Ballina Sport Rrëfimi i Iniestës: Ronaldinho më telefonoi në 3 të natës për të...

Rrëfimi i Iniestës: Ronaldinho më telefonoi në 3 të natës për të më thënë se do shkojë te Reali

14
SHPËRNDAJE

Sot në orën 16:00 luhet përballja mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, ndërsa ish futbollisti i katalanëve, Andsres Iniesta kujton një ngjarje mjaft interesante, që lidhet me ish yllin brazilian të futbollit, Ronaldinho Gaucho.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në nëntorin e 2005-ës, disa ditë para El Clasicos së 19 nëntorit, kur Ronaldinho vendos të telefonojë Iniestën më 3 të natës për t’i dhënë një lajm të rëndësishëm.

“Disa ditë para El Clasicos, Dinho më telefonon dhe më thotë: Andres e di që është ora tre e natës, por dua të të them diçka. Në qershor do të largohem. Vëllai im po arrin një marrëveshje me Realin e Madridit dhe bëhet fjalë për shifra të jashtëzakonshme, që nuk mund t’i refuzoj. Ti je i ri dhe mund të më kuptosh. Por dua që të mos tregosh asgjë në dhomat e zhveshjes, apo te drejtuesit e klubit. Mos më tradhto. Kam besim te ty. Natën e mirë Andres”, më tha Dinho në telefon.

“Të nesërmen në stërvitje pashë një heshtje të jashtëzakonshme dhe të gjithë e përkëdhelnin Ronaldinhon si kurrë më parë. Ishte krijuar një atmosferë surreale”, vijon rrëfimin e tij Iniesta.

Megjithatë siç zbulon mesfushori spanjoll, gjithçka ishte një skenar i vetë Ronaldinhos, që zbuloi të vërtetën para shokëve ditën e El Clasicos, duke i motivuar ata edhe më tepër drejt një fitoreje bindëse me rezultatin 0-3.

“Ditën e El Clasicos Dinho erdhi në dhomat e zhveshjes dhe tha: Shokë sot luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme. Këta janë shumë të fortë, por gjatë këtyre ditëve kam zbuluar se ne jemi një familje e vërtetë. U kam telefonuar të gjithëve në mes të natës për t’u thënë se do të largohem në qershor, por askush prej jush nuk foli. Pas kësaj kam kuptuar se të gjithë jemi gati të vdesim, por të mos tradhtojmë. Unë do të qëndroj këtu edhe për shumë vite, ndaj le të zbresim në fushë dhe t’u tregojmë si luhet futbolli, këtyre të Madridit”, kujton Iniesta.

Më pas Barcelona zhvilloi një ndeshje perfekte dhe arriti të triumfojë me rezultatin e thellë 0-3 në “Santiago Bernabeu”, ndërsa Ronaldinho arriti të shënojë dy herë në atë takim.

-----