Ballina Arti Raporti sekret nga Komiteti Qëndror, pas vrasjes së Allendes: Stafi i ambasadës...

Raporti sekret nga Komiteti Qëndror, pas vrasjes së Allendes: Stafi i ambasadës sonë të qëndrojë indiferent dhe vigjilent ndaj ngjarjeve në Kili

14
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetin Qëndror të PPSH-së), të cilat mbajnë siglën “sekret” dhe i përkasin vitit 1973, ku dy funksionarët e  lartë të aparatit të Komitetit Qëndror për Marrëdhëniet me Jashtë, Agim Popa dhe Pirro Bita, me anë të një informacioni, udhëzojnë titullarin e ambasadës shqiptare në kryeqytetin Santiago të Kilit në Amerikën e Jugut, lidhur me punën që ata duhet të bënin, marrdhëniet me kolegët e tyre të huaj të trupit diplomatic të akredituar në Santiago, ndihmat për grupet marksiste-leniniste etj., e deri te qëndrimi që ata duhet të mbanin ndaj qeverisë së Salvador Allendes…

Nga Dashnor Kaloçi

Kili i fillimit të viteve ‘70-të do të karakterizohej nga një paqëndrueshmëri e thellë politiko-ekonomike dhe sociale e shkaktuar nga reformat tejet radikale të menjëhershme të Presidentit, Salvador Allende dhe qeverisë së tij, ndaj sektorëve kryesorë të kësaj ekonomie, industrisë energjitike dhe asaj minerare, të shfrytëzuar prej vitesh nga firmat konçensionare amerikane. Këto reforma majtiste dhe të nxituara, do të shprehnin një pakënaqësi nga pjesa e moderuar e koalicionit të majtë, çka do të provokonte një krizë të thellë qeveritare në muajt në vazhdim. Përçarja e thellë e koalicionit të majtë qeveritar të Allendes, do të alarmonte sektorin e politikës së jashtme zyrtare shqiptare në Komitetit Qëndror të PPSH-së, deri aty, aq sa përgjegjësi i atij sektori, Agim Popa, do të detyrohej të jepte udhëzime të prera, për një qëndrim indiferent dhe jo shumë bashkëpunues të personelit të ambasadës shqiptare me forcat e koalicionit qeveritar dhe me Partitë e tjera të majta në vëndin e largët Amerikano-Jugor.

Dhe kjo, pasi Tirana zyrtare jo vetëm që e ndjente indiferentizmit e komunistëve kiliane për zhvillimin e një marrdhënje tejet miqësore me ta, por do të ishte plotësisht “e aftë të parashikonte” edhe shkatërrimin e shpejtë të qeverisë të majtë hibride të Salvador Allendes. Dhe në të vërtetë eksperimenti i majtë social në Kili, do të përfundonte në mënyrë tragjike në 11 shtator të vitit 1973, kur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kiliane, Gjenerali Augusto Ugarte Pinochet, së bashku me forcat e Këmbësorisë, Marinës, Aviacionit, Policisë, dhe shërbimit sekret DINA (me përkrahjen e heshtur të CIA-s dhe Pentagon-it), do të kryente një grusht shteti të tmerrshëm, duke sulmuar Pallatin Presidencial, La Moneda. Dhe si rezultat i këtyre ngjarjeve, të vetmet përfaqësi diplomatike të shteteve komuniste të vendosura në Santiago, si: Bashkimit Sovjetik, Kubës, dhe Shqipërisë, do të evakuoheshin në mënyrë të menjëhershme disa orë më pas. Sulm në të cilin vetë Presidenti Allende, do të luftonte me armë në dorë deri në vdekje. Junta ushtarake e djathtë e gjeneralit Pinochet, do ta drejtonte Kilin më pas me dorë të hekurt për 17 vjet me radhë, deri në largimin e tij në vitin 1990.

Lidhur sa më sipër, në këtë shkrim për herë të parë po publikojmë të plotë dy relacione sekrete të Komitetit Qëndror të PPSH-së, të muajve mars dhe korrik të vitit 1973. I pari i përket përgjegjësit të Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSH-së, Pirro Bita, dhe bën fjalë mbi gjëndjen politiko-ekonomike e sociale në Kilin e viteve ‘70-të dhe marrdhëniet e tij me Shqipërinë, ndërsa i dyti i përpiluar nga vetë pasuesi i tij, përgjegjës i Sektorit të Jashtëm pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, Agim Popa (i njohur ndryshe dhe si përkthyesi i delegacionit shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë), drejtuar ambasadës shqiptare në Santiago të Kilit, dhe veçanërisht ambasadorit të sapodërguar asokohe në këtë vend, Përparim Spahiut.

