Ballina Lajme nacionale REGJISTRIMI NË BALLKAN: Më shumë politikë sesa statistikë!

REGJISTRIMI NË BALLKAN: Më shumë politikë sesa statistikë!

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Edhe pse regjistrimi i popullsisë duhet të jetë operacion statistikor, i duhur për çdo vend për të projektuar planet në secilën sferë të jetës, në vendet e Ballkanit Perëndimor ai më tepër shihet si operacion politik dhe etnik, konkretisht të dihet se sa jemi “tanët” dhe sa të “atyre”. 20 vite pas luftërave të përgjakshme, ndasitë jo që janë ofruar, por janë thelluar edhe më shumë. Besë në numra konkret nuk ka asnjëri, dhe kjo për faj të politikës

Xhenur ISENI

Shkup, 20 mars – Edhe pse regjistrimi i popullsisë duhet të jetë operacion statistikor, i duhur për çdo vend për të projektuar planet në secilën sferë të jetës, në vendet e Ballkanit Perëndimor ai më tepër shihet si operacion politik dhe etnik, konkretisht të dihet se sa jemi “tanët” dhe sa të “atyre”. Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut do të mbahet nga 1 deri më 21 prill, ndërsa në periudhën prej 1 deri më 15 mars, u regjistruan gjithë personat që janë shtetas të vendit, por që qëndrojnë në vendet e huaja. Operacioni në diasporë është duke u zbatuar online, përkatësisht me vetë-regjistrim përmes një aplikacioni special. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut ishte zbatuar në vitin 2002, ndërsa në vitin 2011 operacioni ishte ndaluar për shkak dyshimeve për falsifikim. Ish Prokuroria Speciale në vitin 2018 ngriti hetim për atë regjistrim, mes të dyshuarve ishin edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Arsyeja kryesore për politizim të regjistrimit është për shkak se disa të drejta të pakicave janë rregulluar varësisht nga përqindja tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë, që është mbi 20 për qind. Në bazë të të dhënave për numrin e shqiptarëve në shtet, nga regjistrimi i vitit 2002, janë bërë ndryshime Kushtetuese, ku janë përfshirë përmirësimi i të drejtave të shqiptarëve si dhe të pakicave tjera në vend. Disa nga dispozitat në Kushtetutë kanë të bëjnë me bashkësitë që janë më shumë se 20 për qind nga popullsia në përgjithësi. Menjëherë pas miratimit të ligjit për regjistrim në janar të këtij viti, opozitarja VMRO-DPMNE po tenton prolongimin e saj. Në fillim kërkesat e tyre ishin të lidhura me falsifikatin e mundshëm që po planifikojnë partitë në pushtet. Pas mbledhjes së nënshkrimeve nga qytetarët që dëshirojnë prolongimin e regjistrimit, VMRO-DPMNE në fillim të këtij muaji deri në Parlament dorëzoi propozim ligj për anulimin e Ligjit për regjistrim. “Këtë propozim e dorëzuam që ta ndalojmë këtë regjistrim politik dhe këtë katastrofë nacionale në paralajmërim. Faktet dhe argumentet flasin se pushteti po planifikon falsifikim politik dhe një regjistrim jo relevant”, tha deputetja e kësaj partie, Ivanka Vasilevska. Opozita potencon se nuk janë kundër regjistrimit, për arsye se ky operacion është i nevojshëm për shtetin, por është kundër regjistrimit të kurdisur me të cilin pushteti do të shpalos numra që janë rezultat i pazareve mes partnerëve të tyre të koalicionit, ndërsa në dëm të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Më pas lideri i partisë Hristijan Mickoski përmes një letre kërkoi nga ambasadorët e huaj në vend të ndikojnë për prolongimin e regjistrimit, për arsye pandemia mund të shkakton pasoja ndaj shëndetit të njerëzve. Ai në letrën e dërguar ambasadorëve, propozoi që regjistrimi të prolongohet për në shtator të këtij viti, që të ketë kohë për furnizim me vaksina për gjithë regjistruesit.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev nuk sheh arsye për prolongim të regjistrimit sepse siç thotë, operacioni organizohet sipas gjitha protokolleve për mbrojtje. Ai thotë se rezultatet nga regjistrimi janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ardhmërinë ekonomike të vendit dhe për këtë arsye duhet të zbatohet. “Disa vende mund të ia lejojnë vetes që ta prolongojnë regjistrimin, por ata kanë bërë regjistrim para 10 viteve, ndërsa ne nuk kemi regjistrim gati 20 vite. Mungesa e të dhënave sjell padrejtësi dhe i bën institucionet të punojnë në mjegull. Regjistrimi patjetër duhet të mbahet, kthim s’ka, gjithë ne duhet të marrim përgjegjësi dhe të marrim pjesë në këtë operacion statistikorë e cila është e nevojshme për zhvillim të masave ekonomike dhe për ardhmërinë e shtetit”, potencoi ditë më parë Kryeministri Zoran Zaev.

Drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostol Simovski, thotë se vendimi eventual për prolongim varet vetëm nga Komisioni për Sëmundje Infektive, nëse ajo vlerëson se gjendja epidemiologjike po përkeqësohet. Gjendja e tanishme lejon zbatimin e regjistrimit me respektim strikt ndaj protokolleve shëndetësore, shton Simovski. Ndërsa, Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karaxhovski i pyetur rreth realizimit të procesit të Regjistrimit të paraparë prej 1 deri më 21 prill të këtij viti, u shpreh se KSI-ja me kërkesë të Qeverisë ka përgatitur protokoll për regjistrimin, ndërkohë nëse do të mbahet apo jo regjistrimi, u shpreh se është vendim politik dhe jo i KSI-së. “Komisioni nuk merret me atë nëse do të ketë apo jo regjistrim, u kërkua nga ne të përgatisim protokoll dhe ne atë e kemi bërë, do të mbahet apo jo regjistrimi vendos politika”, tha Karaxhovski.

MALI I ZI, “MALAZEZ” DHE “SERB”

Regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi nuk do të zbatohet në muajin prill siç ishte planifikuar, por me shumë mundësi në pjesën e dytë të vitit. Për regjistrim duhet të sigurohen mjete në buxhet, ndërsa buxheti ende nuk është miratuar, ndërsa tani vendi i përmbush obligimet financiare përmes vendimit për financim të përkohshëm. Qeveria duhet të propozon ligj për regjistrim, ndërsa Parlamenti duhet ta miraton. Përveç kësaj, institucionet kompetente duhet ta vlerësojnë edhe rrezikun e pandemisë së koronavirusit gjatë zbatimit të regjistrimit. Regjistrimet e mëparshme në këtë vend kishin kaluar me fushata të fuqishme politike. Kështu, në regjistrimin e vitit 2011 qytetarët e Malit të Zi ftoheshin të deklarohen si Serb. Për këtë arsye, përveç rrugëve magjistrale, kishte dhe panoja nga tenisti serb me famë botërore Novak Gjokoviq, me porosi “Bëhu ai që je”. Serbia ka treguar interesim për rezultatet e regjistrimit të ardhshëm. Disa herë Presidenti Aleksandar Vuçiq e potencon rëndësinë e regjistrimit në Mal të Zi, siç thotë ai “të mos zhduket populli serb”.

