Ballina Lajme nacionale Rasti në Drenas, nuk ka ende aktakuzë për vajzën e keqtrajtuar

Rasti në Drenas, nuk ka ende aktakuzë për vajzën e keqtrajtuar

52
SHPËRNDAJE

Një rast i rëndë ka ndodhur muaj më parë në Drenas.

Ka më shumë se nëntë muaj qëkur në media është bërë publik një rast i abuzimit seksual ndaj një vajze të mitur nga Drenasi. Por edhe pse janë dëgjuar dëshmitarë, janë marrë fakte, e janë bërë ekzaminime, Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk e ka dorëzuar në Gjykatë aktakuzën për këtë rast.

Nga kjo prokurori disa herë kanë deklaruar se gjatë muajit gusht, aktakuza do të jetë e gatshme, por, kjo gjë ende nuk ka ndodhur. Arsyet e vonesave siç duket kanë të bëjnë me një ekspertizë financiare për këtë rast e cila po ekzaminohet jashtë Kosovës.

Në muajin shkurt të këtij viti, në media u publikua një video-ngjizim, ku një vajzë nga Drenasi në mënyrë publike kishte akuzuar profesorin e saj si dhe një polic nga Kosova për abuzim seksual, në kohën kur ajo kishte qenë e mitur, pra vetëm 16-vjeçare.

Për këtë rast si të dyshuar në abuzimin seksual ndaj vajzës nga Drenasi, janë 3 persona të dyshuar si dhe një gjinekolog i cili dyshohet se jashtëligjshëm e ka kryer abortin e vajzës.

Megjithatë, institucionet kosovare siç duket kanë ngecur me punët e tyre karshi hetimeve për këtë çështje.

Prokuroria e shtetit ende nuk ka mundur që ta bëjë gati një aktakuzë me të gjitha provat e kompletuara gjatë hetimeve e të njëjtën ta përcjellë për në Gjykatë.

Ani se ka më shumë se nëntë muaj që kur kanë nisur hetimet nga ana e prokurorisë për këtë punë e më shumë se katër muaj qëkur zyrtarët e Prokurorisë po deklarojnë se aktakuzën e kanë gati.

Gazeta Express ka provuar që ta kontaktojë prokurorin e rastit, Ruhan Salihun për të marrë detaje rreth asaj nëse e ka dorëzuar aktakuzën në gjykatë. Por kontakti me të nuk ka qenë i mundur.

Megjithëkëtë, burime të Express, brenda organeve të hetuesisë kosovare bëjnë me dije se aktakuza ende nuk është dorëzuar në gjykatë.

Por, kishte qenë vet prokurori Ruhan Salihu, i cili gjatë muajit korrik të këtij viti kishte deklaruar për Gazetën Express, se po e prisnin një ekspertizë financiare për këtë rast për t’ia bashkangjitur aktakzuëës e pastaj të kompletuar, atë shumë shpejtë do ta përcjellin për në Gjykatë.

“Rreth çështjes së aktakuzës për këtë lëndë, ne po e presim edhe një ekspertizë. Posa të na vijë, do t’ia bashkëngjisim aktakuzës dhe bashkë me të do ta dorëzojmë në gjykatë”, kështu ishte deklaruar për Express në muajin korrik prokurori Ruhan Salihu. Edhe pas 4 muajve, Salihu ka dështuar që aktakuzën ta dorëzojë në Gjykatë.

E ekspertiza financiare që hetuesit kosovarë kishin kërkuar hetim, kishte pasur të bëjë për njërin nga tre personat e akuzuar për abuzimin seksual ndaj vajzës nga Drenasi. Kjo ekspertizë do të jepte pasqyrën financiare të të hyrave bankare për njërin nga të akuzuarit për këtë rast. Ajo u dërgua për ekspertizë jashtë Kosovës.

E për gjithë këtë rast si të involvuar në abuzimin seksual ndaj vajzës nga Drenasi, janë 3 persona si dhe një gjinekolog i cili dyshohet se jashtëligjshëm e ka kryer abortin e vajzës.

Sipas Prokurorisë, vajza nga Drenasi, ishte dhunuar seksualisht nga një profesor i shkollës së mesme Xh. Gashi dhe nga polici, V.Veseli. Pas hetimeve të tjera u dyshua se ajo u dhunua edhe nga avokati i cili e kishte bërë publik rastin e saj, G.Halilaj.

18 vjeçarja kishte abortuar në një klinikë private në Prishtinë pasi ishte detyruar nga polici. Por, ende nuk është konfirmuar saktë se i kujt ishte fryti.

Edhe disa policë tjerë të Stacionit në Drenas janë përfshirë në hetime por ende asnjëri prej tyre nuk është suspenduar dhe nuk ka pasur ndonjë masë disiplinore.

Por pas disa muajve qëndrim në burg, avokati Halilaj është liruar nga ana e Prokurorisë së shtetit. Masa e burgut i është zëvendësuar atij me arrest shtëpiak.

Kujtojmë se më 5 shkurt në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. Gashi dhe nga hetuesi policor V. Veseli, ky i fundit dyshohet se e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë. Për rastin e vajzës së mitur nga Drenasi aktualisht profesori Sh.Xh dhe zyrtari policor V.V, që dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht janë në paraburgim për një muaj, ndërsa mjeku që ka kryer abortin është në arrest shtëpiak. Kurse avokati Gazmend Halilaj është ai i cili ka bërë publik rastin