Ballina Lajme nacionale Qeveria dorëzohet, bie poshtë Ligji për Financimin e Partive Politike

Qeveria dorëzohet, bie poshtë Ligji për Financimin e Partive Politike

7
SHPËRNDAJE

Zmbrapset Qeveria, bie poshtë Ligji për Financimin e Partive Politike.

Qeveria e Kosovës pas presionit nga shoqëria civile dhe të një pjese të opozitës është zmbrapsur nga Ligji për Financimin e Subjekteve Politike, i cili ua mundëson partive në Kosovë t’i fshehin financuesit e tyre.

Pas kërkesave të shoqërisë civile, të cilët përmes protestave paqësore kanë kërkuar që në Kuvend të mos kalojë Projektligji për Financimin e Partive Politike, si dhe kanë pezulluar pjesëmarrjen e tyre në Komisionin Parlamentar Ad-Hoc për Përmirësimin dhe për Forcimin e Procesit Zgjedhor, Qeveria e Kosovës e ka tërhequr këtë projektligj.

Këtë gjë e bëri të ditur të premten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili theksoi se tërheqja e Projektligjit është vendim i duhur pas kundërshtimeve që pati shoqëria civile për të, shkruan gazeta “Zëri”.

“Pas shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile, sa u përket ndryshimeve që i janë bërë Projektligjit për Financimin e Partive Politike, gjatë punës në komisionet parlamentare kam propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të merret vendim për tërheqjen e këtij Projektligji nga Kuvendi i Kosovës. Duke e ditur rëndësinë që ka ky Projektligj, për zhvillimin e demokracisë në vend, të nevojës së transparencës në funksion të politikëbërjes dhe të përfshirjes së të gjitha palëve në krijimin e tij tërheqja e Projektligjit dhe ridërgimi i tij me bazë të mirë ligjore e demokratike, është veprim i duhur”, ka shkruar Haradinaj.

-----