Presidenti malazez, Millo Gjukanoviq këto porosi i vlerësoi si të jashtëzakonshme për një shef të shtetit që interes nacional është regjistrimi i popullsisë i një vendi tjetër fqinj. Edhe Kisha Ortodokse Serbe kumtoi se regjistrimi në Mal të Zi është i një rëndësie vitale për KOS dhe për shtetin, pasi kleriku i ri Porfirij ka pasur takime edhe me përfaqësues të partive në Mal të Zi. Partitë që kanë anëtarë të pakicave në Mal të Zi, gjithashtu kanë shprehur interesim që qytetarët të deklarohen për përkatësinë etnike, për arsye se në bazë të përqindjes së përfaqësimit, varen dhe disa të drejta të caktuara, e që janë të garantuara me Kushtetutë. Në regjistrimin e vitit 2011, në vend janë regjistruar rreth 620 mijë qytetarë, nga të cilët 45% janë deklaruar malazez, 28% serb, ndërsa bashkësitë tjera kanë 8% ose më pak.

A DO TA BOJKOTOJNË SHQIPTARËT REGJISTRIMIN NË SERBI?

Regjistrimi në Serbi duhej të mbahej në prill, por, për shkak të pandemisë është prolonguar për në tetor të këtij viti. Nga Enti për Statistika kumtuan se kanë ngritur procedurë për ndryshime të ligjit për regjistrim dhe përgatitën projektligj. Në regjistrimin e fundit në vitin 2011 në Serbi janë regjistruar rreth 7.200.000 qytetarë, por sipas të dhënave të Entit për Statistika, në vitin 2019 ai numër për së pari herë pas 53 viteve kishte rënë nën 7 milion. Më shumë nga të regjistruarit atëherë ishin deklaruar si serb – 5.9 milion, ndërsa pakicë më e madhe në numër ishin hungarezët me 253 mijë. Si shqiptarë janë deklaruar afro 5800 qytetarë, por supozohet se numri është më i madh, për shkak se në atë regjistrim shqiptarët refuzuan të marrin pjesë me arsyetimin se regjistrimet e mëparshme në Komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ishin të kurdisura dhe në të njëjtat vazhdimisht ishte ulur numri i shqiptarëve. Ata janë ankuar se formularet për regjistrim nuk janë në dy gjuhë dhe struktura e regjistruesve nuk korrespondon me strukturën e popullsisë. Deri më tani nuk dihet nëse shqiptarët përsëri do ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë në Serbi që do të mbahet këtë vit.

SERBËT NUK KANË VULLNET PËR REGJISTRIM NË KOSOVË

Për shkak të pandemisë me koronavirusin, regjistrimi i popullsisë në Kosovë që ishte i paraparë për këtë vit, do të mbahet në vitin 2022, edhe pse shumë ekspertë kanë vlerësuar se prolongimi është një vendim i gabuar, sepse gjatë kohës së pandemisë janë mbajtur dhe zgjedhjet, dhe nuk kanë parë arsye për prolongimin e regjistrimit. Sipas Agjencisë për Statistika, në fund të vitit 2019 në Kosovë jetojnë rreth 1.782.000 qytetarë. Regjistrimin e fundit të vitit 2011 serbet nga Kosova kryesisht e bojkotuan, ndërsa në 4 komuna të veriut aspak nuk ishte mbajtur. Thuhet se në veri jetojnë rreth 20 mijë qytetarë. Nga Agjencia për Statistika vlerësojnë se tani “ekziston vullneti për pjesëmarrje” për regjistrim në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

BOSHNJAKËT DHE SERBËT

Regjistrimi i parë pas luftës në Bosnje u mbajt në vitin 2013. Nga rezultatet përfundimtare të regjistrimit në këtë vend, është vërejtur rënie e numrit të popullsisë si dhe ndryshime drastike në përbërjen etnike të popullsisë në shumë qytete të BeH. Në këtë regjistrim 1.769.592 qytetarë janë deklaruar boshnjak, 544.780 qytetarë janë deklaruar kroat, 1.086.733 qytetarë janë deklaruar serb dhe 130.054 të tjerë. Regjistrimi i ri në Bosnje pritet të mbahet pas dy viteve. (koha.mk)

The post REGJISTRIMI NË BALLKAN: Më shumë politikë sesa statistikë! appeared first on KOHA.

---- ----
-----