Ballina Lajme nacionale “Rama është grek nga gjyshja, e njihja në Korfuz”/ Ministri grek zbulon...

“Rama është grek nga gjyshja, e njihja në Korfuz”/ Ministri grek zbulon lidhjen me kryeministrin

23
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis i ka besuar drejtimin e politikës së jashtme një prej njerëzve të tij më të afërt nga radhët e partisë “Demokracia e Re”, Nikos Dendias, me qëllim forcimin e pozitave të vendit në arenën ndërkombëtare.

Në dosjen e përgatitur me prioritetet në fushën e diplomacisë për mandatin që sapo nisi, kryeministri synon rritjen e bashkëpunimit me aleatët tradicionalë.

Por kryefjala e diplomacisë greke pritet të jetë ripërcaktimi i marrëdhënieve me Turqinë, si dhe perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në platformën e qeverisë së partisë “Demokracia e Re” theksohet dhe nevoja për të kufizuar ndikimin negativ të marrëveshjes së Prespës.

Por kush është Nikos Dendias dhe çfarë roli do të luajë në marrëdhëniet me Shqipërinë?

60-vjeçari me profesion avokat ka lindur në ishullin e Korfuzit, ka ushtruar detyrën e ministrit të Drejtësisë, të Mbrojtjes dhe te Rendit Publik. Dendias ka deklaruar shpesh me krenari origjinën e tij nga Shqipëria. Disa herë në studiot televizive ai është shprehur se të parët të tij ishin nga Himara.

Një vit më parë kur Dendias ishte një nga zërat më të fortë të opozitës dhe ngrinte dyshime mbi politikën e jashtme të Alexis Tsipras kritikoi në distancë dhe kryeministrin Rama. Ai është shprehur i surprizuar për qëndrimet e Ramës, duke shtuar se ai ka origjinë greke nga gjyshja.

“Më bën përshtypje të jashtëzakonshme që kryeministri Rama nuk ka qëndrime pro greke. Më bën përshtypje, sepse zoti Rama është çerek greku, gjyshen e tij Anagnosti e njihja ne Korfuz. Duhet të mbrojmë dhe të drejtat tona, minoritetin grek në vendin fqinj, por nuk mund të lejojmë që vendi të behet terren për kërcënime.

Shqipëria ka nevojë për marrëdhënie të mira me Greqinë, edhe me BE. Kemi shume mënyra dhe mjete për t’i bere presion Shqipërisë që të ushtrohet e drejta në Shqipëri. Nuk duhet t’u lëmë të besojnë se mund të bëjnë ç’te duan”, ka thënë Dendias.

Athina dhe Tirana duhet t’u japin zgjidhje shumë çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve, por tashmë Greqia pritet të bëjë ndryshime në kursin diplomatik.

-----