Ballina Lajme nacionale Ramush Haradinaj uron Vitin e Ri, thotë se 2019-ta nuk ishte vit...

Ramush Haradinaj uron Vitin e Ri, thotë se 2019-ta nuk ishte vit i lehtë

7
SHPËRNDAJE

Në prag të Vitit të Ri, Ramush Haradinaj ka pasur një mesazh për qytetarët.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, përmes një videoje ka uruar qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, me rastin e Vitit të Ri.

Në urimin e tij, Haradinaj ka thënë se viti 2019 ka qenë një vit jo i lehtë, për të gjithë, përfshirë edhe vetë Haradinajn.

“Edhe për mua nuk ka qenë një vit i lehtë, ramë në ato sfida që na testuan. Edhe dorëheqja, edhe shkuarja në zgjedhje ishin test për Kosovën, test për demokracinë, test për ne – por e kaluam me sukses”.

Sipas Haradinajt, sot mund të themi se jemi më të qëndrueshëm, sot mund të themi që jo vetëm që në Kosovë prodhohet energji, por edhe çmimi është më i lirë.

“Sot mund të themi se kemi pavarësi energjetike, sot mund të themi se Trepça e resurset janë të Kosovës. Sot mund të themi se jemi më të fortë në siguri, rend dhe ligj. Sot mund të jemi me plot punë të kryera në Kosovë. Qytetari ynë, i punësuari por pse jo edhe sipërmarrësi ndjehet më me vetëbesim”, ka shtuar tutje Haradinaj.

Megjithatë, ai ka thënë se kemi shumë punë për të bërë, por beson se do t’ia dalim.

“Ju uroj nga zemra një vit të suksesshëm, pra vitin 2020 të jetë viti më i suksesshëm për këdo prej nesh”.

Për fund, duke uruar edhe një herë, Haradinaj nuk ka harruar as ata që do të jenë në punë gjatë ndërrimit të moteve – jo vetëm policët, jo vetëm mjekët, jo vetëm zjarrfikësit, por të gjithë ata që do të na mundësojnë që të kalojmë një ndërrim të moteve në mënyrën më të mirë.