Ballina Arti Raporti sekret i Enver Hoxhës në ’57-ën: Koçi Xoxe po të ishte...

Raporti sekret i Enver Hoxhës në ’57-ën: Koçi Xoxe po të ishte gjallë duhej varur! Udhëheqja jugosllave, përgjegjëse për vetëvrasjen e Nako Spirut

18
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së) i cili i përket vitit 1957, ku ndodhet fjala e Enver Hoxhës e mbajtur në Pleniumin e III-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai ka marrë në analizë marrëdhëniet me Jugosllavinë që nga periudha e Luftës, kur ata kishin në vëndin tonë misionet ushtarake me në krye Velimir Stojniçin, duke e akuzuar udhëheqjen e lartë të saj për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, e cila ishte përpjekur për ta bërë atë një republikë të shtatë të Jugosllavisë. Të gjitha akuzat e Enverit ndaj udhëheqjes së lartë jugosllave dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, siç ishin Sejfulla Malëshova, Koci Xoxe, Nako Spiru, Dali Ndreu, Liri Gega, etj., të cilët i konsideronte si “agjentë” jugosllavë…

“Pas Plenumit të Beratit u forcuan pozitat e elementeve antiparti si Koçi Xoxe dhe Sejfulla Malëshova në udhëheqjen e Partisë, të cilët mbështetën futjen e “eksperiencës” jugosllave. Udhëheqja jugosllave e akuzon Partinë tonë se e ka dënuar pa të drejtë Koçi Xoxen dhe e quan këtë “patriot” e “marksist”. Po çka bërë Koçi Xoxe? Ai u përpoq të asgjësonte Partinë, duke e fshehur dhe duke e shkrirë në Front.

Ai shqelmoi parimet më elementare leniniste të ndërtimit të partisë. Ai e vuri Partinë nën kontrollin e organeve të Sigurimit të Shtetit: 15 mijë dosje të anëtarëve të Partisë, u gjetën në arkivën e Sigurimit. Në çdo organizatë bazë kishte rrjete të Sigurimit. Ai mblidhte materiale komprometuese dhe po pregatiste komplotin për zhdukjen fizike të udhëheqësve të Partisë dhe të shtetit. Si ministër i Brendshëm ai shkeli ligjshmërinë socialiste në mënyrën më brutale.

Ai ishte dakord me planet e udhëheqjes jugosllave për t’a bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë dhe vepronte në këtë drejtim. Për të gjitha këto faje, Koçi Xoxe jo vetëm s’duhej rehabilituar, por po të qe gjallë, duhej varur.

Ky në Berat u përzie me Koci Xoxen etj., por më vonë kuptoi lojën e jugosllavëve dhe u vu në rrugë të drejtë”. Kështu është shprehur në mes të tjerash Enver Hoxha në mbledhjen e Plenumit të III-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së në shkurtin e vitit 1957, ku ai ka marrë në analizë marrdhëniet me Jugosllavinë, që nga periudha e Luftës, kur ata kishin dërguar në vëndin tonë misonet ushtarake me në krye Velimir Stojniçin, duke hedhur ndaj tyre një sërë akuzash. Për më shumë rreth fjalës së Enver Hoxhës në atë plenum, na njeh dokumenti në fjalë, të cilin Memorie.al e publikon të plotë dhe pa asnjë shkurtim.

Fjala e Enver Hoxhës në Plenumin e III-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së, mbajtur më 13 shkurt 1957

MBI MARREDHENIET TONA ME JUGOSLLAVINE

Eksperienca e Shqipërisë në marrëdhëniet me Jugosllavinë, më mirë se eksperienca e çdo vëndi tjetër, tregon qëndrimin e vërtetë të udhëheqjes jugosllave kundrejt marksizëm-leninizmit, sepse në asnjë vënd tjetër ata s’kanë ndërhyrë kaq brutalisht sa në Shqipëri. Udhëheqja jugosllave ka mbajtur ndaj Partisë, shtetit dhe popullit tonë një qëndrim antimarksist dhe shovinist. Qëllimi i udhëheqjes jugosllave ka qenë që ta kthejë Partinë tonë nga një parti marksiste-leniniste, në një parti oportuniste dhe ta bëjë Shqipërinë republikë të shtetit jugosllav. Këtë e vërtetojnë faktet historike që shkurtimisht po i radhis.

