Ballina Sport Rossi dhe Maradona, dy histori të ndryshme fanellash

Rossi dhe Maradona, dy histori të ndryshme fanellash

24
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Fanella e Paolo Rossit – “ajo” fanellë, uniforma e kaltër me numër 20 me të cilën Pablito, në 5 korrik 1982, në Botërorin e Spanjës, i shënoi tre gola Brazilit – është në shitje për 50 mijë dollarë. Ka vetëm një kusht: “E kam të rëndësishme që ai që do ta blejë të jetë i lidhur me botën e sportit”. Ai që ka folur, nga shtëpia e tij në Ribeirão Preto, në Brazil, brenda shtetit të Sao Paolos, është pronari i ligjshëm i saj, Juninho Fonseca, 62 vjeç, mbrojtës rezervë në Brazilin e’82 e në pankinë në Sarrià të Barcelonës në 5 korrikun e atëhershëm. Juninho Fonseca në 1982 luante në Ponte Preta, pastaj kaloi tek Corinthians, me Vasco da Gama e Cruzeiron, e në Japoni fitoi dy kampionate me Yomiuri. Si trajner, maksimumi i tij ka qenë pankina e Corinthians, në 2003-2004.

“Unë atë ditë isha në pankinë, sepse Edinho, zëvendësuesi i parë i mbrojtjes ishte i dëmtuar. Në fund të ndeshjes hyra në dhomat e zhveshjes së Italisë sepse doja ta këmbeja fanellën time me numër 14 me një “camisa azul”. Nuk kisha pretendime, më mjaftonte një çfarëdo. Dikush, nuk e kujtoj kush, po nuk ishte lojtar, ndoshta një nga stafi i magazinierëve, nuk e di, më dha një qese me fanellat brenda e unë në atë moment as nuk e pashë e kujt ishte. Kur dola e pashë: ishte numri 20″.

E tani vlera është 50 mijë dollarë dhe ka një kusht: “Nuk e di, për mua besoj se janë mjaftueshëm, nëse dikush ofron më shumë aq më mirë. E rëndësishme është që fanella të përfundojë në duar të mira. Është një ish-lojtar i Brazilit që ma ka kërkuar me ngulm, por deri tani nuk kemi gjetur akordin. Nuk dua të them kush është”.

Ndërkohë që fanella e Rossit është në shitje, dikush tjetër nuk e shet fanellën e Maradonës as për 2 milion €. Katër vjet pas Luftës së Malvineve apo Ishujve Folklend, Argjentina u vu përballë Anglisë në stadiumin “Azteka” të Qytetit të Meksikos, në një të nxehtë asfiksues. Mes futbollistëve anglezë, të cilët atë mesditë meksikane patën punë me Diego Armando Maradonën në çerekfinalen e Botërorit, ishte edhe Steve Hodge.

Mesfushori, i cili më 22 qershor 1986 ishte 23 vjeç, përjetoi nga afër magjinë e legjendës së futbollit. Sigurisht ai u hidhërua për vdekje nga goli i tij me dorë, por edhe u mahnit nga ajo që ndodhi 5 minuta më pas, me golin më të bukur të shënuar ndonjëherë në kupat e botës. Pasi iu ringjall shpresa nga rrjeta e Gary Lineker dhe pasi u përplas me portierin argjentinas, Pumpidu, Hodge doli nga fusha i pikëlluar, duke mos dashur të shikonte festimet e kundërshtarëve. Gjithsesi, edhe pse i eliminuar, për të ajo ditë solli një dhuratë.

Kur Maradona u kthye në dhomën e zhveshjes së Argjentinës, ai nuk e kishte të veshur fanellën e famshme me numrin 10. Atë e kishte marrë pikërisht Steve Hodge, i cili e tregon sot me krenari si një dhuratë të çmuar. Për të ajo dhuratë është e paçmueshme. Sot e kësaj dite, ndërsa gjithë bota ende po mban zi për shuarjen e legjendës, Hodge thekson se ka refuzuar çdo ofertë për ta nxjerrë në ankand.

Vlera e asaj cope të thjeshtë pambuku e najloni, sipas ekspertëve, ka shkuar në 2 milionë euro. “Nuk e jap për asnjë çmim në botë, – thotë anglezi, – Nuk kam ndërmend ta shes, kërkesat janë mungesë respekti. Unë nuk dua të bëhem i pasur me këtë fanellë. Më pëlqen ta mbaj, ka një vlerë të jashtëzakonshme sentimentale, më jep një kënaqësi të madhe”.

Ndërsa, në Argjentinë vazhdojnë hetimet për vdekjen e Diegos, dhe po akuzohen mjekët, fanella më e famshme e futbollit në histori ndodhet në muzeun e Mançester. Pikërisht në shtetin me të cilin ai u armiqësua dhe ku shumëkush ende nuk e ka falur për atë gol që tha se e shënoi me “Dorën e Zotit”.

---- ----
----
-----
-----