
Kampionati i futbollit në Shqipëri do të rinisë më 3 qershor. Kështu të paktën shprehet Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, pas mbledhjes që FSHF zhvilloi me presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore.
“Synimi ishte me 31, por koha nuk premtonte në këtë situatë, për këtë arsye u vendos data 3 qershor”, tha Demi për mediat.
Gjithsesi, data nuk është përfundimtare, pasi pritet vendimi i qeverisë.
Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi paraditen e të mërkurës një mbledhje me të gjithë Presidentët e Kategorisë Superiore për të diskutuar mbi opsionet e rifillimit të futbollit.
Kjo mbledhje erdhi pas punës së kryer nga stafi i FSHF për përgatitjet mbi rifillimin e garës futbollistike në vend.
Ekspertët mjekësorë të Federatës kanë përgatitur një protokoll mjekësor i cili është konsultuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në dy takimet e zhvilluara ditët e fundit.