 a) Udhëheqja jugosllave më 1944, në prakun e çlirimit të Shqipërisë, me anën e Velimir Stojniçit, ndërhyri në punët e Partisë sonë dhe organizoi në Berat një fraksion të rrezikshëm me qëllim që t’a largonte Partinë tonë nga vija e drejtë marksiste-leniniste dhe ta përmbyste udhëheqjen e saj. Udhëheqja jugosllave e akuzoi udhëheqjen e Partisë sonë se kishte zbatuar një vijë jo të drejtë, sektare. Por populli ynë në bazë të kësaj vije, arriti fitoren historike mbi pushtuesit e reaksionarët e brendshëm. Vija jugosllave që u përpoq të na impononte Velimir Stojniçi errësonte rolin drejtues të Bashkimit Sovjetik, rolin udhëheqës të Partisë, mohonte luftën e klasave dhe u hapte rrugën prirjeve oportuniste.

Pas Plenumit të Beratit u forcuan pozitat e elementeve antiparti si Koçi Xoxe dhe Sejfulla Malëshova në udhëheqjen e Partisë, të cilët mbështetën futjen e “eksperiencës” jugosllave. Udhëheqja jugosllave e akuzon Partinë tonë se e ka dënuar pa të drejtë Koçi Xoxen dhe e quan këtë “patriot” e “marksist”. Po çka bërë Koçi Xoxe? Ai u përpoq të asgjësonte Partinë, duke e fshehur dhe duke e shkrirë në Front. Ai shqelmoi parimet më elementare leniniste të ndërtimit të partisë. Ai e vuri Partinë nën kontrollin e organeve të Sigurimit të Shtetit: 15 mijë dosje të anëtarëve të Partisë, u gjetën në arkivën e Sigurimit. Në çdo organizatë bazë kishte rrjete të Sigurimit. Ai mblidhte materiale komprometuese dhe po pregatiste komplotin për zhdukjen fizike të udhëheqësve të Partisë dhe të shtetit.

Si ministër i Brendshëm ai shkeli ligjshmërinë socialiste në mënyrën më brutale. Ai ishte dakord me planet e udhëheqjes jugosllave për t’a bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë dhe vepronte në këtë drejtim. Për të gjitha këto faje, Koçi Xoxe jo vetëm s’duhej rehabilituar, por po të qe gjallë, duhej varur. Udhëheqja jugosllave është përgjegjëse për vetëvrasjen e Nako Spirut. Ky në Berat u përzie me Koci Xoxen etj., por më vonë kuptoi lojën e jugosllavëve dhe u vu në rrugë të drejtë. Nakua s’pati kurajën t’i tregonte Partisë të vërtetën dhe vrau veten. Ju e dini se vrasja e Nakos e ndërlikoi çështjen dhe intrigat e jugosllavëve dhe të Koci Xoxes me shokë, çuan në Plenumin VIII-të’. Pas këtij plenumi, ndërhyrjes jugosllave i’u hapën portat më shumë.

b) Marrëdhëniet ekonomike në mes të dy vendeve tona, kanë qenë në baza antimarksiste dhe kolonialiste, u shkelën edhe rregullat më elementare të marrëdhënieve midis vendeve sovrane. Më 1946 u krijuan gjashtë shoqëri shqiptaro-jugosllave, por pala jugosllave nuk bëri investimet që i takonin, vetëm merrte fitime nga shfrytëzimi i investimeve ekzistuese shqiptare. Parifikimi i monedhës shqiptare me dinarin jugosllav, u bë me një zhvleftësim të madh të frangut shqiptar, duke humbur të paktën 3.5 lek për çdo frang. Bashkimi doganor u hapi rrugën organizatave tregëtare jugosllave dhe tregëtarëve privatë për të rrjepur rezervat e mallrave në tregun tonë.

