Ballina Lajme Bota/Rajoni REPORTAZHI: Aktakuza ndaj Thaçit e vë në pikëpyetje të ardhmen e Komisionit...

REPORTAZHI: Aktakuza ndaj Thaçit e vë në pikëpyetje të ardhmen e Komisionit të së Vërtetës

61
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ish-presidenti Hashim Thaçi vuri në lëvizje krijimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin për Kosovën, por pas akuzimit të tij për krime lufte, është e paqartë nëse ndonjë lider tjetër politik ka vullnet për ta çuar përpara këtë iniciativë.

Nga Serbeze Haxhiaj

Në vitin 2017, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi inicioi krijimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, duke theksuar se vendi duhet të përballet me të vërtetën e asaj që ndodhi gjatë luftës së viteve 1998-1999 në mënyrë që populli i Kosovës të mos mbetet peng i së kaluarës.

Thaçi, ish drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, shpresonte që komisioni të siguronte bazën për dialog mes komuniteteve të ndara të Kosovës.

“Shoqëria e Kosovës dhe Ballkani në përgjithësi është ende peng i këtyre narrativave të vjetra dhe brezat që kanë lindur pas luftës ende i shohin moshatarët e tyre nga komuniteti tjetër si armiq, jo si pjesë e një shoqërie për bashkëpunim dhe bashkëjetesë”, ka thanë ai në një takim planifikimi për krijimin e komisionit.

Në vitin 2018, presidenti formoi një ekip përgatitor për të përgatitur legjislacionin për krijimin e komisionit. Mandati i ekipit ka skaduar në fund të tetorit të këtij viti dhe ekipi ka kërkuar edhe gjashtë muaj shtesë për të përfunduar punën e tij, për shkak të ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia.

Por presidenti Thaçi dha dorëheqjen në nëntor pasi u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke ngritur pikëpyetje nëse të tjerët do të çojnë përpara nismën për të krijuar komisionin.

Artan Murati, këshilltar i ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se çështja nuk është diskutuar ende.

“Para se të vazhdohet më tej, duhet të bëhet një vlerësim i punës dhe mandatit të ekipit përgatitor”, tha Murati për BIRN.

Ende  nuk është e qartë se çfarë synon saktësisht të arrij komisioni, përderisa janë ngritur pyetje nëse serbët e Kosovës, që kanë një këndvështrim ndryshe të konfliktit nga shqiptarët, do të përfshihen në proces.

Kushtrim Koliqi, një nga anëtarët e ekipit përgatitor, i tha BIRN se puna e ekipit nuk ka mbaruar ende dhe se nevojitet një takim me presidenten në detyrë për të parë se si do të vazhdohet.

“ Derisa ne jemi duke punuar për përgatitjen e akteve tjera, duhet të fillojë paralelisht një dialog më i gjerë politik, sepse ky proces ka nevojë për mbështetje politike. Konsensusi politik është një domosdoshmëri, nëse duam të shkojmë përpara”, tha Koliqi.

“Ai nuk mund të krijojë pajtim”

Në fshatin Rracaj të Gjakovës, Zenun Xhemajli, 78 vjeç,  thotë se ka humbur shpresën se e vërteta për atë që ka ndodhur me katër djemtë e tij do të dihet ndonjëherë.

Në gusht 1998, dy nga djemtë e tij, Muharremi, 27 vjeç, dhe Iliri, 25 vjeç, u ndaluan dhe u morën nga një patrullë e policisë serbe afër fshatit të tyre.

Më pak se një vit më vonë, më 27 prill 1999, dy djemtë e tij më të vegjël, Shkëlzeni 21-vjeçar dhe Albani 19-vjeçar, u vranë së bashku me 375 shqiptarë të tjerë të Kosovës në masakrën e Mejës.

Eshtrat e Albanit u gjetën në një varr masiv në Batajnica, në periferi të Beogradit në vitin 2004. Por trupat e tre djemve të tjerë të Xhemajlit janë ende të zhdukur.

Xhemajli nuk ka dëgjuar kurrë për iniciativën për krijimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.

“Nëse u kushtohet viktimave e  nuk është për llogari politike, atëherë ai duhet të diskutohet me viktimat dhe familjet e tyre”, tha ai për BIRN.

“Djemtë e mi, si shumë të tjerë të zhdukur, ende  nuk kanë një varr. Ata mund ta quajnë atë (komisionin) si të duan, por nuk mund të shërbejë për krijimin e pajtimit. Nuk mundet”, u shpreh ai.

