Ballina AKTUALE Ragmi Mustafa: Tekstet mësimore drejt zgjidhjes

Ragmi Mustafa: Tekstet mësimore drejt zgjidhjes

90
SHPËRNDAJE

Kryetari i KKSH-së në Serbi, Ragmi Mustafa, na informoi se tekstet mësimore për nxënësit shqiptarë janë drejt zgjidhjes.

Përderisa kemi 9 tekste të reja të konfirmuara deri tani që mund t’i përdorin nxênësit, 27 prej tyre janë në shqyrtim.

Deklarata e plotë e Mustafës:

TEKSTET MËSIMORE DREJT ZGJIDHJES

Sigurimi i teksteve shkollore është pjesë e betejës për arsim cilësor. Pa arsim cilësor nuk ka barazi. Pa barazi nuk ka paqe. Dhe pa paqe nuk ka arsim.

Pavarësisht, kohës së pandemisë me CoViD-19, ne nuk jemi shpërqendruar nga tejkalimi i pengesave të pakuptimta dhe diskriminuese.

Nëntë komplete tekstesh mësimore nga Republika e Shqipërisë do të jenë pjesë shtesë në katalogun e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Serbisë për përdorim në shkollat shqipe të Luginës.

Nga 32 komplete të teksteve mësimore në gjuhën shqipe për të cilat është aplikuar: 27 prej tyre janë marrë në shqyrtim, 9 janë konfirmuar që lejohen; pritet që pas largimit të gabimeve teknike në proces të lejohet edhe pjesa tjetër.

Sot një vit, prezantuam para mediave raportin nga hulumtimi “Tekstet mësimore në gjuhën shqipe, në proces për vite”.

Gjetjet: ishin vetëm 32 tekste shkollore të përshtatshme për përdorim për 27 lëndë të shkollave fillore nga më se 109 lëndë (83 lëndë obligative, 24 lëndë obligative zgjedhore dhe 2 lëndë zgjedhore) për vitin 2018/2019.

Zgjedhjet duhet të jetësohen në marrëveshjet bilaterale midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ndërtimit të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë, në procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian. Dhe në dialogun midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Për zgjidhje do ta kemi angazhimin e vazhdueshëm dhe profesionalizmin e duhur në Këshillin Kombëtar Shqiptar. Presionin e pandërprerë ndaj Ministrisë së Arsimit në Beograd në kërkim të mirëkuptimit e realizimit të të drejtave në arsim. Bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare e evropiane. Bashkëveprimin dhe bashkërendimin me Ministrinë e Arsimit në Tiranë.

P. S. Në fillim vit kemi arritur të listohen 79 komplete tekstesh mësimore në publikimin preliminar të katalogut të teksteve mësimore në gjuhën shqipe të lejuara ndër vite.

-----