Shkëmbimi i mallrave në bazë të çmimeve të brendshme e jo me çmimet e tregut ndërkombëtar e dëmtoi rëndë ekonominë tonë. U krijua komisioni i përbashkët i koordinimit të planeve me në krye Krajgerin, komision e që në fakt qeveri mbi qeverinë e shtetit shqiptar. Ne kemi një dokument të planifikimit të firmuar nga Kidrig, ish-kryetar i Komisionit të Planit të Jugosllavisë, ku Shqipëria figuron si republikë e shtatë jugosllave. Udhëheqja jugosllave bën zhurmë të madhe për ndihmë ekonomike që Jugosllavia i ka dhënë Shqipërisë, por shifrat e kësaj ndihme janë të fryra nga çmimet e larta të importit.

Ndihmat për “industrializimin e Shqipërisë” ishin: maqineritë e shkatërruara të Fabrikës së Sheqerit “Ali Kelmendi” në Korçë që në Jugosllavi kishin dalë jashtë përdorimit, punishtja primitive e litarit në Rrogozhinë, qe s’i ka mbetur nishan dhe hekurudha që e ndërtoi rinia jonë heroike. Po të bëjmë llogari se sa morën jugosllavët nga ne e sa ne nga ata, s’dihet kush del borxhli. Po pse jugosllavët nuk thonë gjysmë fjale për luftën heroike të dy divizioneve tona, që ndihmuan në çlirimin e Jugosllavisë?

c) Më 1948 udhëheqja jugosllave na kërkoi që të lejonim hyrjen në Shqipëri të disa divizioneve, gjoja për të mbrojtur Shqipërinë nga agresioni i monarko-fashistëve. Në të vërtete, ata donin që t’a bënin fakt të kryer pushtimin e Shqipërisë. Njerëzit e jugosllaveve pëshpëritnin poshtë e lart për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, si republike e shtatë. Gjithashtu filloi të bisedohej dhe për Federatën Ballkanike. Ne i shkruam udhëheqjes jugosllave që të shpjegonte qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje, po ajo kurrë nuk na u përgjegj.

d) Udhëheqja jugosllave gjatë kësaj periudhe u përpoq ta izolonte vendin tonë nga Bashkimi Sovjetik, duke thënë se Shqipëria duhet t’a marrë ndihmën dhe eksperiencën sovjetike vetëm nëpërmjet Jugosllavisë, se eksperienca jugosllave vlen për konditat e Shqipërisë, kurse ajo sovjetike s’i përshtatet, se këshilltaret sovjetikë duhet të ikin. Sidomos pas Plenumit VIII këshilltaret jugosllavë u futën kudo dhe ata punuan kundër zhvillimit të ekonomisë sonë dhe që ta bënin këtë drejtpërdrejt të varur nga Jugosllavia.

Udhëheqja jugosllave kërkonte t’a izolonte Shqipërinë nga e gjithë bota. Në fakt ne nuk kishim marrëdhënie ekonomike me asnjë vend tjetër veç Jugosllavisë, bile dhe me Bashkimin Sovjetik i kishim të kufizuara. Deri më 1948 ne kishim marrëdhënie diplomatike vetëm me Bashkimin Sovjetik, Jugosllavinë, Bullgarinë, Hungarinë dhe Francën. Letrat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Rezolucioni i Inform byrosë i vitit 1948, e ndihmuan Partinë tonë që të shohë qarte synimet e udhëheqjes jugosllave ndaj Partisë dhe vendit tonë.

Kritikat parimore që i’u bënë atëherë udhëheqjes jugosllave, kanë qenë të drejta. Këtë e vërtetojnë edhe pikëpamjet që ushqejnë tani udhëheqësit jugosllavë. Gjatë viteve 1948-1953, kemi shkruar e kemi vepruar kundër njeri-tjetrit, si ne, si ata. Nuk është e drejtë që të dalë se gjatë kësaj periudhe ne kemi pasur faj. Ata kanë vepruar kundër republikës sonë me të gjitha mjetet, kanë dërguar me qindra diversantë dhe grupe të armatosura, përveç provokacionit grek të 1949-ës. Asnjë shtet armik s’ka zhvilluar një veprimtari kaq të tërbuar kundër vendit tonë, sa ajo që zhvilloi udhëheqja jugosllave pas vitit 1948.