Sipas dokumentit në fjalë, në relacionin e dytë drejtuar ambasadës sonë në kryeqytetin e Kilit, Santiago, Agim Popa, i shpjegon qartë të gjithë proçedurën protokollare që duhet të ndiqte stafi i ambasadës dhe gjithashtu jep këshilla dhe direktiva të qarta, lidhur me qëndrimin zyrtar të politikës së jashtme të Tiranës komuniste në lidhje me përkrahjen ideologjike ndaj koalicionit të majtë qeverisës në Kili, të quajtur ‘Uniteti Popullor’ që udhëhiqej nga Presidenti Salvador Allende. Për më shumë, na njohin dy dokumentet në fjalë, të cilat Memorie.al. i publikon të plota dhe pa asnjë ndryshim.

Raporti i shefit të Sektorit të Jashtëm në Komitetin Qëndror, mbi punën në ambasadën shqiptare në Santiago

Aprovoj

3. V. 1973

DISA PROBLEME MBI PUNËN TONË NË KILI DHE NË AMERIKËN LATINE

Periudha e deritanishme është për ne një kohë e nevojshme për të njohur gjendjen. Kjo fazë nuk mund të konsiderohet aspak e përfunduar, sepse nga një anë koha për këtë është mjaft e shkurtër dhe eksperienca jonë e pamjaftueshme, e nga ana tjetër angazhimi i domosdoshëm i shokëve që të gjejnë shtëpi dhe të merren kryesisht me problem teknike, si dhe sëmundja e titullarit gati që nga fillimi kanë penguar, ose bërë të pamundur që të arrihen më shumë rezultate.

Njohja e gjëndjes në Kili dhe Amerikës Latine (sidomos në disa vënde), si dhe shqyrtimi i mundësive se deri në ç’shkallë e në ç’mënyrë mund të përdoret Kili si pikëmbështetje për punën tonë (shtetërore dhe të Partisë), në këtë Kontinent, mbetet akoma për një kohë relativisht të gjatë problemi kryesor i ambasadës. Megjithatë disa gjëra që kemi vënë re deri tani, e që mund dhe duhet të studjohen më thellë janë: Për marrëdhëniet e vëndit tonë me Kilin. Ashtu siç ishte parashikuar që para se të vinte ne Santiago amabasada jonë, këto marrëdhënie nuk kanë perspektivë për ndonjë zhvillim të madh. Nuk është largësia gjeografike faktori kryesor.

Shumë më e madhe se kjo është largësia e rrugëve, e politikës, jo vetëm të brendëshme, por edhe e jashtëme, që ndjekin të dy vëndet tona. Qeveria e tanishme udhëhiqet nga komunistët dhe socialistët. Partitë e tjera janë vetëm grupe të vogla politike, por në më të shumtën e rasteve, fraksione të dy të parave. Ato kanë disa kontradita me Partitë e tjera, por janë në harmoni të plotë për çështjet thelbësore ideologjike dhe për politikën e brendshme e të jashtme. Të gjitha Partitë qeveritare kanë si vijë të tyre të përbashkët “rrugën paqësore të revolucionit”.

Këtë “teori” ato mundohen ta justifikojnë me të gjithë mënyrat, mund të thuhet se janë në garë me njëra tjetrën, për ta argumentuar. Dhe kryesore sipas tyre janë traditat e larta, të lashta të zhvillimit demokratik e paqësor të Kilit, nevoja e “pluralitetit” (ekzistenca e të gjitha Partive politike pa përjashtim) dhe e kalimit në socializëm në kushte e “pluralitetit”, jo vetëm si veçori e Kilit, por si shembull unik, i denjë për studim dhe zbatim edhe në vënde të tjera në kushtet e epokës sonë, hedhja poshtë e çdo ideje dhe e çdo propaganda për përdorimin e dhunës revolucionare: Flitet për marksizmin nga socialistët, por jo për dhunën revolucionare (ata nuk flasin për leninizmin, ose flasin kur duhet ta përmëndin këtë për ndjenja përfitimi tjetër).

