej nga, në të shumtën e rasteve, i kthejnë në Bosnjë e Hercegovinë.

“Policia po ua mohon të drejtën e tyre për të kërkuar azil”, theksoi Zhagar, duke shtuar që Sllovenia “ka shprehur qëllimin që të aplikojë politikën për migrim, njëjtë sikurse Hungaria”.

Ai gjithashtu theksoi që për këtë shkak, është e vështirë që migrantët dhe refugjatët të qëndrojnë jashtë kampeve, por që, sipas tij, karantinat në qendrat private janë më të shtendosur se sa në shtete tjera që janë në “Rrugën e Ballkanit, sepse përdoruesit mund të dalin dhe të blejnë gjëra ushqimore.

Shërbimi për Bashkimin Evropian për mbështetjen për azilin, më 30 prill ka publikuar që numri i kërkesave për azil, muajin e kaluar, është ulur gati se përgjysmë, prej kur janë shtuar masat për luftë kundër coronavirusit.

Ky shërbim ka thënë që gjatë muajit mars, në 31 shtete evropiane janë dorëzuar 34.737 kërkesa për azil, gjë që është 43 për qind më pak se sa në muajin shkurt. Megjithatë, ky shërbim ka thënë që pak para se pandemia ta kaplojë Evropën, numri i kërkesave për azil ishte rritur në 65. 300, ndërkaq në të njëjtën periudhë të vitit 2019, ka qenë 61.100.

Për të ndalur përhapjen e coronavirusit, shumë anëtare të Bashkimit Evropian i kanë mbyllur pjesët e kufijve të tyre, gjë që e vështirëson hyrjen e migrantëve pa aprovim.

Greqia, pika kryesore e hyrjes për migrantët që synojnë strehimin ose jetën më të mirë në Evropë, në fillim të marsit i ka pezulluar të gjitha kërkesat për azil, pasi që Turqia filloi të dërgojë migrantët dhe refugjatët në kufirin greko-turk. /Rel/

----- ----- ----- -----