Ballina Lajme nacionale Rrëfimi rrëqethës i mjekes Valbona Tafilaj: “Eshtë virus i frikshëm, 30 ditët...

Rrëfimi rrëqethës i mjekes Valbona Tafilaj: “Eshtë virus i frikshëm, 30 ditët e mia të tmerrshme”

162
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Valbona Tafilaj ka arritur që pas 30 ditësh qëndrimi në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare ta mposhtë koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Valbona është mjeke-psikiatër në Prishtinë dhe punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, me virusin e ri është infektuar ndërsa ishte në Angli, në një udhëtim zyrtar më 9 mars. Në spital është shtruar më 16.03.2020 dhe është liruar për në shtëpi më datë 15.04.2020.

----

“Sapo kam arritur në aeroportin e Prishtinës, kam kërkuar vetë të testohem. Arsyeja ka qenë se përderisa në shumë vende koronavirusi ishte temë kryesore, në Londër, ku unë kam qëndruar disa ditë, jeta zhvillohej normalisht. Ndonëse nuk kam pasur asnjë simptomë përpos dhimbjes në nyje, e që kam menduar se e kam pasur nga ecja që kam bërë në Londër, testi më doli pozitiv”, tha ajo.

Doktoresha Tafilaj thotë se ka qenë e befasuar nga lajmi që i është kumtuar për rezultatin e testit. “Ajo që më ka shkuar në mendje menjëherë, ka qenë familja ime, si do ta përjetojnë gjithë këtë situatë. Dhe ashtu doli, kanë qenë shumë të shqetësuar. Më pas u shtrova në klinikë, dhe për tre javë rresht nuk kam dala as në ballkonin e dhomës së spitalit. Takimi im i vetëm ka qenë me mjekë dhe infermierë”, tha ajo.

Dhe përderisa fillimin e sëmundjes e përshkruan me simptoma më të lehta, Dr. Tafilaj thotë se me kalimin e ditëve, virusin filloi ta përjetojë si virus ankthi.

“Në fillim të sëmundjes ndihesha mirë. Pas disa ditësh filloi një dhimbje e madhe e kokës, me të vjella, kollë e diare. Java e dytë ma ç’rregulloi ritmin e zemrës, si dhe tensionin e gjakut. COVID-19 filloi të më shkaktojë edhe ankth dhe frikë. Secila simptomë që përmendej më dukej se ishte në trupin tim. Pas testit të dytë dola pozitiv, testi i tretë, gjithashtu pozitiv, deri te testi i katërt, unë vazhdimisht rezultoja rast pozitiv”.

“Kjo më shqetësonte shumë, dhe kisha përshtypjen që gjithmonë do të jetoja me këtë virus në trup, dhe koha e qëndrimit në spital më dukej tejet e gjatë’’, tha ajo.

Dhomën ku ka ndejtur 30 ditë e përshkruan si shumë të vogël, me një karrige të kuqe përballë shtratit, një tavolinë të vogël dhe banjo vetëm tre hapa larg shtratit. Mjekët dhe infermierët ishin i vetmi kontakt për të.

“Kam pasur momente të vështira, të qëndrosh brenda një dhome të vogël spitali dhe të jetosh me simptomën e vdekjes, sepse është virus i panjohur dhe nuk e din se çka po ndodh. Çdo ditë pret me u fut në oksigjeno-terapi, apo ventilatorë. Pas testit të katërt, për dy ditë rresht kam pasur ankth. E kalova rrezikun, por ka qenë e vështirë”, thotë Tafilaj.

Për rreth 23 ditë rresht, ajo ka komunikuar vetëm me personelin mjekësor, por javën e fundit, në distancë dhe me maskë e doreza, është takuar me pacientë të tjerë.

Për të, ky hap komunikimi me të tjerët, ia ka kthyer edhe një ankth tjetër që e ndiqte, që kur testi i parë i ka dalë testi pozitiv – frika mos e infekton dikë me virusin e ri.

“Virulenca tek unë ka qenë shumë e fortë, dhe kam pasur mundësi të infektoj shumë njerëz, sepse për 30 ditë rresht, testi më dilte pozitiv. Fakti që nuk i kam infektuar unë të tjerët, po më bën të ndihem shumë mire”, tha ajo. Mbi të gjitha, thotë doktoresha, është puna e mjekëve dhe infermierëve, të cilët duke qenë në linjën e parë të frontit me koronavirusin e ri, motivojnë pacientët të luftojnë virusin.

Në emrin e tyre dhe të familjes, ajo bën thirrje te të gjithë, që t’u përmbahen rekomandimeve dhe të qëndrojnë në shtëpi, sepse “nuk është virus i lehtë për t’u tejkaluar”./REL/

----- ----