Siç dihet, udhëheqja e Bashkimit Sovjetik mori inisiativën për të përmirësuar marrëdhëniet dhe beri të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. Ne atëhere propozuam që para se të fillonin bisedimet e Beogradit, të mblidhej Informbyroja, e cila më 1948 vendosi përjashtimin e Jugosllavisë dhe të analizonte çështjen e jugosllavëve, duke nxjerrë të mirat e të metat e tyre dhe të Informbyrosë.

Ne mendojmë se kështu do të kishte qenë drejt, sepse kjo nuk do t’i linte udhëheqësit jugosllavë që të mbulonin gabimet e tyre dhe tërë përgjegjësinë t’ua hidhnin vendeve tona dhe të dilnin si flamurtarë të situatës. Në fakt inisiativën e Bashkimit Sovjetik, ata e shpërdoruan. Autokritikë nuk bënë fare, se gjoja ishin marksistë. Ata duhej të bënin autokritikë, atyre u duhej kërkuar që ta bënin këtë. Ata e shfrytëzuan situatën e re për te zhvilluar aktivitet përçarës e minues kundër partive e shteteve të demokracisë popullore.

Legatat jugosllave në vendet e demokracisë popullore, u bënë qendra të veprimtarisë agjenturale; ato filluan të grumbullojnë elementët antiparti, oportunistë e të lëkundur dhe, nën flamurin e “destalinizimit”, t’i ndërsejnë këta kundër partive për të rrëzuar udhëheqjet marksiste-leniniste të partive tona dhe për t’i zëvendësuar me elementë të tyre, për të zëvendësuar vijën e drejtë me vijën titiste. Ata bashkëpunuan edhe me elementë armiq, si p.sh. në Bullgari me ish-ministrin e Punëve të Brendshme të qeverisë borgjeze bullgare, të paraçlirimit. Pas ngjarjeve në Hungari doli dhe më qartë fytyra e udhëheqjes jugosllave. Partia jonë mbajti qëndrim të drejtë.

Ne deklaruam se jemi gati të përmirësojmë marrëdhëniet në baza marksiste-leniniste dhe jo në bazat e vjetra, antimarksiste (e kaluara s’kthehet me). Por udhëheqësve jugosllavë s’u pëlqeu qëndrimi ynë, sepse ata kërkonin të përsëritnin situatën e 1948-s, kërkonin që ne t’u bënim lëshime parimore:

1.Të thoshim se jugosllavët s’kanë asnjë gabim;

2.Të rehabilitonim Koci Xoxen etj.

Ne këtë nuk mund ta bënim kurrë. Kjo s’do te ishte marksiste, kjo do te ishte tradhëti ndaj Partisë dhe atdheut tone. Ndërkaq udhëheqësit jugosllavë vazhduan me intensitet punën kundër Partisë dhe shtetit tone. Ata kurrë nuk mund te pajtohen me udhëheqjen e Partis dhe të shtetit tonë. Ata duan të zëvëndësojnë këtë udhëheqje, që mbron me kurajë marksizëm-leninizmin, Partinë dhe pavarësinë e vendit tonë, me ndonjë klikë aventurierësh oportunistë, t’i imponojnë Partisë “vijën jugosllave” dhe Shqipërinë ta bëjnë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Ata zhvilluan dhe zhvillojnë një propagandë të shfrenuar në shtyp dhe në radio kundër vendit tonë, duke e paraqitur gjendjen e Shqipërisë si skëterrë, ku mbretëron terrori dhe varfëria. Legata jugosllave në Tiranë ka zhvilluar dhe zhvillon punë agjenturale, përpiqet te grumbullojë elementët antiparti dhe të organizojë luftën kundër Partisë sonë.