Presidenti Alende thotë se nuk ka më të tmerrshme se përdorimi i forcës nga cilido dhe për çdo rast, nuk ka më të mirë se demokracia për të gjithë dhe në çdo rast. Pra asgjë të re përveç argumenteve bajate të oportunizmit klasik të revizionizmit modern. Aq bajat, sa edhe sovjetikët ruhen shumë të flasin për socializmin në Kili. Kaq shumë është rrënjosur këtu ideja “rrugës paqësore” e “kalimit paqësor në socializëm”, sa që jo vetëm jeta e brendëshme politike, por edhe ajo ndërkombëtare shikohet dhe propagandohet vetëm në këtë prizëm. Jehonë të madhe gjen në çdo bisedë “për zgjidhjet paqësore”, që bëhet në botë, qoftë për Vietnamin, qoftë për Lindjen e Mesme, qoftë për Gjermaninë, për gjithëçka.

Disa herë jepen lajme nga më të avancuarat sa që zgjidhja e konflikteve të ndryshme aktuale në këtë rrugë paraqitet si fakt i kryer. Udhëheqësit aktualë të Kilit përpiqen të bëhen miq me të gjithë. Alende po shkon tani në OKB, jo aq më shumë për të demaskuar “agresionin amerikan” mbi Kilin, (me dhjetra here çdo ditë thuhet se vetëm Vietnami dhe Kili po pësojnë agresion amerikan), se sa për të gjetur rrugë të tjera që të bjerë në ujdi me përfaqësues të Departamentit të Shtetit. Jo rastësisht Shqipëria, vija e saj politike injorohet deri në atë shkallë, sa që as telegram i shokut Haxhi Lleshi për festën kombëtare të Kilit, nuk publikohet në asnjë prej dhjetrave gazetave që botohen në Kili.

Gjatë gjithë kohës që jemi ne, emri i Shqipërisë është përmëndur vetëm disa herë nga shtypi i Partive në fuqi, (kur ambasadori dorzoi letër-kredencialet, që Shqipëria kundërshton “Sigurimin Evropian”, voton kundër “Çarmatimit në OKB”, kundër propozimit të Kili të, Perusë, Ekuadorit, lidhur me ndalimin e provave bërthamore. Vetëm tre nga më se 50 gazetat e revistat e vëndit shkruajnë artikuj për festat e 28 dhe 29 Nëntorit. Shpesh ndaj ambasadës ne kemi vënë re një qëndrim formal, për të mos thënë të ftohtë. Në vesh dhe vetëm për vetëm disa nga ish ministrat kanë folur mjaft mirë, por në shtypin që kanë ata nuk shkruhet asgjë. Të tjerë personalitete ose i shtyjnë disa herë datat e takimeve, ose nuk na kthejnë përgjigje fare. Kur u formua qeveria e re e tanishme, na pamundësi që ambasadori t’ju bënte një vizitë ministrave të rinj, u dërgoi atyre nga një letër urimi. Deri sa ika, që madje, m’u përgjigjën vetëm tre nga ministrat (gjenerali Prat, ai i tregëtisë dhe ai i arsimit) Natyrisht, ne duhet të shohim akoma më tej se si do të zhvillohet gjëndja. E themi këtë për disa arsye.

a) Një përkrahje e hapur politike shqiptare nga ndonjë personalitet ose person që simpatizon Shqipërinë, ka rrezik të shkaktojë një reaksioni të menjëhershëm nga “paqësorët” “elastikët”, “pluralistët” që nuk mund ta arrinin këtë, më të mirët do ta quanin atë taktikisht të gabuar ose të papërshtatshëm për “kushtet e veçanta të Kilit”, për “rrugën specifike kiliene” etj.

b) Është një fakt se politika e Shqipërisë nuk njihet jo nga të gjithë njerzit e politikës, por edhe nga ata pak që deklarojnë se e njohin, u pëlqen, e çmojnë atë. Në përgjithësi ekzistojnë mendimi se Shqipëria ndjek një politikë “të ashpër” që nuk u përkulet të mëdhejve, përse kjo, në cilat çështje, cila është rruga që ndjek, lufton e fiton ajo, kjo është e panjohur?! Ne nga ana jonë qoftë si ambasadë, qoftë si shtet, nuk kemi bërë asnjë hap për të konkretizuar në ndonjë drejtim marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kilit. Siç dihet, ambasadori erdhi, por ai ishte në të gjitha drejtimet me duar bosh, bile dhe pa asnjë libër a revistë.

