Ballina Shëndetësi Pse nuk duhet neglizhuar Covid te fëmijët? Mësimi i hidhur i një...

Pse nuk duhet neglizhuar Covid te fëmijët? Mësimi i hidhur i një nëne braziliane

16
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
“Ai ishte një dritë në jetën tonë! Na tregoi se lumturia është shumë më shumë nga sa e kishim imagjinuar!”. Me këto fjalë, Jessika Ricarte kujton të birin e saj, Lucas që ndërroi jetë nga Covid dhe e gjitha për shkak të neglizhencës.

Lucas, që nuk e festoi dot dyvjetorin e lindjes, është njëri prej 1300 fëmijëve që kanë ndërruar jetë në Brazil si pasojë e Covid. Mamaja e tij, Jessika e ka kthyer dhimbjen në forcë me synim ndërgjegjësimin e prindërve të tjerë që të mos bëjnë gabimin fatal që bëri ajo, bashkëshorti dhe të afërmit e saj, duke neglizhuar simptomat e Covid.

Jessika rrëfen se në ditët e para kur Lucas nuk u ndje mirë i kërkoi një mjeku që t’i kryente testin e Covid. Mjeku refuzoi duke deklaruar se simptomat e tij nuk përputheshin me profilin e virusit. Dy muaj më vonë, në qershor të 2020-ës, Lucas ndërroi jetë për shkak të ndërlikimeve të shkaktuara nga Covid.

Jessika thotë se dyshimet e para i nisi kur Lucas humbi oreksin dhe më pas filloi temperatura dhe kolla e thatë.

“Mjekët i matën oksigjenin dhe ishte në nivelin 86 për qind. E di që nuk është normale, por mjekët më thanë që të mos shqetësohesha, se nuk kishte nevojë për një test Covid dhe se me gjasë ishte thjesht një kollë e thatë e zakonshme për moshën e fëmijës”, kujton Jessika.

Nxitur nga studimet dhe perceptimi i përgjithshëm se Covid ishte i rrallë tek fëmijët, mjekët i thanë antibiotikë dhe e dërguan në shtëpi, pa i kryer një test anti-Covid. Jessika kujton se u qetësua disi nga fjalët e mjekëve dhe nuk këmbënguli për t’i kryer testin privatisht.

Ajo rrëfen se në ditën e dhjetë të trajtimit me antibiotikë, disa simptoma të Lucas u larguan, por lodhja mbeti e bashkë me të edhe shqetësimi e dyshimi i saj i vazhdueshëm se djali mund të ishte prekur nga Covid.

“U dërgoja video të aktivitetit të djalit prindërve të mi, vjehrrës e të afërmve të tjerë dhe të gjithë më thonin se po e teproja, se nuk duhej të ndiqja më lajmet, e se po bëhesha paranojake. Por, unë e dija që djali im nuk ishte mirë, që nuk merrte frymë normalisht”, rrëfen Jessika.

Ishte maji i 2020 dhe pandemia po merrte përmasa edhe më alarmante në Brazil. Dy persona vdiqën në qytezën ku jeton Jessika në veri-lindje të Brazilit. “Këtu të gjithë e njohim njëri-tjetrin. Qyteti ishte i tronditur”, thotë ajo.

Lucas në ditëlindjen e parë me prindërit e tij, Israel dhe Jessika
Israel, bashkëshorti i Jessika-s dhe babai i Lucas ishte i shqetësuar në këtë periudhë se dërgimi në spital i djalit të mitur rriste mundësitë që të infektoheshin më koronavirus. Javët kalonin dhe me kalimin e tyre, Lucas bëhej gjithnjë e më shumë i qetë dhe flinte më shumë. Në fillim të qershorit, pak pasi kishte ngrënë drekën ai e nxorri ushqimin. Jessika thotë se në këtë moment e dinte që duhet të vepronte dhe e mori djalin duke e çuar në spital për ta testuar.

Testimi provoi të gjitha dyshimet që Jessika kishte pasur prej fillimit: Lucas ishte pozitiv me Covid. Ai u transportua në një spital për fëmijë rreth dy orë distancë larg qytezës së tij. Këtu u diagnostikua me atë që njihet si sindroma inflamatore e shumëfishtë, një përgjigje ekstreme e sistemit imunitar ndaj një virusi, që shkakton dëmtime të pariparueshme të organeve jetësore.

Ekspertët thonë se kjo sindromë është e rrallë tek fëmijët, megjithëse epidemiologët brazilianë thonë se prej një viti tashmë këto raste ekstreme janë duke u bërë më të zakonshme.

Lucas u intubua dhe mjekët që u morën me rastin e tij u thanë prindërve se ishin të habitur me gjendjen e tij të rënduar, pasi vogëlushi nuk kishte asnjë sëmundje tjetër shoqëruese.

Lucas qëndroi në intubim për 33 ditë dhe gjatë kësaj kohe, Jessika u lejua që të shikojë vetëm 3 herë. Në një moment Lucas u përmirësua dhe mjekët vendosën që ta hiqnin nga intubimi. Ata morën në telefon Jessika-n dhe Israel-in gjatë kohës që djali përmendej.

“Kur dëgjoi zërat tanë, qau”, rrëfen mes lotëve Jessika.

Ishte hera e fundit që ata do të përshëndeteshin me djalin e tyre. Gjatë video-telefonatës tjetër “djali kishte humbur ndjenjnat”. Mjekët zbuluan se ai kishte pësuar një goditje në tru, por ishin optimistë se do ta merrte veten shpejt dhe kështu u thanë edhe prindërve.

“Atë natë hoqa zilen e telefonit dhe fjeta. Ëndërrova sikur Lucas erdhi tek unë dhe më puthi në hundë. Ishte një ëndërr e bukur. U zgjova e lumtur deri kur pashë se në telefonin tim kisha 10 thirrje të humbura nga mjeku që po kujdesej për të”, kujton Jessika.

Gjatë telefonatës mjekët i thanë se nivelet e oksigjenit dhe rrahjet e zemrës së Lucas kishin rënë papritur dhe se ai kishte ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit.

Sot, Jessika është e sigurtë se nëse djalit të saj do t’i kryhej që në momentin e parë testimi anti-Covid ai do të ishte ende gjallë sot.

“Është me rëndësi që mjekët, edhe kur besojnë se nuk është Covid, të kryejnë testimin për të eleminuar e hequr çdo dyshim”, thotë ajo.

Bindja e Jessika-s përforcohet edhe nga mjekët, që thonë se nëse Lucas do të kishte marrë trajtimin e duhur që në fillim, mundësitë për t’u shëruar nga Covid do të ishin thuajse 100 për qind.

Misioni që Jessika i ka vënë sot vetes është që t’i tregojë botës historinë e vet dhe përmes saj të ndërgjegjësojë prindërit e tjerë që të mos e neglizhojnë Covid-in tek fëmijët.

“Po përpiqem që të bëj për nënat e tjera atë që do të dëshiroja që ta kishin bërë për mua. Nëse do ta kisha këtë informacion atëherë, gjërat do të ishin ndryshe dhe unë do të isha më e kujdesshme.(BBC. Përshtati, gazeta Si)

---- ----
-----