Në pranverën e vitit 1956, udhëheqja jugosllave, me anë të legatës së saj në Tiranë, grumbulloi armiqtë e Partisë, Dali Ndreun, Liri Gegën etj., dhe pregatiti një komplot, që kishte për qëllim të përmbyste udhëheqjen e Partisë e të shtetit dhe ta zëvendësonte me armiq të Partisë. Ata organizuan punën armiqësore në Konferencën e Tiranës, por Partia e zbuloi këtë veprimtari armiqësore dhe mori menjëherë masat e duhura. Vetë ministri jugosllav në Tiranë, Arso Milatoviç, zhvillon propagandë dhe flet kundër politikës dhe gjendjes së Republikës Popullore te Shqipërisë, kundër udhëheqjes se Partisë dhe të shtetit tonë, nxit elementë të dobët në veprimtari armiqësore antishtetërore dhe antiparti dhe merret me veprimtari spiunazhi.

Për ketë qëllim, ai është përpjekur me anë presioni dhe mjetesh të tjera te shfrytëzojë shtetasit jugosllavë të vendosur prej kohësh në Shqipëri, me të cilët mban kontakte aktive, elementë armiq të Partisë dhe të pushtetit popullor, individë të ndryshëm që shkojnë për punë zyrtare në legatën jugosllave, ose që ai i merr rrugës në maqinën e vet, duke lëvizur nëpër Shqipëri. Duke shkelur edhe dispozitat zyrtare mbi qarkullimin e diplomatëve të huaj në vendin tonë, ai ka shkuar pa lejen përkatëse në Vlorë, ku, duke abuzuar nga mikpritja e një familjeje patriote, ka kërkuar të nxjerre informata me karakter politik e ushtarak, mbi bazën detare të ishullit te Sazanit. Po kështu ka shkuar në Berat dhe ka fotografuar objekte ushtarake të ndaluara dhe ka kërkuar te takohet me Tuk Jakovën.

Një çështje serioze është fakti se në Jugosllavi ka 3.000 e ca të arratisur shqiptarë, midis të cilëve shumë kriminelë fashistë. Duke marrë parasysh zhvillimin e ngjarjeve në Hungari, ne kemi të drejtë të mendojmë se mund të organizohen edhe provokacione me anën e tyre, me qëllim që të gjendet shkak për të sulmuar Shqipërinë. Në çastet më tragjike në Hungari, Vidiçi, nënsekretar i shtetit për punët e jashtme të Jugosllavisë, u tha atasheve të shtypit të Bullgarisë, të Shqipërisë, të Çekosllovakisë etj.,: “Prisni, ato që ndodhën në Hungari do të ndodhin patjetër edhe te ju”. Prandaj Partia jonë është e detyruar të jetë shumë vigjilente ndaj udhëheqjes jugosllave. Udhëheqja jugosllave mban një qëndrim shovinist e çnjerëzor ndaj popullsisë se Kosovës.

Gjendja në këtë krahinë është e mjerueshme, udhëheqja jugosllave atje po ndjek një politik shfarosjeje. Me dhjetëra mijëra kosovarë detyrohen të lënë tokën dhe shtëpinë për të emigruar në Turqi. Këtë politikë s’e kanë bërë as krajlët e Serbisë. Ajo bën çmos për t’a kthyer Kosovën në një bazë kundër Shqipërisë, në një bazë për të bashkuar Shqipërinë nëpërmjet Kosovës me Jugosllavinë.

Shtypi jugosllav në Kosovë e Metohi po zhvillon çdo ditë një propagandë të poshtër shpifëse kundër Partisë dhe Republikës sonë Popullore, saqë “Zëri i Amerikës” i’a ka zili. Bëhet pyetja nga ana jonë: përse kjo propagandë kaq e poshtër dhe sidomos e posaçme në Kosovë e Metohi kundër regjimit popullor të Shqipërisë? Vallë a do te vazhdojë gjatë të rrjedhin kështu ndotësira në kanalet e ujërave të zeza të shtypit jugosllav? Për ne është e qartë ku synon udhëheqja jugosllave.

