Ballina Lajme nacionale Punëtorët e aeroportit paralajmërojnë protestë, pakënaqësi në trajtimin nga menaxhmenti

Punëtorët e aeroportit paralajmërojnë protestë, pakënaqësi në trajtimin nga menaxhmenti

13
SHPËRNDAJE

Pakënaqësitë në trajtimin nga menaxhmenti ka bërë që punëtorët e aeroportit ‘Adem Jashari’ të paralajmërojnë protestë.

Punëtorët, të përfaqësuar nga Sindikata e Pavarur, kanë paralajmëruar masa të tilla, shkaku i pakënaqësive në trajtimin e punëtorëve, raporton KTV.

Sipas Bashkim Latifit, kryetar i kësaj sindikate, ka pasur raste kur punëtorët janë gjobitur nga menaxhmenti me dhjetëra mijëra euro.

Kërkesat, që sipas tyre ia kanë bërë të ditur menaxhmentit, mes tjerash janë shtesat e rrezikshmërisë për detyra me ekspozim direkt në dëmtim të shëndetit, pushimi vjetor, eliminimin të dallimeve në paga si dhe shujta.

Shkaku i kushteve jo të mira, sipas Latifit, rreth 100 punëtorë kanë lëshuar punën.

Paralajmërimi i sindikatës për protestën e 8 gushtit, sipas avokatit Tomë Gashi, është pritur me kërcënime nga Menaxhmenti i aeroportit.

Megjithatë, kërkesat e sindikalistëve, për udhëheqësit e aeroportit, nuk përkojnë me realitetin, e sipas tyre, as me Ligjin e Punës, dhe thonë të kenë kërkuar edhe interpretim ligjor në MPMS, ku është konstatuar të mos ketë shkelje të ligjit.

Kërkesat, sipas ANP-së, shumica e tyre bazohen në Marrëveshjen Kolektive, që tani nuk është valide, por të njëjtën, nuk e kishte nënshkruar ndonjë herë ANP.

“Shpifjet publike për shkeljet e të drejtave e të punonjësve janë për keqardhje dhe na habisin, për faktin se sigurimi shëndetësorë, qasja me pije pa kufi për të gjithë punonjësit (ujë, kafe, caj) si dhe transport i rregulluar për punonjës bëhet në baza vullnetare nga kompania duke rezultuar në shpenzime për miliona eurosh vetëm në sigurime shëndetësore, edhe pse kompania nuk është e obliguar me ligj”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Aeroportit.

Në përgjigjet që i janë kthyer KTV-së, nuk janë mohuar gjobat dhënë punëtorëve, por sipas tyre, punëtorët sipas kontratës, mbajnë përgjegjësi për dëmin eventual shkaktuar kompanisë dhe i nënshtrohen komisioneve disiplinore.

Nga zyra për media e ANP-së, është hedhur poshtë numri i punëtorëve të larguar i paraqitur nga sindikata si i pabazuar, e gjithashtu, janë mohuar edhe kërcënimet eventuale.