Nisma të ngjashme për komisione në vende  e tje atë ish Jugosllavisë kanë dështuar, ngase ato nuk krijuan një themel të fortë për pajtimin ndëretnik.

Jasna Dragoviç Soso, profesoreshë në Departamentin e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Goldsmiths, Universiteti i Londrës, shpreh dyshimet nëse projekti i ish presidentit Thaçit do të rezultojë i suksesshëm.

“Druhem se  nuk do të funksionoj. Për shumë qytetarë të Kosovës, mendoj se është e vështirë të besojnë në vërtetësinë e gjestit të ish-presidentit”, tha Dragoviç Soso për BIRN.

Ajo argumentoi se përkrahja më e madhe nga autoritetet për nismat e shoqërisë civile për të zbuluar fakte në lidhje me të kaluarën në Kosovë dhe gjithë rajonin do të ishte një hap përpara.

“Një konsideratë gjithëpërfshirëse e së kaluarës së afërt që kërkon të marrë dhe njohë përvojat e njerëzve të ndryshëm është më premtuese për t’iu qasur çështjeve të vështira dhe përçarëse”, shpjegon ajo.

“Është gabim që barrën e pajtimit t’ia ngarkosh gjykatave. Ato duhet të fokusohen në përcaktimin e fajit ose të pafajësisë së individëve dhe ta bëjnë atë pa ndërhyrje politike”, shtoi ajo.

“Përfshirja e serbëve do të ishte thelbësore”

Nëse krijohet Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit, Kosova do të ishte vendi i parë ish-Jugosllavi që ka një mekanizëm të tillë.

Bosnja dhe Hercegovina është përpjekur për vite me radhë të krijojë një institucion të ngjashëm, pa ndonjë sukses, ndërsa nismat në Kroaci dhe Serbi kanë dështuar.

“Në Serbi dhe Kroaci komisionet e së vërtetës ishin të destinuara të dështonin, sepse ishin të kontrolluara politikisht, të dizajnuara për të fshehur historinë njëkohësisht “, tha Brian Grodsky, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Merilendit,  në Baltimore.

“Në të dyja këto raste, komisionet ishin një përpjekje gjysmake për të ulur presionet ndërkombëtare për ndjekjet penale të krimeve të luftës”, shtoi Grodsky.

Edhe partitë politike në Kosovë mund të sjellin pengesa për çuarjen para të kësaj nisme në Kosovë.

Thaçi ka theksuar se qëllimi i komisionit është arritja e pajtimit përmes dialogut të brendshëm mes komuniteteve dhe se përvojat e viktimave të luftës do të ishin në themel të kësaj nisme.

Por opozita  në Kosovë  e ka quajtur këtë iniciativë të Thaçi një nismë për qëllimet e tij politike, jo nga një dëshirë e sinqertë për pajtim.

Grodsky argumentoi se për të rritur legjitimitetin e tij, një komision për të vërtetën dhe pajtimin duhet të krijohet nga një organ përfaqësues i gjerë siç është parlamenti.

“Ai duhet të përfshijë anëtarë që përfaqësojnë në një farë mase spektrin e protagonistëve të përfshirë në konflikt. Përfshirja e serbëve do të ishte thelbësore për të pasur ndikim”, tha ai.

“Ata duhet të tregojnë transparencë dhe të jenë të gatshëm të dëgjojnë një larmi perspektivash, përfshi viktimat nga të dy palët. Mundësia për të folur për disa autorë krimesh mund të ndihmojë gjithashtu procesin, që duhet të përfshijë mbrojtjen, si në rastin e Programit të Amnistisë të Afrikës së Jugut”, shton Grodsky.

Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin i Afrikës së Jugut, një organ i ngritur pas aparteidit, kishte fuqinë t’u jepte amnisti autorëve të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Ai u fokusua në krijimin e një regjistri historik të krimeve të kryera nën sundimin e pakicës së bardhë dhe në formulimin e propozimeve për dëmshpërblime, më shumë se në ndjekjen penale të përgjegjësve.

Krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës janë trajtuar nga gjykatat në Kosovë dhe Serbi, pa ndonjë sukses të madh deri më tani, si dhe nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, i cili dha dënime për disa zyrtarë të lartë serbë.

Tani Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë do të fillojnë të gjykojnë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara të kryera gjatë luftës dhe pas saj.

Por Grodsky argumenton se Komisioni i Vërtetës dhe Pajtimit i propozuar në Kosovë nuk duhet të ketë për qëllim mbledhjen e provave për ndjekjet penale.

“Ai duhet të plotësojë punën e gjykatës së Hagës, në vend që të konkurrojë me të”, tha ai.

---- ----
----
-----
-----