Ballina Lajme nacionale Reçica tha se Qeveria injoroi kërkesat e Nismës

Reçica tha se Qeveria injoroi kërkesat e Nismës

9
SHPËRNDAJE

 

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se arsyeja që nuk e ka votuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Rishikuara 2021-2023, është mos përfshirja e Nismave Ligjore të MPMS-së, në këtë dokument.

Reforma Pensionale, Ligji për Pushimin e Lehonisë dhe Ligji i punës, janë vetëm disa nga çështjet që MPMS i ka adresuar e që nuk janë përfshirë në KASH.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica u shpreh se në këtë dokument, i cili është kryesori sa i përket planifikimeve buxhetore, nuk janë paraparë nismat ligjore të cilat janë të miratuara fillimisht në agjendën legjislative të Qeverisë.

“Unë bashkërisht edhe me kolegët e mi në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e nismës nuk e kemi votuar këtë kornizë për faktin se në këtë dokument i cili është dokumenti kryesor sa i përket planifikimeve buxhetore, nuk janë paraparë nismat ligjore të cilat janë të miratuara fillimisht në agjendën legjislative të Qeverisë. Bëhet fjalë për reformën pencionale, ligjin për pushimin e lehonisë, ligjin e punës dhe çështje të tjera të cilat ne i kemi iniciuar në kuadër të agjendës legjislative dhe pikërisht për këtë për shkak të mosakomodimit nuk e kemi votuar. Ne kemi kërkuar që të gjendet një hapësirë e akomodimit të këtyre nismave ligjore në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, e cila pastaj i hap rrugë draftimit të tyre”, tha ai.

Reçica theksoi për kp se këto nisma ligjore, të cilat janë iniciuar nga MPMS kanë për qëllim përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve dhe mirëqenies së tyre, derisa shton se pret nga Qeveria një zgjidhje për shtyrjen përpara të këtyre nismave.

“Ne jemi në bisedim me kryeministrin dhe akter të tjerë brenda qeverisë për të gjet një zgjidhje sa i përket këtyre nismave ligjore sepse këto nisma ligjore të cilat janë iniciuar nga MPMS, janë me qëllim të përmirësimit të kualitetit të jetës së qytetarëve tanë dhe mirëqenies së tyre dhe besoj fuqishëm që në vazhdim ne do të arrijmë që të gjej një zgjidhje sa i përket shtyrjes përpara të këtyre nismave ligjore”, deklaroi Reçica.

Ministri Reçica foli edhe për dyfishimin e skemës së asistencës sociale, e cila është miratuar me propozimin e tij, për çka tha se po i kushtojë rëndësi të madhe kësaj kategorie.

“Në kuadër të planit për rimëkëmbje ekonomike ditë më parë në Qeveri kemi miratuar vendimin për dyfishimin e skemës së asistencës sociale për muajin tetor-nëntor-dhjetor. Është një lajm i mire i cili është dhënë nga Qeveria e Kosovës e që tregon një përkushtim ndaj këtyre kategorive”, shtoi ai./kp

The post Reçica tha se Qeveria injoroi kërkesat e Nismës appeared first on RTV21.

-----