Ballina Lajme nacionale Rrëfimi i Mimoza Kusari-Lila: Dikur qëndisja jelekun e arit për ta financuar...

Rrëfimi i Mimoza Kusari-Lila: Dikur qëndisja jelekun e arit për ta financuar shkollimin

23
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Mimoza Kusari-Lila, deputetja që dikur qëndiste jelekun e arit për ta financuar shkollimin.

Përgjatë viteve ka mbajtur poste të rëndësishme në jetën politike. Mimoza Kusari-Lila karrierën e saj politike e nisi si këshilltare e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi në vitin 2003.

----

Nga aty Kusari-Lila ka vazhduar për të mbajtur postin e zëvendëskryeministres dhe të ministres së Tregtisë dhe të Industrisë së Republikës së Kosovës. Më pas fitoi besimin e qytetarëve të Gjakovës për të qenë udhëheqja e tyre deri në zgjedhjet e kaluara lokale. Ndërsa tani ajo është rizgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës, shkruan gazeta “Zeri”.

Sot jo vetëm atë, por edhe shume personalitet të njohura i shohim si njerëz me fat dhe të cilët nuk janë përballur me vështirësi në jetën e tyre. Mirëpo, jeta nuk ishte treguar kaq e mirë me të në kohën kur ajo ishte adoleshente. Mimoza Kusari-Lila ka rrëfyer se pushimet verore gjatë shkollës së mesme nuk i kishte kaluar si çdo e re tjetër.

Ajo ka sjellë në kujtesë atë kohë kur i ishte dashur të punonte si ndihmësrrobaqepëse për t’i dalë në ndihmë familjes së saj. Aty deputetja e Kuvendit kishte mësuar ta qëndiste jelekun e arit për nuset e asaj kohe.

“Puna ime e parë, për të cilën jam paguar, ka qenë si ndihmëse e rrobaqepëses. Një kushërirë e afërt merrej me rrobaqepësi dhe në pushimet e verës gjatë shkollës së mesme jam angazhuar për ta mësuar profesionin, por edhe për të pasur mundësi të fitoj diçka në kohën e krizës së thellë ekonomike, politike dhe sociale, në të cilën ishte Kosova e asaj kohe. Krahas kësaj pune, unë sikur edhe shumë vajza e djem në Gjakovë mësova të qëndis jelek me ar, pjesë të të cilave i punonim dhe për to paguheshim nga zanatlinjtë që bënin tërësinë e tyre. Ato shiteshin në tërë Kosovën nëpër tregje për nuset e reja që martoheshin”, ka rrëfyer ajo.

Kusari-Lila ka thënë se në atë kohë ka qenë e vështirë jeta dhe jo puna. Ajo ka sjellë në kujtesë momentet kur prindërit e saj mundoheshin me mish e me shpirt t’ua ofronin kushtet bazike dhe ndonjëherë ata nuk ia dilnin, pavarësisht ngritjes shkollore dhe punëve të rëndësishme që mbanin.

Më tutje ajo ka rrëfyer se prindërit gjithmonë ia kishin bërë të qartë që përfundimi me sukses i studimeve duhej të ishte në radhë të parë krahas punës që bënte.

“Oraret për punë natyrisht e kanë përcaktuar orarin e paktë për aktivitetet tjera, por në familje më ishte komunikuar qartë se shkolla dhe edukimi janë të parat, pastaj puna vjen e dyta. Kjo ishte në njëfarë mënyre edhe vendosje e prioriteteve dhe angazhim më i madh për mua për të përfunduar studimet e nisura në kohë krize të thellë paralelisht me mbajtjen e punës”.

Kusari-Lila ka rrëfyer se me punën artizanale është marrë deri në moshën 19-vjeçare, kur pastaj kishte gjetur punë në një kompani si mbajtëse e regjistrit të mallrave, që hynin në depo dhe pastaj shiteshin. Po këtë punë, siç ka rrëfyer ajo, e ka bërë për tre vjet rresht, deri në kohën kur ka diplomuar. Menjëherë pas diplomimit Kusari-Lila kujton se kishte gjetur punë në organizatën franceze “Mjekët pa kufij”, e cila furnizonte zonat e prekura nga lufta me produkte mjekësore dhe me veshmbathje.

Kusari-Lila ka thënë se asnjëherë nuk është pishman për punën që ka bërë për të arritur këtu ku është sot. Madje ajo thotë se të punosh dhe të studiosh në të njëjtën kohë mësohesh të vlerësosh kohën dhe gjërat e rëndësishme në jetë.

“Asgjë të keqe nuk ka në punën për t’i financuar studimet, vetëm se puna të mos shkojë në dëm të studimeve, por në mbështetje të tyre. Jam shumë e bindur se ata që punojnë dhe studiojnë në të njëjtën kohë mësojnë ta vlerësojnë kohën më mirë dhe mësojnë shumë gjëra me rëndësi për jetën, për punën dhe për karrierën në të njëjtën kohë”, ka thënë ajo.

----- ----