Ballina Lajme nacionale Reagon sërish Sami Lushtaku: Nga PDK-ja duhet të përjashtohen 5 persona

Reagon sërish Sami Lushtaku: Nga PDK-ja duhet të përjashtohen 5 persona

13
SHPËRNDAJE

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, tashmë kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë, Sami Lushtaku, ka thënë se ai nuk ka asnjë aktakuzë për korrupsion dhe se “askush nuk e ka qëllimin” që ta përjashtojë atë nga partia.

Ai ka sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij në raport me vendimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për shkarkimin nga pozitat publike dhe partiake të anëtarëve të PDK-së, të cilët kanë aktakuza të konfirmuara nga Prokuroria e Shtetit.

“Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare. E vetmja aktakuzë, dhe të cilën as tash e tutje nuk e pranoj, lidhet me transferimin tim në organet e zbatimit të drejtësisë në veri, ku konsideroj se do të rrezikohej jeta ime”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

“Kësisoj, unë kam përshtypjen se askush nuk e ka qëllimin të më përjashtojë nga partia, në të cilën jam mishëruar dhe jam pjesë e saj që nga fillimi”, ka shkruar ai.

Lushtaku ka thënë se nga Partia Demokratike e Kosovës duhet të largohet ose përjashtohen “4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar PDK-në dhe Kosovën”.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.”

Ai po ashtu i ka dalë në mbrojtje anëtarit të PDK-së, ish-gjeneralit të luftës, Agim Çeku, i cili u shkarkua nga pozita e zëvendësministrit të Mbrojtjes javën e kaluar.

“E nuk e besoj që duhet të luhen lojëra si viktimizimi i figurave të tilla si Gjenerali Agim Çeku e të tjerë për asnjë arsye”, ka thënë Lushtaku.

-----