Ballina Lajme nacionale Reagon LDK: Qeveria e dorëhequr nuk ka të drejtë të emërojë ambasadorët...

Reagon LDK: Qeveria e dorëhequr nuk ka të drejtë të emërojë ambasadorët e rinj

11
SHPËRNDAJE

Lidhja Demokratike Kosovës me anë të një reagimi për media ka thënë se qeveria e dorëhequr nuk ka të drejtë të emërojë ambasadorët e rinj.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për emërimet e kundërligjshme të ambasadorëve, që së fundi i ka bërë Qeveria e dorëhequr”.

“ Me këto veprime, Ministri i dorëhequr i Punëve të Jashtme, bashkë me Kryeministrin e dorëhequr Haradinaj dhe Presidentin Thaqi kanë degraduar edhe me tej shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, përkundër rastit në shqyrtim për kompetencat e Qeverisë së dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në këtë reagim të LDK-së.

Ja reagimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për emërimet e kundërligjshme të ambasadorëve, që së fundi i ka bërë Qeveria e dorëhequr. Me këto veprime, Ministri i dorëhequr i Punëve të Jashtme, bashkë me Kryeministrin e dorëhequr Haradinaj dhe Presidentin Thaqi kanë degraduar edhe me tej shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, përkundër rastit në shqyrtim për kompetencat e Qeverisë së dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese.

Veprimet e tilla janë në dëm të interesit publik dhe politizojnë edhe më tej shërbimin diplomatik. Krahas saj, Lidhja Demokratike dënon ashpër edhe veprimet e koalicionit në ikje PDK, AAK, NISMA dhe AKR për të ftuar mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme për emërimin e ambasadorëve politik një ditë para shpërndarjes së Kuvendit. Kryetarja e Komisionit dhe anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së, kanë refuzuar ta thërrasin këtë mbledhje dhe të marrin pjesë në të, sikur edhe në çdo rast tjetër të emërimit të ambasadorëve politik.

Ky koalicion po e izolon çdo ditë e më shumë Republikën e Kosovës ndërkombëtarisht për qëllim të rehatimit të militantëve partiak në pozitat kyçe të institucioneve. Me ardhjen e LDK-së në Qeveri, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së Kryeministrit.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është shumë e rëndësishme që secili vendim të realizohet në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me parimin e meritokracisë.

-----