Ballina Lajme nacionale Qeveria e Albin Kurtit/ Një prej sfidave marrëveshja dhe dialogu me Serbinë

Qeveria e Albin Kurtit/ Një prej sfidave marrëveshja dhe dialogu me Serbinë

9
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Shumë sfida e presin qeverinë e re të Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, thonë analistë të çështjeve politike dhe ekonomike. Çështjet më urgjente sa i përket politikës së jashtme sipas tyre, do të jenë dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht detyruese.

Në rrafshin e brendshëm, ndalja e emigrimit të të rinjve, zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit, luftimi i korrupsionit, fuqizimi i rendit dhe ligjit janë vetëm disa çështje me të cilat ekzekutivi kosovar do të përballet shumë shpejt.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Kurti do të udhëheq një qeveri në një moment tejet delikat për Kosovën, si në aspektin e brendshëm edhe atë të jashtëm. Puna e parë që do të duhet të bëjë qeveria Kurti, sipas Muhaxhirit, është të ndalojë keqpërdorimin e parave publike dhe të fillojë rimëkëmbjen e institucioneve shtetërore të cilat, siç thotë analisti, janë dëmtuar shumë në qeverisjet e kaluara.

Por ajo do të ketë dhe një tjetër barrë të rëndë: të rikthejë besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovës.“Në aspektin ndërkombëtar problemi kryesor i qeverisë Kurti do të jetë çështja e etapës finale të dialogut me Serbinë dhe këtu pritet që të ketë telashe të mëdha pasi qëndrimi i deritashëm i Kurtit ka qenë përjashtues dhe nuk ka marrë për bazë ecurinë e deritashme të dialogut.

Është pak e pritshme që qasja e tij për rivlerësim të gjithë dialogut të gjejë përkrahje tek aleatët europianë dhe amerikanë të cilët kërkojnë një përshpejtim të gjetjes së zgjidhjes”, thotë Muhaxhiri, duke kujtuar se kur vjen fjala tek dialogu, qëndrimet e VV dallojnë shumë me ato të partneres së koalicionit qeverisës, LDK. Sfida të mëdha, Qeverinë Kurti e presin edhe në aspektin ekonomik. Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike shprehet se problemet kryesore më të cilën përballen qytetarët e Kosovës dhe që kërkojnë zgjidhje nga ekzekutivi i ri janë ato të punësimit, zhvillimit ekonomik dhe largimi i qytetarëve të Kosovës jashtë vendit.

Vitet e fundit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka pasur rritje të emigrimit. Më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës sipas këtyre të dhënave kanë emigruar në dekadën e fundit.

---- ----
----
-----
-----