Kurse pala kiliane ka dorëzuar që në Maj projektin e saj mbi një marrëveshje tregtare, d.m.th, që tre muaj më parë se të vinte ambasadori shqiptar në Santiago. Diçka mund dhe duhet të ishet bërë qoftë dhe në fushën e marrdhënive kulturale, të paktën kështu biseduam dhe ramë dakort që në Tiranë. Ka dhe fusha të tjera ku mund të bënim ndonjë propozim, qoftë formal, por që të kishte një farë rëndësie politike. Nga ana tjetër duhej justifikuar hapja e përfaqësisë shqiptare në Santiago. Pa asnjë aktivitet të kësaj natyre gjatë pesë muajve, mund të lindi fare edhe pyetja pse kanë ardhur shqiptarët në Kili?!

Pirro Bita

Letra e Agim Popës nga Komiteti Qëndror i PPSH-së për ambasadën shqiptare në Kili

 PARTIA E PUNES SHQIPERISE             

Tiranë, Korrik 1973                                 

KOMITETI QENDROR I PPSH 

 – Sektori i Jashtëm –

AMBASADES SE R.P. TE SHQIPERISE SANTIAGO

 Ka tashmë një vit që ka filluar nga puna ambasada jonë në Kili. Megjithëse disa vështirësi, siç janë veprimtaria në një vënd të panjohur më parë, lidhjet akoma jo të shpejta me qëndrën, mungesa e gjatë e titullarit etj etj, shokët tashmë kanë fituar mjaft përvojë, dhe puna për të ardhmen ka për të qenë e organizuar. Me qëllim ndihme po ju shkruaj për disa probleme, shumë nga të cilat nuk janë të reja për ju, por dëshirojmë që t’i përcaktojmë më mirë.

1. Siç dihet, një nga detyrat që i vumë ambasadës në fillim, ishte njohja e gjëndjes së lëvizjes marksiste-leniniste, në Kili dhe në vënde të tjera të Amerikës Latine. Ka mundësi që ju tashmë të keni të dhëna interesante, të cilat nuk na i keni nisur për mungesë korrierësh. Por me anë të radiogrameve mund të dërgoni më shumë. Theksojmë se udhëzimi i dhënë në fillim, sipas të cilit ne nuk mund të rendim pas përfaqësuesëve të Partive të ndryshme m-l, qëndron në fuqi. Por ata kanë ardhur dhe do të vazhdojnë të vinë vetë. Prandaj duhet të mbajmë parasysh:

-Të mos na gjejnë asnjëherë të papërgatitur, për atë çka duhet t’u vëmë në dukje shkurtimisht nga eksperienca e Partisë sonë. Zgjedhja e problemit që do të bisedojmë me secilin, studimi i thellë i literaturës përkatëse të Partisë, konsultimi për këtë problem me shokët e tjerë të përfaqësisë dhe përpunimi i mirë i taktit se si dhe sa do të flitet për këtë problem secilit, ka rëndësi shumë të madhe:

-Nuk jemi të detyruar t’u përgjigjemi aty për aty çdo problemi që ngrenë dhe çdo propozimi që bëjnë përfaqësuesit e Partive të ndryshme m-l. Nuk është aspak turp t’u thuhet “po mbaj shënim”, “do të konsultohem me shokët”, “do ta studjoj edhe unë këtë çështje”, “do të njoftoj qëndrën”, etj. Dhe vërtet, pas konsultimit me shokët, pas studimit të problemit, etj, atëhere t’u jepet përgjigjja e nevojshme, aq sa duhet dhe në kohën kur duhet, pa fjalë të tepërta, e pa argumente të gjata.