Ajo kujton se po i gënjen shqiptarët e Kosovës mbi realitetin e vendit tonë, por edhe në qoftë se mund të ketë të tillë që të jenë gënjyer, shtypi ynë e ka për detyrë internacionaliste të sqaroja te gënjyerit nga propaganda e ndyrë nacionaliste, shoviniste, fashiste. Partia jonë ka mbajtur dhe mban qëndrim të drejtë per çështjen e Kosovës, një qëndrim marksist, internacionalist. Por ne s’mund të mos vëmë në dukje qëndrimin shovinist të udhëheqjes jugosllave në Kosovë, për të vërtetuar edhe një herë se ajo është në pozita antimarksiste dhe antinjerëzore, kundrejt shqiptarëve të Kosovës.

Si konkluzion, shokë, mund të themi se qëndrimi i udhëheqjes jugosllave kundrejt vendit tone, është haptas antimarksist e shovinist, se ajo gjatë 13 vjetëve ka ndërhyrë sistematikisht në punët e brendshme të Partisë e të shtetit tonë, me qellim që të realizojë planet e saj kolonialiste ndaj vendit tonë. Këto plane kanë dështuar në sajë të qëndrimit të vendosur të Partisë sonë.

Kjo gjë e bën udhëheqjen jugosllave që t’a sulmojë Shqipërinë me me tërbim se vendet e tjera. Arsye tjetër që udhëheqësit jugosllavë luftojnë me kaq tërbim kundër Partisë sonë, është se Shqipëria është dokumenti që tregon pozitën e tyre antimarksiste e shoviniste, që vërteton se tezat e tyre për mosndërhyrje, për barazi etj., janë vetëm demagogji. Dhe ata duan te zhdukin dëshmitarët që vërtetojnë këtë, ashtu si përpiqet vrasësi të zhdukë gjurmat e krimit.

Gjatë gjithë raportit doli se ç’përfaqësojnë udhëheqësit e sotëm jugosllavë. Ata janë ne pozita antimarksiste, ata përpiqen te revizionojnë marksizëm-leninizmin, luajnë një rol përçarës në gjirin e lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe të kampit të socializmit, ndërhyjnë ne punët e partive për të asgjësuar udhëheqësit e tyre, për të minuar partitë komuniste e punëtore dhe për të imponuar të ashtuquajturën vijë jugosllave.

Se sa e rrezikshme është bërë përhapja e “teorive” të tyre helmuese dhe e veprimtarisë së tyre armiqësore e vërtetojnë faktet e shumta që u përmendën, duke përmbledhur edhe punën e tyre armiqësore ndaj vendit tonë, si edhe rolin e tyre në zhvillimin e ngjarjeve në Hungari. Ata përpiqen të nxitin elementët revizionistë në Poloni, të aktivizojnë elementët oportunistë të Partisë Komuniste Italiane dhe futen kudo që gjejnë te gara. Ata janë shumë aktivë. Veprimtaria antimarksiste, përçarëse dhe armiqësore që po zhvillojnë udhëheqësit jugosllavë, paralelisht me veprimtarinë agresive të imperialistëve kundër kampit socialist, përbën një rrezik te madh për gjithë lëvizjen punëtore. Objektivisht kjo veprimtari u shërben planeve të imperializmit.

Eshtë e ditur se imperialistët amerikanë i kanë dhënë Jugosllavisë një miliard e dyqind milion dollarë jo nga dëshira për të ndihmuar ndërtimin e socializmit, po sepse shpresojnë t’a përdorin Jugosllavinë kundër kampit te socializmit. Që pas vitit 1948, është zhvilluar degjenerimi ideologjik i udhëheqjes jugosllave dhe atje është rritur një brez kuadrosh që mbajnë qëndrim armiqësor ndaj Bashkimit Sovjetik e kampit tonë socialist. Do te ishte shumë gabim të nënvleftësohej dëmi që mund të sjellë puna përçarëse e udhëheqësve jugosllavë, duke menduar se ata s’kanë kaq forcë. Forca e tyre qëndron ne faktin që ata janë antimarksistë dhe prandaj “teoritë” dhe “veprimtaritë” e tyre mbështeten nga të gjithë elementët oportunistë e të lëkundshëm, nga te gjithë armiqtë e socializmit.

