Ballina Sport “Rama e flaku Koçon si leckë”, Gjici shpërthen në akuza ndaj Kokëdhimës:...

“Rama e flaku Koçon si leckë”, Gjici shpërthen në akuza ndaj Kokëdhimës: Ka marrë gjithë ato fusha në Fier pa asnjë lek

10
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Safet Gjici ka replikuar ashpër me Koço Kokëdhimën një ditë pasi presidenti i Apolonisë e quajti si evazorin më të madh në botën e futbollit shqiptar.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, njëherësh presidenti i nderit të klubit verilindor, në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka shpërthyer në akuza ndaj Kokëdhimës. Gjici e ka cilësuar kreun e klubit fierak si një mashtrues që i intereson vetëm kaosi.

Zoti Gjici, si ndiheni kur lexoni në “Panorama Sport” se presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, ju ka cilësuar si evazorin më të madh të futbollit shqiptar…?

Se kush është Koço Kokëdhima, e di gjithë Shqipëria. Përgjigjen e ka marrë që kur e kemi hedhur në rrugë. Tashmë që ka mbetur rrugëve, bën sikur kërkon sport me rregulla. Përmes sportit ai kërkon të takojë Edi Ramën, në një kohë që ai e ka hedhur si leckë. Ka marrë gjithë ato fusha në Fier pa asnjë lek. Çfarë ka paguar ai, jeni në vete ju?!

Gjithsesi, zoti Kokëdhima thotë se ka prova që ju përmes klubit të Kukësit keni bërë mashtrime fiskale…

Në fakt, ai ka qenë i specializuar për atë punë. Nëse e kontrollon çfarë ka bërë, është evazion nga koka te këmbët. Ka marrë prona ndër vite duke shfrytëzuar dhe lëpirë pushtetarët. Nuk mund të më akuzojë mua një person që me 20 milionë lekë të vjetër ka marrë gjithë ato prona. Nuk mund të më bëjë mua moral apo të flasë për evazion me Kukësin një person që paguan lojtarët nga 300 mijë lekë të vjetër. Ne prandaj kërkojmë të formalizohet sporti, pikërisht për këto budallallëqe. Ai nuk paguante rrogat e punonjësve të vet… Shko në gjykatë dhe e  kupton shumë mirë se çfarë ka paguar ai. Unë kam marrë në punë dy punëtorë të cilët kishin punuar pa lekë te Kokëdhima dikur. Ai nuk u jepte njerëzve rrogat për 7 muaj. Imagjino se çfarë mund të ketë paguar ai që të gjithëve u thotë: “Miku im, miku im…!” Ka shumë të tjerë që kanë punuar tek ai dhe kanë mbetur pa u paguar. Këto që Koço pretendon janë thjesht mashtrime dhe shou për politikë.

Pse mendoni kështu, në një kohë që është zgjedhur nga Liga si një prej tre përfaqësuesve për negociatat me qeverinë?

Situatën e bojkotit ai e ka agravuar, a thua kujton se duke bërë presion Koço, do zgjidhet gjithçka. Tashmë ka marrë flamurin e Ligës sikur është lideri i saj. Nuk është aspak ai përfaqësuesi i Ligës Profesioniste, në një kohë që akoma nuk ka ardhur mirë në Kategorinë Superiore. Ai flet sikur të jetë kryetar i Ligës, duke marrë atribute që nuk i takojnë. Koço mendon të takojë Ramën ose “rashë e vdiqa”. Halli i tij është të takojë Ramën, por ai nuk e takon dot. Askush nuk ia ka dhënë të drejtën, por me sa duket, është mësuar me tavlla kokës.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Disa vite më parë, kur u përpoq të krijonte Ligën, një nga presidentët e klubeve e gjuajti me tavllë në kokë. Nuk mund të merremi me përrallat e Koços që ka rënë në rrugë dhe tani kërkon të faktorizohet me deklaratat e përditshme në media.

Sipas jush, cila është zgjidhja që mund t’i jepet kësaj situate të paprecedentë në futbollin shqiptar?

Ne zgjidhjen e kemi, sepse në Ligë ka të tjerë burra që për shumë vite janë pjesë e Superligës. Do t’i zgjidhim punët me forma të tjera, nuk do të pyesim Koçon. Nuk merremi me mashtrues. Ai ka hall të hyjë në politikë…

---- ----
----
----- ----
-----