-Me asnjeri, cilido qoftë, të mos krijojmë një miqësi tepër intime. Të jemi korrekt dhe të përzemërt, nuk do të thotë të flasim me ta për çdo gjë. Asnjë i huaj nuk duhet të dijë për veprimtarinë tonë në këtë apo atë fushë, çdo plan qëndrimi tonin, çdo problem zyrtar, personal apo familjar që na shqetëson neve. Në bisedimet me ta, në muhabete dhe shakatë e rastit duhet të kemi ndjenjën e masës, të kemi të qartë kufirin midis asaj që duhet thënë dhe asaj që nuk duhet thënë. Kjo fitohet nëpërmjet eksperiencës, përpjekjes për ngritjen politike dhe kalitjen e vigjilencës. Ne theksojmë këtë detyrë duke pasur parasysh tipin e shumë amerikano-latinëve, që ashtu siç flasin vetë për shumë gjëra, ashtu kërkojë t’u flitet edhe nga partneri i vet në bisedim.

-Të mbajmë shënim në prezencë të tyre çdo problem që na ngrejnë. Të mos i besojmë kujtesës. Prandaj është e nevojshme që të shkruhen çështjet ashtu siç i thonë ata vetë, dhe jo si kujtojnë më vonë. Mbajtja e shënimeve është një shenjë serioziteti në punën tonë: ajo e rrit prestigjin e nënpunësve të ambasadës dhe jo në të kundërtën, zbardhja e bisedimeve, që duhet bërë mbas çdo takimi e bisedimi, ka vlerë vetëm kur ajo pasqyron me saktësi ato që u thanë nga secili. Prandaj ato shënime duhen zbardhur brenda ditës. Edhe njoftimet me radiogram duhet t’u qëndrojnë sa më besnik pikpamjeve që ngrenë ata. Por këtu duhet pas gjithmonë parasysh ruajtja rigoroze e sekretit të shifrës.

2. Takimet tona me miqtë m-l duhet si rregull të bëhen në formë legale dhe në ambasadë. Këtë janë ato më të dëshirueshmet për ne. Por duke marrë parasysh situatën atje, ne kemi lejuar edhe disa takime jashtë ambasadës. Për të parat nuk kemi ndonjë porosi të veçantë. Por duhet pasur parasysh se edhe ambasada nuk mund të konsiderohet një vënd i sigurtë nga përgjimet e policisë. Prandaj edhe atje duhet pasur një kujdes i madh në bisedat për problemet sekrete. Për të dytat dëshirojmë të themi disa fjalë më shumë:

– Këto lloj takime do t’i bëjmë atëhere kur është vërtetë e domosdoshme, kur nuk mund të ndiqet rruga e parë. Në këto raste duhet që më parë mundësisht të mos përdoren telefonat, as ata nga rruga, (kurse ata nga ambasada ose shtëpia në asnjë mënyrë dhe sidomos kur flitet me parrulla):

 Shoku që do të shkojë në takim të mos ketë asnjë dokument kompromentues me vete, dhe asnjëherë të mos shkojë i pashoqëruar me ndonjë shok tjetër.

-Në asnjë rast të mos bëhen takime të fshehta me njerëz që ndiqen për t’u arrestuar, ose me njerëz që nuk i kemi pas njohur më parë.

-Bisedat me këta persona duhet të jenë të shkurtëra dhe konçize. Ato duhet të zhvillohen jo nëpër skuta ose vënde që ngjallin dyshime, por në vënde serioze, ku mund të tërheqin më pak vëmëndjen e policisë.

-Të vihet re mirë që më parë nëse ka ndonjë ndjekje nga agjentët e policisë. Po të dyshohet nga ndonjë gjë e tillë, menjëherë të hiqet dorë nga takimi. Takime të tilla të bëhen vetëm me element udhëheqës të Partive m-l, ose me ndërlidhsa të autorizuar prej tyre, për të cilët kemi rënë dakort më parë. Por asnjë takim të tillë sekret nuk pranojmë të bëjmë me përfaqësues të grupeve apo Partive të tjera të majta, të cilat qofshin ato dhe nga çdo shtet që do vijnë. Nëqoftë se këta vijnë në ambasadë, ne i presim, i dëgjojmë me qetësi për çdo gjë, rezervohemi shumë në përgjigjet tona, nuk marrim asnjë angazhim, vëmë në dukje detyrat zyrtare të përfaqësisë, japim ndonjë material legal ideologjik po të jetë nevoja dhe pa e zgjatur muhabetin. Mbasi kemi dëgjuar çdo gjë që na duhet, i japim fund bisedës me ta. Kur element të tillë na interesojnë t’i mbajmë në lidhje, atëhere indirekt informohemi mirë për ta, i mbajmë lidhjet si miq dhe kaq.

 

---- ----
----
-----
-----