Në një farë mënyre ata kanë pasur disa rezultate, që, megjithëse të përkohshme, kanë dëmtuar shumë rëndë çështjen e socializmit, si në Hungari. Ç’qëndrim duhet të mbajmë ndaj tyre? Ne mendojmë se ata nuk do të bëjnë kthesë drejt rrugës marksiste-leniniste. Këtë e themi me plot bindje, sepse mësimet e këtyre trembëdhjetë vjetëve, na kanë mësuar të mos u besojmë gënjeshtrave dhe demagogjisë, sepse kanë pasur për qëllim shkatërrimin e Partisë sonë marksiste dhe të regjimit tonë popullor. Marksistët mund të gabojnë, por kur i njohin gabimet bëjnë kthesë dhe vijnë në binarë. Udhëheqësit e tanishëm jugosllavë s’janë marksistë derisa jo vetëm s’shohim të bëjnë asnjë kthesë, po thellojnë akoma me shumë punën e tyre antimarksiste.

Mjafton të këndosh artikullin e “Borbës’, ku ndhet fjalë për kongresin e tyre të ardhshëm, për të nxjerrë konkluzionin që ky kongres do te bëjë mësimin e teorisë antimarksiste e revizioniste të një partie në fuqi për të dhënë një vijë, e cila, sipas tyre, duhet të ndiet nga të gjitha partitë dhe nga të gjitha vendet. Koha dhe veprimet e udhëheqjes jugosllave deri tani nuk na kanë provuar se ne kemi qenë të gabuar në mendimet tona. Le te na i provojë koha dhe veprimet e tyre të ardhshme nëse janë të gabuara këto pikëpamje dhe ne do të jemi gati, si kurdoherë, pse jemi marksistë, të pranojmë nëse gjykimet tona mbi jugosllavët nuk kanë qenë te drejta.

Duke marrë parasysh të gjitha këto në qëndrimin tonë kundrejt udhëheqjes jugosllave, ne duhet të udhëhiqemi kurdoherë nga parimet marksiste-leniniste, pa bërë asnjë lëshim dhe pa lejuar që të cënohen ato, duke pasur gjithmonë parasysh interesat e përgjithshme të lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe të vendit tonë. Marrëdhënie partie me ta ne nuk dëshirojmë të kemi me këto kushte, por ne do të punojmë për të ruajtur dhe për të forcuar ndjenjat e miqësisë së sinqertë me popujt jugosllave, do të vazhdojmë rrugën për normalizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve shtetërore midis vendit tone e Jugosllavisë, mbi parimet e barazisë e të mosndërhyrjes në punët tona te brendshme.

Ne duhet të jemi shumë vigjilentë kundrejt udhëheqjes jugosllave dhe të gjitha përpjekjeve të tyre. Luftën ideologjike kundër pikëpamjeve të tyre revizioniste ne jo vetëm nuk do ta zbusim, por do t’a forcojmë edhe me tepër, me qëllim që maska demagogjike të shkatërrohet dhe t’i pritet hovi punës shkatërruese të elementëve antimarksistë, që përpiqen të helmojnë me “teoritë”- e huaja partitë dhe vendet tona, që të na nxjerrin nga rruga e drejtë marksiste-leniniste, të përçajnë kampin e socializmit dhe lëvizjen komuniste ndërkombëtare.

Qëndrimi kundrejt tyre, pra, duhet të jetë i vendosur, parimor, pa asnjë lëkundje, pa asnjë iluzion, sepse lëshimet e liberalizmit, vetëm dëm mund t’i sjellin çështjes sonë. Nga ana tjetër, ne duhet të jemi gjithmonë gjakftohtë ne marrëdhëniet me Jugosllavinë, të mos biem në provokacione, por nga pozita parimore ta kritikojmë udhëheqjen jugosllave, të bëjmë luftë ideologjike e politike kundër saj dhe t’i bëjmë të njohur Partisë e popullit, gjendjen e vërtetë në Jugosllavi me pasojat katastrofale të së ashtuquajturës vijë jugosllave.

---- ----
-----